Konferenca e Përgjithshme
Receta e Lajmit të Mirë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


10:38

Receta e Lajmit të Mirë

Pra, si mund të jetë ta shtoni më shumë Jezu Krishtin në jetën tuaj?

Nëse e keni vizituar ndonjëherë vendin tim të origjinës, Luizianën, ndoshta i njihni shumë nga gatimet tona të shijshme – gumbo, jambalaja, ëtofί dhe lista vazhdon e vazhdon.

Herë pas here, shoh që ndihem mjaft i guximshëm aq sa të gatuaj një nga ato receta të shijshme. Hapi i fundit i padokumentuar pas përzierjes së të gjithë përbërësve dhe ndjekjes së udhëzimeve të hollësishme, është të bësh provën përfundimtare të shijes dhe të shohësh nëse mungon diçka. Në atë pikë, mund të dëgjoj legjendat e gatimit të kuzhinës kreole duke më pëshpëritur në vesh: “Hidhi pak më shumë tonis”. Toni është një erëz kreole e prodhuar në Opeluzas të Luizianës, qytetin tim të lindjes. Shpeshherë përdoret edhe si “përbërës sekret” për të korrigjuar papërsosuritë që bëhen gjatë ndjekjes së recetës.

Bashkëshortja ime, Mishela, dhe unë patëm nderin të shërbenim si udhëheqës misioni në Luizianë. Kishim një traditë që t’u mësonim misionarëve se si të gatuanin recetën e saj të veçantë të jambalajës gjatë mbrëmjes së tyre të fundit në shtëpinë e misionit, përpara se të ktheheshin te familjet e tyre. Përveç dëshmive të tyre për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, misionarët tanë u larguan nga misioni me një vlerësim të mirë për recetat.

Disa muaj më parë, po lundroja në Bibliotekën e Mjeteve të Informimit të Kishës dhe pashë një hallkë lidhëse që të çonte te një koleksion i materialeve të shkurtra filmike të quajtura Restoration Conversations with President Russell M. Nelson [Bashkëbisedime mbi Rivendosjen me Presidentin Rasëll M. Nelson]. Titulli i njërit prej materialeve të shkurtra filmike në listë më tërhoqi vëmendjen dhe më bëri të buzëqeshja. Ai quhet “Scriptures Are God’s Recipes for Happy Living” [“Shkrimet e Shenjta Janë Recetat e Perëndisë për një Jetë të Lumtur”]. Klikova menjëherë në atë material filmik dyminutësh dhe pashë Presidentin Nelson duke i mësuar një grupi fëmijësh të Fillores një mesazh të thjeshtë dhe të fuqishëm se si të jemi të lumtur. Ai u mësoi: “Nëse jeni duke bërë një kek, ju ndiqni udhëzimet, apo jo? Dhe çdo herë do t’ju dalë i mirë, apo jo?”

Ai vijoi duke thënë se do të mbushte 95 vjeç së shpejti: “Njerëzit thonë: ‘Çfarë ha ti? Cili është sekreti yt?’” Ai u përgjigj: “Sekreti quhet shkrimet e shenjta. Mund t’i lexoni e ta provoni edhe ju vetë.”

Pra, e kemi përgjigjen. Sekreti i thjeshtë për një jetë të lumtur është thjesht të ndjekim recetën e Perëndisë siç jepet hollësisht në shkrimet e shenjta. Unë për vete e quaj “Receta e Lajmit të Mirë”.

Çfarë bëni nëse diçka nuk shkon siç duhet kur ndiqni recetën? Epo, në thelb të Recetës së Lajmit të Mirë është “përbërësi sekret” për t’u siguruar që të ketë gjithnjë shijen e duhur në fund. Përgjigjja është gjithmonë Jezu Krishti.

Mendoj se të gjithë kalojmë çaste kur mendojmë se përbërësit tanë nuk janë mjaftueshëm të mirë, ose e kemi të vështirë për t’i ndjekur udhëzimet, apo ndoshta bëjmë diçka jo sipas rregullit, ose ndodh diçka që është jashtë kontrollit tonë e kështu me radhë.

Si mund ta rregullojmë këtë? Thjesht shtoni më shumë nga ajo që e fton Jezu Krishtin në jetën tuaj.

Pra, si mund të jetë ta shtoni më shumë Jezu Krishtin në jetën tuaj?

Ndërsa shërbeja si president misioni, pata kënaqësinë të takohesha personalisht me secilin prej misionarëve tanë të rinj në moshë çdo gjashtë javë. Gjatë takimit vetëm për vetëm, ishte e zakonshme që misionarët të kërkonin udhërrëfim se si ta përmirësonin efektshmërinë e dyshes së tyre misionare.

