Konferenca e Përgjithshme
Shikoni te Perëndia dhe Jetoni
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


14:14

Shikoni te Perëndia dhe Jetoni

Vetëm duke parë te Perëndia mund të lulëzojnë individët, familjet dhe madje kombet.

Qershorin e kaluar, ndodhi një aksident i tmerrshëm në shtetin e Lesotos në Afrikën Jugore. Një autobus i vogël që transportonte 20 të reja të Degës Maputso të Kishës dhe shtatë nga udhëheqësit e tyre, po shkonte për në kryeqytet, Maseru, për një mbledhje të të rejave nga distrikti i tyre. Ndërsa udhëtonin në rrugën kryesore me dy korsi, në orët e mëngjesit, një makinë që vinte në drejtim të kundërt, duke u përpjekur të parakalonte një automjet tjetër, hyri në korsinë e zënë nga autobusi. Nuk kishte hapësirë apo kohë për ta shmangur përplasjen ballë për ballë dhe brenda pak sekondave automjetet u përplasën, u rrokullisën jashtë rrugës dhe shpërthyen në flakë.

Gjithsej, 15 njerëz humbën jetën në aksident, duke përfshirë gjashtë të reja, dy udhëheqëse të Të Rejave dhe presidentin e degës bashkë me bashkëshorten. Të mbijetuarit, pjesëtarët e familjeve dhe miqtë kanë shprehur një sërë emocionesh, përfshirë çaste zemërimi, depresioni dhe madje faji. Pavarësisht nga këto ndjenja dhe pyetje pa përgjigje, ata e kanë ngushëlluar njëri‑tjetrin dhe i janë drejtuar Perëndisë nëpërmjet muzikës së shenjtë, shkrimeve të shenjta dhe lutjes, ku ata kanë gjetur ngushëllim. E mbijetuara shtatëmbëdhjetëvjeçare, Setso’ana Selebeli, dëshmoi: “Jezu Krishti na do dhe është me ne, edhe pse na lëngojnë zemrat”.

Anëtarë në Lesoto

Një e re dhe një udhëheqëse që u shtruan në spital për kurime të djegieve, e studiuan së bashku Librin e Mormonit. Njëra tha: “Kohët e fundit, kemi lexuar librin e Moronit dhe Moroni flet saktësisht për atë që kam ndier unë. … Kur ai flet, është sikur po thotë: ‘Të duhet t’i mësosh këto fjalë sepse janë shkruar për ty, për të të ndihmuar ta kalosh këtë gjë’.”

Varrimi në Lesoto

Në një shërbesë të përbashkët mortore për ata që humbën jetën, I Shtatëdhjeti Zonal, Plaku Sijabonga Mkize, dha këshillën: “Ne të gjithë duhet t’i drejtohemi Zotit në këtë kohë dhe t’i kërkojmë Atij të na i ngushëllojë zemrat tona dhe … të na e lehtësojë dhembjen që ndiejmë”. Presidentja e Të Rejave nga Dega fqinjë e Leribës, Mamfo Makura, nxiti: “Drejtohuni te Zoti dhe gjeni forcën për ta pranuar vullnetin e Tij. Jezu Krishti është ‘kreu dhe plotësonjësi i besimit’ tonë [Hebrenjve 12:2]. Mos i hiqni sytë prej Tij, por shikoni drejt Tij.”

Shikoni tek Ai. Fjalët e saj kumbojnë këshillën e Almës drejtuar të birit, Helamanit: “Vër re të shikosh te Perëndia dhe jeto”. Alma përmendi përvojën e Lehit dhe të popullit të tij me Liahonën si simbol: “Është po aq lehtë t’i vësh veshin fjalës së Krishtit, e cila do të të tregojë një kurs të drejtë për lumturi të përjetshme, siç ishte për etërit tanë që t’i kushtonin vëmendje kësaj busulle, që do t’u tregonte atyre një kurs të drejtë për në tokën e premtuar”. Alma tha: “Po të shikonin, [ata] do të mund të jetonin. … Dhe në qoftë se ne … shikojmë, do të mund të jetojmë përgjithmonë.”

Në një rast tjetër Alma përmendi shembullin e gjarprit prej bronzi që u ngrit lart nga Moisiu kur izraelitët e lashtë u kafshuan nga gjarpërinjtë flakërues. Zoti i tha Moisiut të bënte një model gjarpri dhe ta vendoste mbi një shtizë me premtimin se “çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar”. Alma shpjegoi se gjarpri prej bronzi ishte një model ose simbol i Krishtit, i cili do të ngrihej lart mbi kryq. Shumë njerëz vërtet panë dhe jetuan, por të tjerë ishin, sipas fjalëve të Almës, “kaq të ngurtësuar” sa thjesht nuk panë dhe humbën jetën.

