Sesioni i Paradites të së Shtunës
Të Shëruar Plotësisht Shpirtërisht në Të
Pjesë të shkëputura
Shëruesi Mjeshtër do t’i shërojë të gjitha mundimet tona – fizike dhe emocionale – në kohën e Vet. Mirëpo, në pritje për t’u shëruar, a mund të jetë dikush me shëndet të plotë? …
Besimi te Jezu Krishti sjell shpresë. Unë gjej shpresë në bërjen çmos për të qenë e shëruar në mënyrë të plotë, një shërim i plotë që lind prej besimit te Jezu Krishti. Besimi tek Ai ma shton shpresën për shërim dhe ajo shpresë ma përforcon besimin te Jezu Krishti. Ai është një cikël i fuqishëm. …
Të jesh i shëruar plotësisht do të thotë të jesh i përmbushur dhe i plotë. Ashtu si pesë virgjëreshat e mençura, që i kishin llambat e tyre plot me vaj kur erdhi dhëndri, ne mund të jemi të shëruar plotësisht në Jezu Krishtin, teksa i mbushim llambat tona me vajin ushqyes të kthimit në besim tek Ai. …
Neve na kanë urdhëruar që ta shpërndajmë dritën e Tij. Prandaj, mbajeni llambën tuaj plot me vajin e kthimit në besimin te Jezu Krishti dhe përgatituni që ta mbani flakën e llambës të ndezur dhe që të ndriçojë fort. Më pas lëreni atë dritë të shndritë. Kur japim nga drita jonë, ne u sjellim të tjerëve lehtësimin prej Jezu Krishtit, kthimi ynë në besim tek Ai thellohet dhe mund të jemi të shëruar plotësisht edhe ndërsa presim për shërim. Dhe ndërsa e lëmë dritën tonë të shkëlqejë fort, mund të jemi plot gëzim edhe ndërkohë që presim. …
Motra dhe vëllezër, përgjigjja është po, ne mund të jemi të shëruar plotësisht shpirtërisht, edhe ndërkohë që presim për shërim fizik dhe emocional. Shërimi i plotë nuk ka përse të nënkuptojë medoemos rivendosje të shëndetit fizik dhe emocional në këtë jetë. Shërimi i plotë lind kur besojmë dhe kthehemi në besim te Jezu Krishti, si dhe kur e lëmë dritën e atij kthimi në besim që të shkëlqejë.