Ungjilli i Jezu Krishtit i Përqendruar te Familja
Doktrina jonë dhe besimi ynë në familjet e përjetshme na forcojnë dhe na lidhin.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju falënderoj për lutjet tuaja në emrin tim. I kam ndier ato.
I.
Doktrina e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka në qendër familjen. Thelbësore për doktrinën tonë mbi familjen është tempulli. Ordinancat e marra atje na aftësojnë të kthehemi si familje të përjetshme në praninë e Atit tonë Qiellor.
Deri në konferencën e përgjithshme të prillit 2025, Presidenti Rasëll M. Nelson kishte njoftuar ndërtimin e 200 tempujve të rinj. Atij i pëlqente shumë të njoftonte tempuj të rinj në përfundim të secilës konferencë të përgjithshme dhe ne të gjithë ngazëlloheshim me të. Megjithatë, me numrin e madh të tempujve tani në fazat fare të hershme të planifikimit dhe ndërtimit, është me vend që ta ngadalësojmë njoftimin e tempujve të rinj. Prandaj, me miratimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nuk do të njoftojmë asnjë tempull të ri në këtë konferencë. Ne tani do të shkojmë përpara duke siguruar ordinanca tempulli për anëtarët e Kishës në mbarë botën, përfshirë kohën dhe vendin ku të njoftojmë ndërtimin e tempujve të rinj.
Ajo pjesë e bisedës sime që sapo e dhashë u shkrua pas vdekjes së Presidentit tonë të dashur Rasëll M. Nelsonit. Ajo që vijon tani, u shkrua dhe u miratua javë më parë, por sërish përfaqëson mësimet e mia, të frymëzuara nga Zoti.
II.
Proklamata mbi familjen, shpallur 30 vjet më parë, deklaron se “familja shugurohet nga Perëndia” dhe “është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”. Ajo deklaron edhe “se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe ta mbushin tokën, mbetet i vlefshëm”. Dhe “ne më tej deklarojmë se Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte”. Sikurse asokohe Plaku Rasëll M. Nelson, i dha mësim një auditori të Universitetit “Brigam Jang” se familja është “thelbësore për planin e Perëndisë. … Në fakt, një qëllim i planit është të ekzaltojë familjen.”
Kisha e Jezu Krishtit ndonjëherë njihet si kishë e përqendruar te familja. E tillë është! Marrëdhënia jonë me Perëndinë dhe qëllimi i jetës sonë në vdekshmëri, shpjegohen në kuadër të familjes. Ungjilli i Jezu Krishtit është plani i Atit tonë Qiellor për dobinë e fëmijëve të Tij shpirtërorë. Ne vërtet mund të themi se plani i ungjillit na u mësua fillimisht në këshillin e një familjeje të përjetshme, ai zbatohet nëpërmjet familjeve tona njerëzore dhe destinacioni që synon, është ekzaltimi i fëmijëve të Perëndisë në familjet e përjetshme.
III.
Pavarësisht atij konteksti doktrinor, ka kundërshtim. Në Shtetet e Bashkuara po vuajmë dobësimin e martesës dhe uljen e lindshmërisë. Për gati njëqind vjet, përqindja e familjeve të kryesuara nga çifte të martuara, ka rënë dhe po ashtu edhe shkalla e lindjeve. Martesat dhe shkalla e lindjeve nga anëtarët tanë të Kishës janë shumë më optimiste, por edhe ato kanë rënë ndjeshëm. Është jetësore që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të mos e humbasin kuptueshmërinë e tyre për qëllimin e martesës dhe vlerën e fëmijëve. Kjo është e ardhmja për të cilën orvatemi. “Ekzaltimi është një çështje familjare”, na ka mësuar Presidenti Nelson. “Vetëm nëpërmjet ordinancave shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit mund të ekzaltohen familjet”.
Rëniet e numrit të martesave dhe lindshmërisë në nivel kombëtar, janë të kuptueshme për arsye historike, por vlerat dhe praktikat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme duhet t’i përmirësojnë, jo t’i ndjekin, ato prirje.
Në djalërinë time, 80 vjet më parë, jetoja në fermën e gjyshërve, në një mjedis ku pothuajse gjithçka që ndodhte gjatë ditës, ishte nën drejtimin e familjes. Nuk kishte televizor ose pajisje të tjera elektronike për të na shpërqendruar nga aktivitetet familjare. Në dallim, në shoqërinë e sotme urbane, pak anëtarë përjetojnë aktivitete të qëndrueshme, të përqendruara te familja. Jetesa në qytet dhe transporti modern, argëtimi i organizuar dhe komunikimi me shpejtësi të lartë, e kanë bërë të lehtë që të rinjtë t’i trajtojnë shtëpitë e tyre si hotel ku të flenë dhe të hanë një vakt herë pas here, por ku ka shumë më pak drejtim prindëror për veprimtaritë e tyre.
