Konferenca e Përgjithshme
Shkoni dhe Bëni Po Kështu
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


10:28

Shkoni dhe Bëni Po Kështu

Do të doja ta vija theksin tek ata misionarë që thirren në caktime shërbimi. Ata janë shembuj për ne.

Ndërsa Shpëtimtari po udhëtonte nëpër Betsaidë, disa individë çuan tek Ai një të verbër. Ndoshta po shpresonin të shihnin një mrekulli me sytë e tyre. Shpëtimtari “e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit” për ta shëruar veçmas. Fillimisht, shërimi nuk u duk dhe aq i efektshëm. Burri “duke hapur sytë, tha: ‘Po shoh njerëz si pemë që ecin’”. Jezusi, me dhembshuri, “i vuri përsëri duart mbi sytë [e tij] dhe e bëri të shikojë lart”. Nga prekja e duarve të Shpëtimtarit edhe një herë tjetër, i verbri tani “[pa] qartë”.

Ky është vetëm një shembull se si jeta e Shpëtimtarit karakterizohet nga vepra të përulura shërbimi. Ai na kujton se “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer” dhe më pas na fton ta ndjekim shembullin e Tij duke ecur një milje më shumë, duke u dhënë atyre që na kërkojnë dhe duke e dashur të afërmin tonë. Kur i bënë pyetjen: “Kush është i afërmi im?” Krishti tregoi shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë me porosinë: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”.

Misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë shembuj bashkëkohorë të Samaritanit të mirë që Krishti na fton të bëhemi. Do të doja ta vija theksin tek ata misionarë që thirren në caktime shërbimi. Ata janë për ne shembuj për mënyrën se si shërbimi 1) i hap zemrat ndaj ungjillit të Jezu Krishtit, 2) na lejon të gjithëve të japim shërbesë pavarësisht nga rrethanat tona dhe 3) sjell fuqinë e Krishtit në jetën tonë.

Së Pari, Shërbimi i Hap Zemrat ndaj Ungjillit të Jezu Krishtit

Rreth vitit 91 pr.K., Amoni, një misionar në Librin e Mormonit, iu prezantua mbretit Lamoni duke thënë: “Unë dëshiroj të jetoj mes këtij populli për një kohë; … [dhe] do të jem shërbëtori yt”. Për shkak të shërbimit të tij ndaj mbretit, Amonit iu dha mundësia për të “[folur] lirisht … dhe [për t’i treguar] [mbretit Lamoni se] me çfarë fuqie” e kishte kryer shërbimin e tij. Në këmbim, mbreti premtoi se “çdo gjë që [Amoni] dëshiron … [mbreti] do … t’ia jap[ë]”. Kërkesa e vetme e Amonit ishte që mbreti t’ia vinte veshin mesazhit për ungjillin e Jezu Krishtit. Shërbimi i Amonit solli si rrjedhojë “mijëra shpirtra në pendim”.

Në kohën tonë, shërbimi vazhdon t’i udhëheqë të tjerët drejt ungjillit. Motra Bevën po shërbente si misionare për mësimdhënie kur filloi të përjetonte probleme shëndetësore që e detyruan të kthehej në shtëpi për kurim. Në vend që të lirohej nga thirrja, ajo mundi të vazhdonte të shërbente si misionare me shërbim nga shtëpia.

Ndërsa vizitonin një park, Motra Bevën dhe një mikeshë u ndien të nxitura që të flisnin me një nënë me katër fëmijë të vegjël, mirëpo ngurruan dhe familja vazhdoi në rrugën e vet. Të nesërmen, ato u kthyen sërish në park, duke u lutur që ajo familje të ishte atje. Për fat të mirë, nëna ishte e ulur në të njëjtin vend si një ditë më parë. Këtë herë, Motra Bevën dhe mikesha e saj iu afruan nënës, u njohën me të dhe zbuluan se ajo kishte nevojë të skajshme për ndihmë materiale. Ato i ofruan ndihmë dhe më pas e ftuan të mësonte rreth ungjillit.

Për shkak të atij shërbimi dhe ftesës, nëna dhe fëmija i saj më i madh u pagëzuan, të ndjekur një vit më vonë nga fëmija tjetër më i madh në moshë. Ata sot mbeten anëtarë aktivë. Motra Bevën e dinte se kjo përvojë ishte frymëzuar në mënyrë hyjnore dhe “i vërtetoi asaj se ishte pikërisht aty ku Perëndia kishte nevojë që [ajo] të ishte”.

