Konferenca e Përgjithshme
Ata Janë Gjykatësit e Vetvetes
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


14:26

Ata Janë Gjykatësit e Vetvetes

(Alma 41:7)

Nëse ne kemi ushtruar besim te Jezu Krishti, kemi bërë dhe mbajtur besëlidhje me Perëndinë dhe jemi penduar për mëkatet tona, atëherë shufra e gjykimit do të jetë e këndshme.

Libri i Mormonit përfundon me ftesa frymëzuese nga Moroni, si “ejani te Krishti”, “përsosuni në të”, “i mohoni vetes çdo ligësi” dhe “ta d[uam] Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën t[onë]”. Interesante që fjalia e fundit e udhëzimit të tij parashikon si Ringjalljen ashtu edhe Gjykimin Përfundimtar.

Ai tha: “Së shpejti do të shkoj të pushoj në parajsën e Perëndisë, deri kur shpirti dhe trupi im do të bashkohen përsëri dhe unë do të çohem ngadh[ë]njimtar nëpër ajër, për t’ju takuar para shufrës së këndshme të Jehovës të madh, Gjykatësit të Përjetshëm të atyre që janë gjallë dhe që kanë vdekur”.

Jam plot kureshtje nga përdorimi prej Moronit i fjalëve “së këndshme” për të përshkruar Gjykimin Përfundimtar. Profetë të tjerë të Librit të Mormonit po ashtu e përshkruajnë Gjykimin si një “ditë të lavdishme” dhe një ditë që duhet ta “pr[esim] me padurim me syrin e besimit”. Prapëseprapë, shpesh kur e parashikojmë Ditën e Gjykimit, përshkrime të tjera profetike vijnë në mendje, të tilla si “me turp dhe me fajësi të tmerrshme”, “tmerr dhe frikë” dhe “mjerim të pafund”.

Unë besoj se ky dallim i ndjeshëm në gjuhë tregon se doktrina e Krishtit bëri të mundur që Moroni dhe profetët e tjerë ta prisnin atë ditë të madhërishme me më shumë dëshirë dhe pritshmëri plot shpresë, në vend të frikës për të cilën na paralajmëruan lidhur me ata që nuk ishin të përgatitur shpirtërisht. Çfarë kuptoi Moroni që ju dhe unë kemi nevojë ta mësojmë?

Lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë teksa marrim parasysh planin e Atit Qiellor për lumturinë dhe mëshirën, rolin shlyes të Shpëtimtarit në planin e Atit dhe se si ne do të “je[mi të] përgjegjshëm për mëkatet [tona] në ditën e gjykimit”.

Plani i Atit për Lumturinë

Qëllimet kryesore të planit të Atit janë që t’u sigurojnë fëmijëve të Tij shpirtërorë mundësitë për të marrë një trup fizik, për të mësuar “të mirën nga e keqja” nëpërmjet përvojës në vdekshmëri, për t’u rritur shpirtërisht dhe për të përparuar përjetësisht.

Ajo së cilës Doktrina e Besëlidhje i drejtohet si “liria morale e zgjedhjes”, është një element qendror në planin e Perëndisë për të bërë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e bijve dhe bijave të Tij. Ky parim thelbësor gjithashtu përshkruhet në shkrimet e shenjta si liria për të zgjedhur dhe liria për të zgjedhur dhe për të vepruar.

Termi “liria morale e zgjedhjes” është udhëzues. Sinonimet për fjalën “morale” përfshijnë “e mirë”, “e ndershme” dhe “e virtytshme”. Sinonimet për fjalën “liri e zgjedhjes” përfshijë “veprim”, “veprimtari” dhe “punë”. Prandaj, “liria morale e zgjedhjes” mund të kuptohet si aftësia dhe privilegji për të zgjedhur dhe për të vepruar për veten tonë në mënyra që janë të mira, të ndershme, të virtytshme dhe të vërteta.

