Konferenca e Përgjithshme
Proklamata mbi Familjen – Fjalë nga Perëndia
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


13:58

Proklamata mbi Familjen – Fjalë nga Perëndia

Proklamata ka një origjinë hyjnore, prandaj duhet ta trajtojmë me nderimin që meritojnë fjalët nga Perëndia.

Kjo konferencë e përgjithshme e tetorit 2025 shënon 30‑vjetorin e shpalljes së dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Sipas qëllimit hyjnor, kjo proklamatë, me fjalët e saj të zbulesës, u krijua për të “ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë”.

Çdo njeri i përket një familjeje, pavarësisht nëse është një nënë, baba, bijë, bir, nip ose mbesë, gjysh ose gjyshe, teto, ungj, vëlla, motër apo kushëri. Më e rëndësishmja, secili prej nesh është, sikurse shpall proklamata, “një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë … [me] një natyrë dhe destinacion hyjnor”.

Kur u thirra në detyrën e shenjtë të Apostullit në vitin 2015, m’u dha këshilla: “Kjo proklamatë tani është e jotja. Emri yt [duke treguar me gisht drejt fjalëve ‘Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve’ në titull] është pikërisht këtu. Ndieje atë dhe jepe mësim sikur të ishte e jotja.”

Më pëlqen shumë proklamata mbi familjen. Kam dëshmuar anembanë botës që nga Afrika në Australi dhe kudo tjetër midis tyre, për rolin e familjes në planin e përjetshëm të Perëndisë. Proklamata ka një origjinë hyjnore, prandaj duhet ta trajtojmë me nderimin që meritojnë fjalët nga Perëndia.

Mbajeni mend, vëllezër e motra, siç e thashë në konferencën e përgjithshme të mëparshme nga kjo foltore: “Fjalët kanë rëndësi”.

Lejomëni t’ju jap ca informacion historik rreth proklamatës si një mesazh thelbësor i asaj që besojmë.

Në vitin 1994, një vit përpara se të paraqitej proklamata, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve diskutoi se si shoqëria dhe qeveritë po largoheshin nga ligjet e Perëndisë për familjen, martesën dhe gjininë. “Por ai nuk ishte fundi i asaj që pamë”, – shpjegoi më vonë Presidenti Rasëll M. Nelson. “Ne mund të shihnim përpjekjet e komuniteteve të ndryshme për t’i hequr të gjitha standardet dhe kufizimet në aktivitetin seksual. Ne pamë pështjellimin e gjinive. Ne mund t’i shihnim të gjitha këto të ndodhnin.”

Të Dymbëdhjetët vendosën që të përgatitnin një dokument, një proklamatë zyrtare, duke përmbledhur qëndrimin e Kishës mbi familjen. Gjatë atij viti, këta Apostuj, shikues të thirrur nga Perëndia, përgatitën një deklaratë rreth familjes. Presidenti Dallin H. Ouks kujtoi se ata plot lutje iu drejtuan Zotit për “atë që duhej të thoshi[n] dhe mënyrën se si duhej ta thoshi[n]”. Ata ia paraqitën atë Presidencës së Parë: Presidentëve Hauard W. Hanter, Gordon B. Hinkli dhe Tomas S. Monson, që ta shqyrtonin.

Vetëm pak muaj më vonë, në mars 1995, Presidenti Hanter ndërroi jetë dhe Presidenti Hinkli u bë Presidenti i 15‑të i Kishës. Proklamata ishte tani në duart e tij. Kur do të ishte koha e duhur që t’i bëhej kjo deklaratë Kishës? Ajo kohë erdhi gjashtë muaj më vonë.

Disa ditë përpara mbledhjes së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës së 23 shtatorit, që i parapriu konferencës së përgjithshme, Presidenti Hinkli dhe këshilltarët e tij u takuan në këshill me Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Motrat, si Apostujt, kishin kohë që po i peshonin shqetësimet rreth grave dhe familjeve. Ato e kishin përqendruar te familjet mbledhjen që po afrohej.

Ishte planifikuar që Presidenti Hinkli t’u drejtohej grave në atë grumbullim. Ai kishte përsiatur për drejtimin e bisedës së tij. Teksa diskutimi përparonte, ai iu drejtua me titull dokumentit të sapokrijuar, por ende jo publik: “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. A ishte kjo mbledhje e grave mjedisi i duhur për ta bërë deklaratën vendimtare rreth familjes?

Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Ilejn Xhek më vonë shpjegoi: “Nuk e dinim se çfarë ishte proklamata mbi familjen në atë kohë. … [N]e mund ta kuptonim nga titulli, por e ndiem se çdo gjë mbi familjen … do të ishte një gjë e mirë. … U ndjeva shumë mirë që kishte anëtarë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve që po merrnin zbulesë.”

Mbledhja e Shoqatës së Ndihmës atë të shtunë qe historike. Presidenti Hinkli e paraqiti proklamatën mbi familjen me këto fjalë të rëndësishme: “Me kaq shumë sofizëm që jepet si e vërtetë, me kaq shumë mashtrime lidhur me standardet e vlerat, me kaq shumë joshje dhe tërheqje që dalëngadalë të njollosemi si bota, ne e kemi ndier që të lajmërojmë dhe paralajmërojmë … për standardet, doktrinat dhe praktikat që lidhen me familjen, të cilat profetët, shikuesit dhe zbuluesit e kësaj Kishe i kanë përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë historisë së saj”.

Ai e lexoi më pas proklamatën tërësisht. Siç ka thënë Zoti: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”.

Proklamata thotë: “Familja shugurohet nga Perëndia”. Më pëlqen shumë qartësia e këtij deklarimi. Proklamata është një thirrje për ne që të jetojmë në vdekshmëri kurdoherë të vëmendshëm ndaj hyjnisë brenda nesh dhe të ardhmes së përjetshme që shtrihet përpara nesh. Presidenti Nelson dha mësim: “Ju jeni në mënyrë të mirëfilltë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. … Mos bëni gabim në lidhje me këtë: Potenciali juaj është hyjnor. Me kërkimin tuaj të zellshëm, Perëndia do t’ju japë grimca të personit që mund të bëheni.”

Kur u paraqit, proklamata nuk përputhej me pikëpamjet e shumë njerëzve në botë. As atëherë. As tani. Ka nga ata që ndihen të fyer nga deklarata mbi familjen, martesën dhe gjininë. Disa sugjerojnë që Kisha ta tërheqë mbrapsht, ta rishikojë ose madje ta vërë mënjanë proklamatën.

Kjo proklamatë mbi familjen është, sikurse shpalli Presidenti Hinkli, doktrinë, vëllezërit e motrat e mia të dashura. Parimet nuk janë në mospërputhje, por përsosurisht në përputhje me udhët e Zotit dhe shtegun e Tij të besëlidhjeve. Mësimet e proklamatës iu zbuluan nga Zoti ynë, Jezu Krishti, Apostujve të Tij atëherë dhe tani. Kjo është Kisha e Tij; Ai i ka themeluar të vërtetat sipas të cilave jetojmë.

Disa prej jush mund të reflektojnë për proklamatën dhe të thonë: “Kjo nuk funksionon më për mua”. “Duket e pandjeshme.” “Familja ime nuk është ashtu.” “Nuk e gjej veten.”

Për ata që kanë shqetësime, dijeni se jeni fëmijë i prindërve qiellorë, pjesë e familjes së Atit tuaj Qiellor. Askush nuk ju njeh më mirë ose interesohet më thellësisht për ju sesa Ai. Drejtojuni Atij, derdhjani zemrën Atij, mirëbesojini Atij dhe premtimeve të Tij. Ju keni familje te Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti i cili ju do. Ai erdhi në tokë që të shlyente për mëkatet tona dhe për të mbajtur barrët e gabimeve tona dhe të ditëve tona shumë të këqija. Ai e kupton se me çfarë po përballeni dhe se si ndiheni. Drejtojuni Atij, mirëbesoni se Ai do të dërgojë Frymën e Shenjtë që të jetë me ju, t’ju lartësojë shpirtërisht dhe t’ju udhërrëfejë. Ndiejeni dashurinë e Tyre që “derdhet në zemrat e fëmijëve të njerëzve; … ajo është më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat … dhe më e gëzueshmja për shpirtin”.

Të gjithë Apostujt e Zotit ju duan fort. Ne lutemi për ju dhe kërkojmë udhërrëfimin e Zotit për ju. Qëndroni me ne. Ju jetoni në kohë sfiduese kur kundërshtari përpiqet t’ju bëjë të vetin. Mos u largoni prej nesh. Dhe nëse jeni larguar, kthehuni. Krahët tanë shtrihen drejt jush, ashtu si do të shtrihen krahët e njerëzve të tjerë që ju duan.

