Për Forcën e Rinisë
Gjetja e Shlyerjes së Shpëtimtarit në Dhiatën e Vjetër
Për Forcën e Rinisë, Mars 2026


Thesare të Fshehura

Gjetja e Shlyerjes së Shpëtimtarit në Dhiatën e Vjetër

Shihe imtësisht; mësoje thellësisht.

Disa njerëz mund të mendojnë se Dhiata e Vjetër, e cila u shkrua përpara se të lindte Shpëtimtari dhe nuk e përmend me emër Jezu Krishtin, nuk ka shumë se çfarë të thotë rreth Pashkës. Por siç e sqaron Libri i Mormonit, njerëzit në kohët e lashta gjithashtu dinin për Shpëtimtarin dhe patën besim tek Ai (shih te Jakobi [LiM] 4:4).

Izraelitëve u qe mësuar se qëllimi i ligjit të Moisiut ishte që t’i drejtonte te Krishti. Për shembull, kur ata u shëruan nga kafshimet e gjarpërinjve helmues, duke shikuar te gjarpri prej bronzi që Zoti e kishte udhëzuar Moisiun ta bënte, Moisiu u dha mësim se kjo ishte një simbolikë e Shpëtimtarit, i cili do të vinte dhe do t’i shpëtonte nga mëkatet e tyre (shih te Numrat 21:7–9; Alma 33:18–20).

Për fat të keq, një pjesë e shumtë e asaj qartësie mungon nga Bibla siç e kemi atë sot, për shkak të ndryshimeve – si të qëllimshme, edhe të rastësishme – gjatë shekujve (shih te 1 Nefi 13:23–27).

Por nëse e shikon, ende mund të gjesh shumë referenca të Shpëtimtarit dhe të Shlyerjes së Tij në Dhiatën e Vjetër. Le të flasim për disa.

Jezu Krishti në Gjetseman

E Diela e Palmave, Gjetsemani dhe Gjyqi

“Mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri” (Zakaria 9:9).

Kjo u përmbush në atë që njihet tani si e Diela e Palmave, shtatë ditë përpara Pashkës së krishterë, kur Jezusi në mënyrë ngadhënjimtare hyri në Jerusalem (shih te Mateu 21:15).

“Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur” (Isaia 53:4).

Në Gjetseman, Shpëtimtari vuajti për të gjitha mëkatet – dhe ndjeu hidhërimet, dhembjet, sëmundjet dhe vuajtjet – e çdo njeriu që kishte jetuar ndonjëherë ose do të jetonte ndonjëherë në tokë. Për shkak të kësaj, Ai e di se si të na ngushëllojë në sprovat tona (shih tek Alma 7:11–13; shih edhe te Mateu 8:17).

“I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën” (Isaia 53:7).

Jezusi qëndroi i heshtur kur kryeprifti e pyeti Atë (shih te Marku 14:60–61).

Kryqëzimi

Kryqëzimi

“Një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët” (Psalmeve 22:16).

“Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time” (Psalmeve 22:18).

“Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull” (Psalmeve 69:21).

Kryqëzimi ishte një metodë e zakonshme ekzekutimi në atë kohë, por ushtarët romakë qenë veçanërisht të egër në talljen dhe torturimin e Shpëtimtarit prej tyre (shih te Gjoni 19:1–3; Mateu 27:34–35, 48).

Jezu Krishti te varri me Marien

Ringjallja

“Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur” (Isaia 25:8).

“Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë” (Jobit 19:25–26).

Zoti Jezu Krisht u ringjall. Ai është tani i gjallë! Shkrime të shenjta dhe dëshmi të panumërta e pohojnë këtë. Veç kësaj, Ati ynë Qiellor e dinte që nga fillimi se neve do të na nevojitej një Shpëtimtar dhe Ai i ka përgatitur fëmijët e Tij për ta pranuar Shpëtimtarin që nga kohët e Dhiatës së Vjetër.