Konferenca e Përgjithshme
Dijeni se Kush Jeni Vërtet
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


10:46

Dijeni se Kush Jeni Vërtet

Pavarësisht se ku jemi në shtegun tonë të dishepullimit, jeta jonë do të ndryshojë në mënyrë thelbësore nëse e kuptojmë më mirë se kush jemi vërtet.

Disa vjet më parë, bija jonë pati një përvojë të thellë në mision. Me miratimin e saj, po lexoj një pjesë të asaj që ajo na shkroi atë javë:

“Dje, një anëtare e rikthyer në aktivitet, na kërkoi që të shkonim tek ajo sa më shpejt që të mundeshim. Kur mbërritëm, e gjetëm në dysheme, duke qarë me dënesë, pa kontroll. Përmes lotëve, mësuam se e kishte humbur punën, se do ta nxirrnin jashtë nga apartamenti i vet dhe, do të bëhej edhe një herë e pastrehë.”

Bija jonë vijoi: “Fillova furishëm të hulumtoja shkrimet e mia të shenjta, duke u përpjekur të gjeja diçka, [ose] çfarëdo që të ishte, për ta ndihmuar atë. Ndërsa po kërkoja vargun e përsosur, mendova: ‘Çfarë po bëj? Kjo nuk është ajo që do të bënte Krishti. Ky nuk është një problem që mund ta zgjidh unë, por kjo është një bijë e mirëfilltë e Perëndisë që ka nevojë për ndihmën time.’ Prandaj, i mbylla shkrimet e mia të shenjta, rashë në gjunjë pranë saj dhe e mbajta në krahët e mi ndërkohë që vajtuam së bashku, derisa ajo ishte gati të ngrihej në këmbë dhe të përballej me këtë sprovë.”

Mbasi kjo grua u ngushëllua, bija jonë atëherë përdori shkrimet e shenjta që të përpiqej dhe ta ndihmonte të kuptonte realitetin e vlerës së saj hyjnore dhe t’i mësonte njërën nga të vërtetat më themelore të ekzistencës sonë: që ne jemi bij e bija të dashura të Perëndisë, një Perëndie që ndien dhembshuri të përsosur për ne kur vuajmë dhe është gati të na ndihmojë kur ngrihemi sërish në këmbë.

Është kuptimplotë fakti që çështja e parë e doktrinës që japin mësim misionarët tanë, është se Perëndia është Ati ynë i dashur Qiellor. Çdo e vërtetë pasuese ndërton mbi të kuptuarit themelor se kush jemi në të vërtetë.

Suzën H. Porteri, Presidente e Përgjithshme e Fillores, dha mësim: “Çasti kur e dini dhe e kuptoni se sa plotësisht ju duan si fëmijë i Perëndisë, ndryshon gjithçka. Ndryshon mënyrën se si ndiheni rreth vetes kur bëni gabime. Ndryshon mënyrën se si ndiheni kur ndodhin gjëra të vështira. Ndryshon këndvështrimin tuaj për urdhërimet e Perëndisë. Ndryshon këndvështrimin tuaj për të tjerët dhe për aftësinë tuaj për të sjellë një ndryshim.”

Ky ndryshim ilustrohet teksa lexojmë rreth përvojës që e pati Moisiu kur foli me Perëndinë ballë për ballë. Gjatë atij bashkëbisedimi, Perëndia në mënyrë të përsëritur i dha mësim Moisiut për trashëgiminë e tij hyjnore, duke i thënë: “Moisi, ti je biri im”. Perëndia shpjegoi se Moisiu ishte në ngjashmërinë e Birit të Tij të Vetëmlindur. Moisiu arriti të kuptonte qartësisht se kush ishte, se kishte një punë për të bërë dhe se ai kishte një Atë të dashur Qiellor.

Pas kësaj përvoje, kundërshtari erdhi ta tundonte dhe menjëherë iu drejtua duke thënë: “Moisi, biri i njeriut”. Ky është një mjet i zakonshëm dhe i rrezikshëm në arsenalin e kundërshtarit. Ndërkohë që Ati ynë Qiellor vazhdimisht dhe plot dashuri na kujton se jemi fëmijët e Tij, kundërshtari gjithmonë do të përpiqet të na emërtojë sipas dobësive tona. Por Moisiu tashmë kishte mësuar se ai ishte më shumë sesa një “bir i njeriut”. Ai i shpalli Satanit: “Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë.” Po ashtu, kur ndeshemi me sfidat e vdekshmërisë ose kur ndiejmë se dikush po përpiqet të na etiketojë sipas dobësive tona, ne duhet t’i qëndrojmë fort dijenisë se kush jemi vërtet. Ne duhet të kërkojmë të na njihet vlera vertikalisht, jo horizontalisht. Dhe kur e bëjmë këtë, ne gjithashtu mund të shpallim me guxim: “Unë jam një fëmijë i Perëndisë”.

