Për Forcën e Rinisë
Një Pashkë e Përqendruar te Shpëtimtari
Për Forcën e Rinisë, Mars 2026


Një Pashkë e Përqendruar te Shpëtimtari

Dhe një Jetë e Përqendruar te Pashka

Ne të gjithë mund ta përdorim fuqinë e Shpëtimtarit për ngushëllim e ndryshim.

i ri

Fotografitë nga Janae Bingham

Në seminar, ne folëm rreth domethënies së vërtetë që ka Pashka dhe se si duhet ta kremtojmë atë. Nuk ka në fokus thjesht karamelet dhe lepurushët, ajo ka në fokus Shpëtimtarin. Pyeta veten: “Cilat tradita të Pashkës mund të filloj në shtëpinë time që përqendrohen më shumë te Shpëtimtari?”

Jezu Krishti

Më pëlqen të ndërtoj gjëra me copëza LEGO‑je®. Gjeta një figurë të Shpëtimtarit nga Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet dhe e ktheva në udhëzime për formimin e figurës me copëza. Punoja me formimin e figurës ndërkohë që dëgjoja konferencën e përgjithshme. Kur mbarova, e vara atë në mur në shtëpinë time.

familje ulur në tryezë

Shpërndarja e Statujëzave të Shpëtimtarit

Gjithashtu bleva një kuti të madhe me statujëza të Jezu Krishtit për Pashkën. Fillimisht doja t’i fshihja ato kudo në shkollën time. Por kur njerëzit në shkollë e panë kutinë, ata më kërkuan statujëza. Edhe mësuesit filluan të m’i kërkonin. Dhe, pastaj, fëmijë që kurrë nuk e mendoja se do të dëshironin një statujëz të Jezusit, më kërkuan një. Dhe kështu ua dhashë të gjithëve që pashë.

i ri duke luajtur në kontrabas

Shpëtimtari nuk pati frikë që të fliste me këdo, madje me njerëzit më të përjashtuar në shoqërinë e Tij. Ai ishte si një mik me ta. Shpenzoi kohë me ta. Hëngri me ta. Shpërndarja e statujëzave më mësoi të jem më i shoqërueshëm, sikurse ishte Shpëtimtari. Gjithashtu më mësoi se pavarësisht se kush je, pavarësisht se çfarë mendon se ke bërë, ka gjithmonë vend për Jezu Krishtin në jetën tënde.

Ndryshimi Nëpërmjet Shpëtimtarit

Gjatë gjithë jetës sime kam pyetur veten, si ta përdor Shlyerjen e Shpëtimtarit? Por këtë Pashkë mësova se, po të bëj ndryshime në jetën time që të bëhem më shumë si Shpëtimtari, hiri i Tij shlyes është duke funksionuar në jetën time. Dhe nëse përpiqem çdo ditë për t’i ndryshuar gjërat e vogla, atëherë do të filloj të bëhem më i mirë.

Për disa vjet në jetën time, pata një betejë me përdorimin e pornografisë. Pas një mësimi në seminar, u frymëzova të flas me peshkopin tim. Ishte shumë më e lehtë ta filloja kapërcimin e betejës sime kur më së fundi ua thashë peshkopit tim dhe prindërve të mi, sepse është vërtet e vështirë ta kalosh këtë gjë i vetëm.

i ri duke u lutur

Fillova të përpiqem të lutesha dhe t’i lexoja shkrimet e mia të shenjta çdo ditë dhe u përpoqa të isha më i sjellshëm në shkollë. Kjo më ndihmoi sepse po përqendrohesha më shumë te Shpëtimtari sesa te mëkatet e mia. U drejtova më shumë drejt Tij sesa te gjendja ku isha në të shkuarën.

Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, e kam kapërcyer betejën time me pornografinë. Jam bërë më shumë personi që Perëndia ka nevojë që unë të jem. Tani jam në gjendje ta bekoj sakramentin sepse Shpëtimtari më ndryshon e më pastron. Jam mirënjohës që të jem i denjë për ta përdorur priftërinë që të bekoj jetën e njerëzve përreth meje.

familje duke studiuar shkrimet e shenjta

Lidhja e Pashkës me Mua

Këtë vit, gjatë seminarit, pata një përvojë vërtet të këndshme kur po flisnim rreth flijimit të Shpëtimtarit. Pata mendimin se ndërkohë që po vuante, Ai mund ta kishte ndalur atë në çdo çast. Por më pas e përfytyrova Atë duke menduar: “Jo, duhet të vazhdoj ta bëj këtë. Duhet ta bëj këtë për Benin. Ai ka nevojë për këtë.” Për mua, ai mendim e lidhi Pashkën me marrëdhënien time me Shpëtimtarin.

familje

Pashkën e ardhshme, ndoshta do të punoj me copëza një figurë tjetër të Jezusit. Patjetër dëshiroj të shpërndaj më shumë statujëza. Sido që të ndodhë, unë do të mendoj rreth vuajtjes së Krishtit dhe Shlyerjes së Tij për mua. Për shkak të Tij, unë mund të pendohem për mëkatet e mia dhe të kthehem tek Ai dhe Ati Qiellor një ditë.

E di se Shpëtimtari jetoi dhe vdiq për secilin prej nesh personalisht dhe se Ai e di se kush jemi dhe çfarë na nevojitet. Nëse përpiqemi vërtet, ne mund ta përdorim fuqinë e Tij për ngushëllim e ndryshim dhe mund të bëhemi njerëz më të mirë.

Autori jeton në Ajdaho, SHBA.