Dhe Tani Shoh
Ndikimi i Librit të Mormonit në jetën time nuk është më pak mrekullibërës nga sa ishte vendosja e pështymës dhe dheut mbi sytë e të verbrit.
Me dashuri të pashtirur ne të gjithë i bëjmë jehonë fjalëve nderuese të Presidentit Ouks për largimin nga jeta të Presidentit Rasëll M. Nelson. Dhe po me të njëjtën dashuri dhe vajtim të thellë, të gjithë ne i marrim afër zemrës tragjeditë në Miçigan kohët e fundit dhe thuajse ato që ndodhin çdo ditë në mbarë botën. Ne i marrim afër zemrës këto gjëra me dashuri dhe mirëbesim te Zoti Jezu Krisht.
Kapitulli i nëntë i Gjonit shënon përvojën e Jezusit dhe të dishepujve të Tij duke kaluar pranë një lypësi të verbër që nga lindja. Kjo i shtyu dishepujt t’i bënin Jezusit disa pyetje të ndërlikuara fetare në lidhje me origjinën dhe kalimin e aftësisë së kufizuar të këtij burri [prej prindërve]. Mësuesi u përgjigj duke bërë diçka shumë të thjeshtë dhe shumë befasuese. Ai pështyu përdhe dhe e trazoi për të bërë pak baltë. Më pas Ai ia leu sytë burrit me baltë duke e udhëzuar të lahej në pellgun e Siloamit. Burri që nuk shihte, i bëri të gjitha këto me bindje dhe “u kthye duke parë”, thotë shkrimi i shenjtë. Sa të rëndësishme janë provat, në krahasim me dëshirat, argumentet apo edhe keqdashjen në kundërshtim me të vërtetën!
Mirëpo, nga frika se mos kjo mrekulli do ta rriste kërcënimin që Jezusi tashmë përbënte për autoritetin e tyre të supozuar, armiqtë e Shpëtimtarit iu kundërvunë burrit që sapo i kishte ardhur shikimi, dhe i thanë me zemërim: “Ne e dimë se [Jezusi] është mëkatar”. Burri i dëgjoi për një çast, pastaj tha: “Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, … isha i verbër dhe tani shoh”.
Jezusi ia dha kuptimin e parë këtij bashkëbisedimi, duke u thënë dishepujve të Tij se e gjitha kjo kishte ndodhur “që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë”. Mbajeni mend se dy herë në këtë narrativë veprimi i Shpëtimtarit përmendet si “l[yerje]” ose vajosje e syve të të verbrit, një vepër që duhej përfunduar me larjen. Ky përshkrim se “[u] dëft[uan] veprat e Perëndisë” me gjasë mund të sugjerojë shpalosjen e një ordinance.
Një e vërtetë tjetër që është e dukshme këtu, janë instrumentet që Krijuesi i qiellit dhe i tokës dhe gjithçka në to janë përdorur për ta siguruar këtë mrekulli: pështyma dhe një grusht dhe! Këta përbërës tejet të pazakontë deklarojnë se Perëndia mund të na bekojë me çfarëdo metode që Ai zgjedh. Ashtu si Naamani që nuk pranoi të lahej në lumin Jordan ose fëmijët e Izraelit që refuzuan ta shihnin gjarprin në shtizë, sa të lehtë e kemi ne ta hedhim poshtë burimin e shëlbimit tonë, për shkak se përbërësit dhe instrumentet duken të thjeshta sa na vënë në siklet.
Por ne e mbajmë mend nga Libri i Mormonit se disa gjëra janë edhe të thjeshta, edhe të çmuara dhe se para lindjes së Jezusit do të profetizohej se Ai “nuk [do të] kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim”. Sa shpesh Perëndia e ka dërguar mesazhin e Tij madhështor nëpërmjet një presidenteje të sapothirrur dhe shumë në ankth të Shoqatës së Ndihmës ose një djaloshi të pamësuar në një fermë në Nju‑Jork, apo një misionari që sapo e ka nisur misionin ose një foshnjeje të shtrirë në një grazhd!
Pra, po sikur përgjigjet për lutjet tona të vijnë në mënyra të thjeshta ose jo të drejtpërdrejta? A jemi të gatshëm të ngulmojmë në përpjekjen për ta jetuar ungjillin e Krishtit pavarësisht nga sa pështymë dhe baltë do të na duhet? Mund të mos e kemi gjithmonë të qartë atë që po bëhet ose arsyen pse dhe, herë pas here, të gjithë do të ndihemi pak si ajo motra në moshë e cila tha: “Zot, si thua për një bekim që nuk është i maskuar?”