Ndikimet prindërore janë zbehur edhe nga mënyra se si shumica e anëtarëve aktualë të Kishës e sigurojnë jetesën. Në kohët e kaluara, një nga ndikimet e mëdha që i bashkonte familjet, ishte përvoja e të përpjekurit së bashku për ndjekjen e një synimi të përbashkët – siç është zbutja e natyrës së egër ose sigurimi i jetesës. Familja ishte e organizuar dhe e drejtuar si njësi e prodhimit ekonomik. Sot, shumica e familjeve janë njësi të konsumit ekonomik, gjë që nuk kërkon një shkallë të lartë organizimi dhe bashkëpunimi familjar.
IV.
Ndërsa ndikimet prindërore zvogëlohen, shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë ende një përgjegjësi të dhënë nga Perëndia për t’u mësuar fëmijëve të tyre të përgatiten për destinacionin tonë si familje në përjetësi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25). Shumë prej nesh duhet ta bëjnë këtë kur jo të gjitha familjet tona janë tradicionale. Shkurorëzimi, vdekja dhe ndarja janë pjesë e jetës. E përjetova këtë në familjen ku u rrita.
Babai im vdiq kur isha shtatë vjeç, ndaj unë me vëllanë dhe motrën më të vogël u rritëm nga një nënë e ve. Në situatat më të vështira, ajo bëri përpara. Ajo ishte e vetme dhe e dërrmuar, por me ndihmën e Zotit mësimdhënia e fuqishme prej saj, mbi doktrinën e Kishës së rivendosur, na dha udhërrëfim. Sa shumë u lut ajo për ndihmë qiellore lidhur me rritjen e fëmijëve të saj dhe ajo u bekua! Ne u rritëm në një shtëpi të lumtur në të cilën babai ynë i ndjerë ishte gjithmonë realitet. Ajo na mësoi se kishim një baba dhe ajo kishte një bashkëshort dhe se gjithmonë do të ishim një familje për shkak të martesës së tyre në tempull. Babai ynë thjesht ishte larguar përkohësisht sepse Zoti e kishte thirrur në një punë tjetër.
E di që shumë familje të tjera nuk janë aq të lumtura, por çdo nënë pa bashkëshort mund të japë mësim për dashurinë e një Ati Qiellor dhe bekimet përfundimtare të një martese në tempull. Edhe ju mund ta bëni këtë! Plani i Atit Qiellor e siguron këtë mundësi për çdokënd. Ne të gjithë jemi mirënjohës për martesën në tempull dhe bekimet e mundshme të vulosjes si një familje e përjetshme. Sikurse nëna ime, neve na pëlqen shumë ta citojmë premtimin e Lehit ndaj birit të tij, Jakobit, se Perëndia “do t’i shenjtërojë hidhërimet e tua për të mirë” (2 Nefi 2:2). Ajo gjen zbatim për çdo familje shenjtore të ditëve të mëvonshme, të plotë ose aktualisht jo të plotë. Ne jemi një kishë pro familjes.
Doktrina jonë dhe besimi ynë në familjet e përjetshme na forcojnë dhe na lidhin. Nuk do ta harroj kurrë premtimin e gjyshit tim nga nëna, Harrisit, kur ishim fëmijë dhe jetonim në fermën e tij afër Pejsënit në Jutë. Ai më dha lajmin tragjik se im atë kishte vdekur në Denverin e largët në Kolorado. Vrapova drejt dhomës së gjumit dhe u gjunjëzova pranë shtratit, duke qarë me ngashërim. Gjyshi erdhi pas meje, u gjunjëzua pranë meje dhe tha: “Do të jem unë babai yt”. Ai premtim i ëmbël është një shembull i fuqishëm i asaj që gjyshërit mund të bëjnë për të mbushur boshllëqet kur familjet e humbasin ose u mungon një familjar.
Prindërit, pa bashkëshort a bashkëshorte ose të martuar, dhe të tjerë si gjyshërit, të cilët e plotësojnë atë rol për fëmijët, janë mësuesit mjeshtër. Mësimdhënia e tyre më e efektshme është nëpërmjet shembullit. Rrethi familjar është vendi ideal për të demonstruar dhe mësuar vlera të përjetshme, si rëndësia e martesës dhe fëmijëve, qëllimi i jetës dhe burimi i vërtetë i gëzimit. Është gjithashtu vendi më i mirë për të marrë mësime të tjera thelbësore të jetës, të tilla si dashamirësia, falja, vetëkontrolli dhe vlera e arsimimit dhe punës së ndershme.
