Të Vënë në Provë dhe të Forcuar në Krisht
Çastet e vënies në provë nuk janë prova se Zoti ju ka braktisur. Përkundrazi, ato janë dëshmi se Ai ju do mjaftueshëm për t’ju rafinuar e forcuar.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndiej dashurinë e Zotit ndërsa takohemi së bashku. Jam i përulur që mund t’ju flas juve. Lutem që Shpirti t’ju përçojë në zemër atë që Zoti dëshiron që ju të dëgjoni, shumë më tej se fjalët që do të flas.
Shumë kohë më parë synoja të mësoja fizikë dhe matematikë në vitet e mia të kolegjit. Kjo më ngarkoi shumë. Fillova të ndieja se po përpiqesha të mësoja diçka që ishte përtej kapacitetit tim. Sa më shumë që ndihesha i mbingarkuar, aq më pak e ndieja forcën për të bërë përpjekje më tej. Shkurajimi im më bëri të ndieja se përpjekjet e mia ishin pothuajse të pafrytshme. Fillova të mendoja që të hiqja dorë fare, të bëja diçka më të lehtë.
Ndihesha i pafuqishëm. Teksa lutesha, ndjeva sigurinë e qetë të Zotit. Ndjeva që Ai më tha këtë në mendje: “Unë po të vë në provë, por jam me ty gjithashtu”.
Nuk e dija atëherë se çfarë nënkuptonin ato fjalë. Por e dija se çfarë duhej të bëja – t’i futesha punës.
Duke përsiatur e duke punuar gjatë viteve që pasuan, arrita të kuptoja këtë mesazh inkurajimi në shkrimet e shenjta: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”.
Mësova se vështirësia që pata me fizikën ishte në fakt një dhuratë nga Zoti. Ai po më mësonte se me ndihmën e Tij, unë mund të bëja gjëra që dukeshin të pamundura nëse kisha besimin se Atë do ta kisha pranë për të më ndihmuar. Nëpërmjet kësaj dhurate, Zoti po punonte që të më provonte dhe të më forconte.
Fjala vë në provë ka disa nënkuptime. Ta vësh diçka në provë nuk është thjesht ta testosh atë. Qëllimi është t’i rritësh forcën. Të vësh në provë një copë çeliku do të thotë ta vendosësh në kushte sforcuese. Nxehtësia, pesha dhe trysnia shtohen derisa natyra e tij e vërtetë të përmirësohet dhe të dalë në pah. Çeliku nuk dobësohet nga të provuarit. Në fakt, kthehet në diçka që të jep besueshmëri, diçka të fortë aq sa të durojë barrë më të mëdha.
Zoti na vë në provë pak a shumë në të njëjtën mënyrë për të na forcuar. Kjo vënie në provë nuk vjen në çaste lehtësie apo rehatie. Ajo vjen në çaste kur ndihemi të tendosur përtej pikës që mendonim se mund të duronim. Zoti na mëson se ne duhet të vazhdojmë të rritemi dhe të mos lodhemi kurrë nga përpjekjet tona, që të mos dorëzohemi kurrë, që të vazhdojmë të përpiqemi.
Kur vazhdojmë të kemi besim te Jezu Krishti edhe kur gjërat mund të na duken të pamundura për momentin, ne bëhemi më të fortë shpirtërisht. Analet e shkrimit të shenjtë e theksojnë këtë të vërtetë.
Profeti Moroni, për shembull, u vu në provë dhe u forcua në këtë lloj mënyre. Ai i jetoi vitet e tij të fundit në vetmi. Ai shkroi se nuk kishte miq, se të atin ia kishin vrarë, se njerëzit e tij ishin shkatërruar. Ai u përndoq nga ata që kërkonin t’ia merrnin jetën.
Por Moroni nuk u dëshpërua. Përkundrazi, ai e gdhendi dëshminë e tij për Jezu Krishtin në fletë tunxhi për njerëz të cilët nuk do të jetonte për t’i parë, duke përfshirë pasardhësit e njerëzve që dëshironin ta vrisnin. Ai shkroi për ne. E dinte se disa do t’i përqeshnin fjalët e tij. E dinte se disa nuk do t’i pranonin ato. E megjithatë, ai vazhdoi të shkruante.
Prej provës së tij, besimi i Moronit u përmirësua dhe u forcua. Ai u bë më i kulluar. Fjalët e tij mbartin fuqinë e dikujt që duroi besnikërisht deri në fund. Ne mund ta ndiejmë atë fuqi teksa lexojmë dëshminë e tij:
“Tani, unë Moroni, shkruaj diçka që më duket e mirë; dhe u shkruaj vëllezërve të mi Lamanitë; dhe unë dua që të dinë se kanë kaluar më shumë se katërqind e njëzet vjet që kur u dha shenja e ardhjes së Krishtit.
Dhe unë i vulos këto anale, pasi të them pak fjalë për t’ju këshilluar.
Vini re, unë do t’ju këshilloj që kur t’i lexoni këto gjëra, në qoftë se është urtësi në Perëndi që ju t’i lexoni ato, të kujtoni sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve, që nga krijimi i Adamit dhe deri në kohën kur do t’i merrni këto gjëra dhe t’i meditoni në zemrat tuaja.
Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave.”
Dëshmia e Moronit u rafinua në vetmi, por ajo rrezaton dritë për t’i udhërrëfyer të gjithë brezat që të kërkojnë Atin tonë në Qiell dhe Shpëtimtarin Jezu Krisht.
Një tjetër profet në Librin e Mormonit, Jakobi, u vu në provë dhe u forcua si një fëmijë që përjetoi mundime dhe pikëllim të madh. Por babai i tij, Lehi, i mësoi atij se Perëndia do ta bekonte atë përmes sprovave të tij.
“Dhe vër re, në fëmijërinë tënde ti ke vuajtur hidhërime dhe shumë brenga, për shkak të ashpërsisë së vëllezërve të tu.
Megjithatë, Jakob, i linduri im i parë në vendin e shkretë, ti e di madhështinë e Perëndisë; dhe ai do t’i shenjtërojë hidhërimet e tua për të mirë.
Kështu që, shpirti yt do të jetë i bekuar dhe ti do të jetosh i sigurt me vëllanë tënd, Nefin; dhe ditët e tua do të kalojnë në shërbimin e Perëndisë tënd. Prandaj, unë e di që ti je shëlbuar, për shkak të drejtësisë së Shëlbuesit tënd; pasi ti ke parë se në plotësinë e kohës, ai vjen të sjellë shpëtim te njerëzit.”
Profeti Jozef Smith e përjetoi një provë dhe forcim të tillë kur ishte në burgun e Libertisë. Në thellësitë e ligështisë së tij Profeti Jozef thirri:
“O Perëndi, ku je ti? …
Për sa kohë do të frenohet dora jote?”
Zoti pa te vuajtja e Jozefit efektin shenjtërues të faktit që ai e duroi mirë atë kur Ai u përgjigj:
“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;
Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu.”
Shembulli më i madh i provës dhe forcimit ndodhi përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit. Ai mori mbi vete mëkatet e botës. Mori përsipër dhembjet dhe hidhërimet tona. E piu kupën e hidhur. Ai u tregua besnik në çdo çast.
Falë Shlyerjes së Tij të lavdishme, Jezu Krishti mund të na forcojë në kohët tona të sprovës. Ai di se si të na ndihmojë, sepse Ai i ka ndier të gjitha sfidat që do t’i ndiejmë ndonjëherë në vdekshmëri. “Ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij … që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.”
Ne mësojmë se ndërkohë që ishte në Kopshtin e Gjetsemanit, Shpëtimtari vërtet e pyeti Atin nëse sprova mund të largohej prej Tij, por pastaj Ai tha gjithashtu se, në qoftë se ishte vullneti i Atit, atëherë Shpëtimtari do ta bënte atë. Me fjalë të tjera, Shpëtimtari madje mori mbi vete barrën e dyshimit dhe pasiguritë, por Ai kishte besim tek Ati i Tij Qiellor.
Vëllezër e motra, të provuarit dhe forcimi nga ju vetë mund të mos i ngjajnë atyre të Moronit, Jakobit ose Profetit Jozef. Por do të vijë. Mund të vijë në heshtje, përmes sprovave të jetës familjare. Mund të vijë përmes sëmundjes ose zhgënjimit, pikëllimit ose vetmisë.
Unë dëshmoj se këto çaste nuk janë prova se Zoti ju ka braktisur. Përkundrazi, ato janë dëshmi se Ai ju do mjaftueshëm për t’ju rafinuar e forcuar. Ai po ju bën mjaft të fortë për të mbajtur peshën e jetës së përjetshme.
Nëse qëndrojmë besnikë në shërbimin tonë, Zoti do të na rafinojë. Ai do të na forcojë. Dhe një ditë do të hedhim vështrimin pas dhe do të shohim se pikërisht ato sprova ishin prova e dashurisë së Tij. Ne do të shohim se Ai po na jepte formë për të qenë në gjendje të qëndrojmë me Të në lavdi. Siç shpalli Apostulli i Zotit, Pali në fund të jetës së tij: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin”.
Unë dëshmoj se Perëndia ju njeh. Ai i njeh sprovat me të cilat përballeni. Ai është me ju. Ai nuk do t’ju braktisë. Dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë. Ai është forca jonë, Shëlbuesi ynë, shpresa jonë. Nëse i mirëbesojmë Atij, Ai do ta bëjë fuqinë tonë shpirtërore të barabartë me çdo sprovë që e kemi për hise të durojmë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.