Merreni parasysh provën për një të vërtetë tjetër, e cila i përket priftërisë së shenjtë. Kur e dokumentoi organizimin e Kishës në meridianin e kohëve, te rreshti i parë i Llukës thuhet: “Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet”, dhurata që nuk jepeshin në bazë të arritjeve mbresëlënëse e as nuk përcaktoheshin nga tradita apo parëbirnia. Ato nuk dhurohen nga një shkollë e fesë ose nga një seminar teologjie. Ato jepen vetëm me anë të vënies së duarve nga dikush të cilit i janë vënë duar të autorizuara sipas një rendi të pandërprerë deri te burimi i gjithë autoritetit hyjnor, Zoti Jezu Krisht.
Dhe në një kishë që e kupton dhuratën e mëshirës, a nuk do të ishte një provë tjetër e mrekullueshme e vërtetësisë së asaj kishe, po t’i shihnim këto bekime e besëlidhje t’u shkonin të afërmve tanë të vdekur, atyre nga familjet tona që kanë ikur para nesh? A duhet të penalizohen ata ngaqë nuk kishin qasje tek ungjilli ose ngaqë u lindën në një kohë ose vend ku nuk i kishin në dispozicion ordinancat dhe besëlidhjet hyjnore? Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka shtëpi të shenjta, të përkushtuara të Zotit në të cilat puna mëshirëplotë dhe shpëtuese po bëhet me mëkëmbës çdo ditë e natë për këta të vdekur, si dhe po ofron mundësi adhurimi dhe ordinanca për të gjallët. Në dijeninë time, kjo provë e veçantë e së vërtetës së Perëndisë, dashuria e Tij universale për të gjallët dhe të vdekurit nuk është parë askund në botë, përveçse në një kishë që e demonstron të vërtetën në këtë drejtim të veçantë: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Takimi im i parë me Shpëtimtarin që më dha sy dhe më dha jetë me prova reale për të vërtetën, nuk ndodhi me baltë vajosëse ose në pellgun e Siloamit. Jo, instrumenti i së vërtetës që solli shërimin tim nga Zoti erdhi si faqet e një libri, po, Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit! Pretendimet rreth këtij libri janë sulmuar dhe hedhur poshtë nga disa mosbesues, zemërimi i të cilëve shpesh është barazuar me sarkazmën e atyre që i thanë burrit të shëruar se ai s’kishte gjasë të kishte përjetuar atë që ai e dinte se e kishte përjetuar.
Mua më kanë hedhur fjalë se mjetet me anë të të cilit doli në dritë ky libër ishin jopraktike, të pabesueshme, sikletosëse, madje jo të shenjta. Tani, këto janë fjalë të ashpra nga gjithkush që supozon se i njeh mjetet me anë të të cilave u bë ky libër, për aq kohë sa i vetmi përshkrim i dhënë për ato mjete është se libri u përkthye “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”. Kjo është. Kaq kisha. Sidoqoftë, ndikimi i Librit të Mormonit në jetën time nuk është më pak mrekullibërës nga sa ishte vendosja e pështymës dhe dheut mbi sytë e të verbrit. Ai ka qenë për mua një shufër sigurie për shpirtin tim, një dritë e mrekullueshme dhe depërtuese zbulese, një ndriçim i shtegut në të cilin duhet të eci kur vijnë mjegullat e errësirës. Siç me siguri kanë ardhur dhe me siguri do të vijnë.
Dhe, ngaqë libri më hapi sytë për dashurinë universale dhe hirin shëlbues të Shpëtimtarit tim, ju jap dëshminë time, të justifikuar këtu, sikurse thanë prindërit për të birin e tyre që sapo qe bekuar, se atë duhej ta dëgjonin ngaqë ai ishte në “moshë”. Epo, kështu jam edhe unë. Prindërit lanë të kuptonin se ai e kishte moshën që të merrej seriozisht. Epo, kështu jam edhe unë. Ditëlindja ime e 85-të është pas 2 muajsh. Kam qenë në prag të vdekjes dhe jam kthyer sërish në jetë. Kam ecur me mbretër e profetë, me presidentë dhe apostuj. Mbi të gjitha, nganjëherë jam tronditur nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. Kam mirëbesim se dëshmisë sime së paku duhet t’i jepet një farë konsiderate.
Tani, vëllezër dhe motra, arrita në bindjen me gjithë shpirt se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një rivendosje e vërtetë e Kishës së Dhiatës së Re dhe më tepër se aq, sepse nuk munda të mohoja provat e asaj rivendosjeje. Prej atyre përvojave të para, them se kam patur një mijë, dhjetë mijë prova të tjera se ajo që kam thënë sot, është e vërtetë. Pra, tani kam kënaqësinë t’i bashkohem mikut tim të bërë kruspull rrugëve të Jerusalemit ku, me zërin tim të mpakur, këndoj:
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.