Natyrisht, shumë anëtarë të Kishës kanë familjarë të dashur që nuk i përqafojnë vlerat dhe pritshmëritë e ungjillit. Anëtarëve si këta u nevojitet dashuria dhe durimi ynë. Kur ndërveprojmë me njëri‑tjetrin, duhet të kujtojmë se përsosuria që kërkojmë, nuk kufizohet te rrethanat stresuese të vdekshmërisë. Mësimi i madh te Doktrina e Besëlidhje 138:57–59 na siguron se pendimi dhe rritja shpirtërore mund të vazhdojnë në botën e shpirtrave që pason vdekshmërinë. Më me rëndësi, ndërsa familjet bashkohen që pjesëtarët të forcojnë njëri‑tjetrin, të gjithë duhet të kujtojmë se mëkatet dhe të metat e pashmangshme që i përjetojmë të gjithë në vdekshmëri, mund të falen nëpërmjet pendimit për shkak të Shlyerjes së lavdishme dhe shpëtuese të Jezu Krishtit.
V.
Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është modeli ynë shembullor e suprem. Ne do të bekohemi nëse mësimet dhe vetëmohimin e Tij i kemi si modele për jetën tonë. Ndjekja e Krishtit dhe dhënia e vetes në shërbim ndaj njëri‑tjetrit është ilaçi më i mirë për egoizmin dhe individualizmin që tani duken se janë kaq të zakonshëm.
Prindërit gjithashtu kanë një detyrë për t’u mësuar fëmijëve të tyre njohuri praktike përveç parimeve të ungjillit. Familjet bashkohen kur bëjnë gjëra domethënëse së bashku. Kopshtet familjare ndërtojnë marrëdhënie familjare. Përvojat e një familjeje të lumtur forcojnë lidhjet familjare. Shkuarja në kampe, veprimtaritë sportive dhe argëtime të tjera janë veçanërisht të vlefshme për lidhjen e familjeve. Familjet duhet të organizojnë takime familjare për të kujtuar paraardhësit, gjë që i prin drejt tempullit.
Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët për aftësitë bazë të jetesës, përfshirë punën në oborr dhe shtëpi. Mësimi i gjuhëve është një përgatitje e dobishme për shërbimin misionar dhe jetën bashkëkohore. Mësuesit e këtyre çështjeve mund të jenë prindërit ose gjyshërit apo pjesëtarë të rrethit familjar. Familjet lulëzojnë kur mësojnë në grup dhe këshillohen së bashku për të gjitha çështjet që e shqetësojnë familjen dhe pjesëtarët e saj.
Disa mund të thonë: “Por nuk kemi kohë për asnjërën nga këto”. Po të gjejnë kohë që të bëjnë atë që ia vlen vërtet, shumë prindër do të zbulojnë se mund ta ndezin familjen e tyre nëse të gjithë i fikin pajisjet e tyre teknologjike. Dhe prindër, mos harroni, ajo çka duan vërtet ata fëmijë për darkë, është koha me ju.
Bekime të mëdha u vijnë familjeve nëse luten së bashku, duke u gjunjëzuar në darkë dhe mëngjes për të ofruar falënderime për bekimet dhe për t’u lutur rreth shqetësimeve të përbashkëta. Familjet gjithashtu bekohen ndërsa adhurojnë së bashku në shërbesat në Kishë dhe në mjedise të tjera takimesh shpirtërore. Lidhjet familjare forcohen gjithashtu nga historitë familjare, krijimi i traditave familjare dhe tregimi i përvojave të shenjta. Presidenti Spenser W. Kimball na kujtoi se “historitë e frymëzimit nga jeta jonë dhe ato të të parëve tanë … janë mjete të fuqishme mësimore”. Shpesh ato janë burimet më të mira të frymëzimit për ne dhe pasardhësit tanë.
Unë dëshmoj për Zotin Jezu Krisht, i cili është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm. Ai na fton ta ndjekim shtegun e besëlidhjeve që të çon drejt një takimi familjar qiellor. Fuqitë vulosëse të priftërisë, të drejtuara nëpërmjet çelësave të rivendosur në Tempullin e Kirtlandit, i bashkojnë familjet së bashku për përjetësinë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16). Ato aktualisht po ushtrohen në një numër gjithnjë e në rritje të tempujve të Zotit anembanë botës. Kjo është e vërtetë. Le të jemi pjesë e saj, lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen!