Konferenca e Përgjithshme
Shpirtrat e Përulur Gjunjëzohen tek Altarët
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


11:24

Shpirtrat e Përulur Gjunjëzohen tek Altarët

Ndërsa i bëjmë dhe i nderojmë besëlidhjet tona, ne lidhemi me Shpëtimtarin, duke fituar qasje më të madhe te mëshira, mbrojtja, shenjtërimi, shërimi dhe prehja e Tij.

Faleminderit korit për dëshminë tuaj nëpërmjet atij himni të ri.

Himni i ri i sakramentit “Bread of Life, Living Water” [“Buk’ e Jetës, Uj’ i Gjall’”] ma mbush shpirtin. Një varg në këtë himn thotë: “Tani vij para altarit, zemrën e thyer ia ofroj Atij”.

Kuptueshmëria ime për këto fjalë u thellua pasi familja jonë u largua nga Njubëri‑Park i Kalifornisë, për të shërbyer në Misionin e Jutës, në Ogden në vitin 2015. Mora një ftesë për të vizituar bazën e forcës ajrore “Hill” pranë Lejtonit të Jutës. Nuk kisha qenë kurrë në një bazë ushtarake, as nuk kisha takuar ndonjëherë një kapelan ushtarak ose burra dhe gra që punojnë për të ofruar siguri dhe mbrojtje për vendin e tyre.

Kapelani Harp, si mijëra kapelanë të tjerë vullnetarë dhe profesionistë që shërbejnë nëpër burgje, spitale dhe repartet tona ushtarake në mbarë botën, më frymëzoi dhe më lartësoi shpirtërisht. Ndalesa jonë e fundit në bazë ishte shenjtërorja. E pyeta kapelanin nëse ai administronte shërbesa për të gjithë njerëzit që dëshironin të përsiatnin, të luteshin, të meditonin dhe të adhuronin. Ai shkoi drejt murit të përparmë të sallës kishtare dhe nxori një kryq nga pas perdeve. Ai tha se e përdorte kryqin për shërbesat protestante dhe katolike. E pyeta se çfarë përdorte për motrat e vëllezërit tanë hebrenj dhe ai shkoi në anën tjetër të murit të përparmë dhe nxori një Yll të Davidit.

Pastaj e pyeta: “Po për shërbesat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme çfarë bëni?” Ai i vuri mënjanë ato simbole dhe tregoi me gisht altarin e madh prej druri në mes të shenjtërores. Ai tha se anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i përgatitin dhe i bekojnë bukën dhe ujin mbi altar. E pyeta nëse altari i madh, në dukje i instaluar aty, hiqej para se të bëheshin shërbesat e motrave dhe vëllezërve tanë hebrenj, myslimanë, katolikë ose protestantë. Ai tha se altari qëndron në vend, sepse edhe disa nga ato besime e përdorin altarin në një mënyrë apo një tjetër.

Abrahami ndërtoi një altar, e lidhi Isakun dhe ishte gati ta flijonte djalin e tij të vetëm, por u urdhërua të ndalej dhe ai shpalli, siç ka shpallur Zoti: “Ja ku jam”! Sa herë ka dalë vullnetar I Madhi Unë Jam ose një nga profetët e Tij duke thënë: “Ja ku jam”?!

Gjatë Predikimit të Tij në Mal, Shpëtimtari na ftoi të pajtohemi me vëllezërit dhe motrat tona para se t’i afrohemi altarit. Pali dha mësim se ne “shenjtër[ohemi]” në altar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Profeti Lehi “la shtëpinë e tij … dhe gjërat e tij të çmueshme. … [Pastaj] ai ndërtoi një altar …⁠ dhe i bëri një flijim … dhe i dha falënderime Zotit.”

Bibla dhe Libri i Mormonit na mësojnë ta adhurojmë Birin e Perëndisë në altarë. Përse?

Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, ndërtuan altarë dhe adhuronin atje. Pasi u dëbuan nga Kopshti i Edenit dhe adhuruan për “shumë dit[ë]”, një engjëll i vizitoi dhe i bëri një pyetje të goditur që mund t’i bëhet secilit prej nesh: “Përse ia ofron flijimet Zotit?”

Adami u përgjigj: “Nuk e di”.

Përgjigjja e engjëllit ndaj pohimit të përulur të Adamit është mahnitëse: “Kjo … është në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit. … Si rrjedhim, ti do të bësh gjithçka që bën, në emër të Birit dhe do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë.”

