Konferenca e Përgjithshme
Dhe, Ne Flasim për Krishtin
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


14:27

Dhe, Ne Flasim për Krishtin

Ne jemi ndjekës të Jezu Krishtit dhe kërkojmë edhe ta marrim, edhe ta shpërndajmë dritën e Tij.

Hyrje

Në fund të një detyre të gjatë përtej oqeanit, unë dhe bashkëshortja ime, Lisa, hymë në një terminal aeroporti për t’u përgatitur edhe për një fluturim të fundit – nga ata të pas mesnatës – për të shkuar në shtëpi. Ndërsa po qëndronim me shumë njerëz të tjerë duke lëvizur me hap tepër të ngadaltë në radhë të gjata, ne mund ta ndienim ankthin në rritje të bashkudhëtarëve të cilët ishin të shqetësuar për arritjen në kohë të fluturimeve të tyre, kalimin e kontrollit të pasaportave e vizave dhe kalimin me sukses të kontrolleve të sigurisë.

Më në fund mbërritëm në një pikë kontrolli ku ndodhej një punonjëse e doganës, e cila dukej se nuk ndikohej nga nivelet e larta të stresit dhe ankthit në sallë. Ajo pothuajse mekanikisht, pa më parë në sy, m’i mori dokumentet, vërtetoi fotografinë time, e shfletoi pasaportën faqe më faqe dhe më në fund e vulosi atë me një zhurmë të rëndë.

Më pas, zgjati dorën për të marrë dokumentet e Lisës. Pa kurrfarë ndjesie, me kokën poshtë dhe e përqendruar te puna e saj, ajo i shfletoi në mënyrë metodike faqet duke i parë me sy eksperti, duke u përqendruar te hollësitë e dokumenteve që kishte përpara vetes. U habitëm disi kur ajo papritur u ndal, e ngriti kokën dhe u pa sy më sy me Lisën me një vështrim të qëllimshëm e të ngrohtë, me drejtimin lart. Me një buzëqeshje të butë, ajo e vulosi lehtë pasaportën e Lisës dhe ia ktheu dokumentet. Edhe bashkëshortja ime i buzëqeshi, i mori dokumentet dhe shkëmbeu fjalë të ngrohta ndarjeje.

Çfarë ishte kjo?”, – pyeta gati pa e besuar.

Më pas, Lisa më tregoi atë që kishte parë oficerja, një kartë të vogël me figurën e Shpëtimtarit. Ajo kishte rrëshqitur aksidentalisht nga kuleta e Lisës në faqet e pasaportës së saj. Kjo ishte ajo çfarë kishte gjetur punonjësja e doganës. Kjo ishte ajo që e kishte ndryshuar gjithë sjelljen e saj.

Figura e Shpëtimtarit brenda një pasaporte.

Grace and Truth [Hiri dhe E Vërteta], nga Simon Dewey, me mirësinë e altusfineart.com, © 2025, përdorur me leje

Kjo pikturë e vogël e Shpëtimtarit lidhi zemrat e dy të huajave që përndryshe do të ishin të shkëputura. Ajo e shndërroi ndërveprimin objektiv në diçka vetjake, duke nxjerrë në pah bukurinë, mrekullinë dhe realitetin e Dritës së Jezu Krishtit. Për pjesën e mbetur të asaj dite dhe që prej asaj kohe, unë e kam sjellë shpesh ndër mend atë çast të ëmbël, të thjeshtë me mahnitje dhe jam gëzuar për ndikimin e lavdishëm të Dritës së Krishtit te fëmijët e Perëndisë.

Ne Flasim për Krishtin

Ne jemi ndjekës të Jezu Krishtit dhe kërkojmë edhe ta marrim, edhe ta shpërndajmë dritën e Tij. E nënkuptuar në emrin e Kishës, është teologjia jonë se “Jezu Krishti [është] vetë guri i qoshes”. Nëpërmjet profetëve të lashtë dhe të gjallë, Ati ynë Qiellor na ka urdhëruar që ta “dëgjoj[më] Atë” dhe të “vi[jmë] te Krishti”. “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin [dhe] ne profetizojmë mbi Krishtin.”

Ne japim mësim se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi dha mësim ungjillin e Tij dhe themeloi Kishën e Tij.

