Konferenca e Përgjithshme
Libri i Mormonit – Një Thesar i Pamatshëm në Rrugëtimin Tonë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


9:47

Libri i Mormonit – Një Thesar i Pamatshëm në Rrugëtimin Tonë

Ndërsa ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit që gjenden në Librin e Mormonit, Shpirti do të na ndihmojë t’i kuptojmë të vërtetat e përjetshme.

A ju kujtohet ndonjë moment kur dikush ju bëri një dhuratë që ju ndryshoi jetën? Ky muaj tetor shënon 40 vjet qëkurse mora një nga dhuratat më të madhërishme në jetën time. Ndërkohë që isha në shkollë të mesme, vura re se njëri nga shokët tanë të klasës kishte një dritë që ishte ndryshe nga shumica e të rinjve të tjerë. Më pëlqente shumë të rrija me të. Një ditë, ai më tha se ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pastaj ai më ofroi një dhuratë: një kopje të Librit të Mormonit. Ai më ftoi të lexoja disa faqe dhe të takohesha me dy miq që mund t’u përgjigjeshin pyetjeve të mia. Ata miq ishin misionarët.

Kur u takova me misionarët, ata më mësuan doktrinën e Krishtit dhe më ftuan të ndiqja ftesën e profetit Moroni: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4).

Lexova disa faqe nga Libri i Mormonit dhe u luta. Ndonëse nuk kisha ende një kuptueshmëri të thellë për të gjitha gjërat që po më mësonin misionarët, ndjeva në zemër se ajo që po lexoja, ishte e mirë dhe vinte nga Perëndia. Mora vërtetim për premtimin e Moronit: “Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).

Pasi u pagëzova në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, disa miq u përpoqën të më bindnin se kisha marrë vendimin e gabuar. Por sa herë që përballesha me dyshime apo kundërshtim të këtillë, merrja vërtetim të përtërirë nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta dhe lutesha që t’u qëndroja besnik besëlidhjeve që kisha bërë me Perëndinë. Që atëherë, Libri i Mormonit ka qenë shoqëruesi im dhe është bërë një thesar i pamatshëm në rrugëtimin tim në vdekshmëri.

Libri i Mormonit është më shumë sesa thjesht një libër. Ai është një dëshmi tjetër për Jezu Krishtin, i shkruar nga shumë profetë të lashtë nëpërmjet shpirtit të profecisë dhe zbulesës.

Ngjarja më e rëndësishme e shënuar në Librin e Mormonit është shërbesa vetjake e Zotit Jezu Krisht mes nefitëve, pak kohë pas Ringjalljes së Tij. Libri i Mormonit “shpjego[n] doktrinat e ungjillit, thekso[n] në vija të përgjithshme plani[n e] shpëtimit dhe u trego[n] njerëzve se ç’duhet të bëjnë që të arrijnë paqe në këtë jetë dhe shpëtim të përjetshëm në jetën që do të vijë” (parathënia për Librin e Mormonit).

Botimi i parë i veprës “Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit” u botua në një qytezë të vogël në shtetin e Nju‑Jorkut në mars të vitit 1830. Profeti Jozef Smith ishte vetëm 23 vjeç kur e përfundoi përkthimin e librit në vitin 1829. Ai e përktheu pothuajse të gjithë librin për më pak se 75 ditë dhe u deshën rreth shtatë muaj për procesin e shtypjes.

Sot, thuajse 80 000 misionarë kohëplotë, në më shumë se 150 vende, po shërbejnë si vullnetarë, duke ia përkushtuar jetën dhënies së dëshmisë që Libri i Mormonit është i vërtetë dhe se ai dëshmon për Jezu Krishtin.

Në seminarin më të fundit për udhëheqësit e rinj të misioneve në qershor të këtij viti, Presidenti Rasëll M. Nelson dha dëshminë e tij të fuqishme për Librin e Mormonit: “Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Ai na mëson doktrinën e Krishtit dhe shpjegon më shumë rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit se çdo libër tjetër.”

Do të më pëlqente të ofroja tre sugjerime që mund të ndihmojnë në thellimin e kthimit tonë në besimin te Jezu Krishti nëpërmjet një studimi të Librit të Mormonit.

1. Jini të Zellshëm dhe të Qëndrueshëm në Studimin Tuaj të Përditshëm

Ashtu si Alma dhe bijtë e Mosias, ne duhet t’i “kërk[ojmë] me zell shkrimet e shenjta, që [ne] të mund të di[më] fjalën e Perëndisë” dhe të forcohemi në të vërtetën (Alma 17:2).

Ndërkohë që shërbenim si udhëheqës misioni në Misionin e Xhorxhias, Atlantë, bashkëshortja ime dhe unë e nxitëm çdo misionar të studionte Librin e Mormonit për të paktën 30 minuta çdo ditë. Ai zotim na e rriti besimin dhe na ndihmoi të kërkonim dhe të kishim pritshmëri për mrekulli.