Alma pyeti:

“Në qoftë se ju mund të shëroheshit vetëm duke i hedhur sytë diçkaje që të shëroheshit, a nuk do t’i hidhnit sytë me të shpejtë, apo do të ngurtësonit zemrat tuaja në mosbesim dhe do të ishit përtacë sa të mos i hidhnit sytë e kështu të mbaronit?

… Atëherë hidhni sytë dhe filloni të besoni në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet e tyre; dhe se ai do të ngrihet përsëri nga të vdekurit, që do të shkaktojë ringjalljen, që të gjithë njerëzit do të qëndrojnë para tij për t’u gjykuar, sipas veprave të tyre, ditën e fundit dhe të gjykimit.”

Sigurisht, këshilla “shiko te Perëndia dhe jeto” ka kuptim për ne jo vetëm në përjetësi, por gjithashtu sjell gjithë ndryshimin në karakterin dhe cilësinë e jetës sonë në vdekshmëri. Mbajini mend fjalët e motrës Selebeli në moshë të re në Lesoto, të përmendura tashmë: “Jezu Krishti na do dhe është me ne, edhe pse na lëngojnë zemrat”.

Është në natyrën e një bote të rënë, ku djalli shpërthen me tërbim dhe ku të gjithë janë të papërsosur, që do të ketë zhgënjime dhe fyerje, vuajtje dhe pikëllim, dështim dhe humbje, përndjekje dhe padrejtësi. Vetëm duke parë te Perëndia mund të lulëzojnë individët, familjet dhe madje kombet. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Për shkak se Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme, e shëlboi çdonjërin prej nesh nga dobësia, gabimet e mëkati dhe për shkak se Ai përjetoi çdo dhembje, shqetësim dhe barrë që ju mund të keni pasur ndonjëherë [shihni tek Alma 7:11–13], atëherë, ndërsa pendoheni vërtet dhe e kërkoni ndihmën e Tij, mund të ngriheni mbi këtë botë aktuale të pasigurt”.

Asnjë premtim nuk përsëritet më shpesh në shkrimin e shenjtë të Librit të Mormonit sesa ky: “Për aq sa ju të zbatoni urdhërimet e mia, ju do të begatoheni në tokë, por për aq sa ju nuk do të zbatoni urdhërimet e mia ju do të përjashtoheni nga prania ime”. Përvoja e jetuar nga popujt e Librit të Mormonit përgjatë shekujve tregon vërtetësinë e këtyre fjalëve. Termi “begatohen” nënkuptonte që gëzonin udhërrëfimin dhe bekimet e qiellit në jetën e tyre. “Begatohen” nënkuptonte arritjen e niveleve të mirëqenies ekonomike që u mundësonte atyre të martoheshin, të krijonin familje dhe të jepnin shërbesë për nevojat e të tjerëve. “Begatia” përfshinte aftësinë për të triumfuar mbi vështirësitë dhe sprovat. Nëpërmjet hirit të Krishtit, “të gjitha gjëra[t] bashkëvepr[uan] për të mirë[n e tyre]”, i rafinuan ata dhe e thelluan marrëdhënien e tyre me Të.

Alma shpjegoi se të shohësh te Perëndia do të thotë t’i zbatosh urdhërimet e Tij, t’i lutesh Atij vazhdimisht për përkrahjen e Tij, të këshillohesh me Të për të gjitha veprimet e tua dhe ta lejosh zemrën të jetë plot falënderime ndaj Tij ditë e natë. Urdhërimet dhe këshillat e Perëndisë gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e shërbëtorëve të Tij. Parimet dhe idealet e paraqitura në dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, janë një shembull parësor. Një tjetër është motoja udhërrëfyese që gjendet te broshura Për Forcën e Rinisë. Tema e Të Rinjve dhe Të Rejave për këtë vit është “Shih te Krishti”, marrë nga udhëzimi ngushëllues i Zotit drejtuar Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”. Te broshura Për Forcën e Rinisë flitet për disa nga urdhërimet dhe standardet më të ngutshme të Perëndisë dhe na mësohet se si të shohim te Zoti për të marrë vendime të mira. Është një udhëzues jo vetëm për rininë por për të gjithë ne.

Si një shembull shumë i rëndësishëm, broshura Për Forcën e Rinisë ka udhërrëfim vendimtar në kapitullin e titulluar “Trupi Juaj Është i Shenjtë”. Ai udhëzon: “Trajtojini me respekt trupin tuaj dhe trupat e njerëzve të tjerë. Ndërsa merrni vendime për veshjen, stilin e flokëve dhe pamjen tuaj, pyeteni veten: ‘A po e nderoj trupin tim si një dhuratë të shenjtë nga Perëndia?’”

