Stolisur me Virtytin e Vetëpërmbajtjes
Unë bëj një ftesë të sinqertë për të gjithë ne, që ta stolisim mendjen dhe zemrën me virtytin e vetëpërmbajtjes si të Krishtit.
Në maj të vitit 2021, ndërsa po vizitonte punimet për rinovimin e Tempullit të Solt-Lejkut, Presidenti Rasëll M. Nelson, u mrekullua nga përpjekjet e pionierëve të cilët, me burime të kufizuara dhe besim të palëkundur, ndërtuan atë ndërtesë të shenjtë, një kryevepër fizike dhe shpirtërore që i ka rezistuar kohës. Megjithatë, ai gjithashtu vëzhgoi efektet e erozionit, i cili me kalimin e kohës kishte shkaktuar boshllëqe në gurët origjinalë të themelit të tempullit dhe paqëndrueshmëri në muraturë, shenja të qarta të nevojës për përforcim strukturor.
Profeti ynë i dashur na mësoi atëherë se ashtu siç ishte e nevojshme të zbatonim masa të forta për të forcuar themelet e tempullit në mënyrë që ai t’u bënte ballë forcave të natyrës, ne gjithashtu duhet të marrim masa të jashtëzakonshme, ndoshta masa që nuk i kemi marrë kurrë më parë, për të forcuar vetë themelin tonë shpirtëror te Jezu Krishti. Në këtë mesazh të paharruar, ai na la porosi dy pyetje të thella për reflektim vetjak: “Sa i fortë është themeli juaj? Çfarë përforcimesh nevojiten për dëshminë tuaj dhe të kuptuarit e ungjillit?”
Ungjilli i Jezu Krishtit na ofron mjete të frymëzuara në mënyrë hyjnore dhe të efektshme për të parandaluar erozionin shpirtëror në shpirtrat tanë, duke forcuar fuqishëm themelet dhe duke na ndihmuar të shmangim boshllëqet në besimin tonë dhe paqëndrueshmërinë, si në dëshminë tonë, ashtu edhe në kuptueshmërinë tonë për të vërtetat e shenjta të ungjillit. Një parim veçanërisht i rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi gjendet në seksionin 12 te Doktrina e Besëlidhje, një zbulesë e dhënë nëpërmjet Profetit Jozef Smith ndaj Jozef Najtit, një njeriu të drejtë që kërkonte me zell të kuptonte vullnetin e Zotit, jo thjesht për ndryshime në dukje të jashtme, por për të qëndruar i palëkundur në dishepullimin e tij, “i patundur si shtyllat e qiellit”. Zoti shpalli:
“Vër re, unë të flas ty dhe gjithashtu gjithë atyre që kanë dëshira të nisin dhe të ngrenë këtë punë;
Dhe askush s’mund të ndihmojë në këtë punë, nëse nuk do të jetë i përulur dhe plot dashuri, duke patur besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, duke qenë i matur në gjithë gjërat, çfarëdo që do t’i besohet kujdesit të tij.”
Udhëzimi i Shpëtimtarit, i shënuar në këtë zbulesë të shenjtë, na kujton se vetëpërmbajtja është një përforcim thelbësor për një themel të patundur te Jezu Krishti. Është një nga virtytet e domosdoshme, jo vetëm për ata që janë thirrur të shërbejnë, por edhe për të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje të shenjta me Zotin dhe pranojnë ta ndjekin Atë me besnikëri. Vetëpërmbajtja harmonizon dhe forcon cilësitë e tjera si të Krishtit, të përmendura në këtë zbulesë: përulësinë, besimin, shpresën, dashurinë hyjnore dhe dashurinë e pastër që rrjedh prej Tij. Për më tepër, kultivimi i vetëpërmbajtjes është një mënyrë kuptimplote për të mbrojtur shpirtrat tanë nga erozioni i lehtë por i vazhdueshëm shpirtëror i shkaktuar nga ndikimet e botës që mund të na e dobësojnë themelin te Jezu Krishti.
Ndër cilësitë që stolisin dishepujt e vërtetë të Krishtit, vetëpërmbajtja shquhet si një pasqyrim i Vetë Shpëtimtarit, një fryt i çmuar i Shpirtit, në dispozicion për të gjithë ata që janë të hapur ndaj ndikimit hyjnor. Është pikërisht virtyti që sjell harmoni në zemër, duke u dhënë formë dëshirave dhe emocioneve me mençuri e qetësi. Në shkrimet e shenjta, vetëpërmbajtja paraqitet si një pjesë thelbësore e përparimit në rrugëtimin tonë shpirtëror, duke na shpënë drejt durimit, perëndishmërisë e dhembshurisë, ndërsa rafinojmë ndjenjat, fjalët dhe veprimet tona.
