Konferenca e Përgjithshme
Askush Nuk Ulet Vetëm
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


14:3

Askush Nuk Ulet Vetëm

Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit përfshin t’u bësh vend të gjithëve në Kishën e Tij të rivendosur.

I.

Kam studiuar kulturën prej 50 vjetësh, përfshirë kulturën e ungjillit. E fillova me biskotat e fatit.

Në lagjen kineze të San‑Françiskos, darkat e familjes Gong mbylleshin me një biskotë fati dhe një fjalë të urtë si: “Një rrugëtim kilometrik fillon së pari me një hap”.

Fati në një biskotë fati

Kur isha i ri në moshë madhore, bëja biskota fati. Me doreza të bardha pambuku, i palosja dhe u jepja formë biskotave të rrumbullakëta të sapodala nga furra.

Përgatitja e biskotave të fatit
Mbështjellja e një biskote fati

Për habinë time, mësova se biskotat e fatit nuk e kanë prejardhjen nga kultura kineze. Për të bërë dallimin mes kulturës së biskotave kineze, amerikane dhe europiane të fatit, kërkova biskota fati në shumë kontinente, ashtu si dikush përdor vendndodhje të shumta vrojtimi për të llogaritur ku ka rënë zjarr në pyll. Restorantet kineze në San‑Françisko, Los Anxhelos dhe Nju‑Jork shërbejnë biskota fati, por jo ato që ndodhen në Pekin, Londër ose Sidni. Vetëm amerikanët e festojnë Ditën Kombëtare të Biskotave të Fatit. Vetëm reklamat kineze ofrojnë “Biskota Origjinale Fati nga Amerika”.

Biskotat e fatit janë një shembull zbavitës, i thjeshtë. Por i njëjti parim i krahasimit të praktikave në mjedise të ndryshme kulturore mund të na ndihmojë ta dallojmë kulturën e ungjillit. Dhe tani Zoti po hap mundësi të reja për ta mësuar kulturën e ungjillit teksa përmbushen alegoria e Librit të Mormonit dhe profecitë në shëmbëlltyrat e Dhiatës së Re.

II.

Kudo njerëzit po shpërngulen. Kombet e Bashkuara raportojnë 281 milionë mërgimtarë ndërkombëtarë. Janë 128 milionë individë më tepër sesa në vitin 1990 dhe trefishi i përllogaritjeve të vitit 1970. Kudo, numra rekord të kthyerish në besim po e gjejnë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çdo Shabat, anëtarë dhe miq nga 195 vendlindje dhe territore mblidhen në 31 916 bashkësi të Kishës. Ne flasim 125 gjuhë.

Takim me shenjtorët në Shqipëri
Takim me shenjtorët në Maqedoninë e Veriut
Takim me shenjtorët në Kosovë
Takim me shenjtorët në Zvicër
Takim me shenjtorët në Gjermani
Takim me shenjtorët në Gjermani

Kohët e fundit, në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Zvicër dhe Gjermani, dëshmova përmbushjen e alegorisë së pemës së ullirit në Librin e Mormonit nga anëtarët e rinj. Te Jakobi [LiM] 5, Zoti i vreshtit dhe shërbëtorët e tij forcojnë edhe rrënjët e pemës së ullirit, edhe degët duke i mbledhur dhe shartuar bashkë ato që ishin nga vendndodhje të ndryshme. Sot fëmijët e Perëndisë mblidhen si një te Jezu Krishti. Zoti ofron një mënyrë mbresëlënëse dhe të natyrshme për të zgjeruar plotësinë e jetuar nga ne të ungjillit të Tij të rivendosur.

Duke na përgatitur për mbretërinë e qiejve, Jezusi tregon shëmbëlltyrat e darkës së madhe dhe gostisë së dasmës. Në këto shëmbëlltyra, mysafirët e ftuar nxorën justifikime që të mos vinin. Zotëria i udhëzon shërbëtorët e tij: “Shpejt, shko[ni] nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit” dhe “nëpër udhë dhe përgjatë gardheve” që të “sill[ni] këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër”. Nëse flasim për anën shpirtërore, këtë bën çdonjëri prej nesh.

