Të Shëruar Plotësisht Shpirtërisht në Të
Shërimi i plotë nuk ka përse të nënkuptojë medoemos rivendosje të shëndetit fizik dhe emocional në këtë jetë. Shërimi i plotë lind prej besimit te Jezu Krishti dhe kthimit në besim tek Ai.
Dhjetë lebrosë i thirrën Shpëtimtarit: “Ki mëshirë për ne”. Dhe Jezusi pati mëshirë. Ai u tha atyre që të paraqiteshin te prifti dhe ndërsa po shkonin, u pastruan nga sëmundja.
Njëri prej tyre, kur e pa që ishte shëruar, brohoriti duke përlëvduar Perëndinë. Ai u kthye te Shpëtimtari, ra te këmbët e Tij dhe i shprehu mirënjohje.
Dhe Shpëtimtari i tha atij që qe mirënjohës: “Besimi yt të shëroi” [plotësisht].
Jezu Krishti kishte shëruar dhjetë lebrosë. Mirëpo njëri, duke u kthyer te Shpëtimtari, mori diçka më tepër. Ai u shërua plotësisht.
Nëntë lebrosë u shëruan fizikisht.
Njëri u shërua fizikisht dhe u shërua plotësisht shpirtërisht.
Duke e përsiatur këtë histori, kam pyetur veten nëse e kundërta është e vërtetë. Nëse shërimi dhe shëndeti i plotë nuk janë e njëjta gjë, a mund të shërohet plotësisht shpirtërisht dikush prej Tij, por që nuk është shëruar ende fizikisht dhe emocionalisht?
Shëruesi Mjeshtër do t’i shërojë të gjitha mundimet tona – fizike dhe emocionale – në kohën e Vet. Mirëpo, në pritje për t’u shëruar, a mund të jetë dikush me shëndet të plotë?
Çfarë mund të nënkuptojë fraza të jesh i shëruar plotësisht shpirtërisht?
Ne jemi të shëruar plotësisht në Jezu Krisht, kur ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes për ta ndjekur Atë me besim, kur ia dorëzojmë zemrën Atij që Ai të mund ta ndryshojë, kur i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe hyjmë në një marrëdhënie besëlidhëse me Të, duke duruar me përulësi dhe duke mësuar nga sfidat e kësaj gjendjeje tokësore derisa të kthehemi sërish në praninë e Tij dhe të shërohemi në çdo aspekt. Unë mund të jem me shëndet të plotë ndërsa pres për shërim, nëse i përkushtohem me gjithë zemër marrëdhënies sime me Të.
Besimi te Jezu Krishti sjell shpresë. Unë gjej shpresë në bërjen çmos për të qenë e shëruar në mënyrë të plotë, një shërim i plotë që lind prej besimit te Jezu Krishti. Besimi tek Ai ma shton shpresën për shërim dhe ajo shpresë ma përforcon besimin te Jezu Krishti. Ai është një cikël i fuqishëm.
Zoti i tha Enosit se besimi i tij e kishte “shëruar”. Shërimi i plotë erdhi teksa Enosi përsiaste fjalët e atit të tij, Jakobit, që ishte profeti, teksa ishte i etur për ta kuptuar mundësinë për jetë të përjetshme, teksa i thërriste Perëndisë në lutje të fuqishme. Dhe në atë gjendje dëshire dhe përulësie, zëri i Zotit erdhi tek ai, duke i thënë se mëkatet i ishin falur. Enosi e pyeti Zotin: “Zot, si u bë ajo?” Dhe Zoti iu përgjigj: “Për shkak të besimit tënd në Krishtin, … besimi yt të ka bërë ty të shëruar”.
Nëpërmjet besimit tonë te Jezu Krishti, ne mund të përpiqemi të jemi të shëruar plotësisht shpirtërisht ndërsa presim dhe shpresojmë për shërim fizik dhe emocional.
Në saje të flijimit të Tij shlyes dhe kur pendohemi sinqerisht, Shpëtimtari na shëron nga mëkati, siç bëri me Enosin. Shlyerja e Tij e pafundme arrin gjithashtu deri te pikëllimet dhe trishtimet tona.
Mirëpo Ai mund të mos sigurojë shërim nga shëndeti i lig dhe sëmundja, dhembja kronike, çrregullimet autoimune si skleroza e shumëfishtë, kanceri, ankthi, depresioni dhe të tjera si ato. Ai lloj shërimi vjen në kohën e Zotit. Dhe ndërkohë, ne mund të zgjedhim të shërohemi plotësisht duke ushtruar besimin tonë tek Ai!
