Plani i Atit Qiellor për Familjet
Mësimet, ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit i bekojnë të gjitha familjet e tokës.
Ilustrimet nga Shawna Tenney
Kohët e fundit, unë dhe Motra Uhtdorf morëm pjesë në pagëzimin e njërës prej stërmbesave tona. Teksa pamë breza të shumtë duke e festuar plot gëzim këtë ngjarje, ndiem mirënjohje të thellë ndaj Atit tonë Qiellor për planin e Tij të shpëtimit për fëmijët e Tij. Ne patëm ndjesinë se sa të rëndësishme kanë qenë familja dhe besëlidhjet e shenjta për Të qysh nga fillimi.
Ajo rëndësi mund të shihet në rrëfimin e Dhiatës së Vjetër për Jakobin besnik, i cili ndërmori një udhëtim të gjatë e të mundimshëm për të gjetur një bashkëshorte, për t’u martuar brenda besëlidhjes dhe për të krijuar një familje. Një mbrëmje, Jakobi u ndal të pushonte gjatë natës, por gjeti vetëm gurë për të vënë kryet e tij. Ai duhet të ketë qenë shumë i lodhur, sepse përsëri ia doli të binte në gjumë – dhe pa një ëndërr.
Jakobi pa “një shkallë të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbri[t]nin në të.
Dhe ja, Zoti ndodhej në majë të saj dhe i tha: ‘Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, babait tënd, dhe Perëndia i Isakut’” (Zanafilla 28:12–13).
Zoti më pas i bëri disa premtime të rëndësishme besëlidhëse Jakobit, premtime që Ai i kishte bërë gjithashtu me atin dhe gjyshin e Jakobit, Isakun dhe Abrahamin, të cilat përfshinë:
-
Premtimet se Jakobi do të bëhej ati i “një kuvend[i] popujsh” (Zanafilla 28:3, 14).
-
Një tokë të premtuar për pasardhësit e Jakobit (shih te Zanafilla 28:4, 13).
-
Premtimet se “tërë familjet e tokës do të bekohen nëpërmjet [Jakobit] dhe pasardhësve” të tij (Zanafilla 28:14; theksimi i shtuar).
Kaq e shenjtë ishte përvoja e Jakobit, sa ai shpalli: “Me siguri Zoti është në këtë vend. … Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë, dhe kjo është porta e qiellit” (Zanafilla 28:16–17). Dhe prandaj Jakobi e quajti atë rajon Beth‑el, që do të thotë “shtëpia e Perëndisë” (shih te Zanafilla 28:19, poshtëshënimi a në Biblën në anglisht).
Tempujt ngjajnë shumë me atë shkallë që pa Jakobi. Mësimet, ordinancat dhe besëlidhjet e shtëpisë së Zotit lidhin qiellin dhe tokën. Besëlidhjet mund të krahasohen me shkelëzat në një shkallë që na afrojnë më shumë me Zotin. Dhe nëpërmjet shërbimit tonë në tempujt e shenjtë, ne bekojmë “tërë familjet e tokës”: të shkuara, të tashme dhe të ardhshme.
Një Këndvështrim i Lumtur për Parajsën
Plaku Brus C. Heifën, një anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve, njëherë mori një telefonatë nga redaktori i një reviste kombëtare lajmesh që të fliste për një libër, i cili shqyrtonte historinë e bindjeve fetare rreth parajsës në fe të ndryshme.
“Autorët zbuluan se publiku ndien një uri të përhapur gjerësisht për parajsën – për familjet në parajsë”, – tha Plaku Heifën. Por “shumica e kishave të krishtera ofrojnë pak përgjigje ndaj kësaj urie të brendshme”, me një përjashtim: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Në Kishën e rivendosur të Shpëtimtarit, ne kemi tempuj të shenjtë. Kemi martesa të përjetshme, me autoritetin vulosës që bekon përtej vdekjes fizike. Ne kemi premtimin e një të ardhmeje të përjetshme me njerëzit e dashur në praninë e Atit dhe të Birit. Nisur nga e gjithë kjo, autorët arritën në përfundimin se koncepti i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për parajsën është më i ploti dhe, unë do të shtoja, më i lumturi.
Siç ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M.Nelson: “Zoti … krijoi tokën që ne të mund të fitojmë trupa fizikë dhe të formojmë familje. Ai krijoi Kishën e Tij për të ekzaltuar familjet. Ai siguron tempuj me qëllim që familjet të mund të jenë së bashku përgjithmonë.”
Mbrojtja e Familjes
Nuk duhet të na çuditë që diçka kaq e rëndësishme për planin e Perëndisë, do të përballej me kundërshtim. Presidenti M. Rasëll Ballard (1928–2023) tha: “Satani e di se mënyra më e sigurt dhe më e efektshme për ta prishur veprën e Zotit është të zvogëlojë efektshmërinë e familjes dhe të shenjtërisë së shtëpisë”.
Duke e ditur atë që dimë, ne duhet të jemi mes mbrojtësve më të zellshëm në botë për familjen.
Si e bëjmë ne këtë?
Ne mund të bëjmë “gjëra… të vogla dhe të thjeshta” (Alma 37:6) të cilat i forcojnë lidhjet familjare. Kjo përfshin ndjekjen e parimeve të përvijuara në proklamatën mbi familjen: “besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese”. Pavarësisht nga gjendja jote e tanishme familjare, ti mund të tregosh nëpërmjet veprimeve të tua se lidhjet familjare janë përjetësisht të rëndësishme për ty.
Nëpërmjet të jetuarit, mbrojtjes dhe shpërndarjes së të vërtetave të përjetshme rreth familjes, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të kuptojnë se “familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” dhe se “tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht”.
The Chosen One [I Zgjedhuri], nga Dan Wilson
“Unë Jam me Ty”
Kur unë dhe Motra Uhtdorf vështrojmë pjesëtarët e familjes sonë të bëjnë besëlidhje të shenjta me Atin tonë të dashur, të përjetshëm Qiellor, zemrat tona mbushen me gëzim e mirënjohje. Ne gëzohemi jo vetëm në fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre, por gjithashtu në prindërit tanë dhe prindërit e tyre. Ne përsiatim me dashuri të thellë se si besëlidhjet e ungjillit na bashkojnë brez pas brezi.
Bekimet që Zoti ua premtoi Abrahamit, Isakut dhe Jakobit në ëndrrën e tij, kanë plotësisht të bëjnë me familjet. Dhe ato janë për të gjithë fëmijët e Tij të besëlidhjes, përfshirë ty dhe mua. “Ja”, – tha Zoti, – “unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, … sepse nuk do të të braktis” (Zanafilla 28:15).
Unë premtoj se, kur ti e ndjek dhe e shpërndan planin e Atit tonë Qiellor për familjet, Ai do të jetë me ty, veçanërisht kur sprovat të vijnë ty ose njerëzve të tu të dashur. Ai do të të mbartë [në krahë], do të të ngrejë lart dhe do të të udhëheqë drejt një plotësie gëzimi me Të, me Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe me familjen tënde – përjetësisht.