Tryeza e sakramentit dhe altarët e tempullit simbolizojnë flijimin e Jezu Krishtit dhe Shlyerjen e Tij të pafundme.

Ndërsa i bëjmë dhe i nderojmë besëlidhjet tona, duke marrë ordinancat e sakramentit në kishë dhe dhurimin e vulosjen në tempull, ne lidhemi me Shpëtimtarin, duke fituar qasje më të madhe te mëshira, mbrojtja, shenjtërimi, shërimi dhe prehja e Tij.

Mëshirë dhe Mbrojtje Nëpërmjet Besëlidhjeve

Kur isha një djalosh i ri 15-vjeçar, e pyeta babin tim a mund të mungoja në mbledhjen e sakramentit veç një të diel në janar për një ndeshje të veçantë futbolli amerikan. Ai tha se isha mjaft i rritur për ta bërë vetë atë zgjedhje dhe më kërkoi të merrja parasysh një këshillë. Ai tha: “Nëse zgjedh të mungosh një herë në sakrament, është shumë më e lehtë të zgjedhësh të mungosh përsëri pastaj”.

Nëse Shpëtimtari është lidhësi i madh, atëherë kundërshtari është ndarësi i madh. Ai, Satani, na tundon të ndahemi prej vendeve tona të përkushtuara të adhurimit dhe nga mbrojtja e Jezu Krishtit. Kur e adhurojmë Shpëtimtarin, ne marrim “fuqi për të shkuar kundër rrjedhës së natyrshme të botës”. Kur kalojmë kohë në lidhje të ngushtë me Të, ne kemi një premtim se do të “çlirohe[mi] nga Satani”. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij … forcuese”. O, sa e çmoj përvojën e komunikimit me Shpëtimtarin nëpërmjet besëlidhjeve të bëra në altarët e shenjtë!

Ndërtimi i një kuptueshmërie për Shlyerjen e përjetshme të Shpëtimtarit rresht pas rreshti, parim pas parimi, siguron imunitet shpirtëror kundër dredhive të kundërshtarit. Plaku [Eldër] Jagi misionar i ri në moshë në Meksikë, Zuster [Motra] misionare Jagi në Belgjikë dhe misionarët e tjerë në mbarë botën kanë shumë më tepër gjasa t’i shohin miqtë e tyre të gëzojnë bekimet e pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, nëse miqtë e tyre [kërkues] e frekuentojnë mbledhjen e sakramentit brenda javës së parë nga çasti i kontaktit.

Një i/e ri/re në moshë madhore në Tongë ose Samoa ka shumë më tepër gjasa të vuloset në shtëpinë e Zotit nëse është përgatitur dhe ka marrë dhurimin e vet menjëherë pas diplomimit në universitet. Në ordinancën e dhurimit, anëtarët marrin ftesën që të jetojnë, t’u binden dhe të mbajnë pesë ligje që ofrojnë në jetën e tyre fuqi dhe mbrojtje. Ndërsa bëjmë besëlidhje me Zotin, formohet një marrëdhënie reciproke. Ne tregojmë besnikërinë dhe dashurinë tonë ndaj Tij. Forca dhe fuqia jonë rriten me çdo premtim që bëjmë dhe mbajmë.

Reflektim dhe Shenjtërim

Kur gjunjëzohemi me përulësi dhe simbolikisht në altarët e Zotit, kjo është një mundësi për reflektim “[duke] ndaluar … kryelartë[sinë] në zemrat [tona] … [duke e përulur veten] para Perëndisë”. Para se të dilja me miqtë e mi në rini, nëna ime shpesh thoshte: “Kujto kush je dhe më raporto kur të kthehesh në shtëpi”. Disa net nuk arrita t’i raportoja sepse mbërrita në shtëpi shumë vonë. Më vjen keq që i humba ato biseda të rëndësishme me nënën time.

Sot mezi i pres raportimet që më lidhin me Atin Qiellor. Në modelin tim të përditshëm të adhurimit vetjak, unë gjunjëzohem në lutje, pranë shtratit tim ose kur mblidhemi me familjen, dhe e përfytyroj veten të gjunjëzuar tek altarët, duke i bërë një reflektim dhe shqyrtim jetës sime. Mendoj për sakramentin, po, për të gjitha ato copa buke, të thyera dhe të copëtuara për ne, ku secila është një simbol i trupit të thyer të Shpëtimtarit tonë. Më vjen ndër mend mësimi i Presidentit Dallin H. Ouks që “çdo copë buke është e veçantë, ashtu siç janë të veçantë individët që e marrin atë”. Kur gjunjëzohem në lutje, mendoj se si mund t’ia jap Perëndisë vullnetin tim.

