Zoti Shikon Zemrën
Gjithçka që i nevojitet Perëndisë për të përmbushur qëllimet e Tij dhe për të na ndihmuar që të bëhemi ata që Ai do që ne të bëhemi, është që secili prej nesh ta kthejë zemrën plotësisht tek Ai.
Kur profetin Samuel e urdhëruan të zgjidhte mbretin e ri të Izraelit midis bijve të Isait, ai, kur hodhi sytë te biri më i madh i Isait, Eliabi, thirri me entuziazëm: “Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij”. Mirëpo Eliabi nuk ishte shërbëtori i zgjedhur i Zotit. Shpëtimtari e paralajmëroi Samuelin: “Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën”.
Ndonëse Davidi mund të mos ishte fizikisht më i forti ose më i zoti se vëllezërit e tij, zemra e tij ishte e fortë në sytë e Perëndisë. Ai e donte Perëndinë me gjithë zemër dhe kishte një dëshirë të thellë për t’iu bindur Atij. Ai kishte besim të patundur te dashuria, fuqia dhe bekimet e premtuara të Perëndisë, siç e tregoi më vonë kur luftoi trimërisht me Goliathin dhe e mundi atë me ndihmën e Zotit.
Kjo histori na mëson se gjithçka që i nevojitet Perëndisë për të përmbushur qëllimet e Tij dhe për të na ndihmuar që të bëhemi ata që Ai do që ne të bëhemi, është që secili prej nesh ta kthejë zemrën plotësisht tek Ai. Një mësuesi të ligjit, Ai i dha urdhërimin: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde”. Profetit Jozef Smith, Ai i tha: “Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme”. Dhe nefitëve, Shpëtimtari i ringjallur u bëri këtë ftesë: “Ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”.
Pse i kërkoi Ai këto? Shpëtimtari dha mësim se, nëse zemrat tona kthehen plotësisht tek Ai, për shkak të flijimit të Tij shlyes, ne mund të bekohemi me forcën dhe dhuratat shpirtërore që na nevojiten për të mposhtur sfidat tona në vdekshmëri, për t’i bërë ballë tundimit, për të marrë drejtim e kuptueshmëri dhe për të ndier gëzim e paqe në jetën tonë. “Nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.” Ai tha se mund t’i bëjë “gjërat e dobëta, të bëhen të forta” dhe të na bekojë me gjithçka që na nevojitet për t’ia dalë mbanë në këtë jetë në vdekshmëri dhe për të marrë jetë të përjetshme. “Lum ata që janë të pastër në zemër”, – tha Ai, – “sepse ata do ta shohin Perëndinë.”
Besoj që kjo është arsyeja, të paktën pjesërisht, që Jezu Krishti i korrigjonte kaq shpesh skribët dhe farisenjtë gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Ndonëse ishin të zellshëm në zbatimin e ligjit të Tij, ata e bënin këtë për arsyet e gabuara. Ai i qortoi ata, duke thënë: “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje”.
Ky është një kujtues kthjellues ndaj të gjithë dishepujve të Tij se nuk ka thjesht të bëjë me atë që bëjmë, me fjalët dhe veprimet tona, por edhe me atë se pse e bëjmë atë që Jezu Krishti na ka kërkuar të bëjmë – dëshirat dhe shtysat tona. Ai tha: “Sepse unë, Zoti, do t’i gjykoj të gjithë njerëzit sipas punëve të tyre, sipas dëshirës së zemrave të tyre”. Ati ynë Qiellor dëshiron më tepër se veç vepra mekanike bindjeje dhe shërbimi nga fëmijët e Tij. Ai dëshiron që ne t’i bëjmë ato gjëra me qëllim të vërtetë, ngaqë e duam Atë me gjithë zemër. Ai dëshiron që ne të duam të bëhemi si Ai.
Tani, nëse shëndeti shpirtëror i zemrës sonë është shqetësimi kryesor që ka Shpëtimtari – ajo që Ai kërkon nga një dishepull i vërtetë – si mund ta shqyrtojmë zemrën dhe të dimë a është diçka e drejtë në sytë e Perëndisë?
Kohët e fundit, ndërsa unë me bashkëshorten po ktheheshim nga misioni ynë në Portugali, kryem një sërë analizash shëndetësore për të vlerësuar gjendjen tonë fizike. Disa nga ato analiza u përqendruan te shëndeti kardiovaskular, të tilla si analiza gjaku, ekokardiograma dhe testi i stresit kardiak. Besoj që Shpëtimtari na ka siguruar gjithashtu një sërë analizash shpirtërore që mund t’i përdorim për të vlerësuar gjendjen shpirtërore të zemrës sonë. Lejomëni t’ju flas për disa prej tyre.
