Zoti po e Përshpejton Veprën e Tij
Ndërsa Zoti e përshpejton veprën e Tij, ne duhet të kemi dashuri, t’i edukojmë shpirtërisht dhe t’u shërbejmë atyre që e pranojnë ungjillin e Tij.
Çarls Dikensi e filloi në mënyrë të famshme novelën e tij klasike “Rrëfenja e Dy Qyteteve” me pohimin se “ishte periudha më e mirë, ishte periudha më e keqe”. Në njëfarë mënyre, kjo është e vërtetë për kohën tonë.
Jetojmë në një kohë të trazuar kur i “gjithë dheu [është] në rrëmujë”. Këshilla e Presidentit Rasëll M. Nelson për të qenë paqebërës, si ndjekës të Jezu Krishtit, u theksua bukur këtë mëngjes nga Plaku Geri E. Stivenson. Kjo është pjesë thelbësore e nxitjes së unitetit, paqes dhe shërimit për “periudh[ën] më [të] keqe” të kohëve.
Ne gjithashtu jetojmë në “periudh[ën] më [të] mirë” të kohëve, e cila do të jetë theksimi im. Zoti, në parathënien e librit Doktrina e Besëlidhje, seksioni 1, deklaroi se plotësia e ungjillit do t’u “shpallet … fundeve të botës”. Zoti vërtet po e përshpejton veprën e Tij në kohën tonë. Duhet të jemi thellësisht mirënjohës për përshpejtimin, i cili ka ndodhur dhe po ndodh pavarësisht nga këto kohë sfiduese. Jetojmë në një kohë kur ndjekësit e Zotit kanë privilegjin ta dëgjojnë zërin e Tij dhe të përgjigjen me zemra e mendje të hapura. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilët janë të zotuar ndaj Shpëtimtarit dhe urdhërimeve të Tij, po gjejnë qëllim dhe paqe të thellë vetjake.
Në periudha të ndryshme në historinë e Kishës, ka pasur një rritje të ndjeshme të njerëzve që kanë hyrë në shtegun e besëlidhjeve. Një periudhë e tillë ndodhi midis viteve 1837 dhe 1850. Disa prej Apostujve të hershëm në Kishën e rivendosur të Zotit shërbyen misione në Mbretërinë e Bashkuar. Këto misione patën si rrjedhojë mijëra njerëz që u bashkuan me Kishën dhe në vitin 1850 kishte më shumë anëtarë të Kishës që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar sesa në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë Zoti i udhëzoi këta shenjtorë që të mblidheshin në Jutë. Ndodhi një emigrim masiv, disa të përkrahur prej huave të dhëna nga Fondi i Qarkullueshëm i Emigrimit.
Më pëlqen shumë rrëfimi i arritjes në Luginën e Solt‑Lejkut të një grupi të madh të të kthyerve në besim nga Anglia dhe Uellsi në vitin 1852. Grupi u prit nga Presidenca e Parë në grykën e kanionit të Emigrimit, të shoqëruar prej Bandës Muzikore të Kapitenit Pit. Gazeta Deseret News i përshkroi ata si një “grup pelegrinësh [përfshirë] motrat dhe fëmijët, duke ecur, të djegur nga dielli dhe të rrahur nga moti, por jo të mjeruar; zemrat e tyre ishin plot shpresë dhe gjallëri, gjë që dukej qartë në fytyrat e tyre të lumtura e plot gëzim”.
Teksa “kaluan Bllokun e Tempullit … mijëra burra, gra dhe fëmijë u mblodhën nga pjesë të ndryshme të qytetit, që të bashkoheshin me mirëpritjen e lavdishme dhe të hareshme”. Presidenti Brigam Jang iu drejtua atyre: “Zoti, Perëndia i Izraelit ju bekoftë! … Jemi lutur për ju vazhdimisht; mijëra lutje i janë ofruar për ju, ditë pas dite, Atij që na ka urdhëruar të mbledhim Izraelin, të shpëtojmë fëmijët e njerëzve nëpërmjet predikimit të ungjillit dhe t’i përgatitim ata për ardhjen e Mesias.”
Në frymën e atij rasti të hareshëm, më lejoni edhe njëherë që t’i siguroj të gjithë të kthyerit e rinj në besim dhe ata që po kthehen në Kishën e Zotit: Ne ju duam, ne kemi nevojë për ju; Zoti ka nevojë për ju. Ne mund të mos ju mirëpresim me banda marshuese muzikore, por lutemi që bekimet e qiellit t’ju ndihmojnë në përpjekjet tuaja për të përparuar nëpër shtegun e besëlidhjeve që çon drejt Perëndisë, Atit dhe Jezu Krishtit në mbretërinë çelestiale.
Ka një provë të qartë që besimi te Jezu Krishti po rritet në kohën tonë. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka pasur një rritje mbresëlënëse të kthimeve në besim dhe të pjesëmarrjes së të kthyerve në besim. Gjatë 36 muajve të fundit gati 900 000 të kthyer në besim janë bashkuar me Kishën. Këta të kthyer në besim përbëjnë gati 5 përqind të anëtarësisë së përgjithshme të Kishës. Ne i mirëpresim anëtarët e rinj krahëhapur dhe me vlerësim të thellë për shtegun që kanë zgjedhur.
Këta 900 000 të kthyer në besim në 36 muajt e fundit e tejkaluan anëtarësinë e përgjithshme të Kishës në 110‑vjetorin e saj në vitin 1940, e cila ishte pak më shumë se 860 000 anëtarë. Ky ishte viti kur lindën Plaku Xhefri R. Holland, Plaku Diter F. Uhtdorf dhe unë.
Këta të kthyer të mrekullueshëm, të rinj në besim vijnë nga çdo pjesë e botës. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kthimet në besim janë rritur me më shumë se 20 përqind në krahasim me vitin e mëparshëm në Europë, Afrikë, Azi, Ishujt e Paqësorit dhe Amerikën Latine. Në Amerikën Veriore kemi parë një rritje prej 17 përqind. Puna e Zotit vazhdon të ecë përpara në mënyra të fuqishme. Këta numra në rritje janë një dëshmim i qartë se ungjilli po i prek zemrat dhe po ndryshon jetë njerëzish kudo.
Në kohën tonë, këta të kthyer të çmuar në besim nuk mblidhen më në një vendndodhje kryesore. Për shkak të besimit dhe përkushtimit të anëtarëve të Kishës, ka burime në dispozicion për t’i përkrahur bashkësitë – me ndërtimin e godinave kishtare dhe tempujve – anembanë botës. Me çelësat e domosdoshëm të priftërisë dhe burimet e siguruara, ordinancat shpëtuese janë tani në dispozicion në shumicën e pjesëve të botës.
Pavarësisht se ku jetojmë, anëtarëve të tanishëm iu nevojitet të mirëpresin qindra mijëra anëtarë të rinj sikurse mirëpritëm shenjtorët nga Anglia dhe Uellsi që i përshkrova nga historia jonë e hershme. Më pëlqeu shumë biseda e Plakut Gerit W. Gong në këtë sesion ku ai na mësoi se askush nuk duhet të ulet vetëm qoftë emocionalisht, apo shpirtërisht.
Detyra jonë e shenjtë është që t’i pranojmë dhe mirëpresim anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet. Ndërsa Zoti e përshpejton veprën e Tij, ne duhet të kemi dashuri, t’i edukojmë shpirtërisht dhe t’u shërbejmë atyre që e pranojnë ungjillin e Tij. Ne mund të ndihmojmë për të ndërtuar një popull të Sionit, ku jemi “të një zemre dhe të një mendjeje dhe ban[ojmë] në drejtësi”. Që të jemi të bashkuar në një me Zotin, ne duhet të jemi të bashkuar në një përpara Zotit. Të gjithë anëtarët, pavarësisht nga data e pagëzimit, mbajnë përgjegjësi për t’i mirëpritur të tjerët.
Këshilla ime për anëtarët e Kishës është që t’u hedhim krahët në përqafim këtyre njerëzve të çmuar dhe të zgjedhur që e kanë pranuar ungjillin e Jezu Krishtit.
Presidenti Gordon B. Hinkli na mësoi se të kthyerit e rinj në besim kanë nevojë për “një mik, një përgjegjësi dhe të ushqehen me ‘fjal[ën] e mirë [të] Perëndisë’ (Moroni 6:4)”. Ne mund të jemi midis miqve që i sigurojmë këta të kthyer të rinj në besim se kanë përkatësi dhe nuk janë thjesht të ftuar. Ne mund t’i ndihmojmë të kuptojnë se janë dishepuj të Jezu Krishtit të cilët mund t’u japin shërbesë të tjerëve dhe të pranojnë thirrje për të shërbyer. Të kthyerit në besim që janë të rinj në moshë duhet të marrin parasysh shërbimin në një mision kohëplotë. Të gjithë duhet të jenë të vendosur që të përpiqen fort për të jetuar një jetë si të Krishtit.
Shumë njerëz bashkohen me Kishën duke bërë sakrificë të madhe vetjake dhe kanë jashtëzakonisht nevojë për dashurinë dhe përkrahjen e bashkëshenjtorëve të tyre.
Ju që jeni të rinj ose të kthyer në besim, ka sfida me të cilat mund të përballeni. Jini të duruar me veten. Misionarët ju kanë mësuar doktrinën thelbësore dhe ju shpjeguan besëlidhjet dhe ordinancat e mbretërisë, që jepen në shkrimet e shenjta dhe te manuali Predikoni Ungjillin Tim.