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim se “ordinanca e sakramentit është një ftesë e shenjtë dhe e përsëritur për t’u penduar sinqerisht dhe për t’u ripërtërirë shpirtërisht. Veprimi i marrjes së sakramentit, në vetvete, nuk na pastron nga mëkatet. Por ndërsa përgatitemi në mënyrë të ndërgjegjshme dhe marrim pjesë në këtë ordinancë të shenjtë me një zemër të thyer e shpirt të penduar, atëherë premtimi është që ne mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me ne. Dhe nëpërmjet fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne gjithmonë mund ta mbajmë një heqje të mëkateve tona.”

Kur unë me Emin i analizojmë mirë përvojat tona të jetës, ne kremtojmë dhuratën e dashurisë dhe flijimit të përsosur të Jezu Krishtit. Ne shohim se si është çliruar edhe tërbimi i ferrit. Si mund t’i kapërcejmë vështrimet gjykuese, ankthin, depresionin, kancerin, diabetin, bullizmin në internet, vjedhjen e identitetit, shtatzënitë e humbura, vdekjen e një fëmije, një vëllai dhe një babai? Sepse Jezusi piu nga kupa e hidhur drithëruese, kupa e tërbimit, për mua, për familjen time, për të gjithë ne!

Shpëtimtari në Gjetseman

Gethsemane [Gjetsemani], nga Adam Abram, me mirësinë e altusfineart.com © 2025

“Kup[a] e hidhur” që Ai e piu në Kopshtin e Gjetsemanit, dhe vuajtja e Tij që “u përforcua” në kryqin e Kalvarit, na lejojnë të kërkojmë shërim në altarët e Zotit prej përvojave të vështira, prej prirjeve për të qenë harbutë, të dhunshëm dhe të tërbuar dhe nga përvojat që na bëjnë të dridhemi si dhe të “shenjtërohe[m]i nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë”, gjithmonë.

Motra Patrisha Holland tha: “Lutja ime më e thellë për ju dhe për veten time sot është që t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë plotësisht Perëndisë, ta vendosim veten në altarin e premtimeve dhe paqes së Perëndisë, kudo qofshim dhe çfarëdo të kemi bërë”.

Një Vend Shërimi dhe Prehjeje

Kur vijmë në altar, ne nuk po fitojmë një shpërblim; po mësojmë për Dhënësin e Dhuratës. Prej atij mësimi që nxjerrim dhe asaj lidhjeje besëlidhëse vjen shërimi. Nefi tha: “Ai më ka mbushur me dashurinë e tij deri në tretjen e mishit tim”. Dhe Shpëtimtari ynë i dashur na ftoi: “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”

Kur dy bijat tona më të mëdha, Mekenzi dhe Ema, ishin të vogla, një nga historitë e tyre të parapëlqyera ishte Kronikat e Narnias: Luani, Magjistarja dhe Dollapi i Rrobave. Ne të gjithë ramë në dashuri me luanin, Asllanin. Një nga mbrëmjet tona më të paharrueshme duke lexuar librin ishte kur luani i madhërishëm dha jetën e tij për Edmundin. Them e paharrueshme sepse prindërit dhe vajzat derdhën lot kur luanin e vrau Magjistarja në Tryezën e Gurtë. E paharrueshme sepse shpresa vijonte, pavarësisht nga tragjedia, derisa ndodhi më e pabesueshmja. Klithmat e gëzimit kumbuan në atë dhomë të vogël të gjumit kur Asllani u ringjall dhe tha: “Nëse Magjistarja do ta dinte kuptimin e vërtetë të flijimit, … atëherë ajo do ta dinte se nëse një viktimë e gatshme që nuk kishte kryer asnjë tradhti, do të vdiste në vend të një tradhtari, Tryeza [e Gurtë] do të shkërmoqej dhe vetë Vdekja do të [fillonte të zmbrapsej tej]”.

Jezu Krishti i shëron të gjitha plagët. Jezu Krishti e bën të mundur që të jetojmë përsëri.

Në bisedën e tij në konferencën e përgjithshme të tetorit 2022, Presidenti Rasëll M. Nelson përshkroi një grup turistik që po vizitonte shtëpinë e hapur të tempullit. Atje ishte një djalë i vogël. Presidenti Nelson dha mësim:

“Kur grupi i vizitës turistike hyri në një dhomë dhurimi, djali drejtoi gishtin për nga altari, ku njerëzit gjunjëzohen për të bërë besëlidhje me Perëndinë dhe tha: ‘O sa mirë. Këtu është një vend ku njerëzit të çlodhen gjatë rrugëtimit të tyre në tempull.’

