Nuk të Nevojitet të Jesh Specialist
“I talentuar” apo jo, çdo njeri mund të frymëzohet.
Ilustrimet nga Getty Images
Shumicës prej nesh i ka rënë rasti të ndeshet me ndonjë vepër të bukur arti apo argëtuese dhe të ketë menduar: “Sa do të doja të mund ta bëja atë, por nuk jam aq i talentuar”.
Shumë nga veprat e tua të parapëlqyera u bënë me të vërtetë nga njerëz me shumë talent të natyrshëm. Por do të habiteshit nga fakti se sa shpesh ishte thjesht një njeri i zakonshëm që pati një ide të frymëzuar.
“Let Easter Anthems Ring” [“Le të Kumbojnë Himnet e Pashkës”], njëri nga himnet e reja që Kisha i ka publikuar kohët e fundit, u shkrua nga një shenjtor i ditëve të mëvonshme i quajtur Leri A. Hiller. Ai ishte shkrimtar dhe redaktor profesionist (tani në pension), por jo autor këngësh. Nuk ishte as këngëtar apo muzikant i shkëlqyer.
Ishte thjesht dikush që e donte muzikën dhe pati një ide të frymëzuar.
Ndërkohë që shërbente si drejtues i korit të lagjes vite më parë, Vëllai Hiller provoi të shkruante një tekst të ri për një këngë të vjetër që zbuloi. Ai mori kënaqësi nga ajo përvojë dhe pyeti një shoqe e cila punonte për Kishën, a ishte në dijeni për ndonjë këngë tjetër që kishte nevojë për tekst të ri. Ajo i tregoi për një melodi himni të kompozuar në vitet 1800.
Vëllai Hiller tha: “U ula duke e dëgjuar atë muzikë dhe fjalët më erdhën në mendje menjëherë: ‘Ngrihuni, o shenjtor’, g’zohuni’. Dhe që në atë çast e ndjeva tekstin e përgjithshëm dhe se si duhej të ishte – një këngë gëzimi rreth Shpëtimtarit.”
Ai himn u botua në revistën Ensign në vitin 2012. Kishte katër strofa dhe ishte rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. “Kishte një përqendrim të fortë tek ideja se ‘ju do t’i shihni njerëzit tuaj të dashur përsëri; ka një ringjallje’”, – tha Vëllai Hiller. Kur Kisha bëri thirrjen për himne të reja, Vëllait Hiller iu kërkua ta përqendronte tekstin e tij posaçërisht te Pashka.
Pasi ndryshoi shumë nga teksti, edhe pse vargu i parë mbeti “Ngrihuni, shenjtorë, gëzohuni”, Vëllai Hiller tani kishte krijuar një himn me tri strofa të titulluar “Let Easter Anthems Ring” [“Le të Kumbojnë Himnet e Pashkës”]. Ka gjasë që ta këndosh në mbledhjen e sakramentit këtë periudhë Pashke.
A u ndje Vëllai Hiller i frymëzuar kur i shkroi fjalët?
“Është përulëse ta thuash këtë gjë”, – tha ai. “Por po. Ka pasur raste kur e ndjeva rrjedhën e fjalëve të më vinte në mendje. Është diçka që të kënaq dhe të sjell gëzim qetësisht. Dhe shpesh mund të ndiej një jehonë të atij gëzimi kur rilexoj diçka që më preku në mënyrë të veçantë në atë rast. Ky episod, m’i sjell përsëri ato ndjenja dëshmie. Është pothuajse si ta jetosh sërish përvojën.”
Njerëzit ndoshta do ta pëlqejnë shumë himnin, por duket se personi që fitoi më së shumti prej tij ishte (vëmendje): … ai që e shkroi atë! Përdorimi i talenteve dhe ideve tona të frymëzuara nuk bekon thjesht të tjerët, na bekon edhe ne.