Bëjeni Pjesën Tuaj me Gjithë Zemër
Mirëbesojini Shpëtimtarit dhe përfshihuni me durim dhe zell, për të bërë pjesën tuaj me gjithë zemër.
Vitin e shkuar, gjatë një udhëtimi në Europë, vizitova vendin tim të vjetër të punës, linjën ajrore gjermane Lufthansa në aeroportin e Frankfurtit.
Për të trajnuar pilotët e vet, ata vënë në veprim disa simulues të sofistikuar të fluturimit duke rikrijuar një ndjesi të plotë të lëvizjeve të çdo gjendjeje normale dhe urgjence gjatë fluturimit. Gjatë viteve të mia të shumta si kapiten i linjës ajrore, duhej të kaloja me sukses një fluturim kontrolli në simuluesin e fluturimit çdo gjashtë muaj për ta mbajtur patentën e pilotit. Më kujtohen mirë ato çaste stresi dhe ankthi të madh, por edhe ndjenja e arritjes pasi e kaloja provimin. Isha i ri atëherë dhe më pëlqente fort sfida.
Gjatë vizitës sime, një nga drejtuesit e Lufthansës më pyeti a do të doja ta provoja prapë të fluturoja me simuluesin 747 edhe një herë.
Përpara se të kisha kohë ta bluaja plotësisht në mendje pyetjen, dëgjova një zë, i cili çuditërisht tingëllonte shumë si zëri im, duke thënë: “Po, do të më pëlqente shumë”.
Sapo i thashë fjalët, një cunami mendimesh më vërshoi në mendje. Kishte kaluar një kohë e gjatë qëkurse kisha fluturuar me modelin 747. Në atë kohë isha i ri në moshë dhe një kapiten me vetëbesim. Epo kisha një reputacion për të ruajtur si një ish‑kryepilot. A do të turpërohesha përpara këtyre profesionistëve?
Por ishte tepër vonë për t’u zmbrapsur, ndaj u vendosa në ulësen e kapitenit, i vura duart në pultin e njohur e të dashur të komandimit dhe ndjeva, përsëri, gazmendin e fluturimit teksa avioni i madh gjëmonte përgjatë pistës dhe bëra ngritjen në qiell të hapur.
Lumturisht them se fluturimi qe i suksesshëm, avioni mbeti i paprekur dhe po kështu edhe imazhi që kisha për veten.
Prapëseprapë, përvoja qe përulëse për mua. Kur isha në kulmin tim, fluturimi më qe bërë thuajse diçka e natyrshme. Tani m’u desh i gjithë përqendrimi për të bërë gjërat bazike.
Dishepullimi Do Disiplinë
Përvoja ime në simuluesin e fluturimit ishte një kujtues i rëndësishëm se, për t’u bërë të zotë në çfarëdo qoftë: fluturim, bashkëveprim, këndim ose mësim, duhet disiplinë vetjake dhe praktikë.
Mund të shpenzoni vite për të fituar një zotësi ose për të zhvilluar një talent. Mund të punoni aq fort sa t’ju bëhet e natyrshme. Por nëse mendoni se kjo do të thotë që mund të ndaloni së praktikuari dhe studiuari, gradualisht do t’i humbisni njohurinë dhe aftësitë që dikur i fituat me kosto të lartë.
Kjo gjen zbatim për zotësi si të mësuarit e një gjuhe, si t’i biesh një instrumenti muzikor dhe si të drejtosh të fluturojë një aeroplan. Gjen zbatim edhe për bërjen një dishepull i Krishtit.
Thënë thjesht, dishepullimi do disiplinë vetjake.
Nuk është një përpjekje e shkujdesur dhe nuk ndodh rastësisht.
Besimi te Jezu Krishti është një dhuratë, por pranimi i dhuratës është një zgjedhje e ndërgjegjshme për të cilën duhet një zotim me gjithë “fuqinë, mendjen dhe forcën” tonë. Ai është praktikë e çdo dite. Çdo ore. Për të duhet mësim i vazhdueshëm dhe zotim i vendosur. Besimi ynë, që është besnikëria jonë ndaj Shpëtimtarit, bëhet më i fortë teksa vihet në provë kundrejt kundërshtimit me të cilin përballemi këtu në vdekshmëri. Ai zgjat sepse ne vazhdojmë ta ushqejmë, sepse vazhdojmë ta vëmë në zbatim në mënyrë aktive dhe nuk heqim dorë kurrë.