Ashtu si Amoni dhe Motra Bevën, ndërsa u shërbejmë të tjerëve, ne u “trego[jmë atyre] shembuj të mirë” dhe ata dëshirojnë të dinë “shpjegime për shpresën që është në [ne]”.

Jezusi na fton: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”.

Së Dyti, Shërbimi na Lejon të Gjithëve të Japim Shërbesë Pavarësisht nga Rrethanat Tona

Presidenti Rasëll M. Nelson i bëri thirrje “çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision” dhe çdo motre të re dhe të aftë të “lut[et] për të ditur a do të donte Zoti që [ajo] të shërben[te] në një mision”. Ai premtoi se “vendimi juaj për të shërbyer në një mision, qoftë një mision predikimi apo shërbimi, do t’ju bekojë ju dhe shumë të tjerë”. Misionet e shërbimit e ndryshuan përkufizimin e fjalës i/e aftë. Tani, çdo i ri dhe e re e denjë që dëshiron të shërbejë në një mision kohëplotë për Zotin, mund ta bëjë këtë, me shumë pak përjashtime.

Plaku [Eldër] Holgado është një shembull i të qenit i aftë për të shërbyer pavarësisht nga rrethanat vetjake. Ai lindi me një çrregullim të rrallë gjenetik që e pengonte të shërbente në një mision për mësimdhënie. Plaku Holgado u thirr si misionar me shërbim dhe doli vullnetar për në shtëpinë e ruajtjes së peshkopëve, ku ndihmoi njerëz të merrnin ndihmën që u nevojitej. Ai mbushte raftet, paketonte perimet dhe shtypte kutitë prej kartoni.

Ndërsa Plaku Holgado foli në mbledhjen e sakramentit pas misionit të tij, ai u shpreh se “Perëndia ka nevojë për misionarë shërbimi. Ai ka nevojë për njerëz që i duan dhe u shërbejnë të tjerëve. Këta njerëz mbushin raftet me letra higjienike, paketojnë brokolin, montojnë mobilie dhe janë të mirë me njerëzit.”

Nuk ju duhet një caktim për shërbim apo të mbani një etiketë emri për të bërë mirë. Çdo vepër shërbimi njihet nga Shpëtimtari. Ne të gjithë jemi të aftë për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Krishti duke u shërbyer me dashamirësi. Ne të gjithë mund të japim shërbesë në emrin e Krishtit ndaj individit nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe të jetojmë sipas shembujve të besimit te Jezu Krishti. Shërbimi na lejon ta paraqesim veten si flijime të gjalla që janë të pranueshme për Perëndinë.

Jezusi na fton: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”.

Së Treti, Shërbimi Sjell Fuqinë e Krishtit në Jetën Tonë

Një misionar i ri në moshë, që u transferua nga një caktim për mësimdhënie në një caktim shërbimi, u ndesh me disa sfida vetjake që e bënë të kishte nevojë për fuqinë shëruese të Krishtit. Shërbimi i përkushtuar e solli atë fuqi në jetën e tij. Ai tha: “Ndjeva se, kur po kaloja vështirësi, mund ta ndieja Krishtin të më ngrinte shpirtërisht. Ka diçka të veçantë kur e sheh Atë të bekojë njerëz nëpërmjet një qendre të shpërndarjes së ushqimeve, në tempull dhe nëpërmjet ungjillit të Tij.”

Ky misionar filloi të ndiente gëzim më të thellë dhe entuziazmi i tij i sapogjetur e bekoi atë dhe tërë familjen e tij. Shpirti hyri në shtëpinë e tyre më me bollëk, ata frekuentuan tempullin së bashku më rregullisht dhe Krishti u bë një fokus më i madh në familjen e tyre. Ky misionar beson se Krishti ia shpëtoi jetën dhe e bekoi familjen e tij nëpërmjet shërbimit.

Presidenti Nelson dha mësim: “Gatishmëria për të shërbyer e forcuar të tjerët qëndron si simbol i gatishmërisë së një njeriu për t’u shëruar” me anë të fuqisë shëlbuese të Shpëtimtarit.