Dishepujt e Krishtit që përpiqen fort ta kultivojnë këtë cilësi si të Krishtit, bëhen gjithnjë e më të përulur dhe plot dashuri. Një forcë e qetë lind tek ata dhe ata bëhen më të aftë për të frenuar zemërimin, për të ushqyer durimin dhe për t’i trajtuar të tjerët me tolerancë, respekt dhe dinjitet, edhe kur erërat e fatkeqësisë fryjnë furishëm. Ata përpiqen fort të mos veprojnë në mënyrë impulsive, por zgjedhin të veprojnë me mençuri shpirtërore, të udhëhequr nga zemërbutësia dhe ndikimi i butë i Shpirtit të Shenjtë. Në këtë mënyrë, ata bëhen më pak të cenueshëm ndaj erozionit shpirtëror, sepse, siç na mësoi Apostulli Pal, ata e dinë se mund të bëjnë gjithçka me anë të Krishtit, që i forcon, edhe përballë sprovave që mund t’ua tronditin dëshminë për Të.
Në Letrën e tij drejtuar Titit, Pali përçoi këshilla të shenjta në lidhje me kualifikimet e atyre që dëshirojnë të përfaqësojnë Shpëtimtarin dhe të bëjnë vullnetin e Tij me besim e përkushtim. Ai tha se ata duhet të jenë mikpritës, të urtë, të drejtë dhe të shenjtë – cilësi që pasqyrojnë qartë ndikimin e vetëpërmbajtjes.
Megjithatë, Pali i paralajmëroi se ata duhet të ishin “jo arrogant[ë], jo zemërak[ë] … [dhe] jo [të] dhunshëm”. Karakteristika të tilla janë në kundërshtim me mendjen e Shpëtimtarit dhe pengojnë rritjen e vërtetë shpirtërore. Në kontekstin shpirtëror, “jo arrogant” është ai që refuzon të veprojë me arrogancë dhe krenari; “jo zemërak” është ai që shmang dëshirën e natyrshme për t’u bërë i paduruar dhe i acaruar dhe “jo i dhunshëm” i referohet atij që refuzon sjelljen kundërshtuese, agresive dhe të ashpër verbale, fizike dhe emocionale. Ndërsa përpiqemi ta ndryshojmë sjelljen me besim e përulësi, ne mund të ankorohemi fuqishëm në shkëmbin e fortë të hirit të Tij dhe të bëhemi instrumente të pastra dhe të lëmuara në duart e Tij të shenjta.
Duke reflektuar mbi nevojën për të kultivuar virtytin e vetëpërmbajtjes, më kujtohen fjalët e Anës, nënës së profetit Samuel, një grua me besim të jashtëzakonshëm, e cila, edhe pas sprovave të mëdha, i ofroi një këngë mirënjohjeje Zotit. Ajo tha: “Mos vazhdoni të flisni me aq mburrje; të mos dalin fjalë arrogante nga goja juaj, sepse Zoti është Perëndia i njohjes dhe ai i peshon veprimet”. Kënga e saj është më shumë se një lutje, është një ftesë që ajo ia bën vetes për të vepruar me përulësi, vetëkontroll e fisnikëri. Ana na kujton se forca e vërtetë shpirtërore nuk shprehet me reagime impulsive ose fjalë kryeneçe, por me sjellje të përmbajtura dhe të matura në përputhje me urtësinë e Zotit.
Shpeshherë, bota vë në piedestal sjelljet që lindin nga agresiviteti, arroganca, padurimi dhe ekzagjerimi, shpesh duke i justifikuar sjellje të tilla me trysnitë e jetës së përditshme dhe prirjen drejt pëlqimit në shoqëri dhe popullaritetit. Kur e kthejmë vështrimin nga virtyti i vetëpërmbajtjes dhe shpërfillim ndikimin e butë dhe të sofistikuar të Shpirtit të Shenjtë në mënyrën se si veprojmë dhe flasim, ne biem lehtësisht në kurthin e armikut, i cili në mënyrë të pashmangshme na shtyn të shqiptojmë fjalë dhe të përvetësojmë sjellje për të cilat do të pendohemi thellësisht, qofshin në marrëdhëniet tona shoqërore, familjare apo edhe ato kishtare. Ungjilli i Jezu Krishtit na fton ta ushtrojmë këtë virtyt veçanërisht në kohë sfidash, sepse pikërisht në këto raste zbulohet karakteri i vërtetë i një individi. Sikurse tha një herë Martin Luter King i Riu: “Karakteri i vërtetë i një njeriu nuk shfaqet kur ai gjendet në çaste rehatie dhe volie, por kur gjendet në çaste sfide dhe kundërshtie”.
Si njerëz të besëlidhjes, ne jemi thirrur të jetojmë me zemrën të rrënjosur fort në premtimet e shenjta që i kemi bërë Zotit, duke ndjekur me kujdes modelin që Ai vendosi nëpërmjet shembullit të Tij të përkryer. Në këmbim, Ai ka premtuar: “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se kjo është doktrina ime dhe kushdo që ndërton mbi këtë, ndërton mbi shkëmbin tim dhe portat e ferrit nuk do të triumfojnë mbi të”.