Krijimet e Perëndisë përfshijnë “qoftë gjërat që veprojnë dhe gjërat që pësojnë”. Dhe liria morale e zgjedhjes është “fuqia e veprimit të pavarur”, e projektuar në mënyrë hyjnore, që na fuqizon si fëmijë të Perëndisë të bëhemi vetëveprues për të vepruar dhe jo thjesht objekte mbi të cilët veprohet.

Toka u krijua si një vend ku fëmijët e Atit Qiellor të mund të provoheshin për të parë nëse do të “bë[nin] të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”. Një qëllim parësor i Krijimit dhe ekzistencës sonë në vdekshmëri është për të na siguruar mundësinë që të veprojmë dhe të bëhemi çfarë Zoti na fton të bëhemi.

Zoti e udhëzoi Enokun:

“Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia dhe unë ua dhashë atyre diturinë e tyre, në ditën që i krijova ata; dhe në Kopshtin e Edenit, i dhashë njeriut lirinë e tij për të zgjedhur;

Dhe vëllezërve të tu u kam thënë dhe gjithashtu u kam dhënë urdhërim që ata duhet ta duan njëri-tjetrin dhe se duhet të më zgjedhin mua, Atin e tyre.”

Qëllimet themelore për ushtrimin e lirisë së zgjedhjes janë të duam njëri‑tjetrin dhe të zgjedhim Perëndinë. Dhe këto dy qëllime përputhen saktësisht me urdhërimin e parë dhe të dytë të madh për ta dashur Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë dhe për ta dashur të afërmin tonë porsi vetveten.

Kini parasysh se ne jemi urdhëruar, jo thjesht paralajmëruar ose këshilluar, por urdhëruar që ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për ta dashur njëri‑tjetrin dhe për të zgjedhur Perëndinë. Më lejoni të sugjeroj që në shkrimet e shenjta, fjala cilësore “moral” nuk është thjesht një mbiemër, por ndoshta edhe një direktivë hyjnore rreth mënyrës se si duhet të përdoret liria jonë e zgjedhjes.

Ka arsye pse një himn i njohur titullohet “T[ë] Drejtën Zgjidh”. Ne nuk jemi bekuar me lirinë morale të zgjedhjes për të bërë çfarëdo që duam, kurdoherë që duam. Përkundrazi, sipas planit të Atit, e kemi marrë lirinë morale të zgjedhjes për të kërkuar dhe vepruar sipas së vërtetës së përjetshme. Si “veprues për veten [tonë]”, ne duhet të përfshihemi me zell në kauza të mira, “të bëj[m]ë shumë gjëra me vullnetin [tonë] të lirë e të shkaktoj[m]ë shumë drejtësi”.

Rëndësia e përjetshme e lirisë morale të zgjedhjes theksohet në rrëfimin e shkrimeve të shenjta për këshillin para lindjes. Luciferi ngriti krye kundër planit të Atit për fëmijët e Tij dhe u përpoq të shkatërronte fuqinë e veprimit të pavarur. Në mënyrë domethënëse, kundërshtimi i hapur i djallit u përqendrua drejtpërsëdrejti te parimi i lirisë morale të zgjedhjes.

Perëndia shpjegoi: “Si rrjedhim, ngaqë … Satan[i] ngriti krye kundër meje dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e [zgjedhjes së] njeriut, … unë bëra që ai të flakej tutje”.

Plani egoist i kundërshtarit ishte që t’u hiqte fëmijëve të Perëndisë aftësinë për t’u bërë “veprues për veten”, të cilët mund të vepronin me drejtësi. Synimi i tij ishte t’i bënte fëmijët e Atit Qiellor të ishin objekte mbi të cilët vetëm mund të veprohej.

