Hosanaja Ime
Secili prej nesh ka diçka në jetën e vet që na bën të biem në gjunjë.
Një nga kapitujt e mi më të parapëlqyer të Dhiatës së Re, flet rreth hyrjes ngadhënjimtare të Jezu Krishtit në Jerusalem. Njerëzit thërrisnin: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!” (Mateu 21:9). Sa herë që e lexoj këtë, mendoj: Cila është hosanaja ime?
Kam pasur një problem me mekjen në të folur, tërë jetën time. Me raste jam ndier e acaruar dhe e shkurajuar sepse nuk mund ta shprehja veten në mënyrën që dëshiroja. Kam dëshiruar që ose të flas në mënyrë të përsosur, ose të mos flas më kurrë. Gjithmonë shqetësohem kur flas para të tjerëve ose edhe kur lutem me zë të lartë. Jam përgjëruar në heshtje për durim, paqe dhe ndihmë shumë herë. Kjo është njëra nga hosanatë e mia vetjake, thirrja im për çlirim.
Ashtu si nuk i shpërfilli thirrjet e njerëzve në Jerusalem, Krishti kurrë nuk i ka shpërfillur thirrjet e mia. Ai nuk ma ka hequr mekjen në të folur, por më ka forcuar në mënyra që nuk e prisja. Ai më ka ndihmuar të ndiej paqe në çastet e ankthit dhe të kuptoj se zëri im, me të meta siç mund të jetë, është i mjaftueshëm për Të.
Secili prej nesh ka diçka në jetën e vet që na bën të biem në gjunjë. Nganjëherë, mund të ndiejmë se përgjërimet tona nuk po marrin përgjigje. Por Ai e dëgjon secilën hosana. Dhe në mënyrën dhe kohën e Tij të përsosur, Ai do të na vijë në ndihmë.
Në Gjetseman, Krishti vuajti për mëkatet tona dhe i ndjeu dhembjet tona dhe vështirësitë tona. Ai vazhdon t’i udhërrëfejë dhe ngushëllojë të gjithë që drejtohen tek Ai dhe Ati Qiellor. I njëjti Krisht që vuajti për ne në Gjetseman dhe në kryq, gjithashtu u ngrit nga varri, duke e mposhtur vdekjen që ne të mund të kemi shpresë. Ringjallja e Tij është përgjigjja përfundimtare ndaj çdo hosanaje.
Autorja jeton në Kaliforni, SHBA.