Nga ana tjetër, nëse nuk arrijmë ta përdorim besimin dhe fuqinë e tij bindëse duke vepruar me të, bëhemi më pak të sigurt për gjërat që për ne dikur ishin të shenjta, më të pasigurt për gjërat që dikur e dinim se ishin të vërteta.
Tundimet që nuk do të na kishin joshur kurrë, fillojnë të duken më pak të tmerrshme dhe më tërheqëse.
Zjarri i dëshmisë së djeshme mund të na ngrohë deri për njëfarë kohe. Ai ka nevojë për ushqim të vazhdueshëm që të vazhdojë të flakërojë fort.
Në Dhiatën e Re, Shpëtimtari dha mësim një shëmbëlltyrë rreth një pronari, i cili i dha secilit prej shërbëtorëve një shumë në mirëbesim, një sasi parash që quheshin talenta. Shërbëtorët që i përdorën me zell talentat e tyre, i shtuan paratë. Shërbëtori që e groposi talentin e tij, përfundimisht e humbi atë.
Mësimi? Perëndia na jep dhurata njohurish, aftësish, mundësish dhe Ai dëshiron që t’i përdorim e t’i shtojmë në mënyrë që të mund të na bekojnë ne dhe të bekojnë fëmijët e tjerë të Tij. Ajo nuk ndodh nëse i vëmë ato dhurata lart mbi një raft si një trofe që e admirojmë herë pas here. Dhuratat tona zmadhohen e shumëfishohen vetëm kur i vëmë në përdorim.
Juve ju Janë Dhënë Dhurata
“Por Plaku Uhtdorf”, – mund të thoni ju –, “nuk kam asnjë dhuratë ose talent, të paktën, asnjë aq të vlefshëm.” Ndoshta shihni të tjerë, dhuntitë e të cilëve janë të dukshme dhe mbresëlënëse dhe ndiheni tepër të zakonshëm kur krahasoheni me ta. Mund të supozoni se në ekzistencën para lindjes, ditën e banketit të madh të dhuntive dhe talenteve, pjata juaj dukej mjerisht e zbrazët veçanërisht në krahasim me pjatat e mbushura pirg e plot e përplot të të tjerëve.
O, sa do të doja të mund t’ju përqafoja dhe t’ju ndihmoja të kuptonit këtë të vërtetë të madhërishme: Ju jeni një qenie e bekuar drite, fëmija shpirtëror i një Perëndie të pafundmë! Dhe ju mbani përbrenda një potencial përtej vetë aftësisë suaj për ta imagjinuar.
Sikurse kanë vënë në dukje poetët, ju vini në tokë “duke lëshuar tragë resh lavdie”!
Historia e origjinës suaj është hyjnore, po ashtu edhe fati juaj. U larguat nga qielli për të ardhur këtu, por qielli nuk ka ikur kurrë prej jush!
Ju jeni gjithçka përveçse të rëndomtë.
Juve ju janë dhënë dhurata!
Te Doktrina e Besëlidhje, Perëndia shpalli:
“Ka shumë dhurata dhe çdo njeriu i jepet një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë.
Disave u jepet një dhuratë dhe disave u jepet një tjetër, me qëllim që të gjithë të mund të përfitojnë në këtë mënyrë.”
Disa prej dhuratave tona renditen në shkrimet e shenjta. Shumë nuk janë.
Sikurse tha profeti Moroni: “Mos mohoni dhuratat e Perëndisë, pasi ato janë shumë; dhe ato vijnë nga i njëjti Perëndi”. Ato shpërfaqen në “mënyra të ndryshme … por është i njëjti Perëndi që vepron në çdo gjë”.
Mund të jetë e vërtetë se dhuratat tona shpirtërore nuk bien gjithmonë në sy, por kjo nuk do të thotë që janë më pak të rëndësishme. A mund t’ju tregoj disa dhurata shpirtërore që i kam vënë re tek kaq shumë anëtarë nëpër botë? Mendohuni a jeni bekuar me një ose më shumë dhurata si:
-
Shfaqja e dhembshurisë.
-
Vënia re e njerëzve që lihen pas dore.
-
Gjetja e arsyeve për të qenë të gëzuar.
-
Të qenit paqebërës/e.
-
Dallimi i mrekullive të vogla.
-
Dhënia e përgëzimeve të sinqerta.
-
Falja.
-
Pendimi.
-
Durimi.
-
Shpjegimi i gjërave thjesht.
-
Gjetja e gjuhës me fëmijët.
-
Mbështetja e udhëheqësve të Kishës.
