Konferenca e Përgjithshme
Besimi: Një Lidhje Mirëbesimi dhe Besnikërie
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


11:17

Besimi: Një Lidhje Mirëbesimi dhe Besnikërie

Besimi mbin ndërsa i mirëbesojmë Jezu Krishtit dhe lulëzon kur jemi besimplotë dhe besnikë ndaj Tij.

Kur isha 17 vjeç, bëra një marrëveshje me mikun tim Hoze‑Luisin për t’i mësuar notin. Kështu që një mëngjes gjetëm kohë për t’u ushtruar. Kur mësimi ynë mbaroi dhe po largohesha nga pishina, e dëgjova shokun tim duke bërtitur për ndihmë. Ai po mbytej në skajin e thellë të pishinës.

U hodha në ujë dhe notova drejt tij ndërkohë që lutesha për ndihmë. Ndërsa e kapa nga dora për ta nxjerrë në sipërfaqe, miku im i dëshpëruar më hipi në kurriz dhe më shtrëngoi në fyt. Tani po mbyteshim të dy. Në përpjekje për të dalë në sipërfaqe, u luta me gjithë forcën time për një mrekulli nga Perëndia. Atëherë, ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme, fuqia e Perëndisë u shfaq teksa ndjeva një dorë të më shtynte drejt skajit të cekët të pishinës, duke na çuar drejt sigurisë.

Kjo përvojë pohoi një mësim të thellë që e dha mësim dikur Presidenti Rasëll M. Nelson: “Kur ju zgjateni për [ta marrë] fuqinë e Zotit në jetën tuaj me të njëjtin intensitet që ka një njeri që po mbytet, kur kapet dhe gulçon për ajër, fuqi nga Jezu Krishti do të je[n]ë tuaja[t]”.

Të dashur fëmijë dhe të rinj e të reja, sot dua t’ju flas për parimin thelbësor të besimit te Jezu Krishti.

[Të Kesh] Besim te Krishti do të Thotë t’i Mirëbesojmë Atij

Çfarë do të thotë të kemi besim te Krishti? A do të thotë që besojmë tek Ai apo që kemi një dëshmi që Ai është i vërtetë? Ky mund të jetë një fillim, por është më shumë sesa kaq. A keni menduar ndonjëherë për besimin si mirëbesim? Mendoni për njeriun të cilit i mirëbesoni më tepër, ndoshta një pjesëtar të familjes apo një mik. Përse i mirëbesoni këtij njeriu? Ka gjasë ngaqë keni parë dashurinë dhe ndihmën e tij të vazhdueshme.

Kur kemi besim te Krishti, ne i dallojmë bekimet e Tij dhe zhvillojmë një marrëdhënie mirëbesimi me Të.

Si Mund ta Shtoni Mirëbesimin Tuaj te Krishti?

Në një takim shpirtëror për rininë të kohëve të fundit, ju u ftuat të meditoni për një rast në jetën tuaj kur morët një rreze drite qiellore. Provojeni këtë ushtrim.

Filloni duke medituar rreth Krishtit dhe lumturisë që Shlyerja dhe ungjilli i Tij sjellin në jetën tuaj. Gjithashtu, bëni një anal të “kujtime[ve] që [ju] përcaktojnë shpirtërisht”, ku Perëndia ju është gjendur pranë juve, njerëzve tuaj të dashur dhe njerëzve në shkrimet e shenjta. Tani, këto dëshmi nuk do të sjellin fuqi në jetën tuaj derisa Shpirti t’i gdhendë në “rrasa[t] … [prej] mishi” të zemrës suaj. Pra, përsiateni dhe mbajeni shënim gjithçka që Perëndia vuri në lëvizje, që këto mrekulli të ndodhnin pikërisht në kohën e duhur.

Më pas, përdoreni këtë ushtrim si një mundësi për t’u afruar më shumë me Perëndinë. Lutjuni Atit tuaj Qiellor sikur të ishte hera e parë. Shpreheni dashurinë dhe mirënjohjen tuaj për bekimet e Tij. Madje, pyeteni Atë se çfarë ndien për ju dhe për drejtimin që po merr jeta juaj.