Te broshura Për Forcën e Rinisë deklarohet më tej: “Mbajini të shenjta seksin dhe ndjenjat seksuale. Ato nuk duhet të jenë objekti i shakave apo argëtimit. Jashtë martesës midis një burri dhe një gruaje, është e gabuar të prekësh pjesët private, të shenjta të trupit të një personi tjetër, edhe nëse është i veshur. Në zgjedhjet tuaja se çfarë të bëni, shikoni, lexoni, dëgjoni, mendoni, afishoni ose shkruani, shmangiuni çdo gjëje që qëllimisht ngjall emocione epshore tek të tjerët ose te vetja.”

Kjo më sjell ndër mend këshillën e Presidentit Nelson të kohëve të fundit:

“Janë të pakta gjërat që do ta ndërlikojnë jetën tuaj më shpejt sesa shkelja e këtij ligji hyjnor [të dëlirësisë]. Për ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, pamoralshmëria është një nga mënyrat më të shpejta për ta humbur dëshminë tuaj.

… Fuqia për të krijuar jetë është i vetmi privilegj i perëndishmërisë që Ati Qiellor ua lejon fëmijëve të Tij të vdekshëm ta ushtrojnë. Kështu, Perëndia vendos orientime të qarta për përdorimin e kësaj fuqie të gjallë dhe hyjnore. Intimiteti fizik është vetëm për një burrë dhe një grua që janë të martuar me njëri-tjetrin.

Një pjesë e madhe e botës nuk e beson këtë, por opinioni publik nuk është arbitri i së vërtetës. Zoti ka shpallur se asnjë person jo i dëlirë nuk do ta arrijë mbretërinë çelestiale. … Dhe nëse nuk keni qenë të dëlirë, ju përgjërohem të pendoheni. Ejani te Krishti dhe merrni premtimin e Tij për falje të plotë ndërsa pendoheni plotësisht për mëkatet tuaja [shihni tek Isaia 1:16–18; Doktrina e Besëlidhje 58:42–43].”

Mos harroni se në premtimin e Librit të Mormonit, e kundërta e begatisë nuk ishte skamja, por ishte të përjashtoheshe nga prania e Perëndisë. Prania e Tij i referohet ndikimit të Shpirtit të Tij në jetën e dikujt. Të gjithë mbushen me Dritën e Krishtit kur vijnë në botë. Krahas kësaj, disa marrin vendimin për t’u pagëzuar dhe marrin dhuratën dhe dritën e mëtejshme të Frymës së Shenjtë. Ai sjell frymëzim dhe udhërrëfim, i shton dhe rafinon dhuntitë dhe aftësitë e lindura të individit dhe ndihmon në shmangien e ndikimeve të këqija, vendimeve të gabuara dhe rrugëve pa krye.

Sikurse ju, unë njoh disa njerëz që dikur e gëzonin dhuratën e Frymës së Shenjtë, por që nëpërmjet moszbatimit të urdhërimeve të Perëndisë e kanë humbur atë bekim. Më vjen në mendje një individ në veçanti, të cilit iu hoq anëtarësia në Kishë për shkak të shkeljes. Më tha se reagimi i tij fillestar ishte të ndihej i fyer. Ai u ndje i gjykuar nga udhëheqës të papërsosur. E dinte se sjellja e tij kishte qenë e gabuar, por e justifikoi atë duke vënë në dukje fajet dhe dështimet e të tjerëve. Pas një farë kohe, ai filloi të ndihej rehat me stilin e jetesës jashtë Kishe, pa detyrimin për thirrjet dhe pritshmëritë për të frekuentuar shërbesat e adhurimit dhe dhënien e shërbesës ndaj të tjerëve.

Kjo vazhdoi për ca kohë, por ai filloi ta ndiente gjithnjë e më thellësisht mungesën e Shpirtit të Shenjtë – praninë e Perëndisë – në jetën e vet. Nisur nga përvoja, ai e dinte se si ishte të kishe, për çdo ditë, ngushëllimin, udhërrëfimin dhe sigurinë që lind nga Shpirti, dhe kjo gjë po i mungonte. Më në fund, ai bëri atë që nevojitej për t’u penduar dhe për t’u kualifikuar edhe njëherë për pagëzimin me anë të ujit dhe të Shpirtit.

Duket se nuk ka mbarim të burimeve të ndryshme tek të cilat njerëzit kërkojnë kuptim, lumturi dhe ndihmë. Shumë janë “duke parë përtej shenjës”. Por nuk na duhet të jemi “foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje [apo modë]”. Duke parë te Perëndia, mund të gjejmë paqe në vështirësi dhe besimi ynë mund të vazhdojë të rritet edhe në kohë dyshimi dhe sfidash shpirtërore. Ne mund të marrim forcë përballë kundërshtimit dhe izolimit. Ne mund ta pajtojmë idealen me realitetin e tanishëm. Vërtet, nuk ka mënyrë tjetër përveç asaj që Perëndia Vetë ka paracaktuar: “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër”.