Vlerësimi i Zemrës suaj me Analiza Shpirtërore
Së Pari, Përqendrimi, Përparësitë dhe Shtysat Tona
“Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj”, – dha mësim Jezusi. Thesari është diçka e çmuar për ne, diçka të cilit i kushtojmë mund dhe vëmendje. Mënyra se si zgjedhim ta kalojmë kohën dhe ta përqendrojmë vëmendjen tonë, si dhe çfarë na shtyn të bëjmë ato që bëjmë, tregon shumë për zemrën tonë. Shpëtimtari paralajmëroi se ndërkohë që shumë janë thirrur prej Tij, pak janë zgjedhur “sepse zemrat e tyre vihen kaq shumë mbi gjërat e kësaj bote dhe aspirojnë nderet e njerëzve”. A e bëj unë Shpëtimtarin përparësi në jetën time? A është syri im i drejtuar vetëm te lavdia e Tij në çdo gjë që bëj?
Së Dyti, Gatishmëria Jonë për t’iu Bindur Urdhërimeve të Perëndisë
Gjatë gjithë shkrimeve të shenjta, Zoti dhe profetët e Tij e kanë lidhur krenarinë dhe mosbindjen me pasjen e një zemre të ngurtësuar. Nefi i këshilloi vëllezërit e tij duke thënë: “Si është e mundur që ju nuk i mbani urdhërimet e Zotit? Si është e mundur që ju do të mbaroni për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja?” Shenjtorët në Misuri, Zoti i paralajmëroi: “Por ai që nuk bën asgjë derisa të urdhërohet dhe e merr një urdhërim me zemër dyshuese dhe e zbaton atë me ngathtësi, po ai mallkohet”. Ndonëse Shpëtimtari nuk pret përsosuri në zbatimin e urdhërimeve të Tij, Ai vërtet kërkon që ne të dëshirojmë dhe të përpiqemi fort t’i zbatojmë ato me gjithë zemër.
Së Treti, Zelli Ynë për Studimin e Shkrimeve të Shenjta dhe Kërkimi i Zbulesës
Zoti e këshilloi Oliver Kaudërin: “Mbaji këto fjalë thesar në zemrën tënde”. Ne ftohemi që t’i shqyrtojmë shkrimet e shenjta me zell dhe, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, të synojmë që të marrim në zemër kuptueshmëri e një dëshmi për vërtetësinë e ungjillit.
Profeti Abinadi i qortoi priftërinjtë e mbretit të lig Noe ngaqë nuk e bënë atë, duke u thënë: “Ju nuk i keni përdorur zemrat tuaja që të kuptoni; prandaj ju nuk keni qenë të urtë”. A po bëj unë një përpjekje të sinqertë për t’i studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë dhe a po e përdor zemrën për t’i kuptuar ato nëpërmjet lutjes?
Së Katërti, Mendimet dhe Fjalët Tona
Shpëtimtari dha mësim se “nga zemra dalin mendimet e mbrapshta” dhe se “ç’ka zemra qet goja”. Cilësia e mendimeve dhe fjalëve tona është një tregues i mirë i dëlirësisë së zemrës sonë. A po kultivoj shumë mendime negative për veprimet ose shtysat e të tjerëve, apo qoftë edhe për veten time? A jam shumë i shpejtë për të gjykuar dhe dënuar të tjerët? A kërkoj të gjej shfajësime ose justifikime për gabimet e mia? Po fjalët e mia? A i lartësojnë dhe frymëzojnë ato njerëzit që më rrethojnë? Apo shpesh krijojnë shkaqe për konflikte dhe mëri?
Pasi i përfundova analizat e mia fizike, mjeku më tha se, në përgjithësi, zemrën e kisha të shëndetshme, por kishte disa shqetësime që duheshin trajtuar që tani, para se të bëheshin serioze. Më pas, ai këshilloi disa ndryshime në stilin e jetesës. Po kështu, ndërsa ju e kryeni këtë vlerësim shpirtëror të zemrës suaj dhe vëreni disa simptoma negative që fillojnë të hyjnë pa e kuptuar, ju lutem, rrini të qetë! Shpëtimtari ka ofruar ilaçe dhe trajtime të shkëlqyera shpirtërore për t’ju ndihmuar. Ai madje ka premtuar t’ju japë një zemër të re! Ja tek janë disa veprime që mund ta përmirësojnë forcën shpirtërore të zemrës suaj.
