Konferenca e Përgjithshme
Të Bekuar Janë Paqebërësit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2025


13:16

Të Bekuar Janë Paqebërësit

Paqebërja ende fillon në vendin më themelor – në zemrën tonë. Pastaj në shtëpi dhe familje.

Mirë se vini në konferencën e përgjithshme! Sa mirënjohës jemi që jemi mbledhur së bashku!

Ndërsa i presim të ndodhin këto punime të konferencës, jemi tejet të vetëdijshëm për javët që i paraprinë asaj. E kuptojmë se zemrat tona po vajtojnë për humbjet dhe disa ndiejnë pasiguri të shkaktuar nga dhuna ose tragjedia në mbarë botën. Madje dhe njerëzit e përkushtuar të mbledhur në vende të shenjta, përfshirë godinën tonë kishtare të shenjtëruar në Miçigan, kanë humbur jetën ose njerëz të dashur. Unë flas nga zemra, duke kuptuar se zemra e shumë prej jush është rënduar nga ajo që ju, familjet tuaja dhe bota jonë ka pësuar që nga konferenca e përgjithshme e kaluar.

Kapernaumi në Galile

Përfytyroni me mua sikur jeni një adoleshent në Kapernaum, pranë Detit të Galilesë, gjatë shërbesës së Jezu Krishtit. Fjala përhapet për një rabin, një mësues, mesazhi i të cilit tërheq turma njerëzish. Fqinjët planifikojnë të udhëtojnë për te një mal me pamje nga deti për ta dëgjuar Atë.

Ju bashkoheni me të tjerët që ecin në rrugët me pluhur të Galilesë. Me të mbërritur, turma e madhe, e mbledhur për të dëgjuar këtë Jezus, ju habit. Disa njerëz pëshpëritin qetësisht “Mesia”.

Ju dëgjoni. Fjalët e Tij ju prekin në zemër. Gjatë rrugës së gjatë për në shtëpi, ju zgjidhni heshtjen në vend të bashkëbisedimit.

Përsiatni për gjëra të mrekullueshme, gjëra që ia tejkalojnë madje edhe ligjit të Moisiut. Ai foli për atë që t’ua kthejmë faqen tjetër armiqve dhe t’i duam armiqtë. Ai premtoi që të bekuar janë paqebërësit, “sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”.

Në realitetin tuaj, ndërsa ndieni peshën e ditëve të vështira, pasiguri dhe frikë, paqja ndihet e largët.

Ritmi juaj përshpejtohet, ju arrini në shtëpi duke iu mbajtur fryma. Familja juaj mblidhet, babai ju pyet: “Na trego çfarë dëgjove dhe ndjeve”.

I tregoni se Ai ju ftoi ta lini dritën tuaj të shndritë para të tjerëve, të kërkoni drejtësi edhe kur persekutoheni. Ju dridhet zëri ndërsa përsëritni fjalët të bekuar janë paqebërësit, “sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”.

Ju pyesni: “A mund të bëhem vërtet paqebërës kur bota është në trazirë, kur zemra ime është e mbushur me frikë dhe kur paqja duket kaq e largët?”

Babai i hedh një vështrim nënës suaj dhe përgjigjet butësisht: “Po. E fillojmë në vendin më thelbësor – në zemrat tona. Pastaj në shtëpitë dhe familjet tona. Ndërsa e praktikojmë atje, paqebërja mund të përhapet nëpër rrugët dhe fshatrat tona.”

Shkojmë 2000 Vjet më Vonë

Shkojmë 2000 vjet më vonë. Nuk ka nevojë ta përfytyrojmë gjë, ky është realiteti ynë. Ndonëse trysnitë që i ndien brezi i ri sot, ndryshojnë nga ato të të riut në Galile – polarizimi, laicizmi, hakmarrja, dufi gjatë qarkullimit rrugor, shpërthimet inatçore dhe komentet idhnake pirg në rrjetet sociale – të dy brezat përballen me kultura konflikti dhe tensioni.

Fatmirësisht, të rinjtë e të rejat tona tërhiqen njësoj në momentet e tyre të Predikimit në Mal: nga seminari, konferencat “Për Forcën e Rinisë” dhe programi “Eja, Më Ndiq”. Këtu ata marrin të njëjtat ftesa të qëndrueshme nga Zoti: ta lënë dritën e tyre të shndritë para të tjerëve, të kërkojnë drejtësi edhe kur persekutohen dhe t’i duan armiqtë e tyre.

Ata gjithashtu marrin fjalë inkurajuese nga profetët e gjallë të Rivendosjes: “Kërkohen paqebërës”. Të tregojnë që nuk janë dakord, pa qenë të pakëndshëm. Ta zëvendësojnë grindjen dhe krenarinë me faljen dhe dashurinë. Të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, jo mure paragjykimi ose ndasie. Dhe ata marrin po të njëjtin premtim që të bekuar janë paqebërësit, “sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”.