Të shikojmë te Perëndia do të thotë se Ai nuk është vetëm një nga përparësitë tona; përkundrazi, do të thotë se Ai është përparësia jonë më e lartë. Më vjen në mendje përsëri ajo përplasje e tmerrshme në Lesoto qershorin e kaluar. Nga shtrati i saj i spitalit, njëra nga udhëheqëset e Të Rejave që mbijetoi, e cila nuk besonte te Perëndia para se të bashkohej me Kishën, tha se qëllimi i saj tani është të zbulojë pse iu kursye jeta. “Shërbimi i vazhdueshëm ndaj Perëndisë është mënyra se si do ta gjej një përgjigje, nëse e gjej një përgjigje”, – shpalli ajo. “Dikur mendoja se e doja Perëndinë, por tani vërtet, vërtet, vërtet, vërtet, vërtet e dua Atë. Tani Ai është përparësia [numër një] në jetën time.”

Unë jap dëshmi për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë, të Cilët në unitet të përsosur të fjalës, mendimit, qëllimit dhe veprimit, janë i vetmi Perëndi tek i Cili mund të shikojmë për të gjitha gjërat e mira. Jap dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit, nga ku vjen edhe fuqia për të përmbushur këtë premtim të mrekullueshëm: “Shikoni tek unë dhe duroni deri në fund, dhe do të jetoni; pasi atij që duron deri në fund, unë do t’i jap jetën e përjetshme”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Ryan Jensen, “Survivors of Deadly Bus Crash in Lesotho Share Grief – and Faith – in Wake of Tragedy”, Church News, 18 korrik 2025, thechurchnews.com; Ryan Jensen, “‘God Is Still God’ – Remembering the Lives Lost in Lesotho Bus Accident”, Church News, 19 korrik 2025, thechurchnews.com.

  2. Alma 37:47.

  3. Alma 37:44.

  4. Alma 37:46; theksimi i shtuar.

  5. Shihni te Numrat 21:5–6.

  6. Numrat 21:8.

  7. Shihni tek Alma 33:19.

  8. Alma 33:20.

  9. Alma 33:21–22. Nipi i Almës, Nefi, teksa jepte dëshmi për Shpëtimtarin, shtoi: “Dhe sikurse të gjithë ata që do të shikonin atë gjarpër do të jetonin, ashtu madje të gjithë ata që do ta shikojnë në Birin e Perëndisë me besim, me shpirt të penduar, do të mund të jetojnë madje gjithashtu në atë jetë që është e përjetshme” (Helamani 8:15).

  10. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 96.

  11. 2 Nefi 1:20.

  12. Romakëve 8:28.

  13. Ne mund t’i shohim përreth nesh frytet e të parit te Perëndia dhe pasjes së Shpirtit të Tij me vete. Për shembull, hulumtimet kanë zbuluar se “zhvillimi shpirtëror shoqërohet me mbrojtje kundër depresionit dhe abuzimit me substancat dhe me përgatitjen e të rinjve në moshë madhore për marrëdhënie më të shëndetshme, punë më të qëllimshme dhe ripërtëritje më të madhe emocionale” (Cornelia Powers, “The New Spiritual Leader on Campus”, Atlantic, 18 maj 2025, theatlantic.com).

    Nivelet e vetmisë kronike, izolimit emocional dhe ankthit në popullatën e përgjithshme bien ndesh me stilet e jetesës përgjithësisht më të shëndetshme, gjallërinë fizike dhe mendore, nivelet më të larta të arsimimit dhe këndvështrimet pozitive të bazuara te besimi midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Nuk është se ne, si popull, nuk i përjetojmë kurrë sfidat që ekzistojnë zakonisht në botë. Përkundrazi, duke parë te Jezu Krishti, ne mund të triumfojmë.

  14. Shihni tek Alma 37:35–37.

  15. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:4.

  16. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  17. Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), f. 24, 25.

  18. Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 118; theksimi në origjinal.

  19. Shihni te Gjoni 1:9; Moroni 7:16; Doktrina e Besëlidhje 84:45–46; 93:2.

  20. Jakobi [LiM] 4:14.

  21. Efesianëve 4:14.

  22. Isaia 45:22.

  23. Mapule Joyce Takane, në Jensen, “Survivors of Deadly Bus Crash in Lesotho Share Grief – and Faith – in Wake of Tragedy”, thechurchnews.com.

  24. Shihni te 1 Gjon 5:7; 3 Nefi 11:36; Doktrina e Besëlidhje 20:28; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Perëndi, Kokë e Perëndisë”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  25. 3 Nefi 15:9.