Që Të Gjithë të Jenë të Lartësuar
Kur përqendrohemi te Jezu Krishti, e japim mësim doktrinën e Tij dhe mësojmë me zell, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë për ta thelluar besimin tonë te Jezu Krishti dhe për të na ndihmuar që të bëhemi më shumë si Ai.
Tregohet një histori për një student universiteti të ri në moshë, i cili po haste vështirësi me një lëndë sfiduese, kështu që ai pajtoi një mësues privat për ta ndihmuar. Afër fundit të kursit, profesori njoftoi se studentët mund të sillnin në provimin përfundimtar një fletë letre në të cilën mund të vendosnin çfarëdo të dëshironin. Disa studentë u përgatitën duke bërë shënime të vockla me informacion nga leksionet dhe librat shkollorë, të lexueshme vetëm po të përdorje një xham zmadhues. Por i riu mbërriti në provimin përfundimtar me një fletë bosh letre dhe një të panjohur. Kur profesori e pyeti atë, i riu u përgjigj: “Ju thatë që mund të sillja një fletë letre me çfarëdo gjëje mbi të”. Ai më pas e vendosi letrën mbi dysheme pranë tavolinës së vet dhe tha: “Do të më pëlqente që mësuesi im privat të qëndronte mbi fletën time të letrës”.
Fryma e Shenjtë
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të bekuar me shoqërimin e një anëtari të Kreut‑Perëndi, ne mund të kemi ndihmën e Mësuesit të përsosur. Fryma e Shenjtë i di të gjitha gjërat, dëshmon për të vërtetën dhe do të na i “kujtojë të gjitha këto [gjëra]”. Presidenti Rasëll M. Nelson foli shpesh rreth rëndësisë së vënies vesh të zërit të Zotit. Ai na mësoi se si ta ftojmë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë dhe në mënyrë të përsëritur na u përgjërua që ta rritim aftësinë tonë shpirtërore për të marrë zbulesë.
Sot ju ftoj të merrni parasysh rolin e Frymës së Shenjtë, veçanërisht lidhur me të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit në shtëpi dhe në kishë. Fryma e Shenjtë jepet me anë të lutjes së besimit dhe teksa ne orvatemi të jetojmë të denjë për këtë dhuratë të çmuar. Manuali i frymëzuar i Kishës, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, përvijon parime shtesë që Zoti i ka krijuar, të cilat do të ndihmojnë për ta ftuar ndikimin e Frymës së Shenjtë.
Ftoni të Mësuarit me Zell
Njëri nga këto parime është të ftojmë të mësuarit me zell. Në të shkuarën, mund ta kemi menduar mësimdhënien si mundësi që një prind ose mësues ta ftojë Shpirtin në përgatitjen e vet dhe më pas t’ua tregojë atë që ka mësuar, fëmijëve ose anëtarëve të klasës, roli i të cilëve ka qenë që të dëgjojnë. Por edhe më e efektshme është kur edhe ne si nxënës vijmë të përgatitur dhe kur mësuesit krijojnë përvoja të të mësuarit që e nxitin zbulesën vetjake drejtpërsëdrejti në zemrat dhe mendjet tona. Më pas, kur na jepen mundësi për ta treguar atë që po mësojmë nëpërmjet studimit tonë dhe nga Fryma e Shenjtë, ne e ndihmojmë njëri‑tjetrin që të udhëzohet dhe lartësohet. Kur i zbatojmë parimet e ungjillit, Shpirti përsëri dëshmon për vërtetësinë e tyre.
Si në të gjitha gjërat, Jezu Krishti është shembulli ynë i përsosur. Ai e ka ftuar secilin prej nesh që të jemi nxënës të zellshëm dhe të marrim mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë tona vetjake. Ai i ftoi dishepujt e Tij që të përgatiteshin për të mësuar, ta tregonin atë që po mësonin dhe të vepronin me besim. Ai u lut për ta, e kuptoi potencialin e tyre hyjnor, i dëgjoi dhe i ndihmoi të dinin se i donte dhe ata ishin të nevojshëm.
Si mësues, ne mund të përqendrohemi më shumë te përparimi i nxënësit, te plotësimi i nevojave të tyre dhe te ndihma që të zhvillojnë zakonet shpirtërore të dishepullimit gjatë gjithë jetës. Si nxënës, kur e ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes në procesin e të mësuarit, ne i japim sinjal Frymës së Shenjtë për gatishmërinë tonë që të mësohemi prej Tij.