Ne dëshmojmë se në fund të jetës së Tij, Jezusi shleu për mëkatet tona kur Ai vuajti në Kopshtin e Gjetsemanit, u kryqëzua në kryq dhe më pas u ringjall.

Ne gëzohemi që, për shkak të flijimit shlyes të Shpëtimtarit, ne mund të falemi e të pastrohemi nga mëkatet tona kur pendohemi. Kjo na sjell paqe dhe shpresë ndërkohë që bën të mundur që ne të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të marrim një plotësi të gëzimit.

Krishti dhe Maria te varri.

Ne profetizojmë që, për shkak të Ringjalljes së Jezusit, vdekja nuk është fundi, por një hap i rëndësishëm përpara. “Ne të gjithë do të ringjallemi pasi të vdesim. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo njeriu do të ribashkohen dhe jetojnë përgjithmonë.”

Ejani te Krishti

Profetët e gjallë në kohën tonë, të cilët marrin zbulesë nga Perëndia për të na mësuar e për të na udhëhequr, po na ftojnë gjithnjë e më tepër të vijmë te Krishti. Ata po na ndihmojnë që t’i përqendrojmë zemrën, veshët dhe sytë tanë më plotësisht tek Ai. Ne mund të citojmë shembuj të shumtë përshtatjesh dhe përmirësimesh që janë shpallur nga Presidenca e Parë, të cilat janë hartuar për të na përqendruar te Jezu Krishti. Disa nga ato përfshijnë:

  • Vendimin për ta hequr nga përdorimi emrin “Kisha Mormone” dhe për ta zëvendësuar atë me emrin e saktë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

  • Vënien në dispozicion të veprave të reja artistike e të frymëzuara me temë Krishtin, për t’u ekspozuar në shtëpitë e mbledhjeve.

  • Temat dhe muzikën për Të Rejat dhe kuorumin e Priftërisë Aarone të përqendruara te Jezu Krishti, të tilla si “Dishepuj të Krishtit” dhe “Te Krishti Shih”.

  • Theks më të madh te Ringjallja e mirëfilltë dhe Shlyerja e Jezu Krishtit si ngjarjet më të lavdishme në histori.

  • Kremtimin e Pashkës si një periudhë dhe jo thjesht një ditë pushimi, me theks te Jezu Krishti.

  • Paraqitjen e identifikuesit pamor për Kishën e Jezu Krishtit dhe të natyrës së tij simbolike.

Le ta shohim më nga afër ndikimin e disave prej atyre. Së pari, simboli i Kishës.

Simboli i Kishës

Simboli i Kishës.

Në vitin 2020, Presidenti Rasëll M. Nelson paraqiti një identifikues të ri pamor për Kishën. Ky simbol pasqyron të vërtetën se Krishti është në qendër të Kishës së Tij dhe duhet të jetë në qendër të jetës sonë. Ne, tani, e shohim këtë simbol të njohur te rekomandimet e tempullit, në revistat dhe faqet e internetit të Kishës, si ikonë në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe madje edhe në etiketat ushtarake të identifikimit për shumë anëtarë të Kishës që shërbejnë në forcat e armatosura. Simboli përfshin emrin e Kishës që gjendet brenda një guri qosheje, një kujtues se Jezu Krishti është guri i qoshes, e treguar këtu në gjuhën kamboxhiane dhe në përdorim në 145 gjuhë.

Simboli i Kishës në gjuhën kamboxhiane.

Qendra e simbolit është një paraqitje e statujës së dashur prej mermeri Christus të Bertel Thorvaldsenit, e cila shihet gjerësisht si e lidhur me Kishën dhe gjendet në qendrat e vizitorëve dhe në terrenet e tempujve në mbarë botën. Theksimi i saj te simboli i Kishës, sugjeron që Krishti duhet të jetë qendra e gjithçkaje që bëjmë. Në mënyrë të ngjashme, krahët e shtrirë të Shpëtimtarit tregojnë premtimin e Tij për t’i përqafuar të gjithë ata që do të vijnë tek Ai. Ky simbol është një paraqitje pamore e dashurisë së Shpëtimtarit, Jezu Krishtit, dhe një kujtues i vazhdueshëm i Krishtit të gjallë.