Jezusi na fton: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”.

Misionarët me Shërbim Janë Shembuj të Dishepujve të Përkushtuar të Jezu Krishtit

Kur ju ose një pjesëtar i familjes bekoheni me një thirrje si misionar me shërbim, ky është një çast për t’u kremtuar. Familja juaj tani do të ketë një përfaqësues të veçuar për Zotin Jezu Krisht, që jeton në shtëpinë tuaj. Kjo gjë do t’ju ndryshojë të gjithëve për mirë. Nuk duhet të ketë zhgënjim në asnjë thirrje për shërbim. Ne këndojmë: “Do shkoj ku Ti do që të shkoj” dhe “Do jem çfar’ Ti do që të jem”. Kjo është një mundësi për të treguar se e kemi me gjithë mend atë që themi.

Të gjithë ju që shërbeni, dhe veçanërisht mbi 4000 misionarë në moshë të re me shërbim, ne ju duam! Nëse misionarët për mësimdhënie janë goja e Zotit, atëherë ju, misionarët me shërbim, jeni duart e Zotit dhe nuk jeni misionarë të dorës së dytë. Çdonjëri prej jush është jetik për mbledhjen e Izraelit. Presidenti Nelson dha mësim se “në çfarëdo kohe që bëjmë çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo … që të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet e veta me Perëndinë, ne po ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin”.

Ju, misionarët me shërbim, e mblidhni Izraelin çdo ditë në kaq shumë mënyra dhe shërbimi juaj i ndryshon jetët. Shpesh ju nuk e dini se cili është përfituesi prej shërbimit tuaj, por Perëndia e di. Mbani mend gjithmonë se “sa herë [i shërbeni] ndonjërit prej këtyre, … [ju i shërbeni Atij]”. Ne i dëgjojmë zërat tuaj ndërsa dilni vullnetarë në qendrat telefonike të Kishës, i shohim buzëqeshjet tuaja ndërsa ndihmoni në organizatat e komunitetit dhe e ndiejmë dritën tuaj ndërsa shërbeni në tempuj. Ju i ushqeni të uriturit, i vishni të zhveshurit dhe u jepni ujë të eturve.

Ne të gjithë nevojitet të shkojmë dhe bëjmë po kështu.

Shërbimi Është Element Jetësor i Dishepujve të Krishtit

Shërbimi ka fuqinë të hapë zemrat ndaj ungjillit dhe na lejon të gjithëve t’ia japim tërë shpirtin tonë Krishtit. Ai na ndryshon zemrën për t’u bërë më shumë si Ai dhe gjatë procesit, ne i lartësojmë shpirtërisht të tjerët. Presidenti Nelson njëherë pyeti: “Në këtë botë të pushtuar nga kalbëzimi shpirtëror, a munden individët … të sjellin ndryshim?” Përgjigjja e tij qe: “Po! … ‘Njerëzit e besëlidhjes së Zotit … [të] armatosur … me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe’ … mund ta ngrenë shpirtërisht jetën e të gjithë njerëzimit.” Nëpërmjet shërbimit, ne ndryshojmë zemrat dhe botën.

Krishti “e përshkoi vendin duke bërë mirë”. Ai u dha shërbesë të sëmurëve, u ktheu shikimin të verbërve dhe vizitoi ata që nëpërkëmbeshin. Ai gatuante vakte ushqimi, ndihmonte në gostitë e dasmave dhe ushqente mijëra njerëz që ishin të uritur. Ndërsa i japim shërbim individit në emrin e Krishtit, ne bëhemi gjithnjë e më të shenjtë dhe të denjë për dhuratën e jetës së përjetshme. Jezu Krishti jeton. Ai është Shpëtimtari im dhe Shpëtimtari juaj. Ai është Shëlbuesi ynë. Ai është shembulli ynë i shkëlqyer i dhënies së shërbesës. E ftoj secilin prej nesh që të shkojë dhe bëjë po kështu. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Marku 8:22–26.

  2. Mateu 20:28.

  3. Shihni te Mateu 5:41.

  4. Shihni te Mateu 5:42.

  5. Shihni te Mateu 22:39.

  6. Shihni te Lluka 10:29–37.

  7. Për informacion lidhur me misionarët në moshë të re me shërbim dhe se si të bëni kërkesë për të shërbyer, ju lutemi vizitoni faqen ChurchofJesusChrist.org/service-missionary.