Në shkrimin e shenjtë shpallet:

“Gjithë kombet do të ftohen” për “një darkë [në] shtëpi[në] [e] Zotit”.

“Përgatisni ju udhën e Zotit … që mbretëria e tij të mund të përhapet mbi tokë, që banorët e saj të mund ta pranojnë atë dhe të përgatiten për ditët që do të vijnë.”

Sot, ata që marrin ftesë për darkën e Zotit, vijnë nga çdo vend dhe kulturë. Me të moshuar dhe të rinj, të pasur dhe të varfër, vendas dhe nga e gjithë bota, ne i bëjmë bashkësitë e Kishës sonë të duken si komunitetet tona.

Si Kryeapostulli, Pjetri pa qiellin të hapte një vegim të “një çarçafi të madh … lidhur në të katër cepat … dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e … bisha[ve]”. Pjetri dha mësim: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm; … Në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej [Zotit] dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.”

Samaritani i mirë

Në shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, Jezusi na fton të vijmë te njëri‑tjetri dhe tek Ai në hanin e Tij, që është Kisha e Tij. Ai na fton të jemi të afërm të mirë. Samaritani i mirë premton se do të kthehet dhe ta shpërblejë kujdesin ndaj atyre që janë në hanin e Tij. Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit përfshin t’u bësh vend të gjithëve në Kishën e Tij të rivendosur.

Fryma e frazës “vend [në han]” përfshin parimin “askush nuk ulet vetëm”. Kur të vini në kishë, nëse e shihni dikë vetëm, ju lutem, a do ta përshëndetni dhe të uleni me të? Ndoshta nuk e keni zakon këtë. Ai person mund të duket ose të flasë ndryshe nga ju. Dhe, sigurisht, siç mund të thuhet te një biskotë fati: “Një rrugëtim i miqësisë dhe dashurisë në ungjill fillon me një përshëndetje fillimisht dhe duke mos lënë askënd të ulet vetëm”.

Fraza “askush nuk ulet vetëm” gjithashtu do të thotë se askush nuk ulet vetëm emocionalisht ose shpirtërisht. Shkova me një baba zemërthyer të vizitoja djalin e tij. Vite më parë, djali qe entuziast që do të bëhej dhjak i ri. Rasti e deshi që familja t’i blinte një palë këpucë të reja për herë të parë.

Por në kishë, dhjakët qeshën me të. Këpucët i kishte të reja, por jo në modë. I turpëruar dhe i lënduar [shpirtërisht], dhjaku i ri tha se nuk do të shkonte më kurrë në kishë. Zemrën e kam ende copë për të dhe familjen e tij.

Përgjatë udhëve me pluhur drejt Jerikos, secilin nga ne e kanë qeshur, e kanë bërë me turp dhe lënduar, mbase edhe përbuzur apo keqtrajtuar. Dhe, duke pasur qëllime të ndryshme, secili prej nesh gjithashtu i ka shpërfillur, nuk i ka parë ose dëgjuar të tjerët, ose ndoshta i ka lënduar me paramendim. Pikërisht sepse jemi lënduar dhe i kemi lënduar të tjerët, Jezu Krishti na sjell ne të gjithë në hanin e Vet. Në Kishën e Tij dhe nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të Tij, vijmë te njëri‑tjetri dhe te Jezu Krishti. Japim dhe marrim dashuri, shërbejmë dhe na shërbehet, falim dhe na falin. Ju lutem, mbajeni mend: “Toka s’ka hidhërim që qielli s’mund ta shërojë”, barrët tokësore lehtësohen, gëzimi i Shpëtimtarit tonë është real.

