Kurrë Pa Shpresë
Kur marrim parasysh atë që ka bërë Shpëtimtari për ne, ne mund të vazhdojmë përpara, për më lart, duke e ditur se Ai është gjithmonë me ne.
Ilustrimi nga Albert Espi
Përfytyroji duart e tua të lidhura prapa kurrizit, këmbët e tua të lidhura së bashku dhe më pas të hidhesh në një pishinë tre metra të thellë. Çfarë do të bëje? A do të përpiqeshe shumë të qëndroje në sipërfaqe të ujit e ta rraskapitje veten, apo do të qëndroje i qetë dhe do të gjeje një rrugëdalje përmes kësaj gjendjeje të vështirë?
Ata që trajnohen për t’u bërë ushtarë të skuadrave SEAL [“Det, Ajër e Tokë”], të Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara, përballen pikërisht me këtë sfidë. Quhet “prova kundër mbytjes”. Synimi është që të provohet aftësia e tyre për të mbijetuar në ujë në një larmi situatash. Pasi i lidhin dhe hedhin në ujë, pjesë e provës kërkon që ata të fundosen në pjesën e poshtme të pishinës pa i zënë paniku, të përdorin këmbët e tyre për t’u shtyrë nga pjesa fundore, të arrijnë në sipërfaqe dhe më pas me të shpejtë të marrin frymë një herë përpara se të fundosen përsëri. Kjo përsëritet për një sasi të caktuar kohe.
Shumica prej nesh nuk do të kalojë përmes trajnimit për ushtarët SEAL të Forcave Detare, por ndoshta ka disa gjëra që mund t’i mësojmë prej kësaj, dhe ndoshta madje mund të fitojmë një vlerësim më të madh për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij në udhë e sipër.
Shpëtimtari Yt Gjatë të Gjitha Gjërave
Ushtarët SEAL mbështeten te trajnimi dhe përgatitja e tyre fizike për t’ia dalë mbanë në këtë sprovë të rreptë dhe ata duhet ta përfundojnë atë të gjithën të vetëm. Ne të gjithë do të kalojmë sfida në jetë, por ndryshe nga ushtarët SEAL në trajnimin e tyre, ne kurrë nuk na duhet t’i kalojmë sfidat tona të vetëm.
Kur lidhemi keq nga mëkati, ankthi, hidhërimi apo ndonjë sfidë tjetër dhe ndihemi sikur po fundosemi, ne mund të drejtohemi te Jezu Krishti. Kur e ndiejmë se kemi rënë në fund dhe kurrë nuk do të dalim përsëri në krye, ne mund të sjellim në mend se Shpëtimtari tashmë ka qenë atje dhe Ai do të na japë forcën për ta shtyrë veten për lart, për të marrë frymë sërish dhe për të vazhduar. Me Të, ne nuk jemi kurrë pa shpresë.
Jezu Krishti është Shpëtimtari yt nga mëkati dhe vdekja. Jezu Krishti është Shëlbuesi yt kur ti dështon dhe ke nevojë të bëhesh i shëruar plotësisht shpirtërisht. Jezu Krishti është Shëruesi yt nga lëndimi dhe dhembja emocionale, shpirtërore dhe nganjëherë fizike që vetëm Ai mund t’i shërojë. Këta dhe emra të tjerë për Jezu Krishtin drejtojnë për te fakti se Ai është Personi tek i cili të drejtohemi, veçanërisht kur jeta bëhet e vështirë.
Me afrimin e Pashkës, ne kremtojmë Ringjalljen e Jezu Krishtit. Ai jeton! Dhe ngaqë Ai jeton, ne vërtet do të jetojmë përsëri dhe do të kemi premtimin e jetës së përjetshme. Por përpara Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari vuajti në Gjetseman dhe vdiq në kryq për ne, sepse Ai na do. Ai “zbriti nën gjithçka”, duke vuajtur jo vetëm për mëkatet tona, por edhe duke përjetuar çdo lloj dhimbjeje, hidhërimi, vuajtjeje dhe tundimi, pra, që Ai të mund të dinte se si të na ndihmonte (Doktrina e Besëlidhje 88:6; shih edhe tek Alma 7:11).
Shiko Shpresën Tënde tek Ai
Kur u kryqëzua Shpëtimtari, gjithçka u duk e pashpresë. Dishepujt e Tij ishin të dërrmuar. Ata e kishin ndjekur Atë, kishin besuar tek Ai, dhe tani Ai nuk ishte më. Kur Jezusi u vendos në një varr, ata u përballën me hidhërim e pasiguri. Por tri ditë më vonë, të dielën, varri ishte i zbrazët. Jezu Krishti ishte ngritur së vdekuri! Ajo çfarë dukej dikur e humbur, tani u kthye në shpresë!
Nëse gjërat duken të zymta dhe shkurajuese, sikur të të kenë hedhur në një pishinë me duart dhe këmbët të lidhura, dhe nuk e sheh dot një mënyrë shpëtimi, ndalu një çast për të gjetur shpresë te Jezu Krishti dhe sill ndërmend se thjesht nuk je ende në fund.
Shpëtimtari nuk arriti tek ajo e diel e gëzueshme Pashke pa duruar fillimisht Gjetsemanin dhe kryqin, tri ditë më parë. Prandaj, nëse po kalon një periudhë të vështirë, mos hiq dorë! Siç tha njëherë Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Në zymtinë e hidhërimit tonë, e diela do të vijë. … Pavarësisht nga pikëllimi ynë, e diela do të vijë.”
Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes dhe Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti të gjendet gjithmonë pranë për të të ndihmuar që të gjesh paqe dhe të lëvizësh përpara më shumë nga ç’mund të shpresoje ndonjëherë.