Në një takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, Presidenti ynë i dashur, Rasëll M. Nelsoni, dha mësim: “Pra kush jeni? Së pari dhe mbi gjithçka, jeni një fëmijë i Perëndisë, një fëmijë i besëlidhjes dhe një dishepull i Jezu Krishtit. Teksa i përqafoni këto të vërteta, Ati ynë Qiellor do t’ju ndihmojë të arrini synimin tuaj përfundimtar të të jetuarit përjetësisht në praninë e Tij të shenjtë.”

Nuk është rastësi që ndoshta në shkrimin e shenjtë më të përsëritur, Perëndia na kujton për marrëdhënien tonë me Të. Nga të gjithë emrat me të cilat mund të identifikohej në lutjen e sakramentit, Ai ka kërkuar të quhet “Perëndi, Ati i Amshuar”.

Teksa arrijmë të dimë vërtet se kush jemi, ne do të besojmë më fuqishëm se Ati ynë i dashur Qiellor ka siguruar një plan që ne të kthehemi për të jetuar me Të përsëri. Plaku Patrik Kirën dha mësim: “Plani i bukur i Atit tonë, madje plani i Tij ‘i mahnitshëm’, është hartuar për t’ju çuar në shtëpi, jo për t’ju lënë jashtë. … Perëndia është duke ju kërkuar pareshtur.” Mendojeni këtë për një çast – Ati ynë i gjithëfuqishëm, plot dashuri është “duke ju kërkuar pareshtur”.

Pavarësisht se ku jemi në shtegun tonë të dishepullimit, jeta jonë do të ndryshojë në mënyrë thelbësore nëse e kuptojmë më mirë se kush jemi vërtet. Më lejoni të sugjeroj dy mënyra sipas të cilave mund ta thellojmë këtë kuptueshmëri.

Së Pari, Lutja

Ndërkohë që Shpëtimtari po fillonte shërbesën e Tij në vdekshmëri, Ai u çua në shkretëtirë për të “qenë me Perëndinë”. Ndoshta duhet ta ndryshojmë mendësinë tonë nga thjesht bërje lutjesh te shpenzimi i kohës së mjaftueshme për të komunikuar vërtet dhe për të “qenë me Perëndinë” çdo ditë.

Kam zbuluar se cilësia e lutjeve të mia përmirësohet kur shpenzoj disa minuta që të përgatitem për të folur me Atin tim. Shkrimet e shenjta na tregojnë se ky është një model që funksionon. Qoftë nëse është Jozef Smithi; Nefi, biri i Helamanit; ose Enosi, të gjithë kanë njëfarë forme të përsiatjes dhe reflektimit përpara komunikimit të tyre të shënuar [në anal] me Perëndinë. Enosi tha se shpirti i tij ishte i uritur ndërsa fjalët e atit të tij i hynë thellë në zemër. Secili prej këtyre shembujve na mëson nevojën për t’u përgatitur shpirtërisht për kohën tonë çdo ditë për të “qenë me Perëndinë”.

Nefitët, Shpëtimtari i udhëzoi: “Kur të lutesh, hyr në dhomëzën tënde dhe kur ta kesh mbyllur derën tënde, lutju Atit tënd”.

Qoftë në një kthinë apo në një dhomë gjumi, parimi është që të gjeni një vend ku mund të jeni vetëm që të luteni, që ta lejoni shpirtin tuaj të jetë i qetë dhe të ndiejë nxitjet e “zë[rit] të qetë, të ulët”. Ne mund të përgatitemi nëpërmjet përsiatjes për gjërat për të cilat jemi mirënjohës dhe pyetjet apo shqetësimet që do të donim t’ia sillnim Atit tonë. Ne duhet të përpiqemi fort që të mos kemi një mënyrë rutinë të lutjes, por që të flasim me Atin tonë, me zë të lartë nëse është e mundur.