Është e mundur që pas misionit mund të mos kemi të njëjtën sasi të mundshme kohe për studim të përditshëm të shkrimeve të shenjta, por ju premtoj se, nëse e bëni përparësi me sinqeritet studimin e Librit të Mormonit me lutje çdo ditë, do të gjeni forcë shpirtërore më të madhe dhe më shumë mirëbesim te Zoti dhe premtimet e Tij.

2. Bëjeni Studimin Tuaj më Kuptimplotë duke u Ushqyer me Bollëk me Fjalët e Krishtit

Nefi dha mësim: “Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni” (2 Nefi 32:3).

Të ushqehesh me bollëk do të thotë më shumë sesa thjesht të lexosh – do të thotë të shijosh, të përsiatësh dhe të zbatosh. Ndërsa e studioni Librin e Mormonit, merrni parasysh mënyra se si ta bëni studimin tuaj të shkrimeve të shenjta më kuptimplotë. Për shembull:

  • Përdorini ndihmat për studimin që janë në dispozicion në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Përcaktoni të vërteta të përjetshme që na ndihmojnë ta kuptojmë planin e Perëndisë dhe na drejtojnë të bëjmë besëlidhje me Atin tonë Qiellor dhe t’i mbajmë ato.

  • Theksojini me ngjyrë frazat domethënëse dhe shënojini mbresat tuaja për të ruajtur atë që keni mësuar gjatë studimit tuaj.

Libri i Mormonit ka fuqinë t’u përgjigjet pyetjeve të shpirtit tonë. Sikurse tha Nefi, ne duhet t’i “përshtat[im] të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23).

Ndërsa ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit, ato do të hapin derën ndaj zbulesës dhe do të na tregojnë atë që duhet të bëjmë në rrethana të ndryshme të jetës sonë për t’iu afruar më shumë Atij.

3. Jepni Dëshminë Tuaj për Vërtetësinë e Librit të Mormonit

Ashtu siç dëshiroi Lehi të hante frutën e pemës së jetës me familjen e tij (shihni te 1 Nefi 8:12), kur marrim një dëshmi për Librin e Mormonit, ne zhvillojmë një dëshirë për ta ndarë gëzimin që vjen nga njohuria për ungjillin e Jezu Krishtit.

Motra Benson me Librin e Mormonit

Një nga misionaret tona, Motra Benson, që është bashkë me ne në këtë sesion, më tregoi se kishte dëshirë të ndihmonte vëllanë e saj më të vogël. Në atë kohë, ai po përgatitej të ndiqte kolegjin dhe nuk ishte i sigurt a të shërbente në një mision apo jo. Pata mbresën ta ftoja Motrën Benson të lexonte Librin e Mormonit gjatë katër muajve të parë të misionit të saj, duke shenjuar vargjet e saj të parapëlqyera dhe më pas t’ia dërgonte atë kopje të vëllait.

Motra Benson ia dërgoi të vëllait kopjen me shënime të Librit të Mormonit dhe e ftoi atë të lexonte prej tij çdo mbrëmje. Më vonë ajo më tregoi: “Para misionit tim, vëllai im nuk ishte i sigurt a dëshironte të shërbente në një mision kohëplotë. Dalëngadalë, me kalimin e kohës, teksa e lexonte Librin e Mormonit, ai gjeti gëzim të madh në jetën e tij dhe filloi ta merrte në konsideratë shërbimin në një mision.”

Plaku [Elldër] Benson

Dy javë përpara se Motra Benson të përfundonte misionin e saj, i vëllai mori thirrjen e tij të misionit. Tani ai po shërben në Misionin e Meksikës, Tukstla‑Gutierrez. Nëpërmjet Librit të Mormonit, Plaku Benson arriti ta shihte jetën e vet me qartësi shpirtërore, gjë që e shtyu t’i shërbente Zotit dhe të mirëbesonte se gjërat do të shkonin mirë. Ky vendim ishte një mrekulli, i ndikuar nga fuqia e fjalëve të Krishtit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju nxit të gjithëve që ta thelloni studimin tuaj të Librit të Mormonit. E di se teksa ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit që gjenden te Libri i Mormonit, Shpirti do të na ndihmojë t’i kuptojmë të vërtetat e përjetshme dhe t’ua japim dëshmitë tona me bindje atyre që Zoti i ka përgatitur për ta dëgjuar mesazhin e Tij. Zoti tha: “Të zgjedhurit e mi e dëgjojnë zërin tim dhe nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre” (Doktrina e Besëlidhje 29:7). Unë dëshmoj se ata që i kërkojnë Perëndisë me besim, do të fitojnë një dëshmi për të vërtetën dhe natyrën hyjnore të Librit të Mormonit me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Për këtë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Russell M. Nelson, “Sacrament Meeting” (fjalim dhënë në seminarin për udhëheqësit e rinj të misioneve, 23 qershor 2025).