Për Forcën e Rinisë
Kremtimi i Pashkës: Vetëm Faktet
Për Forcën e Rinisë, Mars 2026


Kremtimi i Pashkës: Vetëm Faktet

Këtu janë disa gjëra që mund të mos i keni ditur rreth kremtimit të Pashkës.

Hyrja ngadhënjimtare e Jezu Krishtit në Jerusalem

Christ’s Triumphal Entry into Jerusalem [Hyrja Ngadhënjimtare e Krishtit në Jerusalem], nga Harry Anderson

Çfarë di ti rreth Pashkës? Ndoshta di pjesën më të rëndësishme: Ajo është një kremtim i flijimit shlyes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit.

Mund të jenë disa pyetje që ti i ke rreth Pashkës dhe se si kremtohet ajo nga shumica e njerëzve, si edhe përse po përqendrohemi tek ajo në këtë lloj mënyre. Këtu janë përgjigjet e disa prej pyetjeve të tilla.

Çfarë janë e Diela e Palmave dhe Java e Shenjtë?

Java e Shenjtë kremton javën e fundit të shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri. E Diela e Palmave është dita e parë e Javës së Shenjtë. Ajo kremton ditën e hyrjes ngadhënjimtare të Jezu Krishtit në Jerusalem, duke ngarë një kërriç, në përmbushje të profecisë. Njerëzit shpërndanë përtokë degë palmash dhe rrobat e trupit përpara Tij, duke bërtitur: “Hosana”. (Shih te Mateu 21:6–11.) Kjo ndodhi saktësisht një javë përpara Ringjalljes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në Pashkë, në ditën e fundit të Javës së Shenjtë. Kjo javë gjithashtu përfshin të Premten e Mirë (duke përkujtuar Kryqëzimin dhe varrosjen e Krishtit).

Jezu Krishti në Gjetseman

Jesus in Gethsemane [Jezusi në Gjetseman], nga Dan Burr

Kur filluan të krishterët të kremtonin Pashkën për herë të parë?

Anali më i hershëm që kemi për një kremtim Pashke të çfarëdo lloji, vjen nga mesi i shekullit të dytë (diku mes viteve 160 dhe 170 ps.K.). Gjithsesi, të krishterët me gjasë e kanë përkujtuar Kryqëzimin dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit në njëfarë mënyre që nga kohë shumë më të hershme. Ngaqë ata të cilët e ndjekin Jezu Krishtin, besojnë se vepra e Tij shlyese, që e arrin kulmin te Ringjallja, është ngjarja më e rëndësishme në historinë e gjithë njerëzimit, ka kuptim që ata mund t’i kenë kremtuar këto ngjarje që nga ditët më të hershme të krishterimit. Sot ne mund ta kremtojmë Shlyerjen dhe Ringjalljen e Krishtit çdo të diel kur marrim sakramentin.

Përse data e Pashkës lëviz në kalendar kaq shumë çdo vit?

Është paksa e ndërlikuar, por llogaritja bazë për të dielën e Pashkës është: Ajo është e diela e parë pas “hënës së plotë pashkore”, që është koha kur shihet hëna e parë e plotë pas ekuinoksit të pranverës në Hemisferën Veriore (21 mars). (Në fakt është ca më e ndërlikuar se kaq, por kjo mjafton.)

Arsyeja për këtë formulë ka të bëjë me dy fakte: 1) Kryqëzimi i Shpëtimtarit ndodhi gjatë Pashkës judease dhe 2) Ringjallja e Tij ndodhi në ditën e parë të javës (të dielën).

Të krishterët e hershëm debatuan nëse ishte më e rëndësishme ta kremtonin Pashkën në ditën e Pashkës judease apo në një të diel. Pashka judease është një festë judease që lidhet me kalendarin hebraik, i cili është një kalendar hënor që nuk përputhet me kalendarin diellor që përdoret nga shumica e njerëzve. Në kalendarin hebraik, Pashka judease kremtohet në ditën e 14‑të të muajit të shtatë. Veç kësaj, çdo dy ose tre vjet, ai kalendar shton një muaj shtesë që të qëndrojë në përputhje me stinët. Prandaj, lidhja e datës së Pashkës së krishterë me Pashkën judease nënkuptonte një lëvizje tepër të konsiderueshme të datës në kalendar dhe që rrallë herë do të binte në një të diel.

Për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë çështje, një këshill i krishterë në vitin 325 ps.K. vendosi ta unifikonte datën në të cilën kremtohet Pashka.

Pra, për ta thënë me pak fjalë: Bazuar në llogaritjen e përdorur nga shumica e të krishterëve, e diela e Pashkës mund të bjerë jo më herët se data 22 mars, ose jo më vonë se data 25 prill.

Darka e Fundit

In Remembrance of Me [Në Përkujtimin Tim], nga Walter Rane

Si ndodhi që lepujt dhe vezët u lidhën me Pashkën?

Lepujt e Pashkës (ose kafshë të tjera) që shpërndanin vezë, filluan të shfaqeshin në Europë në shekullin e 17‑të. Këto gjëra nuk u bënë të zakonshme deri në shekullin e 19‑të. Besohet se njerëzit i huazuan ato nga simbole jo të krishtera të kohës së pranverës, ripërtëritjes dhe jetës dhe më pas i lidhën ato me Pashkën dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit.

Jezu Krishti duke dalë nga varri

Jesus Coming Out of Tomb [Jezusi Duke Dalë nga Varri], nga Dan Burr

Përse po përqendrohemi kaq shumë te Pashka?

Presidenca e Parë na ka kërkuar t’i lartësojmë kremtimet tona të Pashkës. “Pavarësisht nga ajo që besojnë apo bëjnë të tjerët, ne duhet ta kremtojmë Ringjalljen e Shpëtimtarit tonë të gjallë duke i studiuar mësimet e Tij dhe duke ndihmuar në themelimin e traditave të Pashkës në shoqërinë tonë si një e tërë, sidomos brenda familjeve tona. Ne ju sfidojmë që të bëni kështu” (Dallin H. Oaks, “He Is Risen!: A Special Easter Season Message from the First Presidency” [material filmik], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).