Nëse jeni të çiltër dhe të përulur, do ta dëgjoni përgjigjen e Tij dhe do të nisni një marrëdhënie vetjake dhe të qëndrueshme me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Jo vetëm kaq, por edhe zakonet tuaja fetare do të bëhen kuptimplota! Për shembull, ju do t’i prisni me padurim lutjet tuaja, studimin vetjak dhe adhurimin në tempull si mundësi për t’i njohur Ata dhe për të qenë me Ta.

Besimi Lulëzon me Besnikërinë

Vini re se besimi mbin ndërsa i mirëbesojmë Jezu Krishtit dhe lulëzon kur jemi besimplotë dhe besnikë ndaj Tij. Nëse doni një marrëdhënie të vërtetë me Krishtin, tregojani Atij këtë duke bërë besëlidhje dhe duke i nderuar ato plot besim dhe besnikëri. Bërja e besëlidhjeve me Jezu Krishtin ndërton shpresën. Nderimi i tyre ndërton besimin.

Më lejoni të përdor një shembull vetjak: Kur isha fëmijë, një ditë e gjeta nënën time duke qarë vetëm. Kur e pyeta për arsyen, ajo me butësi tha: “Kam nevojë që të jesh një djalë i mirë”. Edhe pse e dija se nuk isha unë shkaku i shqetësimit të saj, e doja dhe i mirëbesoja nënës si askujt tjetër dhe doja që t’ia bëja jetën më të lehtë. Ndaj, me lot në sy dhe me gjithë seriozitetin që mund të ketë një nëntëvjeçar, i premtova atë ditë se do të përpiqesha gjithmonë të isha djali më i mirë i mundshëm dhe ta bëja atë krenare.

A mund ta përfytyroni fuqinë që ai premtim pati dhe ka ende tek unë?

Ai premtim që i bëra asaj, më udhërrëfeu jetën. Para se të merrja vendime, shqyrtoja me veten a do të kënaqej ajo nga veprimet e mia. Lidhja pas atij premtimi dhe marrëdhënia me nënën time qenë spirancat e sjelljes sime gjatë gjithë jetës.

Vite më vonë, kur arrita ta njihja më mirë Jezu Krishtin, tashmë dija se si ta bazoja besimin tim tek Ai. Bëra besëlidhje me Zotin dhe, ndërsa jam përpjekur t’i respektoj ato, Ai m’i ka falur mëkatet, ma ka udhërrëfyer jetën dhe “më ka mbushur me dashurinë e Tij” deri në pjesën më të thellë të qenies sime. Krishti më ka rrënjosur një dashuri, respekt dhe besnikëri të thellë për Të.

A e kuptoni pse “besimi është një parim veprimi” dhe se “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë]”?

Teksa përpiqeni të bëni atë që i pëlqen Atij, ju do të thoni ashtu si Jozefi në Egjipt kur u tundua nga gruaja e Potifarit: “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” Dhe kur përballeni me kundërshtim, ju do të thoni ashtu si profeti i ri Jozefi: “Unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja … e dija se duke e bërë këtë, do ta fyeja Perëndinë”.

Pra, besimi te Jezu Krishti është një lidhje mirëbesimi e farkëtuar në besnikëri dhe dashuri. Me fjalë të tjera, në mirënjohje për dashurinë e mëshirshme të Perëndisë (hesed-in), ne tregojmë dashurinë tonë besnike (emunah‑un) duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Krishti premton: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij”. Nëse zotoheni për të qenë besnikë ndaj Tij, Ai do t’jua dëftejë juve dashurinë e Tij.

Besim Përballë Fatkeqësisë

Por si duhet të reagoni ndaj situatave të tilla të pafavorshme që kërkojnë mrekulli prej Tij? Ndërsa sfidat janë të pashmangshme dhe ndonjëherë të frikshme, thjesht ecni pa u trembur drejt Tij, ashtu siç na fton tema e konferencës së FSY‑së për vitin 2025: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”.

Si Mund të Ecni Pa u Trembur drejt Tij?

Përfytyroni sikur jeni një hulumtues në një territor të pahulumtuar. Për t’i kapërcyer pengesat përpara jush, ju nevojitet një burim drite. Besnikëria juaj ndaj Perëndisë dhe ndërveprimet tuaja të vazhdueshme me Të janë si lënda djegëse për kandilin tuaj. Pra, kur hasni situata të errëta dhe të rrezikshme, në vend që të ecni verbërisht drejt tyre, ju do të ndizni llambën tuaj të mbushur me vajin e besimit te Krishti për të shpërndarë vezullime shprese në shtegun e pasigurt. Përvojat tuaja të kaluara do t’jua shtojnë shpresën se Zoti do t’ju mbështetë në rrugëtimin tuaj.

Alpinist me kandil.

Sa Larg do të Shkoni me Shpresën dhe Besimin Tuaj te Krishti?

A ju kujtohet historia ime në pishinë? Në atë çast dëshpërimi, mrekullia erdhi ashtu siç e kisha pritur, por Perëndia nuk garanton se do të bëhet gjithmonë sipas vullnetit tonë. Besimi ynë duhet të përqendrohet te Krishti dhe shpresa jonë te bekimet e Tij, ashtu siç Ai zgjedh t’i dërgojë ato. “Prisni mrekulli”, por “lejo[je]ni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj”.

Premtimet e Perëndisë për Popullin e Tij Besimplotë

Miqtë e mi në moshë të re, sa shumë ju duam dhe ju mirëbesojmë! Ju i përkisni familjes së Perëndisë dhe jeni fëmijë të besëlidhjes. Besoni te Jezu Krishti dhe mirëbesojini Atij. Ai do të bëjë të mundur që ju të bëheni me të vërtetë dishepujt e Tij.

Ju ftoj të filloni sot ta ushqeni marrëdhënien tuaj me Jezu Krishtin. Zotohuni të mos e braktisni kurrë Atë.

Besnikëria, dashuria dhe mirëbesimi juaj te Krishti do t’u japin formë karakterit dhe identitetit tuaj sipas të Tijit. Do të fitoni vetëbesim dhe forcë për të mposhtur sulmet e Satanit. Dhe kur të bëni gabime, do të dëshironi me zjarr faljen e Tij. Përfundimisht, shpresa dhe e ardhmja juaj do të jenë të ndritura. Ai do t’jua mirëbesojë fuqinë e Tij për të përmbushur gjithçka që Ai pret prej jush, madje edhe fuqinë për t’u kthyer në praninë e Tij.

Ju dëshmoj për gëzimin që vjen nga të kënduarit e “këngë[s së] dashurisë shëlbuese” dhe të qenit të “rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 42.

  2. Fjala besim vjen nga fjala latine fides, që do të thotë “të mirëbesosh” (shihni te Michiel de Vaan, Etymological Dictionary of Latin and the Other Italic Languages [2008], “fido”). Fjala e përafërt greke, πίστις, përkthehet si “mirëbesim” (shihni te Robert Beekes, Etymological Dictionary of Greek [2010], 1:1161–1162).

  3. “Besimi është [siguri dhe] mirëbesim në Jezu Krishtin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  4. Shihni te “Shih te Krishti” (diskutim[e] mbarëbotëror[e] për rininë, 5 janar 2025), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; shihni edhe tek Aleksandër Dushku, “Shtylla dhe Rreze”, Liahona, maj 2024, f. 14–17.

  5. Shihni te Nil L. Andersen, “Kujtime që të Përcaktojnë Shpirtërisht”, Liahona, maj 2020, f. 18–22.

  6. Shihni te 2 Korintasve 3:2–3; shihni edhe te Moroni 10:3; Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 88–92.

  7. Shihni te Ronald A. Rasband, “Sipas Qëllimit Hyjnor”, Liahona, nëntor 2017, f. 55–57.

  8. Shihni te Mosia 2:20–21; Doktrina e Besëlidhje 59:21.

  9. Shihni te “Appendix 1: Sixth Theological Lecture on Faith, circa January–May 1835, as Published in Latter Day Saints’ Messenger and Advocate”, f. 124–125, josephsmithpapers.org.

  10. Shihni te Moroni 7:41; shihni edhe te Stephen M. R. Covey dhe Rebecca R. Merrill, The Speed of Trust: The One Thing That Changes Everything (2006), f. 215.

  11. 2 Nefi 4:21.

  12. “Perëndia është miku im. Tek ai do të gjej ngushëllim. … Unë dëshiroj të jem me Krishtin. Nuk e çmoj jetën time [përveçse] për të bërë vullnetin e tij” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 257).

  13. Bible Dictionary, “Faith”.

  14. Hebrenjve 11:6.

  15. Shihni te Gjoni 8:29.

  16. Zanafilla 39:9.

  17. Joseph Smith – Historia 1:25.

  18. Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Lutjuni Atit tuaj Qiellor në emrin e Zotit Jezu Krisht dhe gjithmonë, në çdo rrethanë, me anë të vetë natyrës së jetës suaj, tregoni besnikërinë dhe dashurinë tuaj” (“Loyalty”, Liahona, maj 2003, f. 60; shihni edhe te Brent J. Schmidt, Relational Faith: The Transformation and Restoration of Pistis as Knowledge, Trust, Confidence, and Covenantal Faithfulness [2022], f. 9; Teresa Morgan, Roman Faith and Christian Faith: Pistis and Fides in the Early Roman Empire and Early Churches [2015], f. 127–128).

  19. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Mesazhi i Përmuajshëm për revistën Liahona, tetor 2022; [Liahona, tetor 2022, f. 4–11].

  20. “Fjala hebraike për besimin është אמונה (emunah) dhe është një fjalë e orientuar drejt veprimit që do të thotë ‘përkrahje’. … [Ajo] e vendos veprimin tek ai që e ‘përkrah Perëndinë’. Emunah-u nuk është një njohuri se Perëndia do të veprojë, por përkundrazi një shprehje që do të thotë se do të bëj ç’të mundem për ta përkrahur Perëndinë. Kjo ide përkrahjeje për fjalën emunah mund të shihet tek Eksodi 17:12. … Është përkrahja/emunah-u i Aaronit dhe Hurit që i mbajtën [lart] krahët e Moisiut, jo përkrahja/emunah-u i Moisiut. Kur themi: ‘Kam besim te Perëndia’, duhet të mendojmë: ‘Do të bëj ç’të mundem për ta përkrahur Perëndinë’” (Jeff A. Benner, “Faith”, Ancient Hebrew Research Center, ancient-hebrew.org).

  21. Gjoni 14:21; shihni edhe te vargu 23.

  22. Shihni te Gjoni 15:9–10.

  23. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, f. 39–42.

  24. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  25. Shihni te Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Liahona, nëntor 2015, f. 65–68.

  26. Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 99.

  27. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92–95.

  28. Shihni te Russell M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 32–35.

  29. Jezusi është miku im. Askush tjetër nuk më ka dhënë kaq shumë. … Unë shpresoj të konsiderohem i denjë për të qenë miku i Tij” (Gordon B. Hinckley, “My Testimony”, Liahona, korrik 2000, f. 85).

  30. Shihni te Gjoni 6:67–68; Doktrina e Besëlidhje 6:20.

  31. Shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Richard G. Scott, 21 Principles: Divine Truths to Help You Live by the Spirit (2013), f. 90.

  32. Shihni tek Alma 48:17.

  33. Shihni te Mosia 4:2; Alma 36:18.

  34. Shihni te Tomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 92.

  35. Shihni tek Isaia 58:9; Helamani 10:4–5; Ethëri 12:30; Moroni 7:33.

  36. Shihni te 2 Nefi 25:23.

  37. Alma 5:26; shihni edhe tek Alma 5:9; 26:13.

  38. 2 Nefi 1:15.