Për Forcën e Rinisë
Çdo Ditë si Pashka
Për Forcën e Rinisë, Mars 2026


Çdo Ditë si Pashka

Bëje Pashkën një periudhë shprese duke u afruar më shumë me Shpëtimtarin.

pamje e të rinjve dhe të rejave duke bërë veprimtari të ndryshme, brenda një ore

Ilustrimet nga Toby Newsome

Në të dielën e parë të Pashkës, kur Maria Magdalena dhe gra të tjera vizituan varrin e Krishtit, engjëjt u thanë atyre: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” (Mateu 28:6). Ky mesazh u solli kaq shumë shpresë dishepujve të Tij pas dëshpërimit të dëshmimit të Kryqëzimit të Tij.

Po lajmi më i mirë? Ky mesazh është akoma i vërtetë! Krishti është akoma i gjallë. Ai është akoma fitimtar mbi vdekjen dhe mëkatin. Dhe shpresa që vjen nga Ringjallja e Tij, është akoma në dispozicion për ty – jo vetëm për Pashkë, por gjatë gjithë kohës!

Pashka nuk është e vetmja ditë kur ti mund ta nderosh Ringjalljen. Provo disa nga këto sugjerime për ta bërë Pashkën – dhe kremtimet e saj për Shpëtimtarin, Shlyerjen e Ringjalljen e Tij – një periudhë të tërë shprese dhe gëzimi.

Studioje Jetën e Shpëtimtarit

Shkrimet e shenjta janë një mjet i fuqishëm për të të ndihmuar që të arrish ta njohësh Jezu Krishtin personalisht dhe ta forcosh besimin tënd tek Ai. Gjatë periudhës së Pashkës, mund të përqendrohesh te studimi yt i shkrimeve të shenjta mbi javën e fundit të jetës së Tij ose mbi vizitën e Tij në kontinentin amerikan si Shpëtimtari i ringjallur i botës. Leximi i këtyre rrëfimeve të fuqishme mund të të ndihmojë të ndiesh dashurinë e Shpëtimtarit për ty dhe të kuptosh më mirë Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij.

Nëse nuk je i sigurt se te cilat fragmente të përqendrohesh, mund të përpiqesh të ndjekësh udhëzuesin e studimit për Pashkën në programin Eja, Më Ndiq ose udhëzues të tjerë studimi të publikuar te faqja ChurchofJesusChrist.org.

Merr Pjesë në Punën në Tempull

Fitorja e Krishtit mbi vdekjen dhe njohuria se edhe ne do të ringjallemi është “më i lavdishmi i të gjitha mesazheve ndaj njerëzimit”. Për shkak të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, familjet tona mund të jenë të përjetshme dhe të gjithë paraardhësit tanë mund të kenë mundësinë për të bërë besëlidhje të shenjta.

Ti mund ta kremtosh Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe ta vazhdosh punën e Tij për shëlbimin e atyre që janë në burgun e shpirtrave (shih te 1 Pjetër 3:18–20) duke bërë historinë familjare dhe punën në tempull. Shërbimi yt në tempull i lejon edhe ata shpirtra që të zgjedhin për të marrë të gjitha bekimet e Shlyerjes së Krishtit.

Shërbeju të Tjerëve Ashtu si do t’u Shërbente Krishti

Jezu Krishti i lartësoi moralisht dhe u shërbeu të tjerëve gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri në tërësi, edhe ndërkohë që ishte në kryq. Ti mund ta nderosh shembullin e Tij duke u shërbyer njerëzve përreth teje sipas mënyrës që do t’u shërbente Ai. Edhe veprime të thjeshta mirësie si të buzëqeshurit shpesh, të dëgjuarit me të vërtetë të të tjerëve dhe ndihma për punët nëpër shtëpi, mund të krijojnë një mjedis dashurie si të Krishtit. Kur u shërben të tjerëve, ju, si ti edhe ata, mund të ndieni shpresën dhe mirësinë e periudhës së Pashkës.

Merre Sakramentin Plot Qëllim

Vetë Shpëtimtari krijoi një traditë për të të ndihmuar që ta kujtosh Atë më mirë se gjithçka tjetër: sakramentin. Marrja e sakramentit tregon se ti je i gatshëm që “gjithmonë ta kujto[sh] atë e të zbato[sh] urdhërimet [e Tij]” dhe në këmbim Ai premton se ti do të “ke[sh] gjithmonë Shpirtin e tij me [vete]” (Doktrina e Besëlidhje 20:77). Ky është një premtim i fuqishëm! Kur e merr sakramentin çdo javë, mund të fillosh ta ndiesh të vërtetën e atij premtimi për Pashkë dhe gjithmonë.

Përpiqu të reflektosh për shërbesën, Shlyerjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit teksa merr sakramentin. Lutu sinqerisht dhe përpiqu të mendosh rreth mënyrës se si flijimi i Tij të ka bekuar personalisht.

Shënim

  1. Dallin H. Oaks, Facebook, 2 janar 2025, facebook.com/dallin.h.oaks.