“A Më Do Ti Mua?”
Nëse duam ta shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë, duhet të kuptojmë se si e dallon Ai dashurinë tonë.
Në shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës, vëllai më i madh fillimisht e kishte të vështirë të festonte kur vëllai i tij më i vogël u kthye në shtëpi pas një periudhe zgjedhjesh të këqija dhe “bër[jes së] një jet[e] të shthurur”. Krenaria dhe vetëkënaqja e vëllait më të madh e penguan atë që të përqafonte gëzimin për kthimin me pendesë të vëllait të vet. Ne gjithashtu mund t’i lëmë mundësitë të na ikin pa ua bërë të ditur njerëzve tanë të dashur, nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tona, dashurinë tonë të sinqertë për ta.
Ka shumë shembuj të fuqishëm në shkrimet e shenjta të dashurisë së sinqertë që jepet dhe merret: Naomi dhe Ruthi, Amoni dhe mbreti Lamoni, djali plëngprishës dhe babai i tij, Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij.
Kur dashuria jepet lirisht dhe pranohet sinqerisht, fillon një cikël i virtytshëm me një shtim të dashurisë midis dhënësit dhe marrësit.
Dashuria e Perëndisë është e përsosur, e pafundme, e qëndrueshme dhe “më [e] ëmb[la]”. Ajo e mbush shpirtin me “gëzim jashtëzakonisht të madh”. Prapëseprapë, me raste mund ta kemi të vështirë që ta dallojmë dashurinë e Perëndisë në jetën tonë. Megjithatë, Ati ynë Qiellor me dashuri të përsosur dëshiron kaq thellësisht që ne ta përjetojmë dashurinë e Tij, saqë Ai “[na] flet … sipas … të kuptuari[t tonë]”. Ai do ta shprehë dashurinë e Tij për ne në mënyra që ne, individualisht, mund t’i dallojmë. Ne mund ta përjetojmë dashurinë e Perëndisë për ne kur vëzhgojmë bukuritë e natyrës, ose marrim përgjigje për lutjet, apo kur na vijnë mendime pikërisht në çastin e nevojës, ose kur përjetojmë çaste të ëmbla gëzimi. Shfaqja më e madhe e dashurisë së Atit Qiellor për ne, që pasqyrohet si në mendje ashtu edhe zemër, është kur Ai e lejoi Birin e Tij të Dashur të ofronte Veten si Shëlbues.
Sikurse vëllai më i madh i djalit plëngprishës, fokusi ynë shpesh përqendrohet te vetja jonë. Ne jemi kaq të dhënë pas kërkimit të provës së dashurisë së Perëndisë për ne dhe zhgënjehemi kur nuk e shohim atë. Mirëpo paradoksi i bukur është se sa më shumë të përqendrohemi tek të shfaqurit e dashurisë sonë për Perëndinë, aq më lehtë e dallojmë dashurinë e Tij për ne. Ndoshta kjo është arsyeja pse Shpëtimtari iu përgjigj pyetjes: “Cili është urdhërimi i madh?” me këtë ftesë të thjeshtë dhe të rëndësishme: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”.
Ndonjëherë mënyra se si e shfaqim dashurinë tonë për njerëzit tanë më të përzemërt, nuk është domosdoshmërisht mënyra se si ata e dallojnë dashurinë. Kjo mund të jetë zhgënjyese, si për dhënësin, ashtu edhe marrësin. Mund të jetë e dobishme t’i pyesim njerëzit që i duam se si e dallojnë dashurinë që u shprehet. Po ashtu, nëse duam ta shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë, duhet të kuptojmë se si Ai e dallon dashurinë tonë. Fatmirësisht, në shkrimet e shenjta Ai ka përshkruar qartë disa mënyra se si mund ta shfaqim dashurinë tonë për Të.
A Më Do Ti Mua Më Shumë se Këta?
Në bashkëbisedimin udhëzues që shkëmbyen Pjetri dhe Zoti i ringjallur në detin e Tiberiadës, mësojmë për mënyrat se si mund ta shfaqim dashurinë tonë për Zotin.
“Jezusi i tha Simon Pjetrit: ‘Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?’ Ai iu përgjigj: ‘Po, Zot, ti e di se unë të dua’.”
Pyetja kyç në këtë hulumtim nga Zoti është: “[A] më do ti mua më shumë se këta?” Ne e shfaqim dashurinë tonë për Zotin kur e vendosim Atë mbi “këta”, dhe “këta” mund të jenë çdo njeri, çdo veprimtari ose çdo gjë që i zë vendin Atij për të qenë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tonë.
Nuk do të ketë kurrë kohë të mjaftueshme brenda një dite, një jave, një muaji apo një viti për të bërë gjithçka që duam ose na nevojitet të arrijmë. Pjesë e provës së vdekshmërisë është ta përdorim burimin e çmuar të kohës për atë që është më e rëndësishmja, për të mirën tonë të përjetshme dhe të heqim dorë nga ato gjëra që janë më pak të rëndësishme.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Pyetja për secilin prej nesh … është e njëjtë. … A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?” Ne e demonstrojmë dishepullimin dhe dashurinë tonë për Perëndinë kur e bëjmë Atë përparësinë tonë kryesore.
Ki Kujdes për Delet e Mia
Në vargun më pas në po të njëjtin diskutim midis Pjetrit dhe Shpëtimtarit, mësojmë për një mënyrë tjetër se si Zoti i dallon shprehjet tona të dashurisë: “[Zoti] [p]ërsëri e pyeti për të dytën herë: ‘Simon nga Jona, a më do ti mua?’. Iu përgjigj: ‘Po, Zot, ti e di se unë të dua’. Jezusi i tha: ‘Ki kujdes për delet e mia’.”
Ne e shfaqim dashurinë tonë për Atin Qiellor kur u shërbejmë, i dëgjojmë, i duam, i ngremë moralisht ose u japim shërbesë fëmijëve të Tij. Ky shërbim mund të jetë po aq i thjeshtë sa vërtet t’i shohim të tjerët pa i gjykuar. Te seksioni 76 i librit Doktrina e Besëlidhje ne marrim një vështrim të shpejtë të karakterit të atyre që do të trashëgojnë lavdinë çelestiale: “Ata shohin ashtu siç shihen dhe njohin ashtu siç njihen”. Ata i shohin të tjerët ashtu siç i sheh Perëndia dhe Ai i sheh ata ashtu siç mund të bëhen, me potencial të lavdishëm hyjnor.
Pasi u ktheva në shtëpi nga misioni, nisa një sipërmarrje për mirëmbajtjen e barit që unë dhe vëllezërit e mi e kishim filluar që në adoleshencë. Isha gjithashtu i zënë me studimet universitare. Një javë pranvere, shiu i dendur dhe provimet e ardhshme përfundimtare më mbingarkuan dhe më lanë prapa me punën në oborr.
Në mes të javës qielli u kthjellua dhe planifikova të merresha me punët e prapambetura në oborr pas orëve mësimore. Por kur u ktheva në shtëpi, nuk i gjeta aty as kamionçinën dhe as pajisjet. Me kërshëri, vajta tek oborret që kishim në plan; secili prej tyre tashmë ishte punuar bukur. Në oborrin e fundit të planifikuar pashë vëllanë më të vogël duke ecur pas kositëses. Ai më pa, buzëqeshi dhe ma bëri me dorë. I tejmbushur me mirënjohje, e përqafova dhe e falënderova. Akti i tij kuptimplotë i shërbimit e forcoi thellësisht dashurinë dhe besnikërinë time për të. Shërbimi ndaj njëri‑tjetrit është një mënyrë e pagabueshme se si e shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë dhe Birin e Tij të Dashur.
Pohojeni Dorën e Tij në Gjithçka
Ne gjithashtu e shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë duke pasur një zemër mirënjohëse. Zoti tha: “Në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë … përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka”. Ne e shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë duke e pranuar Atë si burimin e çdo gjëje të mirë në jetën tonë.
Në ditët e hershme të fillimit të një sipërmarrjeje, unë dhe ortaku im në biznes do të luteshim me zell para takimeve të rëndësishme, duke kërkuar ndihmën e Atit Qiellor. Herë pas here, Perëndia u përgjigjej lutjeve tona dhe takimet tona shkonin mirë. Pas një takimi, ortaku im në biznes vuri në dukje se ishim të shpejtë për të kërkuar ndihmë, por të ngadalshëm për të falënderuar. Që nga ajo kohë, e bëmë zakon të ofronim lutje të sinqerta mirënjohjeje, duke e dalluar dorën e Zotit në sukseset tona. Ne e shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë me “një zakon mirënjohjeje”.
Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia
Një mënyrë tjetër se si e shfaqim dashurinë tonë për Atin Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur është të zgjedhim që t’u bindemi Atyre. Shpëtimtari tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Kjo lloj bindjeje nuk është as e verbër dhe as e detyruar, por është një shprehje e sinqertë dhe e vullnetshme e dashurisë. Ati në Qiell dëshiron që ne të duam të jemi të bindur. Motra Tamara W. Runia e quajti këtë “bindje në zemër”. Ajo tha: “Ndonëse bindja jonë nuk është ende e përsosur, ne përpiqemi me zemër për bindjen tani, duke zgjedhur vazhdimisht pa pushim të qëndrojmë, ngaqë e duam Atë”.
Ati Qiellor na dha lirinë e zgjedhjes për të na frymëzuar që të duam ta zgjedhim Atë. Vepra dhe lavdia e Tij nuk është vetëm të bëjë të ndodhë jeta jonë e përjetshme, por përfshin edhe një shpresë që dëshira jonë më e madhe është të kthehemi tek Ai. Sidoqoftë, Ai nuk do të na detyrojë asnjëherë që të bindemi. Në himnin “Të Dish K’të, Çdo Shpirt Ësht’ i Lir’”, ne këndojmë:
Si udhëheqës misioni, bashkëshortja ime, Kristina, dhe unë u frymëzuam nga aq shumë misionarë që zgjodhën të ishin të bindur, jo vetëm ngaqë ishte një standard misionar, por ngaqë donin të shfaqnin dashurinë e tyre për Zotin duke zgjedhur me përulësi ta përfaqësonin Atë.
Plaku Dejll G. Renland tha: “Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe më së fundi të bëhen si Ai. Nëse Ai thjesht do të donte që ne të ishim të bindur, Ai do të përdorte shpërblime dhe ndëshkime të menjëhershme për të ndikuar te sjelljet tona.” Ne e shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë kur zgjedhim t’i bindemi Atij e ta ndjekim Atë.
Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë i dallojnë shprehjet tona të dashurisë për Ta kur i vendosim Ata të parët në jetën tonë, i shërbejmë njëri‑tjetrit, e pranojmë me mirënjohje çdo bekim prej Tyre dhe zgjedhim t’u bindemi dhe t’i ndjekim Ata.
Unë dëshmoj se secili prej nesh është vërtet një fëmijë i Perëndisë dhe Ai na do përsosurisht. Unë dëshmoj se Ai dëshiron fort që ne ta përjetojmë dashurinë e Tij në mënyra që i dallojmë dhe i kuptojmë. Dhe paradoksi i bukur është se ne do ta përjetojmë dashurinë e Tij për ne akoma më thellësisht kur e shfaqim dashurinë tonë për Të. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.