Jezusi që del nga varri.

Nga kureshtja, kam pyetur shumë familje dhe miq në lidhje me një element të rëndësishëm të simbolit të Kishës. Çuditërisht, shumë prej tyre nuk janë në dijeni të një veçorie të shenjtë që mishëron ai. Jezu Krishti qëndron nën hark. Kjo përfaqëson Shpëtimtarin e ringjallur që del nga varri. Ne e kremtojmë vërtet Krishtin e ringjallur dhe të gjallë, madje edhe kur përdorim simbolin e Kishës.

Pashkë më e Lartë dhe më e Shenjtë

Tani, le të mendojmë për domethënien e Pashkës. Në mesazhet e fundit të Presidencës së Parë lidhur me Pashkën, neve na është dhënë një sfidë që ta “kremtojmë Ringjalljen e Shpëtimtarit tonë të gjallë duke i studiuar mësimet e Tij dhe duke ndihmuar në themelimin e traditave të Pashkës në shoqërinë tonë si një e tërë, sidomos brenda vetë familjeve tona”. Me pak fjalë, ne jemi nxitur të kalojmë në një kremtim më të lartë dhe më të shenjtë të Pashkës.

Më pëlqen shumë zbulesa e vazhdueshme në lidhje me Pashkën dhe jam i kënaqur për përpjekjet tuaja të shumta për ta bërë Pashkën një rast të shenjtëruar dhe të shenjtë. Përveç zhvillimit të një mbledhjeje sakramenti njëorëshe të dielën e Pashkës, shembuj të tjerë të veprimtarive të denja, përfshijnë takimet shpirtërore dhe aktivitetet e lagjes dhe kunjit të Dielën e Palmave, si dhe gjatë Javës së Shenjtë. Këta kujtues përfshijnë veprimtari me fëmijë, të rinj e të reja dhe shpesh përfshijnë kore ndërfetare. Të tjerë kanë zhvilluar shtëpi të hapura me titullin “Krishti i Gjallë” për anëtarë e miq dhe kanë marrë pjesë në ngjarje shumëfetare të komunitetit për Pashkën.

Veprimtari të tilla u shëmbëllejnë turmave në qytetin e Jerusalemit, zërat e të cilave u bashkuan për ta lëvduar Shpëtimtarin gjatë hyrjes së Tij ngadhënjyese. Po aq mbresëlënëse janë raportet e përgjigjeve tuaja ndaj ftesës së Presidencës së Parë për të adhuruar në shtëpi si familje që ta përkujtoni këtë festë, më të rëndësishmen e festave.

Unë besoj se adhurimi familjar gjatë kohës së Pashkës është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Dy vjet më parë, fola për vendosmërinë e familjes sonë për ta përmirësuar mënyrën se si e nderojmë Pashkën. E pranoj, kjo është ende një punë në vazhdim. Na kanë pëlqyer gjithmonë, dhe ende i bëjmë, një vakt i veçantë të dielën e Pashkës, shportat e Pashkës dhe një gjueti vezësh për Pashkë. Megjithatë, shtimi i një dimensioni të qëllimshëm shpirtëror që përqendrohet te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij në kremtimin tonë, ka sjellë një ekuilibër të këndshëm në përkujtimin nga ana jonë të atyre ngjarjeve, më të shenjtave të të gjitha ngjarjeve.

Recitali i familjes Stivenson për Ditën e Pashkës.

Ky vit do të jetë përpjekja jonë e tretë për ta bërë Pashkën më të qendërzuar te Krishti. Ashtu si me skenën e lindjes së Krishtit në Krishtlindje, recitali ynë familjar për Ditën e Pashkës përfshin kostume të thjeshta, leximin e shkrimeve të shenjta nga Dhiata e Re dhe Libri i Mormonit, muzikë, figura të Pashkës, gjethe palme dhe që të jem plotësisht i sinqertë, pak kaos. Fëmijët, nipërit e mbesat lexojnë dhe recitojnë lavdërimet e të Dielës së Palmave: “Hosana. … Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!” dhe “Ky është Jezusi, … i Galilesë” të cilat duken po aq të rëndësishme sa ç’është “Paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja [e tij]” gjatë kohës së Krishtlindjes.

