Marrja mbi Vete e Emrit të Jezu Krishtit
Sa më shumë që identifikohemi me Jezu Krishtin dhe e kujtojmë Atë, aq më shumë dëshirojmë të jemi si Ai.
Në vitin 2018, në Universitetin e Jutës u krijua një pozicion i veçantë për profesorët, i quajtur “Dr. Rasëll M. Nelson dhe Denzel W. Nelson, Kreu Presidencial në Kirurgjinë Kardiotorakale” – kardio domethënë “zemër” dhe torakale domethënë “kraharor”. U bë në nderim të punës së rëndësishme të Presidentit Nelson si kardiokirurg dhe të përkrahjes që ai mori nga gruaja e tij e ndjerë, Denzeli. Ky pozicion për profesorët u pagua nga një fond i planifikuar që të zgjasë edhe në të ardhmen. Individi i përzgjedhur për këtë lloj pozicioni prestigjioz si profesor merr njohje, një pagë dhe fonde për kërkim shkencor.
Kirurgu i parë i zgjedhur për të mbajtur këtë pozicion profesori ishte Dr. Kreig H. Selcmani, një kardiokirurg i zoti, i cili nuk është anëtar i Kishës sonë. Në ceremoninë e dhënies së këtij pozicioni të profesorit, Dr. Selcmanit, ishin të pranishëm shumë të ftuar të rëndësishëm, përfshirë Presidentin Nelson dhe bashkëshorten e tij, Motrën Uendi W. Nelson. Gjatë takimit, Presidenti Nelson foli me thjeshtësi për karrierën e tij si pionier i kirurgjisë.
Më pas, Dr. Selcmani tregoi se çfarë do të thoshte për të që të caktohej në këtë pozicion profesori. Ai tregoi se katër ditë më parë, pas një dite të gjatë në sallën e operimit, zbuloi se njëri nga pacientët e tij kishte nevojë që t’i bëhej sërish një operacion. Ai ishte i lodhur dhe i zhgënjyer, duke e ditur se do t’i duhej të kalonte edhe një natë tjetër në spital.
Atë mbrëmje, Dr. Selcmani, bëri një bashkëbisedim me veten që i ndryshoi jetën. Në atë çast, mendoi: “Të premten do të caktohem në një pozicion profesori që mban emrin e Dr. Nelsonit. Ai gjithmonë njihej si dikush që i mbante nën kontroll emocionet e tij, e trajtonte çdo njeri me respekt dhe kurrë nuk e humbiste vetëkontrollin. Tani që emri im do të lidhet me emrin e tij, më duhet të përpiqem që të jem më shumë si ai.” Dr. Selcmani ishte tashmë një kirurg shumë i kujdesshëm. Por ai donte të bëhej edhe më i mirë.
Në të shkuarën, ekipi i tij kirurgjikal mund të kishte qenë i vetëdijshëm për lodhjen dhe acarimin e tij, sepse ai mund t’i kishte lënë ato të shfaqeshin në sjelljen dhe tonin e zërit të vet. Por në sallën e operacionit atë natë, Dr. Selcmani bëri një përpjekje të ndërgjegjshme që të ishte veçanërisht përkrahës dhe mirëkuptues ndaj ekipit të tij. E ndjeu se kjo solli ndryshim dhe mori vendimin që të vazhdonte të përpiqej që të ishte më shumë si Dr. Nelsoni.
Pesë vjet më vonë, Presidenti Nelson ia dorëzoi dokumentet e tij profesionale Universitetit të Jutës. Personalitete nga universiteti erdhën për ta falënderuar zyrtarisht Presidentin Nelson. Gjatë këtij takimi, Dr. Selcmani foli përsëri. Duke iu referuar inicialeve të Presidentit Nelson, RMN, ai tha: “Ka një etos ‘RMN’ që tani përshkon Sektorin e Kirurgjisë Kardiotorakale në Universitetin e Jutës”.
Në situata të ndera, Dr. Selcmani shpjegoi: “Unë bëj atë që tani ua mësoj stazhierëve tanë të bëjnë: të përqendrohen, të shohin përpara dhe të bëjnë më të mirën që munden. Ky etos jeton brenda nesh çdo ditë. I japim stema xhaketash çdo anëtari të sektorit dhe çdo stazhieri të ri. Në faqen e stemës janë shkronjat ‘RMN’. Etosi RMN është themelor në trajnimin tonë; ia mësojmë atë çdo njeriu.” Dr. Selcmani i kishte përmirësuar qëllimisht sjelljen dhe aspiratat e tij të mëparshme ngaqë emri i tij tani lidhej me atë të Presidentit Nelson.