Te 1 Nefi 19 lexojmë: “[M]adje vetë Perëndinë e Izraelit [ata] e shkelin me këmbët e tyre; … ata e përçmojnë. … Prandaj ata e fshikullojnë atë dhe ai e duron atë, dhe ata e godasin atë dhe ai e duron atë. Po, ata pështyjnë mbi të dhe ai e duron atë.”

Miku im, profesori Terri Uornër thotë se gjykimi, fshikullimi, goditja dhe pështyrja nuk qenë ngjarje rastësore që ndodhën vetëm gjatë jetës së Krishtit në vdekshmëri. Mënyra se si e trajtojmë njëri‑tjetrin, veçanërisht të uriturit, të eturit, ata që i kanë lënë vetëm, është mënyra si e trajtojmë Atë.

Në Kishën e Tij të rivendosur, të gjithë jemi më mirë kur askush nuk ulet vetëm. Le të mos t’u tregojmë njerëzve thjesht ku të ulen apo t’i lejojmë të vijnë! Le t’i mirëpresim, t’i vlerësojmë, t’u japim shërbesë e t’i duam çiltërsisht! Qoftë çdo mik, motër, vëlla, jo një bujtës ose i huaj, por një fëmijë i shtëpisë!

Grua vetëm në kishë

Sot, shumë njerëz ndihen të vetmuar dhe të izoluar. Media shoqërore dhe inteligjenca artificiale mund të na lënë të etur për afërsi dhe prekje njerëzore. Ne duam ta dëgjojmë zërin e njëri‑tjetrit. Duam përkatësi dhe dashamirësi të mirëfilltë.

Ulur me mikesha në kishë

Ka shumë arsye pse mund të ndiejmë se nuk përshtatemi në kishë, se, në mënyrë figurative, ulemi vetëm. Mund të shqetësohemi për theksin, veshjet, situatën tonë familjare. Ndoshta ndihemi të papërshtatshëm; na vjen era duhan; jemi të dëshiruar për pastërti morale; jemi ndarë me dikë dhe ndihemi të lënduar e të turpëruar; jemi të shqetësuar për një rregullore të Kishës ose një tjetër. Mund të jemi beqarë, të shkurorëzuar, të ve. Fëmijët mund t’i kemi të zhurmshëm ose të mos kemi fëmijë. Mund të mos kemi shërbyer në një mision ose të jemi kthyer më herët prej tij. Lista vazhdon.

Mosia 18:21 na fton t’i thurim zemrat në bashkim dhe dashuri. Ju ftoj të shqetësoheni më pak, të gjykoni më pak, të jeni më pak kërkues ndaj të tjerëve dhe, kur është nevoja, të jeni më pak të ashpër me veten. Nuk e krijojmë Sionin për një ditë. Por çdo “përshëndetje”, çdo gjest i ngrohtë, e sjell Sionin më pranë. Le t’i mirëbesojmë më shumë Zotit dhe të zgjedhim t’u bindemi të gjitha urdhërimeve të Tij me gëzim!

III.

Nga ana doktrinore, në shtëpinë e besimit dhe të shoqërimit të shenjtorëve, askush nuk ulet vetëm për shkak të përkatësisë besëlidhëse në Jezu Krisht.

Profeti Jozef Smith dha mësim: “[N]a është lënë neve që ta shohim, të marrim pjesë dhe të ndihmojmë për ta çuar përpara lavdinë e ditës së mëvonshme, ‘periudhën e plotësisë së kohëve … ’, kur shenjtorët e Perëndisë do të mblidhen në një nga çdo komb dhe fis, dhe popull, dhe gjuhë”.

Perëndia “nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; … që ai të mund të tërheqë të gjithë [burrat dhe gratë] te vetja. …

… Ai i fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; … dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë.”