Jam mirënjohës për një mësuese e cila më ftoi të isha nxënës më i mirë. Kur fillova kolegjin, kisha perceptim të gabuar për shkollën pasi e mendoja si diçka që duhej ta duroja me qëllim që të lejohesha të bëja sport. Një ditë, pasi lexoi një material që e kisha shkruar unë, profesoresha ime më tha se mendonte që isha një mendimtar i talentuar analitik. As nuk e dija se çfarë do të thoshte ajo. Ajo tha se me përpjekje më të përqendruar, mund të isha një student i mirë. Ai mendim nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend. Interesimi, inkurajimi dhe ftesat e saj e ndryshuan rrjedhën e arsimimit tim dhe ma bekuan jashtëzakonisht jetën.
Jepeni Mësim Doktrinën
Një tjetër parim domethënës për ta ftuar Frymën e Shenjtë, është të japim mësim doktrinën e vërtetë. Kjo do të thotë se studimi dhe udhëzimi ynë për ungjillin rrënjosen në fjalën e Perëndisë dhe se nuk bëjmë bujë ose spekulime mbi atë që Zoti nuk e ka zbuluar. Përkundrazi, ne përqendrohemi te parimet thelbësore dhe të përjetshme të ungjillit, të cilat e lejojnë Shpirtin të dëshmojë për të vërtetën. Edhe një herë, ne ndjekim shembullin e Shpëtimtarit. Ai tha: “Doktrina ime nuk është e imja, por e atij që më ka dërguar”.
Doktrina e vërtetë gjendet në shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve modernë. Porosia e Zotit për t’i studiuar shkrimet e shenjta individualisht dhe si familje dhe për të frekuentuar kishën çdo javë që të studiojmë ungjillin e Tij, na siguron një strukturë mbresëlënëse për të mësuar doktrinën e Tij dhe për t’ia vënë veshin zërit të Tij. Ne i shqyrtojmë shkrimet e shenjta që të kuptojmë historinë, parimet që na mësohen atje, dhe zbatimin e këtyre të vërtetave në jetën tonë. Çfarë bekimi është t’i kemi shkrimet e shenjta në majë të gishtave! Përfytyrojeni Adamin dhe Evën, Abinadin ose madje Mësuesin Mjeshtër, Jezu Krishtin, duke vizituar shtëpitë ose klasat tona për të na dhënë mësim. Ata munden të na vizitojnë kur ne ushqehemi me bollëk me fjalët e Perëndisë. Me përpjekje të vazhdueshme mund të mësojmë që t’i kuptojmë dhe t’i duam shkrimet e shenjta dhe të mirëbesojmë se ato kanë përgjigjet ndaj pyetjeve të shpirtit.
Përpara se të martoheshim, pati një periudhë kur bashkëshortja ime, Kristi, e kishte të vështirë të ndiente dashurinë e Atit Qiellor dhe të kuptonte planin e Tij për të. Teksa lutej për udhërrëfim, një mbresë erdhi që ajo duhej të frekuentonte institutin, prandaj u regjistrua në një kurs për Dhiatën e Re. Mënyra se si mësuesi i saj i institutit i jepte mësim shkrimet e shenjta, madje mënyra se si i mbante ato në dorë, tregonte se sa shumë e donte ai fjalën e Perëndisë. Teksa e frekuentonte atë, Fryma e Shenjtë i pëshpëriti asaj se kishte diçka në shkrimet e shenjta që i nevojitej. Dashuria e mësuesit të saj për shkrimet e shenjta dhe nxitjet nga Fryma e Shenjtë i ngjallën dëshirën për të filluar një studim serioz të fjalës së Perëndisë, gjë që u bë një rrugëtim gjatë gjithë jetës i kthimit të thellë në besim dhe i shërbimit të përkushtuar.
Përqendrohuni te Jezu Krishti
Së fundi, siç sugjerohet te manuali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, mësimdhënia dhe të mësuarit tonë duhet të përqendrohen gjithmonë te Jezu Krishti. Mund të flasim më shpesh dhe me më shumë nderim për Të dhe të kërkojmë më shumë mundësi për të shprehur dëshminë, mirënjohjen dhe dashurinë për Të. Cilido qoftë mjedisi, kur e kujtojmë Atë, ne mund ta kemi “Shpirtin e tij me [vete]”.
Një mënyrë për ta vendosur Jezu Krishtin në qendër të mësimdhënies sonë, është që të theksojmë se Ai është shembulli i përsosur, mishërimi dhe shëmbëllimi i të gjitha parimeve të ungjillit. Edhe kur Ai nuk përmendet drejtpërsëdrejti në një rrëfim të shkrimit të shenjtë, prapëseprapë mund ta përmendim Atë si shembullin e parimit që po jepet mësim. Thjesht mund të pyesim: “A mund të mendoni për një rast kur Jezu Krishti ishte shembull i këtij parimi?”