Kjo seri ngjarjesh që përfshiu Dr. Selcmanin, më bëri të pyes veten: “Si kam ndryshuar që kur e lidha emrin tim me emrin e Jezu Krishtit? Si rrjedhojë, a e kam përvetësuar një etos si të Krishtit? A jam përpjekur çiltërisht që të bëhem më i mirë dhe më shumë si Ai?”
Te përvoja e Dr. Selcmanit mund të shohim se ka të paktën pesë ngjashmëri me procesin nëpërmjet të cilit ne marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Megjithëse ai proces fillon me pagëzimin, nuk është i plotë derisa ne të jemi më të pastër e më të shenjtë dhe të jemi bërë më shumë si Ai.
Ngjashmëria e parë është identifikimi. Caktimi i Dr. Selcmanit në pozicionin e profesorit me titullin Nelson e lidhi emrin e tij me emrin e Presidentit Nelson dhe Dr. Selcmani filloi të identifikohej me Presidentin Nelson. Kur marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, ne e lidhim emrin tonë me emrin e Tij. Ne identifikohemi me Të. Me gëzim, njihemi si të krishterë. E pranojmë Shpëtimtarin dhe, pa kërkuar ndjesë, ngrihemi në këmbë që të na numërojnë si të Tijët.
E lidhur ngushtë me identifikimin gjendet një ngjashmëri tjetër – kujtimi. Kur Dr. Selcmani shkon në zyrën e vet, sytë e tij tërhiqen nga medaljoni që mori kur u caktua në pozicionin e profesorit me titullin Nelson. Ky medaljon i kujton çdo ditë etosin RMN. Për ne, marrja e sakramentit çdo javë na ndihmon që ta kujtojmë Jezu Krishtin gjatë gjithë javës. Teksa e marrim sakramentin, ne e bëjmë këtë gjë në kujtim të çmimit që Ai pagoi për të na shëlbuar. Ne besëlidhim sërish që ta kujtojmë Atë, të dallojmë madhështinë e Tij dhe ta vlerësojmë mirësinë e Tij. Në mënyrë të përsëritur e vëmë në dukje se është vetëm në dhe nëpërmjet hirit të Tij që ne shpëtohemi nga vdekja fizike dhe shpirtërore.
Kujtim do të thotë që ne e ndjekim këshillën e dhënë nga profeti i Librit të Mormonit, Alma. Ne i lejojmë “të jenë të gjitha veprimet [tona] në Zotin dhe kudo që të shko[jmë], le të jetë në Zotin; … le të jenë të gjitha mendimet [tona] të drejtuara te Zoti; … [dhe] le të jetë dashuria e zemrës s[onë] e vendosur përgjithnjë te Zoti”. Edhe kur jemi të zënë me çështje të tjera, ne qëndrojmë të vëmendshëm ndaj Tij, po ashtu siç kujtojmë vetë emrat tanë, pavarësisht nga çdo gjë tjetër tek e cila përqendrohemi.
Një rezultat i të kujtuarit të asaj që Shpëtimtari e ka bërë për ne, është një ngjashmëri e tretë – përngjasimi. Dr. Selcmani filloi të përngjante me Presidentin Nelson dhe etosin RMN. Unë besoj se etosi i Presidentit Nelson është thjesht një shfaqje e të qenit nga ana e tij një dishepull i Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës. Për ne, sa më shumë që identifikohemi me Jezu Krishtin dhe e kujtojmë Atë, aq më shumë dëshirojmë të jemi si Ai. Si dishepuj të Tij, ne ndryshojmë për më mirë kur përqendrohemi tek Ai, më shumë sesa kur përqendrohemi te vetja jonë. Ne përpiqemi fort që të bëhemi si Ai dhe kërkojmë që të bekohemi me tiparet e Tij. Lutemi plot zell që të mbushemi me dashuri hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit.
Siç dha mësim Presidenti Nelson në prill: “Teksa dashuria hyjnore bëhet pjesë e natyrës sonë, ne do ta humbasim shtysën që t’i poshtërojmë të tjerët. Do të ndalojmë së gjykuari të tjerët. Do të kemi dashuri hyjnore për njerëzit nga të gjitha fushat e jetës. Dashuria hyjnore për të gjithë … është thelbësore për përparimin tonë. Dashuria hyjnore është themeli i një karakteri të perëndishëm.” Krah për krah me dashurinë hyjnore ne kërkojmë, “kultivojmë … e zgjerojmë” dhurata të tjera shpirtërore nga Shpëtimtari, përfshirë integritetin moral, durimin dhe zellin.