Veprimi dhe Bërja

Presidenti Dallin H. Ouks ka theksuar se ungjilli i Jezu Krishtit na fton si të dimë diçka dhe të bëhemi diçka nëpërmjet ushtrimit me drejtësi të lirisë morale të zgjedhjes. Ai tha:

“Shumë shkrime të shenjta nga Bibla dhe bashkëkohore flasin për gjykimin përfundimtar tek i cili të gjithë njerëzit do të shpërblehen sipas veprimeve ose veprave të tyre apo dëshirave të zemrave të tyre. Por shkrime të tjera të shenjta e zgjerojnë këtë gjë duke iu referuar të qenit tonë të gjykuar nëpërmjet gjendjes që kemi arritur.

Profeti Nefi e përshkruan Gjykimin Përfundimtar në termat e asaj që jemi bërë: ‘Dhe në qoftë se veprat e tyre kanë qenë fëlliqësi, ata duhet patjetër të jenë të fëlliqur; dhe në qoftë se ata janë të fëlliqur, detyrimisht ata nuk mund të banojnë në mbretërinë e Perëndisë’ [1 Nefi 15:33; theksimi i shtuar]. Moroni shpall: ‘Ai që është i fëlliqur, do të mbetet akoma i fëlliqur; dhe ai që është i drejtë do të mbetet akoma i drejtë’ [Mormoni 9:14; theksimi i shtuar].”

Presidenti Ouks vazhdoi: “Nga mësime të tilla ne arrijmë në përfundimin se Gjykimi Përfundimtar nuk është thjesht një vlerësim i një shume totale të veprave të mira dhe të liga – i asaj që kemi bërë. Ai është një njohje e efektit përfundimtar të veprave dhe mendimeve tona, i asaj që jemi bërë.”

Shlyerja e Shpëtimtarit

Veprat dhe dëshirat tona, të vetme, nuk mund të na shpëtojnë. “Pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”, ne pajtohemi me Perëndinë vetëm nëpërmjet mëshirës dhe hirit në dispozicion nëpërmjet flijimit shlyes të pafundmë dhe të përjetshëm të Shpëtimtarit.

Alma shpalli: “Filloni të besoni në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet e tyre; dhe se ai do të ngrihet përsëri nga të vdekurit, që do të shkaktojë ringjalljen, që të gjithë njerëzit do të qëndrojnë para tij për t’u gjykuar, sipas veprave të tyre, ditën e fundit dhe të gjykimit”.

“Ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit.” Sa mirënjohës duhet të jemi që mëkatet dhe veprimet tona të liga nuk do të qëndrojnë si dëshmi kundër nesh nëse vërtet “lind[emi] rishtas”, ushtrojmë besim te Shëlbuesi, pendohemi me “çiltërsi [të] zemrës” e “bindje të vërtetë” dhe “duro[jmë] deri në fund”.

Frika nga Perëndia

Shumë prej nesh mund të presin që paraqitja jonë para shufrës së Gjykatësit të Përjetshëm të jetë e ngjashme me një procedurë në një gjykatë ligjore në botë. Do të kryesojë një gjykatës. Do të paraqiten prova. Do të jepet një vendim. Dhe ka të ngjarë që ne do të jemi të pasigurt dhe plot frikë derisa të mësojmë rezultatin përfundimtar. Por unë besoj se një karakterizim i tillë është i pasaktë.

E ndryshme nga frika si të vdekshëm që zakonisht e përjetojmë, por e lidhur me të, është ajo që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si “frikë [nga Perëndia]” ose “frikë nga Zoti”. Në ndryshim prej frikës nga bota, e cila shkakton panik dhe ankth, frika nga Perëndia fton në jetën tonë paqe, siguri dhe vetëbesim.

Frika e drejtë përfshin një ndjenjë të thellë nderimi dhe mrekullimi për Zotin Jezu Krisht, bindje ndaj urdhërimeve të Tij dhe pritje për Gjykimin Përfundimtar dhe për drejtësinë prej dorës së Tij. Frika nga Perëndia rritet prej një kuptueshmërie të saktë të natyrës dhe misionit hyjnor të Shëlbuesit, prej një gatishmërie për t’ia nënshtruar vullnetin tonë vullnetit të Tij dhe prej një diturie që çdo burrë e çdo grua do të jetë i përgjegjshëm, e përgjegjshme, për dëshirat, mendimet, fjalët e tij ose të saj vetjake në vdekshmëri në Ditën e Gjykimit.