Marrja e ordinancave dhe e besëlidhjeve dhe të jetuarit e urdhërimeve janë thelbësore. Përqendrohuni te besëlidhjet e domosdoshme për ekzaltimin. Ungjilli e bën të mundur ekzaltimin, i cili kërkon bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta me Perëndinë. Përveç pagëzimit, konfirmimit dhe dhënies së Priftërisë Melkizedeke për burrat, besëlidhjet në të cilat hyjmë, kryhen në tempull. Për të vdekurit, secila prej këtyre ordinancave shpëtuese kryhet vetëm në tempull. Prandaj përgatitja e vetes për në tempull duhet të jetë një synim i menjëhershëm.
Me raste do të ndiheni të papërshtatshëm rreth asaj që dini. Njohuria për ungjillin është një bekim i madhërishëm, i fituar gradualisht me kalimin e kohës, por nuk është një ordinancë shpëtuese. Ungjilli nuk është një provim njohurie. Gjithsesi, siç ka premtuar Presidenti Nelson: “Kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. … Teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj.”
Përveç kësaj, çdo vit me radhë programi mësimor i Kishës në mbledhjet e të dielave trajton Dhiatën e Vjetër, Dhiatën e Re, Librin e Mormonit dhe Doktrinën e Besëlidhjet. Me kalimin e kohës do të ndiheni më vetëbesues ndërkohë që rritet njohuria juaj për ungjillin. Studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta do ta bekojë e pasurojë jetën tuaj nëpërmjet thellimit të kthimit tuaj në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit.
Të mësuarit e doktrinës së kulluar të Jezu Krishtit është një përpjekje gjatë gjithë jetës, si në të kuptuarit e doktrinës, edhe në të jetuarit e një jete si të Krishtit. Besëlidhjet thelbësore sigurojnë një strukturë të cilën e përshkruajmë si shtegu i besëlidhjeve. Këto parime janë dhënë mësim fuqishëm nga Presidenti Nelson. Të gjithë anëtarët, veçanërisht anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet, do të bekohen duke i studiuar dhe përvetësuar mesazhet e tij profetike për besëlidhjet dhe shtegun e besëlidhjeve.
Nëse caktuat një synim që të merrnit denjësisht çdo besëlidhje të nevojshme për ekzaltim, ju do të jeni në shtegun që çon drejt mbretërisë çelestiale. Tempulli dhe ordinancat e tempullit duhet të jenë përqendrimi ynë. Shumica e besëlidhjeve janë në dispozicion për çdo individ. Një besëlidhje, martesa e përjetshme, përfshin bashkimin e përpjekjeve tuaja me një shoqërues. Synimi ynë duhet të jetë që ta gjejmë atë shoqërues të përjetshëm.
Megjithatë, mos u shkurajoni nëse martesa e përjetshme nuk është e mundshme në këtë kohë. Profetët kanë dhënë mësim se asnjë bekim nuk do të mbahet prej anëtarëve besnikë që i zbatojnë urdhërimet. Një profet i Librit të Mormonit, mbreti Beniamin, e tha këtë bukur: “At[a] që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë … janë të bekuar në të gjitha gjërat, … dhe nëse [janë] besnikë deri në fund … [do] të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund”.
Do të zbuloni, nëse nuk e keni zbuluar tashmë, se anëtarët nuk janë të përsosur. Doktrina e zbuluar e bën të qartë se në qëndrimin tonë këtu në tokë, ne do të bëjmë gabime. Ne jetojmë në një botë të papërsosur dhe të rënë, jo në një botë çelestiale. Kjo jetë është një kohë prove, me mundësi të vazhdueshme për t’u penduar dhe për ta provuar veten.
Ne të gjithë ndihemi të papërshtatshëm teksa përpiqemi fort që të bëhemi si Jezu Krishti. Shlyerja e Tij na lejon që të pendohemi çdo ditë kur dështojmë. Sikurse tha Nefi, një tjetër profet i Librit të Mormonit: “[Ne] duhet të shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”
Teksa mendojmë për sfidat e kohës sonë, ne duhet të kujtojmë se Shpëtimtari, gjatë shërbesës së Tij tokësore, po ashtu jetoi në kohë të trazuara e të dhunshme. Përqendrimi i Tij nuk ishte te sfidat politike të kohës, ishte te përsosja e shenjtorëve.
Ndjekja e Shpëtimtarit, e doktrinës dhe mësimeve të Tij kurrë nuk ka qenë e lehtë në një botë që është vazhdimisht në rrëmujë. Nuk ishte e lehtë për Shpëtimtarin në botën e paqëndrueshme gjatë qëndrimit të Tij në tokë, nuk ishte e lehtë për udhëheqësit dhe anëtarët tanë të hershëm, dhe nuk është e lehtë për ne. Fatmirësisht, profetët e gjallë na sigurojnë udhërrëfimin që na nevojitet veçanërisht për kohën tonë. Presidenti Dallin H. Ouks do ta vazhdojë atë trashëgimi shpirtërisht të fuqishme.
Unë dëshmoj se doktrina e Kishës së Jezu Krishtit është e përjetshme dhe e vërtetë. Jap dëshminë time të sigurt e të palëkundur se Jezu Krishti jeton dhe për shkak të Shlyerjes së Tij, ne mund të jemi një me Të. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.