Në një rast, një misionar erdhi për intervistën e tij personale dhe u ul. Mund ta dalloja nga gjuha e tij e trupit se diçka e shqetësonte shumë. E pyeta: “Misionar, çfarë dëshiron të diskutojmë sot?” Ai vijoi duke përshkruar disa nga sfidat që po kalonte me shokun e tij të misionit dhe se si kjo po ndikonte në aftësinë e tyre për të bërë punë misionare. Me lot në sy, ai më vështroi dhe më pyeti: “President, çfarë duhet të bëj?”

Në atë rast, sinqerisht nuk dija si të përgjigjesha. Pas një çasti të shkurtër, e pyeta a ishte në rregull që të gjunjëzoheshim së bashku në lutje për udhërrëfim nga Shpirti. Ai ra dakord dhe ne u gjunjëzuam së bashku dhe u lutëm për frymëzim.

Pas lutjes, vazhduam të rrinim në gjunjë për një kohë të shkurtër dhe më pas u ulëm në karriget tona përballë njëri‑tjetrit. E pyeta nëse mund të lexonim një shkrim të shenjtë bashkë. Teksa i hapëm shkrimet tona të shenjta, u ndala dhe i thashë: “Misionar, ndërsa lexojmë këtë shkrim të shenjtë, të lutem bëja vetes pyetjen vijuese: ‘Nëse i jetoj këto cilësi, a do ta përmirësonte kjo shoqërimin tim me shokun e misionit dhe punën tonë misionare?’”

Pastaj e hapëm librin te Moroni 7:45 dhe lexuam me zë të lartë: “Dhe dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë dhe nuk ka smirë, dhe nuk krekoset, nuk kërkon të mirën e vet, nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk mendon keq dhe nuk gëzohet në paudhësi, por gëzohet në të vërtetën, mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat”.

Më pas, misionari më vështroi me lot në sy dhe tha: “Po, President, por kjo është e vështirë për t’u bërë”. I dhashë të drejtë dhe i kujtova se ai është një bir i Perëndisë, me potencial hyjnor për ta bërë këtë së bashku me Zotin.

Pastaj, diskutuam shkurtimisht për shëmbëlltyrën e pjerrësisë të dhënë mësim nga Plaku Klark G. Gilbert, i Të Shtatëdhjetëve, e cila na kujtoi se duhet të fillojmë në atë pikë që jemi dhe, së bashku me Zotin, të ecim përpara dhe lart në një drejtim pozitiv. Mund ta dalloja që ai ende ndihej pak i pështjelluar për të bërë hapat e mëtejshëm, kështu që i kërkova të përshkruante se si e kuptonte ai shkrimin e shenjtë që “nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen”. Ai vazhdoi të përshkruante konceptin se duke bërë gjëra të vogla dhe të thjeshta, gjëra të mëdha mund të ndodhin. I kërkova të ndalej një minutë dhe të përcaktonte dy gjëra të vogla dhe të thjeshta që mund të bënte për të qenë dashamirës me shokun e misionit.

Pas disa çastesh, ai dha mendimet e tij. Pastaj i kërkova të ndalej një minutë dhe të përcaktonte dy gjëra të vogla dhe të thjeshta që mund të bënte për të qenë i duruar me shokun e misionit. Ai thuajse i kishte gati dy mendimet që dha. Ishte e qartë që ai tashmë e kishte përsiatur këtë para takimit tonë. E ftova t’i çonte ato dy çështje te Perëndia në lutje dhe të kërkonte vërtetim, udhëzim dhe frymëzim se si ta zbatonte planin e tij me qëllim të vërtetë. Ai ra dakord. Ndërsa takimit i erdhi fundi, i kërkova të më jepte një përditësim të shkurtër në letrën e tij javore.

Pasi kaluan nja dy javë, mund të shihja në letrat e tij javore se gjërat po përmirësoheshin. Jo vetëm që munda ta shihja atë përmirësim në letrat e tij javore, por munda ta shihja edhe në letrat javore të shokut të tij të misionit. Gjatë intervistës sonë të radhës ballë për ballë, pashë një ndryshim si nata me ditën në fytyrën dhe shpirtin e tij. E pyeta: “Pra, Misionar, a është e vërtetë që dashuria hyjnore nuk dështon kurrë?” Ai u përgjigj me një buzëqeshje të madhe: “Po, dhe nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta, gjëra të mëdha bëhen”.

Ndërsa e ndiqni Recetën e Lajmit të Mirë për një jetë të lumtur, kujtoni mësimin e Presidentit Nelson: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!”

Kur të keni nevojë ta “dëgjo[ni] Atë” dhe të dini se si ta ftoni Jezu Krishtin në jetën tuaj, merrni parasysh të ndiqni hapat që na mësoi Presidenti Nelson rreth zbulesës vetjake:

“Gjeni një vend të qetë ku mund të shkoni rregullisht. Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje e ngushëllim.

Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja, po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas mbani vesh! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni. Kur ta përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të ‘rriteni drejt parimit të zbulesës’.”

Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai ka “arritur gjithçka që na nevojitet për të qenë në gjendje që të kthehemi tek Ati [ynë] Qiellor”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.