Zemrat e brezit të ri sot janë të mbushura me një dëshmi për Jezu Krishtin dhe një shpresë për të ardhmen. Megjithatë, edhe ata pyesin: “A mund të bëhem vërtet paqebërës kur bota është në trazirë, zemra ime është e mbushur me frikë dhe paqja duket kaq e largët?”

Përgjigjja kumbuese është edhe një herë “po”! Ne i përqafojmë fjalët e Shpëtimtarit: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time. … Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”

Sot, paqebërja ende fillon në vendin më themelor – në zemrën tonë. Pastaj në shtëpi dhe familje. Ndërsa e praktikojmë atje, paqebërja do të përhapet nëpër lagjet e banimit dhe komunitetet tona.

Le t’i shqyrtojmë më tej këto tri vende ku një shenjtor i sotëm i ditëve të mëvonshme bën paqe.

Paqebërja në Zemrën Tonë

E para është në zemrën tonë. Një element i dukshëm i shërbesës së Krishtit tregon se si fëmijët tërhiqeshin drejt Tij. Këtu qëndron një e dhënë. Të parit në zemrën e dëlirë dhe të pafajshme paqebërëse të një fëmije mund të jetë një frymëzim për zemrën tonë. Ja se si disa fëmijë të moshës së Fillores iu përgjigjën pyetjes: “Si është një njeri paqebërës?”

Unë po i tregoj përgjigjet ashtu siç u dolën atyre nga zemra. Luka tha: “T’i ndihmojmë gjithmonë të tjerët”. Grejsi tregoi se sa e rëndësishme është ta falim njëri-tjetrin, edhe kur e ndiejmë se nuk është e drejtë. Ana tha: “Pashë dikë që nuk kishte me kë të luante, kështu që shkova të luaja me të”. Lindi reflektoi se të jesh paqebërës do të thotë t’i ndihmosh të tjerët. “Pastaj të mirën e kalon nga njëri tek tjetri. Do të vazhdojë të përhapet si zinxhir.” Liami tha: “Të mos sillemi keq me njerëzit, edhe nëse ata sillen keq me ty”. Londoni thirri: “Nëse dikush të ngacmon ose sillet keq me ty, thuaji: ‘Të lutem, ndalo!’” Trevori vërejti: “Nëse ka mbetur veç një petull dhe të gjithë e duan, e ndajmë me të gjithë”.

Përgjigjet e këtyre fëmijëve janë provë për mua se ne të gjithë kemi lindur me prirje hyjnore për mirësi dhe dhembshuri. Ungjilli i Jezu Krishtit i ushqen dhe i thur këto tipare hyjnore në zemrën tonë, përfshirë paqebërjen, duke na bekuar në këtë jetë dhe në tjetrën.

Paqebërja në Shtëpi

Së dyti, ndërtimi i paqebërjes në shtëpitë tona duke përdorur modelin e Zotit për të ndikuar në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin: bindjen, durimin, mirësjelljen, mirësinë, zemërbutësinë dhe dashurinë e pashtirur.

Këtu është një histori frymëzuese që tregon se si një familje e bëri paqebërjen një çështje familjare, duke i vënë në praktikë këto parime.

Fëmijët në këtë familje kishin vështirësi në marrëdhënien e tyre me një të rritur, sjellja e të cilit ishte shpesh idhnake, nënçmuese dhe e vrazhdë. Fëmijët, të lënduar dhe të shqetësuar, filluan të vrisnin mendjen nëse e vetmja mënyrë në vazhdim ishte të pasqyronin të njëjtën sjellje dashakeqe.

Një mbrëmje familja foli hapur së bashku për tensionin dhe dëmin që po pësonte. Dhe pastaj lindi një ide, jo thjesht një zgjidhje, por një eksperiment.

Në vend që të përgjigjeshin me heshtje ose hakmarrje, fëmijët do të bënin diçka të papritur, ata do të përgjigjeshin me dashamirësi. Jo vetëm vetëpërmbajtje të sjellshme, por një derdhje të qëllimshme, të përzemërt fjalësh dashamirëse dhe veprash të matura, pavarësisht se si trajtoheshin në këmbim. Të gjithë ranë dakord ta provonin për një kohë të caktuar, pas së cilës ata do të mblidheshin sërish në grup dhe do të reflektonin.

Ndonëse disa ngurruan në fillim, ata iu përmbajtën planit me zemër të çiltër.

Ajo që ndodhi më pas, ishte pa dyshim e jashtëzakonshme!

Ndërveprimet e ftohta filluan të bëheshin të ngrohta. Buzëqeshjet zëvendësuan fytyrën e vrenjtur. I rrituri, dikur i largët dhe i ashpër, filloi të ndryshonte. Fëmijët, të fuqizuar nga zgjedhja e tyre për të udhëhequr me dashuri, gjetën gëzim gjatë këtij shndërrimi. Ndryshimi qe aq i thellë sa mbledhja e planifikuar për të shqyrtuar rezultatin, nuk qe më kurrë e nevojshme. Dashamirësia e kishte bërë punën e saj në heshtje.