Përngjasimi me Jezu Krishtin na çon drejt një ngjashmërie të katërt – përputhjes me qëllimet e Tij. Ne i bashkohemi në veprën e Tij. Si kirurg, Dr. Nelsoni njihej si mësues, një shërues dhe një kërkues shkencor. Stema e xhaketës e përdorur në sektorin e Dr. Selcmanit thekson këto orvatje, që përfaqësojnë fjalët jep mësim, shëro dhe zbulo. Për ne, pjesa e marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit përfshin përputhjen me gatishmëri, qëllim dhe entuziazëm të synimeve tona me synimet e Tij. Ne i bashkohemi Atij në veprën e Vet kur “japim dashuri, tregojmë e ftojmë”. Ne bashkohemi me Të në veprën e Tij kur u japim shërbesë të tjerëve, veçanërisht njerëzve të cenueshëm dhe atyre që janë të plaguar, të copëtuar ose të dërrmuar nga përvojat e tyre tokësore.
Pra, ne marrim mbi vete më plotësisht emrin e Jezu Krishtit nëpërmjet identifikimit, kujtimit, përngjasimit dhe përputhjes. Bërja e këtyre katër gjërave na çon drejt një ngjashmërie të pestë – fuqizimit. Ne marrim fuqinë dhe bekimet e Perëndisë në jetën tonë. Pozicioni i profesorit me titullin Nelson i siguron Dr. Selcmanit njohje dhe fonde përkrahëse që ai po i përdor për të ndryshuar kulturën në sektorin e tij. Ai e zbaton këtë “dhurim të fuqisë” për të ndihmuar të tjerët. Në mënyrë të ngjashme, kur marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit, Ati ynë Qiellor na bekon me fuqinë e Tij për të na ndihmuar që të përmbushim misionin tonë në vdekshmëri.
Teksa bëjmë besëlidhje shtesë me Perëndinë, ne marrim mbi vete më plotësisht emrin e Jezu Krishtit. Si pasojë, Perëndia na bekon me më shumë prej fuqisë së Tij. Sikurse dha mësim Presidenti Nelson: “Çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit. … Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore … që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona.”
Ne bëhemi më shumë pranues shpirtërisht. Kemi më shumë guxim për t’u përballur me rrethana në dukje të pamundshme. Ne forcohemi më shumë në vendosmërinë tonë për ta ndjekur Jezu Krishtin. Ne pendohemi dhe kthehemi më shpejt tek Ai kur bëjmë shkelje. Bëhemi më të mirë në shpërndarjen e ungjillit të Tij me fuqinë dhe autoritetin e Tij. I ndihmojmë njerëzit nevojtarë ndërkohë që jemi më pak paragjykues, shumë më pak paragjykues. Mbajmë një heqje të mëkateve tona. Kemi paqe më të madhe dhe jemi më të gëzuar sepse gjithmonë mund të ngazëllehemi. Lavdia e Tij do të jetë përreth nesh dhe engjëjt e Tij do të kenë përgjegjësi për ne.
Shpëtimtari na fton: “[Eja]ni tek Ati në emrin tim dhe në kohën e përshtatshme të merrni plotësinë e tij”. Ju nxit që ta bëni këtë. Ejani tek Ati ynë Qiellor. Merrni mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Identifikohuni me Të. Gjithmonë kujtojeni Atë. Përpiquni fort të jeni si Ai. Bashkojuni Atij në veprën e Vet. Merrini fuqinë dhe bekimet e Tij në jetën tuaj. Gdhendeni emrin e Tij në zemrën tuaj, me gatishmëri dhe qëllim. Kjo ju jep “qëndrim” përpara Perëndisë dhe ju kualifikon për ndërmjetësimin e Shpëtimtarit si avokat në emrin tuaj. Ju do të bëheni një trashëgimtar i ekzaltuar në mbretërinë e Atit tonë në Qiell, një bashkëtrashëgimtar me të Parëlindurin e Tij, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë të dashur.
Ai jeton. Unë e di këtë në mënyrë absolute. Ai ju do. Ai e dha jetën e Tij për ju. Ai ju përgjërohet që të vini tek Ati nëpërmjet Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.