… Ai me gjasë nuk ishte fare në dijeni për lidhjen e drejtpërdrejtë mes bërjes së një besëlidhjeje me Perëndinë në tempull dhe premtimit mahnitës të Shpëtimtarit:

‘Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, … dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë’ [Mateu 11:28–30; theksimi i shtuar].”

“Biri i [N]jeriut nuk ka [vend] ku të mbështetë kokën”, prapëseprapë Ai i ftoi dishepujt e Tij, ju dhe mua, në tryezën e sakramentit për të gjetur prehje me Të atje. Kur “shpirtrat e përulur gjunjëzohen tek altarët”, gufon paqja. Krahët e Shpëtimtarit tonë janë të shtrirë; tryeza e Tij ka vend për të gjithë. Ejani të adhuroni Birin e Perëndisë në altarët e Tij të shenjtë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni tek 3 Nefi 18:4–9.

  2. Bread of Life, Living Water” [“Buk’ e Jetës, Uj’ i Gjall’”], Hymns—for Home and Church [Himne – Për Shtëpinë dhe Kishën], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  3. Shihni te Moroni 45.

  4. Zanafilla 22:11.

  5. Shihni te Zanafilla 31:11; 46:2; Eksodi 3:4; 1 Samuelit 3:4–10; Isaia 6:8; Abraham 3:27.

  6. Shihni te Mateu 5:23–24.

  7. Shihni te Hebrenjve 10:10–14.

  8. 1 Nefi 2:4, 7.

  9. Shihni te Moisiu 5:5; Topical Guide [Udhëzuesi Tematik], “Jesus Christ, Types of, in Anticipation”.

  10. Moisiu 5:5–8.

  11. Shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 27.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  12. Shihni te 1 Timoteut 5:15; 3 Nefi 6:16; 11:29–30.

  13. Shihni te “Take My Heart and Let It Be Consecrated”, [“Merrma Zemrën dhe Shenjtëroje”] Hymns—For Home and Church [Himne – Për Shtëpinë dhe Kishën].

  14. Dejll G. Renland, “Qasja te Fuqia e Perëndisë nëpërmjet Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2023, f. 37.

  15. Alma 15:17.

  16. Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 94.

  17. Shihni tek Isaia 28:10, 13.

  18. Shihni te Quentin L. Cook, “Purpose and Planning” (fjalim i dhënë në seminarin për presidentët e rinj të misioneve, 25 qershor 2025).

  19. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 27.2.

  20. Shihni te D. Tod Kristoferson, “Një në Krisht”, Liahona, maj 2023, f. 77–80.

  21. Shihni te Nil L. Andersen,“Tempujt, Shtëpitë e Zotit po Mbushin Tokën”, Liahona, maj 2024 f. 111–114.

  22. Alma 15:17.

  23. Shihni te 1 Korintasve 11:28.

  24. Dallin H. Oaks, “Introductory Message” (fjalim i mbajtur në seminarin për udhëheqësit e rinj të misioneve, 25 qershor 2017).

  25. Dejvid A. Bednar, “Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, Liahona, maj 2016, f. 61–62.

  26. Shihni tek Isaia 51:17, 22; 3 Nefi 11:11.

  27. Doktrina e Besëlidhje 19:18.

  28. Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 88.

  29. 3 Nefi 27:20.

  30. An Eye Single: Thoughts and Teachings from Patricia T. Holland, përmb. Mary Alice Holland McCann (2025), f. 135.

  31. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:33.

  32. 2 Nefi 4:21.

  33. 3 Nefi 9:13.

  34. The Lion, the Witch and the Wardrobe [Luani, Magjistarja dhe Dollapi i Rrobave] (New York: HarperCollins, 1994), f. 178–179 [botimi amerikan].

  35. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 95–96.

  36. Mateu 8:20, New International Version [Varianti i Ri Ndërkombëtar].

  37. Shihni te Lluka 22:14, New International Version [Varianti i Ri Ndërkombëtar]. Fjala mbështet vjen nga greqishtja anapipto, që nënkupton liri dhe prehje. Akti i të mbështeturit ishte një kujtesë e çlirimit të izraelitëve nga skllavërimi egjiptian.

  38. Welcome Home” [“Mir’ se Erdhe n’Sht’pi”], Hymns – For Home and Church [Himne – Për Shtëpinë dhe Kishën].