Let Not Your Heart Be Troubled [Zemra Juaj Mos u Trondittë], nga Howard Lyon, me mirësinë e Havenlight
Shërbesa e Shpëtimtarit në tokë u shenjua nga virtyti i vetëpërmbajtjes në të gjitha aspektet e karakterit të Tij. Nëpërmjet shembullit të Tij të përkryer, Ai na mësoi: “Ji i duruar në mundime, mos i shaj ata që të shajnë”. Ndërsa jepte mësim që nuk duhet t’i jepemi zemërimit për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve, Ai shpalli: “[Ju] duhet të pendoheni dhe të bëheni si një fëmijë i vogël”. Ai gjithashtu na mësoi se të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë tek Ai me qëllim të plotë të zemrës, duhet të pajtohen me ata ndaj të cilëve mbajnë mëri ose me ata që kanë diçka kundër tyre. Me një qëndrim të matur dhe një zemër të dhembshur, Ai na siguroi se kur na trajtojnë me vrazhdësi, dashakeqësi, mungesë respekti ose shpërfillje, dashamirësia e Tij nuk do të largohet prej nesh dhe besëlidhja e Tij për paqe nuk do të hiqet nga jeta jonë.
Disa vjet më parë, gruaja ime dhe unë patëm privilegjin e shenjtë të takoheshim me disa anëtarë besnikë të Kishës në Meksiko‑Siti. Shumë prej tyre, qoftë personalisht ose përmes njerëzve të tyre të dashur, kishin hequr mbi kurriz gjyqe të papërshkrueshme, përfshirë rrëmbime, vrasje në familje dhe tragjedi të tjera pikëlluese.
Ndërsa shikonim fytyrat e atyre shenjtorëve, nuk pamë zemërim, mëri apo dëshirë për hakmarrje. Përkundrazi, vumë re një përulësi të heshtur. Fytyrat e tyre, megjithëse të shënuara nga pikëllimi, rrezatonin një dëshirim të sinqertë për shërim dhe ngushëllim. Ndonëse i kishin zemrat të thyera nga vuajtja, këta shenjtorë bënë përpara me besim te Jezu Krishti, duke zgjedhur të mos i lejonin fatkeqësitë e tyre të bëheshin boshllëqe në besimin e tyre ose të shkaktonin paqëndrueshmëri në dëshminë e tyre për ungjillin.
Në përfundim të atij tubimi të shenjtë, ne e përshëndetëm secilin prej tyre. Çdo shtrëngim duarsh, çdo përqafim, u bë një dëshmi e heshtur se, me ndihmën e Zotit, ne mund të zgjedhim t’u përgjigjemi zhgënjimeve dhe sfidave të jetës me vetëpërmbajtje. Shembulli i tyre i qetë dhe i përulur shërbeu si një ftesë e ëmbël për të ecur në shtegun e Shpëtimtarit me vetëpërmbajtje në të gjitha gjërat. U ndiem sikur ishim në praninë e engjëjve.
Jezu Krishti, më i madhi nga të gjithë, vuajti për ne derisa i doli gjak nga çdo por, megjithatë, Ai kurrë nuk lejoi që zemërimi t’ia ndizte zemrën, po ashtu, nuk shpëtoi qoftë as edhe një fjalë agresive, fyese ose përdhosëse nga goja e Tij, madje edhe në mes të një mundimi të atillë. Me vetëpërmbajtje të përsosur dhe zemërbutësi të pashoqe, Ai nuk mendoi aspak për veten e Tij, por për secilin prej fëmijëve të Perëndisë, në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Apostulli Pjetër dëshmoi për qëndrimin sublim të Krishtit kur shpalli: “Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht”. Edhe në mes të agonisë së Tij më të madhe, Shpëtimtari tregoi vetëpërmbajtje të përsosur dhe hyjnore. Ai shpalli: “Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve”.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, bëj një ftesë të sinqertë për të gjithë ne, që ta stolisim mendjen dhe zemrën me virtytin e vetëpërmbajtjes si të Krishtit, si një përgjigje e shenjtë ndaj thirrjes profetike të Presidentit tonë të dashur, Rasëll M. Nelsonit. Ndërsa përpiqemi me besim dhe zell që ta ndërthurim vetëpërmbajtjen në veprimet dhe fjalët tona, unë dëshmoj se ne do ta forcojmë dhe ankorojmë jetën tonë më fort mbi themelin e sigurt të Shëlbuesit tonë.
Solemnisht jap dëshminë time se synimi i vazhdueshëm për vetëpërmbajtje na e dëlir shpirtin dhe na e shenjtëron zemrën para Shpëtimtarit, duke na afruar butësisht tek Ai dhe duke na përgatitur, me shpresë e paqe, për atë ditë të lavdishme kur do ta takojmë Atë në Ardhjen e Tij të Dytë. I them këto fjalë të shenjta në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.