Kthimi në besim te Jezu Krishti kërkon prej nesh që ta zhveshim njeriun e natyrshëm dhe kulturën e botës. Sikurse jep mësim Presidenti Dallin H. Ouks, ne duhet të heqim dorë nga çdo traditë dhe praktikë kulturore që është në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë dhe të bëhemi shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Ai shpjegon: “Ka një kulturë unike ungjilli, një grup vlerash e pritshmërish dhe praktikash të përbashkëta për të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. Kultura e ungjillit përfshin dëlirësinë, pjesëmarrjen e përjavshme në kishë, mospirjen e alkoolit, duhanit, çajit dhe kafesë. Ajo përfshin ndershmërinë dhe integritetin moral; të kuptuarit se ne shkojmë përpara dhe jo për lart ose për poshtë në pozicionet në Kishë.

Unë mësoj nga anëtarët besnikë dhe miqtë e Kishës në çdo vend dhe kulturë. Shkrimet e shenjta, kur studiohen në gjuhë dhe këndvështrime të shumta kulturore, e thellojnë kuptueshmërinë për ungjillin. Shprehjet e ndryshme për cilësitë e ngjashme me të Krishtit e thellojnë dashurinë dhe kuptueshmërinë time për Shpëtimtarin tim. Të gjithë bekohemi kur e përkufizojmë identitetin tonë kulturor, sikurse dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, si një fëmijë i Perëndisë, një fëmijë i besëlidhjes, një dishepull i Jezu Krishtit.

Paqja e Jezu Krishti është synuar për ne personalisht. Kohët e fundit, një i ri pyeti me zell: “Plaku Gong, a mund të shkoj sidoqoftë në parajsë?” Ai pyeste veten a mund të merrte ndonjëherë falje. E pyeta për emrin, e dëgjova me kujdes, e ftova të fliste me peshkopin e tij, e përqafova fort. Ai u largua me shpresë te Jezu Krishti.

E përmenda të riun në një mjedis tjetër. Më vonë, mora një letër pa emër që niste me fjalët: “Plaku Gong, unë dhe bashkëshortja ime kemi rritur nëntë fëmijë … dhe kemi shërbyer në dy misione. Por gjithnjë jam ndier sikur nuk do të më lejonin [të hyj] në mbretërinë çelestiale … ngaqë mëkatet e mia kur isha i ri, ishin tejet të rënda!”

Letra vazhdonte: “Plaku Gong, kur ti tregove rreth të riut që mori shpresë për falje, u mbusha me gëzim, duke filluar të kuptoja se mbase [mund të merrja falje]”. Letra mbyllet me fjalët: “Tani, madje, më pëlqen vetja!”

Përkatësia në besëlidhje thellohet ndërsa vijmë te njëri‑tjetri dhe te Zoti në hanin e Tij. Zoti na bekon të gjithëve kur askush nuk ulet vetëm. Dhe ku i dihet? Ndoshta personi pranë të cilit ulemi, mund të bëhet miku ynë më i mirë sikur ta kishte parashikuar një biskotë fati. E gjetshim dhe bëfshim vend përulësisht për Të dhe për njëri‑tjetrin në darkën e Qengjit, lutem përulësisht, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te “Fortune Cookies Didn’t Come from China”, Royal Examiner, 26 dhjetor 2021, royalexaminer.com/fortune-cookies-didnt-come-from-china; “National Fortune Cookie Day”, Days of the Year, daysoftheyear.com/days/fortune-cookie-day.

  2. Një proces përcaktimi kulturor mund të ndihmojë edhe të dallohet se çfarë mund të konsiderohet kulturë e ungjillit, kulturë vendore kombëtare dhe kulturë bashkëkohore kozmopolitane.

  3. International Organization for Migration, World Migration Report 2024, f. 21, publications.iom.int/books/world-migration-report-2024. “Në vitin 2022, pati 117 milionë njerëz të zhvendosur në botë dhe 71,2 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit” (World Migration Report 2024, f. xii).

