Fytyra të Qeshura dhe Zemra Mirënjohëse
Madhështia e shenjtorëve tanë në Afrikë bëhet edhe më e dukshme teksa ata përballen me sfidat e jetës dhe kërkesat e një Kishe në rritje.
Pak më shumë se një vit më parë u lirova nga detyra ime në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, një ndryshim që u njoftua këtu në konferencën e përgjithshme. Ngaqë emri im u lexua pranë atyre Autoriteteve të Përgjithshme që po bëheshin Autoritete nderi, shumë veta hamendësuan se edhe unë po e përfundoja kohën time në shërbim. Pas konferencës mora mesazhe të shumta mirënjohjeje dhe urimesh për fazën time të ardhshme në jetë. Disa njerëz madje u ofruan që të blinin shtëpinë time në Solt‑Lejkun Verior. Ishte e këndshme të shihja se njerëzit do t’i merrte malli për mua dhe gjithashtu të dija se nuk do të kemi probleme për ta shitur shtëpinë tonë kur të kem mbaruar [shërbimin]. Por nuk jam ende në atë fazë.
Detyra ime e re na çoi Monikën dhe mua në Afrikën e bukur, ku Kisha po lulëzon. Ka qenë bekim që të shërbejmë mes shenjtorëve besnikë në Zonën e Afrikës Jugore dhe të dëshmojmë dashurinë e Zotit për ta. Është frymëzuese të shohësh familje me shumë breza nga të gjitha prejardhjet, përfshirë shumë anëtarë të suksesshëm dhe të arsimuar mirë të Kishës që i përkushtojnë kohën dhe talentet e tyre për t’u shërbyer të tjerëve.
Në të njëjtën kohë, për shkak të demografisë së rajonit, shumë njerëz me mjete të pakta financiare po i bashkohen Kishës dhe po e shndërrojnë jetën e tyre nëpërmjet bekimeve të besnikërisë ndaj së dhjetës dhe mundësive arsimore të ofruara nga Kisha. Programe të tilla si Succeed in School [Arritja e Suksesit në Shkollë], EnglishConnect, UBJ–Pathway Mbarëbotëror dhe Fondi i Qarkullueshëm Arsimor bekojnë jetën e shumë njerëzve, veçanërisht ata të brezit të ri.
Presidenti Xhejms E. Faust dikur tha: “Është thënë që kjo kishë nuk tërheq domosdoshmërisht njerëz të madhërishëm, por më shpesh i bën të madhërishëm njerëzit e zakonshëm”.
Madhështia e shenjtorëve tanë në Afrikë bëhet edhe më e dukshme teksa ata përballen me sfidat e jetës dhe kërkesat e një Kishe në rritje. Ata gjithmonë u drejtohen këtyre gjërave me një qëndrim pozitiv. Ata e mishërojnë mirë mësimin e mirënjohur nga Presidenti Rasëll M. Nelson:
“Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.
Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë.”
Ata gjejnë gëzim pavarësisht nga sfidat e tyre. Ata kanë mësuar se marrëdhënia jonë me Shpëtimtarin na aftëson t’u qasemi vështirësive me fytyra të qeshura dhe zemra mirënjohëse.
Më lejoni të tregoj disa nga përvojat e mia me këta shenjtorë besnikë, të cilat e ilustrojnë këtë parim, duke filluar nga Mozambiku.
Mozambiku
Pak muaj më parë kryesova në një konferencë kunji për një kunj njëvjeçar që tashmë kishte 10 njësi. Më shumë se 2000 njerëz e mbushën godinën e vogël kishtare dhe tri tenda që ishin vendosur jashtë. Presidenti i kunjit është 31 vjeç, bashkëshortja e tij 26 vjeçe dhe ata kanë dy fëmijë të vegjël. Ai e udhëheq këtë kunj në rritje dhe plot sfida pa asnjë ankesë, vetëm me një fytyrë të buzëqeshur dhe një zemër mirënjohëse.
Në një intervistë me patriarkun, mësova se bashkëshortja e tij ishte e sëmurë rëndë dhe ai e kishte të vështirë që të siguronte përkujdesje për të. Pasi e diskutova çështjen me presidentin e kunjit, ne i dhamë asaj një bekim priftërie. E pyeta patriarkun se sa bekime patriarkale jep ai mesatarisht.
“Tetë deri në dhjetë”, – tha ai.
E pyeta: “Në muaj?”
Ai u përgjigj: “Në javë!” E këshillova që bërja e kaq shumë bekimeve për fundjavë nuk ishte gjë e mençur.
“Plaku Godoi”, – tha ai, – “ata vazhdojnë të vijnë çdo javë, përfshirë anëtarët e rinj dhe shumë të rinj e të reja.” Përsëri, asnjë ankesë, vetëm një fytyrë e buzëqeshur dhe një zemër mirënjohëse.
Pas sesionit të mbrëmjes të së shtunës të konferencës së kunjit, në udhë e sipër për në hotel, vura re njerëz duke blerë ushqime përgjatë udhës vonë atë natë. E pyeta shoferin tim përse po e bënin këtë gjë kur ishte kaq errësirë në vend që ta bënin gjatë ditës. Ai u përgjigj se ata punonin gjatë ditës që të kishin para për të blerë më vonë.
“O, ata po punonin sot që të hanë të nesërmen”, – thashë unë.
