Konferenca e Përgjithshme
Dhuratat e Mëdha të Përjetësisë: Shlyerja e Jezu Krishtit, Ringjallja, Rivendosja
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


13:57

Dhuratat e Mëdha të Përjetësisë: Shlyerja e Jezu Krishtit, Ringjallja, Rivendosja

Ne gjejmë te Pashka e Jezu Krishtit paqen, bërjen si Ai dhe përkatësinë, atë që është pafundësisht e vërtetë dhe e gëzueshme, lumturuese dhe e përhershme.

Vite më parë, në orën tonë mësimore të ungjillit herët në mëngjes, mësonim përmendsh vargje nga Bibla. Më tërhiqnin natyrshëm fragmentet e shkurtra. Këtu përfshihej Gjoni 11:35, vargu më i shkurtër në shkrimin e shenjtë, vetëm dy fjalë “Jezusi qau”.

Për mua tani, fakti që Jezusi qan nga pikëllimi e gëzimi dëshmon për realitetin e mrekullueshëm: Biri hyjnor i Perëndisë erdhi në vdekshmërinë fizike dhe mësoi sipas mishit se si të jetë gjithmonë me ne dhe të na bekojë.

Kur ne thërrasim fort nga pikëllimi apo gëzimi, Jezu Krishti na kupton përsosurisht. Ai mund të jetë i pranishëm në çastet kur kemi më shumë nevojë për dhuratat e mëdha të përjetësisë: Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ringjalljen, rivendosjen.

Jezusi qan.

Maria dhe Marta qajnë për të vëllanë, Llazarin, i cili ka vdekur. I prekur nga dhembshuria, Jezusi qan. Ai e risjell Llazarin në jetë.

Jezusi vështron Jerusalemin në prag të Pashkës. Ai qan, i pamundur t’i mbledhë njerëzit e Tij ashtu si një klloçkë do të mblidhte zogjtë e saj. Sot Shlyerja e Tij na jep shpresë kur pikëllohemi për atë që mund të kishte qenë.

Zoti i vreshtit qan ndërsa i pyet shërbëtorët e Tij, gjë e cila mund të na përfshijë neve si vëllezër e motra shërbestare: “Çfarë mund të kisha bërë unë më shumë për vreshtin tim?”

Maria qëndron e hidhëruar thellë te varri. Jezusi e pyet me butësi: “Pse po qan?” Ai e di se “të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”. Ringjallja sjell agimin për të gjithë.

Në tokat e Librit të Mormonit, ndërsa turma besnike ngrihet drejt Tij, gëzimi i Jezusit është i plotë. Ai qan.

“Dhe ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta.

Dhe pasi e bëri këtë gjë, ai qau përsëri.”

Kjo është Pashka e Jezu Krishtit: Ai u përgjigjet dëshirimeve të zemrës sonë dhe pyetjeve të shpirtit tonë. Ai na fshin lotët, përveç atyre të gëzimit.

Kur na rrjedhin lot, nganjëherë kërkojmë falje, na vjen rëndë. Por duke e ditur që Jezu Krishti i kupton dhembjet dhe gëzimet e jetës, mund të na japë forcë përtej tonës ndërsa kalojmë përmes hidhësisë dhe ëmbëlsisë.

Në Amerikën e Jugut, një baba qan me ngashërim. Një shkëndijë në jetën e tij, vajza e tij e vogël, ka vdekur. “Do të jepja gjithçka për ta parë atë përsëri”, – thotë ai duke qarë në krahët e mi. Edhe unë qaj.

Plaku Gong në përkushtimin e Tempullit të Pueblës në Meksikë.

Në përkushtimin e Tempullit të Pueblës në Meksikë, lotët e gëzimit lagin fytyrën e një motre të dashur. Tiparet e saj rrezatojnë besim e sakrificë. Ajo thotë: “Todos mis hijos estan aqui en el templo hoy” – “Të gjithë fëmijët e mi janë këtu në tempull sot”. Brezat e mbledhur në shtëpinë e Zotit sjellin lot gëzimi dhe mirënjohjeje.

Në luftën mizore civile, familjet dhe fqinjët i bënë gjëra të patregueshme njëri‑tjetrit. Lotët e hidhur dalëngadalë po ia lënë vendin shpresës. Me zërin që i dridhet, një grua në një fshat të vogël thotë: “Fqinj, para se të shkoj në varr, dua të dish se ku t’i gjesh pjesëtarët e familjes që i ke humbur”.

Një nuse rrezatuese dhe një dhëndër i pashëm po vulosen në shtëpinë e Zotit. Ajo është 70 vjeçe, po ashtu edhe ai. Një nuse e bukur, ajo e ka pritur denjësisht këtë ditë. Ajo e ndrojtur e hedh fustanin e saj të nusërisë herë nga një anë, herë nga ana tjetër. Ne derdhëm lot gëzimi. Premtimet e Perëndisë janë përmbushur. Besëlidhjet e Tij sjellin bekime.

Ndërsa po i jepte mësimin e shtëpisë një motre të ve, Bojd K. Pakeri kur ishte i ri në moshë mori një mësim të dhembshur. Pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, motra i kishte bërë një vërejtje të fundit lënduese. Një aksident i papritur i mori jetën bashkëshortit të saj atë ditë. “Për pesëdhjetë vjet”, – qante me dënesë e veja, “kam jetuar në ferr duke e ditur se fjala e fundit që ai dëgjoi nga buzët e mia ishte ajo vërejtje therëse dhe hidhnake.”

Pashka e Jezu Krishtit na ndihmon t’i ndreqim, t’i pajtojmë, t’i rregullojmë marrëdhëniet tona, në të dyja anët e velit. Jezusi mund ta shërojë pikëllimin; Ai mund të bëjë të mundur faljen. Ai mund të na çlirojë ne dhe të tjerët nga gjërat që kemi thënë ose bërë ne dhe anasjelltas, të cilat përndryshe na mbajnë robër.

Pashka e Jezu Krishtit na lejon të ndiejmë miratimin e Perëndisë. Kjo botë na thotë se jemi tepër të gjatë, tepër të shkurtër, tepër të gjerë, tepër të ngushtë, jo mjaft të zgjuar, të bukur apo shpirtërorë. Nëpërmjet shndërrimit shpirtëror falë Jezu Krishtit, ne mund të shpëtojmë nga mania ligështuese e përsosurisë.

Me gëzimin e Pashkës, ne këndojmë: “U mposht vdekja, jemi t’lir’. Fitoren solli Krishti.” Ringjallja e Krishtit na çliron nga vdekja, nga dobësitë e kohës dhe papërsosuritë fizike. Shlyerja e Jezu Krishtit gjithashtu na rivendos shpirtërisht. Ai nxori gjak nga çdo por, si të ishin lot prej gjaku, për të na siguruar shpëtimin nga mëkati dhe ndarja. Ai na ribashkon, të plotë dhe të shenjtë, me njëri‑tjetrin dhe me Perëndinë. Në të gjitha gjërat e mira, Jezu Krishti rivendos me bollëk, jo vetëm atë që ishte, por edhe atë që mund të jetë.

Jeta dhe drita e Jezusit dëshmojnë për dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij. Për shkak se Perëndia, Ati ynë, i do të gjithë fëmijët e Tij në çdo epokë dhe tokë, ne e gjejmë ftesën e Tij të dashur që të vijmë e të gjejmë paqe e gëzim tek Ai në shumë tradita dhe kultura. Kudo, kurdoherë, kushdo qofshim, ne kemi të përbashkët identitetin hyjnor si fëmijë të të njëjtit Krijues. Në një frymë të ngjashme, pasuesit e islamizmit, judaizmit dhe krishterimit kanë trashëgimi të përbashkët fetare nga ati Abraham dhe lidhje në besëlidhje nëpërmjet ngjarjeve në Egjiptin e lashtë.