  4. Shihni te Jakobi [LiM] 5.

  5. Çdo gjuhë dhe kulturë ka fjalë dhe terma që përshkruajnë gjërat që i kemi për zemër. Të jetuarit me plotësi prej nesh të ungjillit të Tij të rivendosur, zgjerohet ndërsa mësojmë nga njëri‑tjetri. Së fundi, Motrat Anali (me origjinë nga Mynihu) dhe Suzi Majers, Plaku Erih dhe Motra Kristiane Kopishke dhe Plaku Jorg dhe Motra Xhulia Klebingati, thanë fjalë të pashoqe në gjermanisht, që i flasin zemrës. Ndjenjat që përshkruajnë këto fjalë, shkojnë përtej formalitetit sipërfaqësor. Ato shkojnë përtej rutinës ose detyrës. Këto ndjenja flasin për zemrën, për marrëdhënie të ngrohta e të afërta, për gëzim shpirtëror në qenien hyjnore që jemi. Këto fjalë të veçanta në gjermanisht përfshijnë: Gemütlichkeit dhe gemütlich, Heimat, Heimweh, Geborgenheit, Zuflucht, Herzensangelegenheit, Herzensmensch dhe Schummerstunde (një term i rrallë dhe poetik nga veriu).

  6. Lluka 14:21, 23. Në mënyrë të ngjashme, në shëmbëlltyrën e gostisë së dasmës, kur mysafirët e ftuar nuk vijnë, mbreti i udhëzon shërbëtorët e tij të shkojnë të mbledhin “këdo që të gje[jnë]” në “udhëkryqe” (Mateu 22:9).

  7. Doktrina e Besëlidhje 58:9; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 58:6–8, 10–12.

  8. Doktrina e Besëlidhje 65:3, 5; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 33:17.

  9. Veprat e Apostujve 10:11–12, 34–35; shihni edhe te Veprat e Apostujve 10:9–10, 13–18, 24–33, 44–48; 11:1–18; 15:6–11.

  10. Përfytyrimi ynë duke ardhur bashkë te njëri‑tjetri dhe tek Ai në hanin e Tij shprehet tek 3 Nefi 18:32. Motoja “Askush nuk ulet vetëm” në vendet tona të adhurimit dhe në dhënien e vazhdueshme të shërbesës me ngrohtësi ndaj njëri-tjetrit, mund të jetë njëmend mjeti me anë të të cilit ne dhe ata “të kthehe[mi] dhe pendohe[mi] dhe vij[m]ë tek [Ai] me qëllim të plotë të zemrës, dhe [Ai] do t[ë na] shëroj[ë]; dhe [ne] do të je[m]i mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre”.

  11. Vargjet te Doktrina e Besëlidhje 104:15, 17 na kujtojnë: “Gjithë gjërat janë të [Zotit]” dhe “toka është plot dhe ka mjaft edhe për të kursyer”. Në përputhje me këtë, të varfrit dhe të pasurit duhet t’i ndihmojnë të gjithë të ekzaltohen dhe të përulen. Po ashtu, Mbreti Beniamin pyet: “A nuk jemi ne të gjithë lypësa?” Prandaj të pasurit dhe të varfrit, me vullnet të lirë e bëjnë detyrën që t’i “[japin] nga pasuria që [kanë] njëri‑tjetrit” (Mosia 4:19, 21; shihni edhe te Mosia 4:25–27).

  12. Në himnin “Come, Ye Disconsolate” (Hymns, nr. 115), Thomas Moore shkruan: “Ejani në fronin e mëshirës, me zjarr gjunjëzohuni. Sillini këtu zemrat e plagosura; ankthin tuaj tregoni. Toka nuk ka dhembje që qielli s’mund ta shërojë”.

  13. 1 Nefi 19:7, 9. Në Predikimin në Mal, Zoti thotë: “Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin mos e pengo të të marrë edhe tunikën” (Lluka 6:29).