Gjithashtu mund të përqendrohemi tek Ai duke mësuar titujt, rolet dhe cilësitë e Tij, duke u përpjekur që të mësojmë jo vetëm atë që Ai ka bërë, por edhe për të kuptuar më mirë se kush është Ai. Për shembull, kur studiojmë parimin e pendimit, është e rëndësishme të kuptojmë se si të pendohemi. Por është gjithashtu thelbësore që të kujtojmë atë që Jezu Krishti ka bërë për ta bërë pendimin të mundur dhe që të kuptojmë se çfarë na mëson pendimi rreth Tij, rreth natyrës dhe karakteristikave të vërteta të Tij. Çfarë tregon mundësia jonë për t’u penduar rreth dashurisë, durimit dhe mëshirës së Tij, bindjes së Tij në potencialin tonë hyjnor, gatishmërisë së Tij për të shlyer për mëkatet tona dhe gëzimit që Ai gjen tek falja? Dhe të kuptuarit e titujve të Tij, të tillë si Qengji i Perëndisë, Shëlbuesi dhe Shëruesi, na ndihmon që të kuptojmë se pendimi është ftesa e Tij për të na pastruar, ndryshuar e shëruar. Përqendrimi tek ajo që Ai ka bërë për ne dhe çfarë tregon ajo që ka bërë se kush është Ai, mund të na ndihmojë që të kemi “besim deri në pendim”.
Me raste, mund të mos i shohim menjëherë cilësitë e Shpëtimtarit të përvijuara në një rrëfim të shkrimit të shenjtë. Për shembull, kur lexojmë për Nefin që ndërtoi një anije, ne mund të përqendrohemi vetëm te Nefi. Por përqendrimi te Shpëtimtari mund të na ndihmojë që të kuptojmë se ky anal nuk u ruajt për të na mësuar rreth madhështisë së Nefit, por për të na treguar madhështinë e Perëndisë, se Ai na jep forcë për të zbatuar urdhërimet e Tij dhe na çliron në kohë nevoje.
Gjithashtu mund të përqendrohemi te roli qendror i Jezu Krishtit në planin e përsosur të Atit Qiellor për lumturinë. Ky plan mund ta ndryshojë drejtimin e jetës sonë që t’i shohim rrethanat tona nëpërmjet thjerrave të planit të përjetshëm të Perëndisë, në vend që ta shohim planin nëpërmjet thjerrave të rrethanave tona tokësore. Ungjilli nuk është një listë kërkesash; ai është lajmi i mirë që Jezu Krishti e mundi mëkatin dhe vdekjen. Është me anë të përdorimit të hirit të Tij të mahnitshëm nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve tona me Perëndinë që ne mund të jetojmë plot gëzim tani dhe të përgatitemi për jetën me Atin tonë Qiellor në përjetësitë. Kur mësojmë që t’i shohim Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin në shkrimet e shenjta, ne do të arrijmë vërtet t’i njohim Ata më mirë dhe do t’i shohim dashurinë dhe ndikimin e Tyre më shpesh e më fuqishëm në vetë jetën tonë.
Gjithmonë do ta kujtoj Shpirtin që ndjeva në moshë të re kur mësuesi ynë dha mësim rreth ditëve të fundit të jetës së Shpëtimtarit. Ai na ndihmoi të kuptonim rëndësinë e ngjarjeve në dhomën e sipërme, Gjetseman, Golgotë dhe në varrin e zbrazët. Ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Shpëtimtarin dhe dëshirën e vet të zjarrtë për ta ndjekur Atë. Mësimet e tij ishin një ftesë për Frymën e Shenjtë që të dëshmonte për Jezu Krishtin. Dhe Shpirti që ndjeva në atë klasë, ma thelloi besimin dhe ma shtoi dashurinë dhe vlerësimin për Shpëtimtarin. Ndikimi i atij mësuesi më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Siç u tha për një mësues tjetër: “Ne mund t’i ngrohnim duart tona nëpërmjet zjarrit të besimit të tij”.
Përfundimi
Në shtëpitë tona dhe në mbledhjet e Kishës, kur përqendrohemi te Jezu Krishti, e japim mësim doktrinën e Tij dhe mësojmë me zell, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë për ta thelluar besimin tonë te Jezu Krishti dhe për të na ndihmuar që të bëhemi më shumë si Ai, që është qëllimi i të gjithë mësimdhënies dhe të mësuarit të ungjillit.
Jam mirënjohës për mësuesit në jetën time, nga prindërit e mirë dhe udhëheqësit e mësuesit vendorë deri te burrat dhe gratë që janë thirrur për të dhënë mësim e për të dëshmuar nga kjo foltore, të cilët na ndihmojnë ta njohim e ta ndjekim Jezu Krishtin. Dhe jam mirënjohës për Frymën e Shenjtë, Mësuesin e përsosur. Është nëpërmjet Frymës së Shenjtë që e di se Ati Qiellor na do dhe ka një plan të përkryer për ne; se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës dhe se janë rivendosur ungjilli dhe Kisha e Tij. Unë dëshmoj plot mirënjohje për këto gjëra, në emrin e Jezu Krishtit, amen.