Të jesh i shëruar plotësisht do të thotë të jesh i përmbushur dhe i plotë. Ashtu si pesë virgjëreshat e mençura, që i kishin llambat e tyre plot me vaj kur erdhi dhëndri, ne mund të jemi të shëruar plotësisht në Jezu Krishtin, teksa i mbushim llambat tona me vajin ushqyes të kthimit në besim tek Ai. Në këtë mënyrë, përgatitemi për darkën simbolike të dasmës, Ardhjen e Tij të Dytë.
Në shëmbëlltyrë, të dhjeta virgjëreshat ishin në vendin e duhur, duke pritur dhëndrin. Secila prej tyre erdhi me një llambë me vete.
Mirëpo, kur erdhi Ai, papritur në mesnatë, pesë budallaçkat nuk kishin mjaftueshëm vaj për llambat e tyre. Ato nuk përshkruheshin si të këqija, por si budallaçka. Budallaçkat nuk ia dolën të përgatiteshin siç duhej për t’i mbajtur llambat e tyre të ndezura me vajin e kthimit në besim.
Dhe kështu, në përgjigje të kërkesës së tyre për t’i lejuar që të hynin në darkën e dasmës, dhëndri u përgjigj: “Ju nuk më njihni”.
Pra, nënkuptoi se pesë virgjëreshat e mençura e njihnin vërtet Atë. Ato ishin të shëruara plotësisht në Të.
Llambat e tyre ishin plot me vajin e çmuar të kthimit në besim, gjë që i lejoi virgjëreshat e mençura të hynin në gostinë e dasmës në anën e djathtë të dhëndrit.
Siç është shprehur nga Shpëtimtari: “Jini besnikë, gjithmonë duke u lutur, duke i pa[s]ur llam[b]at tuaja të rregulluara e të ndezura dhe vaj me vete, që të mund të jeni gati për ardhjen e Dhëndrit”.
Five Wise Virgins [Pesë Virgjëreshat e Mençura], nga Ben Hammond
Një skulpturë madhështore që paraqet pesë virgjëreshat e mençura, u vendos së fundi në Sheshin e Tempullit, pak jashtë dyerve të Ndërtesës së Shoqatës së Ndihmës dhe aty ku bie hija e Tempullit të Solt‑Lejkut.
Është një vendndodhje që i shkon për shtat shëmbëlltyrës. Sepse, kur bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet, sidomos ato që vihen në dispozicion në shtëpinë e Zotit, ne i mbushim llambat tona me vajin e kthimit në besim.
Ndonëse gratë e përfaqësuara si pesë virgjëreshat e mençura nuk po u japin të tjerëve nga vaji i kthimit të tyre në besim, ato po japin nga drita e tyre ndërsa i mbajnë lart llambat që janë plot me vaj dhe duke ndriçuar fort. Në mënyrë domethënëse, ato paraqiten duke e përkrahur njëra‑tjetrën, krah për krah, me dorën të hedhur tek njëra‑tjetra, duke u parë sy më sy dhe duke ua bërë me shenjë të tjerëve që të vijnë te drita.
Në të vërtetë, “[ne] je[m]i drita e botës”. Shpëtimtari shpalli:
“Unë ju porosis që të jeni drita e këtij populli. Një qytet që është i ngritur mbi një kodër, nuk mund të fshihet.
… A ndezi[m ne] një qiri dhe e vë[m]ë atë nën një babunë? Jo, por e vë[m]ë mbi një shandan, që t’u japë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi;
Prandaj, le të shkëlqejë drita juaj para këtyre njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”
Neve na kanë urdhëruar që ta shpërndajmë dritën e Tij. Prandaj, mbajeni llambën tuaj plot me vajin e kthimit në besimin te Jezu Krishti dhe përgatituni që ta mbani flakën e llambës të ndezur dhe që të ndriçojë fort. Më pas lëreni atë dritë të shndritë. Kur japim nga drita jonë, ne u sjellim të tjerëve lehtësimin prej Jezu Krishtit, kthimi ynë në besim tek Ai thellohet dhe mund të jemi të shëruar plotësisht edhe ndërsa presim për shërim. Dhe ndërsa e lëmë dritën tonë të shkëlqejë fort, mund të jemi plot gëzim edhe ndërkohë që presim.