Por ai më korrigjoi: “Jo, ata po punonin gjatë ditës që të hanë sonte”. Kisha shpresuar që anëtarët tanë të mund të ishin në gjendje më të mirë, por ai pohoi se shumë përballeshin me sfida të ngjashme në atë pjesë të vendit. Të nesërmen në mëngjes, gjatë sesionit tonë të së dielës dhe i sapobërë i vetëdijshëm për rrethanat e tyre, isha edhe më i emocionuar nga fytyrat e tyre të qeshura dhe zemrat mirënjohëse.
Zambia
Në udhë e sipër për në një mbledhje të së dielës, presidenti i kunjit dhe unë pamë një çift duke ecur përgjatë udhës me një foshnjë dhe dy fëmijë të vegjël. Ndaluam që t’u ofronim për t’i çuar me makinë. Ata u habitën dhe u gëzuan. Kur i pyeta se sa larg u nevojitej të ecnin për te godina kishtare, babai u përgjigj se mund t’ju duhej 45 minuta deri në një orë, në varësi si ecnin fëmijët. Ata përballeshin me këtë udhëtim vajtje e ardhje, çdo të diel, pa asnjë ankesë – vetëm me fytyra të qeshura dhe zemra mirënjohëse.
Malavi
Një të diel përpara një konference kunji, vizitova dy degë që përdornin shkollat publike si shtëpi mbledhjesh. U befasova nga kushtet e përulura dhe të thjeshta të godinave, të cilave u mungonin madje disa pajisje thelbësore. Kur takova disa anëtarë atje, isha gati që të kërkoja ndjesë për kushtet e papërshtatshme të shtëpisë së tyre të mbledhjeve, por ata ishin të lumtur që kishin një vend aty pranë për t’u mbledhur, duke shmangur ecjen zakonisht të gjatë. Përsëri, nuk kishte asnjë ankesë, vetëm fytyra të qeshura dhe zemra mirënjohëse.
Zimbabve
Pas një trajnimi të udhëheqjes një të shtunë, presidenti i kunjit më çoi në shërbesat e së dielës të mbajtura në një shtëpi me qira. Ishin 240 njerëz të pranishëm. Më pas, peshkopi prezantoi 10 anëtarë të rinj të pagëzuar atë javë. Bashkësia u shpërnda mes dy dhomave të vogla, me disa anëtarë gjithashtu të ulur jashtë godinës, duke e parë mbledhjen nëpërmjet dritareve dhe dyerve. Nuk kishte asnjë ankesë, vetëm fytyra të qeshura dhe zemra mirënjohëse.
Lesoto
E vizitova këtë vend të bukur e të vogël, të njohur edhe si “mbretëria e maleve”, për të parë një distrikt të Kishës duke u përgatitur për t’u bërë një kunj. Pas një të shtune me mbledhje, frekuentova shërbesat e së dielës në njërën nga degët e tyre në një shtëpi me qira. Dhoma e sakramentit ishte e tejmbushur, me njerëz që qëndronin jashtë derës për të marrë pjesë. I thashë presidentit të degës se i nevojitej një shtëpi më e madhe. Për habinë time, ai më njoftoi se kjo ishte vetëm gjysma e anëtarësisë së tij. Gjysma tjetër do të ndiqte një mbledhje të dytë sakramenti pas orës së dytë. Përsëri, nuk kishte asnjë ankesë, vetëm fytyra të qeshura dhe zemra mirënjohëse.
U ktheva në Lesoto më vonë për shkak të një aksidenti automobilistik vdekjeprurës, ku u përfshinë disa prej të rinjve dhe të rejave tona, të përmendur tashmë nga Plaku D. Tod Kristoferson më herët. Kur vizitova familjet dhe udhëheqësit, prisja një atmosferë të zymtë. Përkundrazi, u takova me shenjtorë të fortë dhe të aftë për ripërtëritje që po e përballonin situatën në një mënyrë lartësuese dhe frymëzuese.
Mpo Anikiah Nkuja, 14 vjeçe, një viktimë që i mbijetoi aksidentit, në këtë fotografi, e ilustroi mirë me fjalët e veta: “Mirëbesoni te Jezusi dhe gjithmonë shihni tek Ai, sepse nëpërmjet Tij do të gjeni paqe dhe Ai do t’ju ndihmojë në procesin e shërimit”.
Këta janë vetëm disa shembuj ku e shohim qëndrimin e tyre pozitiv, sepse ata e përqendrojnë jetën e tyre tek ungjilli i Jezu Krishtit. Ata e dinë se ku të gjejnë ndihmë e shpresë.
Fuqia Shëruese e Shpëtimtarit
Pse mund t’i ndihmojë Shpëtimtari ata dhe ne në çfarëdo rrethanash të jetës sonë? Përgjigjja mund të gjendet në shkrimet e shenjta:
“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji. …
… Dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, … se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.”
Siç dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar, nuk ka dhembje, ankth ose dobësi fizike që mund të përjetojmë, të cilën nuk e njeh Shpëtimtari. “Unë dhe ju, kur ndihemi të dobët, mund të bërtasim me hidhërim: ‘Askush nuk e kupton [se çfarë po kaloj]. …’ Ndoshta, asnjë qenie njerëzore nuk e di. Por Biri i Perëndisë e di dhe e kupton përso[su]risht.” Dhe përse? Sepse “Ai i nd[j]eu dhe i mbajti barrët tona përpara se ne ta bënim ndonjëherë.”
E përfundoj me dëshminë time për fjalët e Krishtit që gjenden te Mateu 11:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.”
Sikurse ata shenjtorë në Afrikë, unë e di se ky premtim është i vërtetë. Është i vërtetë atje dhe është i vërtetë kudo. Për këtë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.