Me kalimin e kohës, u formuan lidhje të vërteta miqësie, duke i lartësuar të gjithë. Për të qenë paqebërës, ne i falim të tjerët dhe i lartësojmë qëllimisht të tjerët në vend që t’i rrëzojmë ata.

Paqebërja në Komunitetet Tona

Së treti, paqebërja në komunitetet tona. Në vitet e trazuara të Luftës II Botërore, Plaku Xhon A. Uidso dha mësim: “E vetmja mënyrë që të ndërtoni një komunitet paqësor, është të ndërtoni burra e gra që janë njerëz që e duan dhe e bëjnë paqen. Secili individ, nëpërmjet asaj doktrine të Krishtit … mban në duart e veta paqen e [tërë] botës.”

Historia e mëposhtme e ilustron bukur këtë parim.

Disa vjet më parë, dy burra, një imam mysliman dhe një pastor i krishterë nga Nigeria, qëndronin në skaje të kundërta të një ndasie të dhimbshme fetare. Secili kishte vuajtur së tepërmi. E megjithatë, përmes fuqisë shëruese të faljes, ata zgjodhën të ecnin së bashku në një shteg.

Pastori Xhejms Uje dhe imami Muhamad Ashafa

Imami Muhamad Ashafa dhe pastori Xhejms Uje u bënë miq dhe si rrallëherë partnerë në paqe. Së bashku, ata krijuan një qendër për ndërmjetësimin ndërfetar. Ata tani u mësojnë të tjerëve ta zëvendësojnë urrejtjen me shpresën. Dy herë kandidatë të Çmimit Nobel për Paqen, ata kohët e fundit qenë ndër të parët që morën Çmimin e Paqes të Komonuelthit.

Këta ish‑armiq tani udhëtojnë krah për krah duke rindërtuar atë që qe thyer, dëshmitarë të gjallë se ftesa e Shpëtimtarit për të qenë paqebërës jo vetëm që është e mundur, por është e fuqishme.

Kur arrijmë ta njohim lavdinë e Perëndisë, atëherë ne “nuk do të ke[m]i një mendje për të dëmtuar njëri-tjetrin, por për të jetuar në paqe”. Në bashkësitë dhe komunitetet tona, zgjedhshim ta shohim njëri-tjetrin si fëmijë të Perëndisë!

Një Plan Paqebërës Njëjavor

Si përmbledhje, do të bëj një ftesë. Paqebërja kërkon veprim. Çfarë veprimesh mund të jenë ato, për secilin prej nesh, duke filluar nga nesër? A do ta merrnit në konsideratë një plan paqebërjeje njëjavor, me tre hapa?

  1. Një ambient shtëpie pa grindje: Kur fillon grindja, ndaloni dhe riniseni me fjalë dhe vepra dashamirëse.

  2. Ndërtimi i urës digjitale: Para se të publikoni, përgjigjeni ose komentoni në internet, bëni pyetjen: “A do të ndërtojë kjo një urë?” Nëse jo, ndaloni. Mos e dërgoni. Në vend të kësaj, shpërndani mirësi. Shpallni paqe në vend të urrejtjes.

  3. Riparoni dhe ribashkoni: Çdo pjesëtar i familjes mund të identifikojë një marrëdhënie të nderë me qëllim që të kërkojë falje, të japë shërbesë, të riparojë dhe ribashkojë.

Përfundimi

Kanë kaluar disa muaj qëkurse ndjeva një mbresë të pamohueshme që çoi në këtë mesazh: “Të Bekuar Janë Paqebërësit”. Në përfundim, më lejoni të tregoj mbresat që më janë ngulitur në zemër gjatë kësaj kohe.

Paqebërja është një cilësi e ngjashme me të Krishtit. Paqebërësit ndonjëherë etiketohen si naivë ose të dobët, nga të gjitha palët. Megjithatë, të jesh paqebërës nuk do të thotë të jesh i dobët, por të jesh i fortë në një mënyrë që bota mund të mos e kuptojë. Paqebërja kërkon guxim dhe kompromis, por nuk kërkon që të sakrifikohen parimet. Paqebërja është të udhëheqësh me zemër të hapur, jo me mendje të mbyllur. Është afrimi me njëri-tjetrin me duar të zgjatura, jo me grushte të shtrënguara. Paqebërja nuk është një gjë e re, që sapo doli nga shtypi. Ajo u dha mësim nga Vetë Jezu Krishti, si njerëzve në Bibël ashtu edhe në Librin e Mormonit. Paqebërja qysh atëherë është dhënë mësim nga profetët e kohëve bashkëkohore, që nga ditët më të hershme të Rivendosjes e deri më sot.

Ne përmbushim rolin tonë hyjnor si fëmijë të një Ati të dashur Qiellor ndërsa përpiqemi fort të bëhemi paqebërës. Unë jap dëshmi për Jezu Krishtin, i cili është Princi i Paqes, Biri i Perëndisë së gjallë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.