Proklamata shpall: “Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për t’i rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi”. Libri i Mormonit siguron një dëshmi të dytë për këtë të vërtetë. Në vargun e parë të kapitullit të parë, lexojmë: “Unë, Nefi, duke qenë i lindur nga prindër të mirë”. Sa prej nesh e filluan Librin e Mormonit dhe e filluan përsëri e përsëri dhe, në atë proces, i ngulitën ato fjalë në mendje? Ngulitini ato përmendsh.

Një parim që mësojmë nga proklamata e familjes është ky: “Lumturia në jetën familjare ka më shumë të ngjarë të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht”.

Kush nuk dëshiron të jetë i lumtur?!

Dhe cilat janë mësimet e Jezu Krishtit? Përsëri, te proklamata: “Besimi…, lutj[a], pendimi, falj[a], respekti, dashuri[a], dhembshuri[a], pun[a] dhe aktivitete… të shëndosha argëtuese”.

Jeta e kujt nuk do të jetë më e mirë duke i zbatuar këto parime kyç? Askush prej nesh nuk do të veprojë me përsosuri; por mund të ndjekim fjalët e urta të Presidentit Hinkli: “Bëni më të mirën që mundeni”.

Ne lexojmë në proklamatë: “Etërit duhet t[ë] kryesojnë … me dashuri e drejtësi” dhe se “[n]ënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre”. Kryesojnë nuk do të thotë mbizotërojnë dhe edukimi nuk do të thotë një rol i dorës së dytë. Perëndia u ka dhënë burrave dhe grave role të ndryshme, por të barabarta dhe thelbësore që plotësojnë njëri‑tjetrin.

Më lejoni të tregoj një histori nga vetja.

Bashkëshortja ime dhe unë mësuam të punonim më mirë që të ishim bashkëpunëtorë të barabartë pas një dite kur unë vendosa të merrja një vendim të rëndësishëm pa u këshilluar me të. Veprimi im e habiti, e gjeti të papërgatitur dhe e vuri në një gjendje shumë të vështirë. Më pas, ajo m’i vuri duart mbi supe dhe me vendosmëri tha: “Ron, të lutem, mos ma bëj më kurrë atë gjë”. Që atëherë, pothuajse gjithmonë kemi qenë në një mendje.

Ne gjejmë te proklamata për familjen: “[E]tërit dhe nënat kanë detyrimin ta ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë”.

Të barabartë është një fjalë që ka rëndësi. Përgjatë viteve, teksa Motra Rasband dhe unë kemi punuar së bashku në ato që proklamata i përshkruan si “përgjegjësi[të tona] të shenjta”, ne i kemi dhënë formë një martese me një zgjedhë të përbashkët. Teksa secili prej fëmijëve tanë është martuar, Motra Rasband dhe unë kemi vazhduar ti këshillojmë ata dhe bashkëshortet e bashkëshortët e tyre se si të jenë partnerë të barabartë.

Kur jetojmë me sy të drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë, ne e respektojmë njëri‑tjetrin dhe e përkrahim njëri‑tjetrin. Ato modele hyjnore të drejtësisë çojnë drejt qëndrueshmërisë në jetën tonë individuale, në familjet tona dhe në shoqëri.

Ati ynë në Qiell e ka dhënë proklamatën mbi familjen për të ndihmuar që të na udhërrëfejë për në shtëpi tek Ai, për të na ndihmuar të mësojmë dhe të mbushemi me dashuri, forcë, qëllim dhe kuptueshmëri të përjetshme. Me gjithë shpirt, ju përgjërohem që të jetoni pranë Tij dhe Birit të Tij të Dashur. Ju premtoj se, kur ta bëni këtë, Shpirti do t’ju frymëzojë, udhërrëfejë dhe ndihmojë të ndieni në zemrën tuaj paqen e premtuar prej Tyre, e cila “ia tejkalon çdo zgjuarsie”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, [tek “Ordinancat dhe Proklamatat” në “Shkrimet e Shenjta”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  3. Shihni te Ronald A. Rasband, “Fjalët Kanë Rëndësi”, Liahona, maj 2024, f. 70, 75–76.

  4. Shihni te Sheri Dew, Insights from a Prophet’s Life: Russell M. Nelson (2019), f. 208.

  5. Kjo nuk ishte proklamata e parë zyrtare e Kishës. Përpara dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” e vitit 1995, pati proklamata në historinë e Kishës në vitet 1841, 1845, 1865 dhe 1980. Proklamata më e vonshme u dha në vitin 2020: “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”. (Shihni Emma Benson, “What We Learn from the Proclamations of the Restoration” [artikull vetëm në formatin elektronik], Liahona, dhjetor 2021, Gospel Library.)

  6. Dallin H. Ouks, “Plani dhe Proklamata”, Liahona, nëntor 2017, f. 30.

  7. Shihni te Dew, Insights from a Prophet’s Life, f. 209–210.

  8. Shihni te Barbara Morgan Gardner dhe Olivia Osguthorpe, “Delivering the Family Proclamation: Insights from Former Relief Society President Elaine L. Jack”, Religious Educator, vëll. 24, nr. 2 (2023), f. 164.

  9. Shihni te Gardner dhe Osguthorpe, “Delivering the Family Proclamation”, f. 162–165; shihni edhe tek Elaine L. Jack, “Relief Society: A Balm in Gilead”, Ensign, nëntor 1995, f. 92. Në fjalët e saj, Presidentja Xhek dha mësim: “Familjet na sjellin gëzimet më të mëdha dhe nganjëherë dhembjet më dërrmuese të zemrës. Familjet sigurojnë një mjedis për të mësuar, një klasë shkolle nga e cila nuk diplomohemi kurrë, por mund të mësojmë gjithmonë. Në familjet tona mësojmë të vlerësojmë paqen shpirtërore që vjen nga zbatimi i parimeve të dashurisë hyjnore, durimit, të shprehurit e ndërsjellë, integritetit moral, mirësisë, bujarisë, vetëkontrollit dhe shërbimit. Këto janë më shumë se vlera familjare, motra; këto janë mënyra e Zotit për jetën.”

    Plaku Dallin H. Ouks, kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Priftërisë në atë kohë, gjithashtu qe i pranishëm në mbledhje (shihni te Gardner dhe Osguthorpe, “Delivering the Family Proclamation”, f. 167).

  10. Shihni te Gardner and Osguthorpe, “Delivering the Family Proclamation”, f. 165.

  11. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” do të ishte proklamata e parë zyrtare e Kishës që nga data 6 prill 1980. Deri në atë pikë, Kisha kishte botuar vetëm katër proklamata zyrtare, që trajtonin çështje të doktrinës, besimit, historisë, paralajmërimeve, ftesave dhe deklaratave të rritjes dhe përparimit të Kishës (shihni tek Encyclopedia of Mormonism [1992], “Proclamations of the First Presidency and the Quorum of the Twelve Apostles”, 3:1151–1157).

  12. Elaine L. Jack, te Gardner dhe Osguthorpe, “Delivering the Family Proclamation”, f. 166.

  13. Gordon B. Hinckley, “Stand Strong against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 100. Në konferencën e përgjithshme të tetorit 1976, Presidenti Spenser W. Kimball citoi një autor amerikan, i cili vëzhgoi: “Gjatë gjithë historisë, kombet kanë qenë në gjendje t’i mbijetojnë një shumëllojshmërie sëmundjesh, pushtimesh, zie buke, tërmetesh, epidemish, depresionesh, por ata kurrë nuk kanë qenë në gjendje t’i mbijetojnë shpërbërjes së familjes” (në “A Report and a Challenge”, Ensign, nëntor 1976, f. 7–8).

  14. Doktrina e Besëlidhje 1:38.

  15. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  16. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  17. Gordon B. Hinckley, “Stand Strong against the Wiles of the World”, f. 100.

  18. Shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  19. 1 Nefi 11:22–23.

  20. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  21. 1 Nefi 1:1.

  22. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  23. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  24. Gordon B. Hinckley, “Women of the Church”, Ensign, nëntor 1996, f. 69.

  25. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. “Kur në shtëpi nuk ka një bashkëshort ose baba, nëna kryeson mbi familjen” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 2.1.3).

  26. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  27. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  28. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  29. Në konferencën e përgjithshme të tetorit 1991, Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim se Adami dhe Eva “qëndruan krah për krah në kopsht. Ata u nxorën jashtë nga kopshti së bashku dhe punuan së bashku krah për krah që të fitonin bukën e tyre me djersën e ballit” (“Our Solemn Responsibilities”, Ensign, nëntor 1991, f. 51).

  30. Filipianëve 4:7.