Tani ne kënaqemi me një përzierje zbukurimesh. Ato që dikur ishin pothuajse vetëm lepurushë dhe vezë Pashke, tani janë drejtpeshuar me statujën Christus dhe pamjet e varrit të zbrazët, të Shpëtimtarit të ringjallur që shfaqet në kopsht jashtë varrit, dhe të shfaqjes së Shpëtimtarit te nefitët. Ne po përpiqemi fort gjithashtu ta kthejmë Pashkën në një periudhë dhe jo vetëm në një ditë. Po përpiqemi të flasim, të mendojmë e të kremtojmë më tepër për të Dielën e Palmave dhe të Premten e Madhe dhe ngjarjet e shenjta që ndodhën gjatë gjithë Javës së Shenjtë.

Pashka na lejon të nderojmë si flijimin shlyes të Jezu Krishtit, ashtu edhe Ringjalljen e mirëfilltë dhe të gëzueshme të Tij. Zemrat tona janë të rënduara ndërsa përfytyrojmë vuajtjen e Shpëtimtarit në kopsht dhe në Kalvar, por zemrat tona gëzohen kur përfytyrojmë varrin e zbrazët dhe dekretin qiellor: “Ai u ringjall!”

Një Ringjallje e Mirëfilltë

Nxitja e kohëve të fundit nga Presidenca e Parë që ta presim “me padurim Pashkën dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit – mesazhin më të lavdishëm nga të gjitha mesazhet për njerëzimin”, nxjerr në pah rëndësinë e kësaj periudhe. Ndërkohë që duket sikur ka një prirje në rritje midis teologëve të ndryshëm të krishterë për ta parë Ringjalljen në mënyrë figurative dhe simbolike, ne pohojmë doktrinën tonë se: “Ringjallje do të thotë që të gjithë ata që kanë jetuar ndonjëherë, do të ringjallen dhe Ringjallja është e mirëfilltë”. “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjall[e]n në Krishtin.” Jezu Krishti këputi lidhjet e vdekjes për çdo shpirt të gjallë.

Me të vërtetë të gjithë qëndrojmë plot habi nga hiri që na ofron Jezusi. Ne i përqafojmë fjalët e Tij se “askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij”.

C.S. Luisi tha se “të predikoje Krishterimin, [për Apostujt] nënkuptonte kryesisht të predikoje Ringjalljen. … Ringjallja është tema qendrore në çdo predikim të krishterë të raportuar te Veprat e Apostujve. Ringjallja, dhe pasojat e saj, ishin ‘ungjilli’ ose lajmi i mirë që sollën të krishterët.”

Unë shpall se “ka një ringjallje[,] … varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin”.

Përmbyllje dhe Dëshmi

Në përmbyllje, dëshmoj se të gjithë ata që i pranojnë ftesat nga profeti ynë i gjallë dhe këshilltarët e tij për t’i përkujtuar më qëllimisht ngjarjet e shenjta që Pashka përfaqëson, do të zbulojnë se lidhja e tyre me Jezu Krishtin bëhet gjithnjë e më e fortë.

Vetëm disa ditë më parë, mësova për një gjyshe që ia ritregoi historinë e Pashkës nipit të saj katërvjeçar duke përdorur riprodhime të thjeshta të varrit, gurit që mbulonte varrin, Jezusit, Maries, dishepujve dhe engjëllit. Djali i vogël shikonte dhe dëgjonte me vëmendje teksa gjyshja e tij i tregonte për varrimin, mbylljen dhe hapjen e varrit dhe skenën e Ringjalljes që ndodhi në kopsht. Më pas, ai ia përsëriti me kujdes historinë me hollësi befasuese prindërve të tij ndërsa lëvizte figurat rreth vetes. Pas këtij çasti të ëmbël, e pyetën nëse e dinte arsyen pse kemi Pashkë. Djali i ngriti sytë dhe me arsyetim fëmijëror u përgjigj: “Ngaqë Ai është i gjallë”.

Djalë i vogël duke treguar historinë e Pashkës.

Unë ia shtoj dëshminë time dëshmisë së tij, tuajës dhe asaj të engjëjve dhe profetëve, se Ai u ringjall dhe se Ai jeton, për të cilën unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.