E kuptoj se në kaosin e jetës sonë, kur po hasim vështirësi me fëmijë dyvjeçarë ose po vrapojmë nga një mbledhje në tjetrën, ne mund të mos kemi luksin e kthinave të qeta dhe të përgatitjes plot mendim, por ato lutje të qeta, të shpejta e të ngutshme mund të jenë shumë më tepër domethënëse kur kemi bërë një përpjekje për të “qenë me Perëndinë” më herët gjatë asaj dite.

Mund të ketë disa njerëz që nuk janë lutur për një kohë të gjatë ose të tjerë që nuk e kanë ndier se lutjet e tyre po dëgjohen. Ju premtoj se Ati juaj Qiellor ju njeh, ju do dhe dëshiron që të dëgjojë prej jush. Ai dëshiron të komunikojë me ju. Ai dëshiron që të kujtoni se kush jeni.

Plaku Xhefri R. Holland kohët e fundit dha mësim: “Sado shumë që po luteni, lutuni më shumë. Sado fort që po luteni, lutuni më fort.”

Përveç rritjes së shpeshtësisë dhe zellshmërisë së lutjeve tona, studimi i Librit të Mormonit çdo ditë dhe adhurimi në tempull do të na ndihmojnë ta përgatitim mendjen për zbulesë. Ndërsa përpiqemi fort ta përmirësojmë komunikimin tonë me Atin tonë Qiellor, Ai do të na bekojë që të ndiejmë më thellësisht se jemi fëmijët e Tij.

Së Dyti, Arrini të Dini se Jezusi Është Krishti

Shfaqja më e madhe e dashurisë së Atit Qiellor për ne si fëmijët e Tij, është realiteti që Ai dërgoi Birin e Tij, Shpëtimtarin tonë vetjak, që të na ndihmojë të kthehemi në shtëpi. Si rrjedhim, na nevojitet të arrijmë ta njohim Atë.

Vite më parë, ndërkohë që shërbeja si president kunji, dorëzova një rekomandim për një vëlla që të shërbente si punonjës ordinancash në tempull. Pasi shpjegova se çfarë punonjësi i mrekullueshëm ordinancash do të ishte ai, pa dashje shtypa “Mos mirato” gjë që çoi në dorëzimin e rekomandimit. Pasi u përpoqa pa sukses që ta zhbëja mesazhin, e mora në telefon presidentin e tempullit dhe thashë: “Kam bërë një gabim të tmerrshëm”. Pa ngurrim, ky president i mirë tempulli tha: “Presidenti Ajër, ti nuk ke bërë asgjë që nuk mund të të falet dhe më së fundi të korrigjohet”. Çfarë e vërtete e madhërishme. Me të vërtetë, Jezu Krishti është “i fuqishëm të shpëtojë”.

Në vitin 2019, pati një ndryshim të thellë në pyetjet e rekomandimit të tempullit. Më përpara, në një pyetje thuhej nëse kishit dëshmi për rolin e Jezu Krishtit si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi. Tani pyetet nëse keni dëshmi për rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj. Shlyerja e Jezu Krishtit nuk funksionon vetëm për të tjerët; ajo funksionon për ju dhe për mua. Ai është Shpëtimtari im. Ai është Shpëtimtari juaj. Individualisht. Vetëm nëpërmjet Tij ju dhe unë mund të kthehemi që të jemi me Atin tonë.

Prandaj, vëllezër e motra, le ta kërkojmë Atë. Le ta studiojmë marrëdhënien e Tij hyjnore me Atin dhe secilin prej nesh. Le të përjetojmë këngën e dashurisë shëlbuese që vjen personalisht te secili prej nesh nëpërmjet Shëlbuesit tonë kur pendohemi. Kur arrijmë ta njohim “at[ë] që është i fuqishëm të shpëtojë”, do të arrijmë të kuptojmë se ne, si fëmijë të Perëndisë, jemi gëzimi i Tij, përqendrimi i Tij më i rëndësishëm dhe po, secili prej nesh ia vlen të shpëtohet.

Dëshmoj se kemi një Atë të dashur Qiellor. Kur arrijmë ta dimë këtë të vërtetë të përjetshme nëpërmjet lutjes së fuqishme, zbulesës vetjake dhe ardhjes te Jezu Krishti, ne mund të shpallim me guxim tani dhe përgjithmonë: “Unë jam një fëmijë i Perëndisë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.