Për Forcën e Rinisë
Pashka Jonë – Sakramenti
Për Forcën e Rinisë, Mars 2026


Eja, Më Ndiq

Eksodi 12

Pashka Jonë – Sakramenti

Ka një fill bashkues midis Pashkës së lashtë judease dhe sakramentit tonë të përjavshëm.

e re

Ilustrimet nga Alyssa Tallent

Përpara se izraelitët e lashtë të mund të largoheshin nga robëria e tyre në Egjipt, atyre iu kërkua t’iu bindeshin udhëzimeve të veçanta nga Zoti me qëllim që engjëlli shkatërrues t’i kursente ata ose të kalonte pa i prekur ata (shih tek Eksodi 12). Pasi u larguan nga Egjipti, izraelitët kremtonin një festë çdo vit, të quajtur Pashkë, për të kujtuar se si Zoti e çliroi popullin e Tij të besëlidhjes.

Gjatë javës së fundit të jetës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti ishte ulur për të ngrënë një vakt të Pashkës judease. Ne tani e quajmë atë vakt Darka e Fundit. Shpëtimtari e përdori atë rast për të paraqitur ordinancën e sakramentit, në të cilën ne tani marrim pjesë çdo javë. (Shih te Mateu 26:26–28; Lluka 22:19–20; Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79.)

Këtu janë dy fije lidhëse midis Pashkës së parë judease, Darkës së Fundit të Zotit dhe sakramentit të sotëm, të cilat mund të na ndihmojnë të kujtojmë çlirimin tonë nëpërmjet Shpëtimtarit.

korniza e derës gjatë Pashkës judease
Darka e Fundit
bukë dhe ujë sakramenti

Buka

Pashka judease: Për shtatë ditë, izraelitët hëngrën bukë pa maja (e cila është si më e shpejtë për t’u bërë, ashtu edhe më pak e prirur për t’u mykur dhe prishur).

Darka e Fundit: Jezu Krishti e bekoi dhe e theu bukën pa maja të Pashkës judease dhe Ai ua dha dishepujve. Ai u tha ta hanin në kujtim të trupit të Tij, të cilin Ai e dinte se shpejt do të “thyhej” e do të vdiste, por do të ngrihej sërish së vdekuri.

Sakramenti: Ne hamë bukë në kujtim të trupit të Jezu Krishtit.

Jezu Krishti është Buka e Jetës. Nëpërmjet Ringjalljes së Tij, ne të gjithë do të ringjallemi me trupa të përsosur, të paprishshëm dhe të pavdekshëm. Ai na çliron nga vdekja.

Gjaku i Qengjit

Pashka judease: Qengji i Pashkës judease ishte një qengj njëvjeçar, mashkull dhe pa të meta. Ai therej dhe gjaku i tij mblidhej në një enë. Hisopi (një erëz) zhytej në enë dhe përdorej për ta shpërndarë gjakun përreth kornizës së jashtme të derës së shtëpisë. Kjo ishte shenja e jashtme që identifikonte njerëzit e besëlidhjes së Zotit që engjëlli shkatërrues të kalonte pa i prekur, me qëllim që ata të mund të çliroheshin nga robëria në Egjipt.

Darka e Fundit: Jezu Krishti përdori verën për të përfaqësuar gjakun e Tij. Ai u tha dishepujve të Tij që të pinin në kujtim të gjakut të Tij, i cili do të derdhej për ta për heqjen e mëkateve dhe si pjesë e një besëlidhjeje të re.

Sakramenti: Ne pimë ujë në kujtim të gjakut të Jezu Krishtit.

Jezu Krishti është Qengji i Perëndisë. Gjaku i Tij u derdh teksa vuajti për mëkatet dhe dobësitë tona. Gjaku i Tij – flijimi i Tij – na pastron. Ai na çliron nga mëkati.