Mund të mos i shihni këto dhurata të paraqiten në një shfaqje talentesh të lagjes. Por shpresoj se mund ta shihni se sa të çmuara janë për veprën e Zotit dhe se si mund ta keni prekur, bekuar ose madje shpëtuar njërin nga fëmijët e Perëndisë nëpërmjet dhuratave tuaja. Mbajeni mend: “Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen”.
Bëjeni Pjesën Tuaj të Vogël
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, të dashur miq, lutem që Shpirti t’ju ndihmojë t’i dalloni dhuratat dhe talentet që ju ka dhënë Perëndia. Më pas, ashtu si shërbëtorët besnikë në shëmbëlltyrën e Zotit, le t’i shtojmë dhe zmadhojmë ato.
Do të vijë dita kur të qëndrojmë përpara Atit tonë të dhembshur në Qiell për të dhënë llogari për kujdestarinë tonë. Ai do të dojë të dijë se çfarë bëmë me dhuratat që na dha, veçanërisht mënyrën se si i përdorëm për të bekuar fëmijët e Tij. Perëndia e di se cilët jemi në të vërtetë, cilët është synuar të bëhemi dhe prandaj pritshmëritë e Tij për ne janë të larta.
Por Ai nuk pret që ne të hedhim një hap madhështor, heroik ose mbinjerëzor për ta arritur këtë. Në botën që Ai krijoi, rritja ndodh shkallë-shkallë dhe me durim, por gjithashtu me qëndrueshmëri dhe pareshtur.
Mbani mend, është Jezu Krishti Ai që e bëri tashmë pjesën mbinjerëzore kur mposhti vdekjen dhe mëkatin.
Pjesa jonë është të ndjekim Krishtin. Pjesa jonë është t’i kthejmë shpinën mëkatit, të kthehemi nga Shpëtimtari dhe të ecim në udhën e Tij, duke i hedhur hapat një e nga një. Ndërsa e bëjmë këtë, me zell dhe besnikëri, ne përfundimisht i flakim vargonjtë e papërsosurive dhe fajeve dhe dalëngadalë rafinohemi deri në atë ditë të përsosur kur do të përsosemi në Krishtin.
Bekimet janë të arritshme. Premtimet janë siguruar. Dera është krejt e hapur. Është zgjedhja jonë të hyjmë dhe të fillojmë nga puna.
Fillimi mund të jetë nga pak. Por kjo është në rregull.
Atje ku besimi është i dobët, fillojeni me një shpresë te Krishti Jezus dhe te fuqia e Tij për t’ju pastruar dhe për t’ju bërë të kulluar.
Ati ynë kërkon që t’i qasemi kësaj sfide besimi dhe dishepullimi jo si vizitorë rastësorë, por si besimtarë me gjithë zemër, të cilët e lënë pas dhe e braktisin Babiloninë dhe i drejtojnë zemrën, mendjen dhe hapin për nga Sioni.
Ne e dimë se vetëm përpjekjet tona nuk mund të na bëjnë çelestialë. Por ato mund të na bëjnë besnikë dhe të zotuar ndaj Jezusit Krishtit dhe Ai mund të na bëjë çelestialë.
Për shkak të Shpëtimtarit tonë të dashur, nuk ekziston diçka e tillë si një skenar pa fitore. Nëse e vëmë shpresën dhe besimin tonë tek Ai, fitoren e kemi të sigurt. Ai na premton qasje te forca e Tij, te fuqia e Tij, te hiri i Tij i bollshëm. Hap pas hapi, pak e nga pak, do t’i afrohemi gjithnjë e më shumë asaj dite të madhërishme e të përsosur kur do të jetojmë me Të dhe me njerëzit tanë të dashur në lavdi të përjetshme.
Për ta arritur këtë, duhet të bëjmë pjesën tonë sot dhe çdo ditë. Jemi falënderues për hapat që hodhëm dje, por nuk ndalojmë me aq. E dimë se kemi një rrugë të gjatë për të bërë, por nuk e lëmë këtë të na shkurajojë.
Ky është thelbi i asaj që jemi si ndjekës të Krishtit.
E nxit dhe e bekoj çdo anëtar të Kishës dhe cilindo që dëshiron të bëhet pjesë e saj, t’i mirëbesojë Shpëtimtarit dhe të përfshihet me durim dhe zell, për të bërë pjesën e vet me gjithë zemër, që gëzimi i tij/saj të jetë i plotë dhe që, një ditë, të marrë gjithçka që ka Ati. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.