Një shembull nga shkrimet e shenjta është i dobishëm për përforcimin e parimit që ne mund të jemi të shëruar plotësisht teksa kthehemi në besimin te Jezu Krishti dhe të marrim forcë nga Ai, edhe ndërkohë që presim për shërim.
Apostulli Pal kishte diçka që e mundonte, që ai e përshkroi si një “gj[e]mb në mish”, për të cilin i kishte kërkuar Zotit tri herë që t’ia hiqte. Dhe Zoti i tha Palit: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Për këtë Pali shpalli:
“Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem … për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.
Prandaj unë kënaqem në dobësi, … në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.”
Shembulli i Palit sugjeron se edhe në dobësitë tona, forca jonë te Jezu Krishti mund të bëhet e përsosur, që do të thotë, e përmbushur dhe e plotë. Ata që përleshen me mundimet e vdekshmërisë dhe i drejtohen Perëndisë me besim si Pali, mund të marrin bekimet nga njohja e Perëndisë.
Pali nuk u shërua nga ajo që e mundonte, por ishte i shëruar plotësisht shpirtërisht në Jezu Krisht. Madje edhe në fatkeqësinë e tij, drita e kthimit të tij në besim te Jezu Krishti dhe forca e marrë prej Tij, po shkëlqenin dhe ai pati gëzim. Në Letrën e tij drejtuar Filipianëve, ai bëri thirrje: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni”.
Motra dhe vëllezër, përgjigjja është po, ne mund të jemi të shëruar plotësisht shpirtërisht, edhe ndërkohë që presim për shërim fizik dhe emocional. Shërimi i plotë nuk ka përse të nënkuptojë medoemos rivendosje të shëndetit fizik dhe emocional në këtë jetë. Shërimi i plotë lind kur besojmë dhe kthehemi në besim tek Ai, si dhe kur e lëmë atë dritë të kthimit në besim që të shkëlqejë.
“Shumë janë të thirrur, por pak [zgjedhin të] j[e]në të zgjedhur.”
Të gjithë do të shërohen fizikisht dhe emocionalisht në Ringjallje. Por a do të zgjidhni tani që të jeni të shëruar plotësisht në Të?
Shpall me gëzim se jam kthyer në besim te Zoti Jezu Krisht. Po bëj çmos të jem e shëruar plotësisht në Të. Jam e sigurt se të gjitha gjërat do të rivendosen dhe shërimi do të vijë në kohën e Tij, sepse Ai jeton.
Maria Magdalena qe një grua e shëruar prej Jezu Krishtit. Dhe ajo qe një grua e shëruar plotësisht në Jezu Krisht. Si dishepulle e Tij, ajo e ndoqi Shpëtimtarin në mbarë Galilenë dhe i dha shërbesë Atij.
Ajo qe e pranishme buzë kryqit, si një dëshmitare e vdekjes së Tij.
Ajo i shkoi te varri për të përfunduar përgatitjet për varrimin dhe zbuloi se guri që mbulonte varrin, ishte hequr, që trupi i Zotit nuk ishte më aty. Maria ishte te varri duke vajtuar kur e pyetën, fillimisht engjëjt dhe pastaj Vetë Shpëtimtari: “O grua, pse po qan? Kë kërkon?”
Maria duke qarë tha: “Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë”.
Dhe Jezusi butësisht e thirri atë në emër: “Mari!” Ajo e njohu Atë dhe iu përgjigj me nderim: “‘Rabboni’, … Mësues”.
Duke profetizuar për Shpëtimtarin, Isaia tha: “[Ai] do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë”.
Ringjallja e Tij bëri që lotët e Maries të thaheshin. Pa dyshim që Ai do t’i thajë edhe lotët tuaj.
Maria ishte dëshmitarja e parë e Shpëtimtarit të ringjallur. Ajo qe e para që dëshmoi tek të tjerët atë që kishte parë.
Përulësisht ia shtoj dëshminë time dëshmisë së Marisë. Ai është ngritur. Jezu Krishti jeton. Si përfundim, të gjithë do të shërohen – fizikisht dhe emocionalisht – në Të. Në pritje të atij shërimi, besimi te Shëruesi Mjeshtër do të na bëjë të shëruar plotësisht shpirtërisht. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.