Përmirësimi i Shëndetit Shpirtëror të Zemrës Suaj
Së Pari, Forcojeni Marrëdhënien Tuaj me Krishtin
Teksa përkushtojmë kohë çdo ditë për t’u afruar më shumë me Krishtin, zemra jonë ndryshon. Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta, i shoqëruar nga lutja e sinqertë dhe agjërimi i rregullt, do ta rritin dashurinë tuaj për Shpëtimtarin dhe do t’jua forcojë besimin dhe dëshirën për t’u penduar dhe për t’ia dhënë zemrën përulësisht Perëndisë. Merreni parasysh këtë shembull nga Nefi: “Prandaj i thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im”.
Ndërsa vazhdojmë ta ushqejmë farën e besimit me dëshirat dhe veprimet tona të drejta, ne do të përjetojmë të njëjtin shenjtërim të zemrës si nefitët: “Ata agjëruan dhe u lutën shpesh dhe u bënë gjithnjë e më të fortë në përulësinë e tyre dhe gjithnjë e më të vendosur në besimin e Krishtit, në mbushjen e shpirtrave të tyre me gëzim dhe ngushëllim, po, madje në pastrimin dhe në shenjtërimin e zemrave të tyre, shenjtërim që vjen për shkak të dhënies së zemrave të tyre Perëndisë”.
Së Dyti, Përputheni Vullnetin Tuaj me të Tijin
Shpëtimtari dha mësim: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Ai na fton ta tregojmë dashurinë duke i bërë dhe duke i mbajtur besëlidhjet me Të. Ndërsa përpiqemi fort çdo ditë për të zbatuar urdhërimet e Tij, pendohemi sinqerisht për mëkatet tona, këmbëngulim për marrjen e emrit të Tij mbi vete dhe e përputhim vullnetin tonë me vullnetin e Tij, ne mund të bekohemi me shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.
Nefi dëshmoi: “Unë e di se, në qoftë se ju do të ndiqni Birin, me qëllim të plotë të zemrës, pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë, por me bindje të vërtetë, duke u penduar për mëkatet tuaja, duke i dëshmuar Atit se jeni të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit, me anë të pagëzimit … , atëherë ju do të merrni Frymën e Shenjtë”. Fryma e Shenjtë do t’ju udhëheqë dhe do t’ju ndihmojë ta njihni vullnetin e Zotit dhe të bëni zgjedhje të mira.
Së Fundi, Shërbejuni Perëndisë dhe të Tjerëve me Gjithë Zemër
Shpëtimtari na fton të gjithëve “t’i shërbe[jmë] atij me gjithë zem[ër]”. Kur zgjedhim të bëjmë çdo gjë që Zoti na ka kërkuar të bëjmë, të tilla si zbatimi i urdhërimeve, marrja e sakramentit, adhurimi në tempull dhe shërbimi ndaj të tjerëve, me një zemër të sinqertë dhe me qëllim të vërtetë, çdo akt shërbimi dhe adhurimi bëhet një përvojë e fuqishme shpirtërore që na forcon besimin dhe dëshminë dhe na i mbush zemrat me gëzim e dashuri për Perëndinë dhe bashkëqeniet tona.
Pyetja e profetit Alma ende jehon edhe sot: “A keni lindur shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë? A keni marrë shëmbëlltyrën e tij në pamjen tuaj? A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja?”
Vëllezër dhe motra, ju ftoj t’ia jepni gjithë zemrën tuaj Shpëtimtarit që sot. Çdo akt adhurimi dhe shërbimi nga ana juaj le të jetë i sinqertë dhe i qëllimshëm! Lërini mënjanë shpërqendrimet e botës dhe përpiquni fort të siguroni kohë domethënëse për Zotin çdo ditë të jetës suaj. Pendohuni dhe kthehuni tek Ai me gjithë zemër dhe Ai do t’ju falë dhe do t’ju rrethojë në krahët e dashurisë së Tij. Mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por zgjidhni ta keni syrin të drejtuar vetëm te lavdia e Tij dhe të kërkoni gjërat e një bote më të mirë. Ai i njeh mendimet tuaja dhe dëshirat e zemrës suaj dhe ndërsa vini tek Ai, Ai do t’ju bekojë me forcë, siguri, paqe dhe gëzim në këtë jetë dhe me një vend në mbretërinë e Tij çelestiale për gjithë përjetësinë.
E di që Jezu Krishti jeton. Ai është Shëlbuesi ynë. Ai na do ju dhe mua me gjithë zemër. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.