Frika nga Zoti nuk është një ankth ngurrues rreth hyrjes në praninë e Tij për t’u gjykuar. Përkundrazi, është perspektiva e njohjes përfundimisht rreth vetes sonë të “gjëra[ve] ashtu siç janë në të vërtetë” dhe “ashtu siç do të jenë në të vërtetë”.

Çdo njeri që ka jetuar, që jeton tani në tokë dhe që do të jetojë ende në tokë “do të sille[t] të qëndroj[ë] para shufrës së Perëndisë, që të gjykohe[t] prej tij sipas veprave të [tij ose të saj], qofshin ato të mira ose të liga”.

Nëse dëshirat tona kanë qenë për drejtësi dhe veprat tona të mira, domethënë që ne kemi ushtruar besim te Jezu Krishti, kemi bërë dhe mbajtur besëlidhje me Perëndinë dhe jemi penduar për mëkatet tona, atëherë shufra e gjykimit do të jetë e këndshme. Siç shpalli Enosi, ne do të “qëndroj[më] para [Shëlbuesit]; atëherë [ne] do të shikoj[më] fytyrën e tij me gëzim”. Dhe në ditën e fundit ne do të “shpërblehe[mi] me drejtësi”.

Anasjelltas, nëse dëshirat tona kanë qenë për të ligën dhe veprat tona të këqija, atëherë shufra e gjykimit do të jetë një shkak tmerri. Ne do të kemi një “njohuri të përsosur”, një “kujtesë të mirë” dhe një “ndjenjë të gjallë të fajit [tonë]”. “Ne nuk do të guxojmë të shikojmë drejt Perëndisë tonë; dhe ne do të ishim shumë të gëzuar po të mund të urdhëronim shkëmbinjtë dhe malet të binin mbi ne që të na fshihnin nga prania e tij.” Dhe në ditën e fundit ne do ta “ke[mi] shpërblimin [tonë] të së keqes”.

Përfundimisht, atëherë, ne do të jemi gjykatësit e vetvetes. Askush nuk do të ketë nevojë të na thotë se ku të shkojmë. Në praninë e Zotit, ne do të dallojmë se çfarë kemi zgjedhur të bëhemi në vdekshmëri dhe të dimë për veten tonë se ku duhet të jemi në përjetësi.

Premtim dhe Dëshmi

Të kuptuarit se Gjykimi Përfundimtar mund të jetë i këndshëm, nuk është një bekim i ruajtur vetëm për Moronin.

Alma i përshkroi bekimet e premtuara, në dispozicion të çdo dishepulli të përkushtuar të Shpëtimtarit. Ai tha:

“Kuptimi i fjalës rivendosje është që të kthehet përsëri e liga tek e liga, ose mishi te mishi, ose djallëzia te djallëzia – e mira për atë që është e mirë, e drejta për atë që është e drejtë, drejtësia për atë që ka drejtësi, mëshira për atë që është i mëshirshëm.

… Vepro me drejtësi, gjyko drejt dhe bëj të mira vazhdimisht; dhe në qoftë se ti i bën të gjitha këto gjëra, atëherë do të marrësh shpërblimin tënd; po, do të të rivendoset përsëri mëshira, do të të rivendoset përsëri drejtësia; do të të rivendoset përsëri një gjykim i drejtë; dhe do të shpërblehesh përsëri me të mirën.”

Dëshmoj plot gëzim se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë i gjallë. Premtimi i Almës është i vërtetë dhe i zbatueshëm për ju dhe mua – sot, nesër dhe për gjithë përjetësinë. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.