  14. Shihni te Mateu 25:35–40.

  15. “Jo më një i huaj as një mysafir, por si fëmijë i shtëpisë” (“My Shepherd Will Supply My Need”, Hymns—For Home and Church, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  16. Ungjilli i Jezu Krishtit e tejkalon kohën dhe kulturën. Për mua është një dëshmi mbresëlënëse që Libri i Mormonit na mëson plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit në kontekstin e një mjedisi të lashtë kulturor në kontinentin amerikan.

  17. Sikurse u dha mësim nga Profeti Jozef Smith dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 547; shihni edhe tek Efesianëve 1:10.

    Sot anëtarët e Kishës jetojnë në një larmi të gjerë kushtesh politike, shoqërore dhe ekonomike. Lagjet dhe degët tona ndryshojnë për nga madhësia dhe burimet për udhëheqje. Parimet e “njëtrajtshmërisë dhe përshtatjes” mund të ndihmojnë që të forcohet familja dhe Kisha e Tij e rivendosur në mënyra ungjillore kudo ku jetojmë (shihni te Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 17.0).

  18. 2 Nefi 26:24, 33, theksimi i shtuar; shihni edhe te 2 Nefi 29; Alma 29:8. Doktrina e Besëlidhje 90:11 premton: “[Ç]do njeri do ta dëgjojë plotësinë e ungjillit në gjuhën e tij dhe në të folurën e tij”. Ky premtim përmbushet teksa ne i bashkojmë gjuhët e folura dhe gjuhën kulturore të ungjillit në shtëpitë tona dhe në Kishë.

  19. Shihni te Dallin H. Oaks, “Repentance and Change”, Liahona, nëntor 2003, f. 37–40.

  20. Dallin H. Oaks, “Repentance and Change”, f. 39.

  21. Shihni te Dallin H. Oaks, “Repentance and Change”, f. 38–39.

  22. Shihni te Nenet e Besimit 1:13. Ndërsa degë dhe rrënjë të ndryshme gërshetohen si një e vetme në Jezu Krisht, ne gjejmë më shumë gjëra që janë “të virtytshme, të dashur[a] ose me famë të mirë apo të denj[a] për t’u lavdëruar”. Do t’i shohim të parët të fundit dhe të fundit të parët. Do të gëzohemi teksa nxënësit japin mësim dhe mësuesit marrin mësim. Të gjithë kuptojnë, lartësohen shpirtërisht dhe gëzohen së bashku (shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:22).

  23. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  24. Xhededeja M. Grant, i cili shërbeu në Presidencën e Parë me Brigam Jangun, raportoi një vegim të botës së shpirtrave që përfshinte lloje të panumërta lulesh të bukura që lulëzonin së bashku, ndoshta si një metaforë për bashkimin dhe bukurinë që gjendet te larmia. “Kam parë kopshte të bukura në këtë tokë, por nuk pashë kurrë asgjë që të krahasohej me kopshtet që ishin atje”, – tha ai. “Pashë lloje të panumërta lulesh dhe disa lule me nga pesëdhjetë deri në njëqind lloje të ndryshme ngjyrash që po rriteshin në një kërcell.” Ai përjetoi “bukurinë dhe lavdinë e botës së shpirtrave ku shpirtrat e drejtë mblidhen së bashku” (“Remarks, at the Funeral of President Jedediah M. Grant, by President Heber C. Kimball”, Deseret News, 10 dhjetor 1856, f. 317, newspapers.lib.utah.edu/details?id=2574673).

    Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei, shënoi gjithashtu një ëndërr ose vegim për qytetin e përjetshëm të Perëndisë ku pa pemë, fruta, shkurrnaja dhe lule në lulëzim të përkryer. “M’u duk sikur kudo gëlonin pemë me fruta të shijshme, shkurrnaja me gjethe plot ngjyra të mahnitshme dhe lule në lulëzim të përkryer” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 1).