  8. Alma 17:23, 25.

  9. Shihni tek Alma 17:31–39; 18:9–10, 20.

  10. Alma 18:21.

  11. Shihni tek Alma 18:22.

  12. Alma 26:22.

  13. Motra Bevën shërbeu në një mision për mësimdhënie në Misionin e Tampës në Floridë dhe një mision shërbimi në Misionin e Oremit në Jutë.

  14. Intervista vetjake me Xhanei Bevënin [Janae Bevan] u zhvillua më 10 qershor 2025. Historia dhe citimet të përdorura me leje.

  15. Alma 17:11.

  16. 1 Pjetër 3:15.

  17. Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6–7.

  18. I jam mirënjohës Motrës Emi A. Rajt, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, që e dha mësim këtë parim gjerësisht.

  19. Sindroma Rubinstein–Taybi (RTS).

  20. Intervista vetjake me Skot [Scott] dhe Trisha Holgadon [Tricia Holgad] u zhvillua më 3 qershor 2025. Historia dhe citimet të përdorura me leje.

  21. Në deklaratën e qëllimit të misionarëve me shërbim thuhet: “Ndihmojini të tjerët që të vijnë te Krishti duke u shërbyer me dashamirësi të përzemërt sikurse do t’u shërbente Shpëtimtari. Jepini shërbesë individit në emrin e Tij nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe jetoni si shembull i besimit te Jezu Krishti, i pendimit, i mbajtjes së besëlidhjeve me Perëndinë dhe durimit deri në fund” (Missionary Standards for Disciples of Jesus Christ – Service Missionaries, 1.0, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  22. Shihni te Romakëve 12:1.

  23. Intervista vetjake me Xhordan Frain [Jordan Fry] u zhvillua më 12 qershor 2025. Historia dhe citimet të përdorura me leje.

  24. Rasëll M. Nelson, “Jezu Krishti – Mësuesi Shërues”, Liahona, nëntor 2005, f. 87; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 118.

  25. Në korrik të vitit 2022, Motra Evanson dhe unë po shërbenim si udhëheqës misioni për Misionin e Oremit në Jutë. Bashkë me nëntë misione të tjera nëpër botë, na u dha privilegji të merrnim pjesë në një projekt pilot që përfshiu misionarë në moshë të re me shërbim në misionin tonë. Pas takimit tonë të parë, shkrova në ditarin tim: “Sonte patëm një mbledhje shumë të veçantë. Takuam mbi 140 misionarë të rinj në misionin tonë dhe prindërit e tyre. Godina kishtare dhe palestra u mbushën plotësisht dhe ne zhvilluam një mbledhje gjallëruese, të mbushur me Shpirtin, për të mirëpritur misionarët me shërbim në Misionin e Oremit në Jutë. Më pushtoi ndjenja e dashurisë që kemi për ta. Të gjithë janë të gatshëm të shërbejnë. Ishte një pamje e bukur!” Rrethanat e këtyre misionarëve shtriheshin nga ish‑misionarë për mësimdhënie që po shëroheshin nga dëmtime fizike, deri te misionarë të cilët nuk mund të flisnin ose që përdornin karroca invalidi. Pas asaj mbledhjeje, Motra Evanson më tha: “Tani misioni ynë më duket i përmbushur”.

  26. Shihni te Dejvid A. Bednar, “Thirrur për Veprën”, Liahona, maj 2017, f. 67–70.

  27. “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Himne, nr. 173.

  28. Shihni te Mateu 23:11.

  29. Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92–93.

  30. Mateu 25:40.

  31. Shihni te Mateu 25:34–36.

  32. Shihni tek Omni 1:26.

  33. Russell M. Nelson, “Personal Preparation for Temple Blessings”, Liahona, korrik 2001, f. 39.

  34. Veprat e Apostujve 10:38.

  35. Shihni te Marku 1:30–31.

  36. Shihni te Marku 8:22–26.

  37. Shihni te Lluka 19:1–10.

  38. Shihni te Gjoni 21:9.

  39. Shihni te Gjoni 2:1–10.

  40. Shihni te Gjoni 6:5–13.

  41. Shihni te Mateu 25:34; Romakëve 12:1.