Ati Abraham erdhi në Egjipt dhe u bekua.

Jozefi, që e shitën si skllav në Egjipt, e dinte se ëndrra e faraonit nënkuptonte shtatë vjet bollëk të ndjekur nga shtatë vjet zie buke. Jozefi shpëtoi familjen dhe popullin e tij. Jozefi qau kur pa planin më të madh të Perëndisë, ku të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë për ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre.

Moisiu, i rritur në Egjipt në shtëpinë e Faraonit, i mori dhe më vonë rivendosi çelësat për mbledhjen e fëmijëve të Perëndisë.

Jozefi, Maria dhe Jezusi ikin për në Egjipt.

Duke përmbushur profecinë, Jozefi, Maria dhe foshnja Krisht kërkuan strehim në Egjipt. Në Kajro, një besimtar i devotshëm mysliman thotë me nderim: “Kurani jep mësim se Jozefi, Maria dhe foshnja Jezus gjetën siguri dhe strehë në vendin tim. Në vendin tim, Jezusi kur ishte vogëlush hëngri ushqimin tonë, hodhi hapat e Tij të parë, tha fjalët e Tij të para. Këtu në vendin tim, ne besojmë se pemët u përkulën për t’i dhënë Atij dhe familjes së Tij fruta. Prania e Tij në vendin tim e bekoi popullin dhe tokën tonë.”

Plani i Perëndisë për lirinë morale të zgjedhjes në vdekshmëri na lejon të mësojmë nga përvoja jonë. Disa nga mësimet tona më të mëdha në jetë vijnë nga gjërat që nuk do t’i zgjidhnim kurrë. Në dashuri, Jezu Krishti zbriti nën të gjitha gjërat dhe u ngjit mbi të gjitha gjërat. Ai gëzohet nga aftësitë tona hyjnore për krijimtari e kënaqësi [të shpirtit], nga mirësia jonë pa shpresuar për shpërblim, nga besimi ynë që çon deri në pendim e falje. Dhe Ai qan me hidhërim nga madhësia e vuajtjes, mizorisë dhe padrejtësisë njerëzore – shpesh të shkaktuara nga zgjedhja njerëzore – siç qajnë prej tyre qiejt dhe Perëndia i qiellit.

Çdo periudhë Pashke në pranverë dëshmon se rendi dhe përputhja shpirtërore janë të dyja pjesë e modelit hyjnor të shlyerjes, ringjalljes dhe rivendosjes nëpërmjet Jezu Krishtit. Kjo përputhje e shenjtë dhe simbolike nuk ndodh pa dashje ose rastësisht. E Diela e Palmave, Java e Shenjtë dhe Pashkët kremtojnë Shlyerjen dhe Ringjalljen e Krishtit. Si sot, çdo 6 prill ne përkujtojmë themelimin dhe organizimin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo Rivendosje është një nga arsyet pse mblidhemi të dielën e parë të çdo muaji prill për konferencën e përgjithshme.

Rivendosja erdhi gjithashtu kur Jezu Krishti i ringjallur, Moisiu, Eliasi dhe Elija rikthyen çelësat dhe autoritetin e priftërisë në Tempullin e përkushtuar rishtas të Kirtlandit të dielën e Pashkës, në vitin 1836. Në atë mjedis, atë ditë, Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit i erdhën autoriteti dhe bekimet e Perëndisë për të mbledhur fëmijët e Tij, për t’i përgatitur fëmijët e Tij që të kthehen tek Ai dhe për t’i bashkuar familjet për përjetësinë. Rivendosja atë ditë përmbushi profecinë duke ndodhur si ditën e Pashkës ashtu edhe në ditën e Pashkës judease.

Plaku Gong në Tempullin e Kirtlandit.

Duke përfshirë Tempullin e Kirtlandit, kohët e fundit vizitova disa vende të shenjta në Ohajo, ku Profeti Jozef dhe njerëz të tjerë panë në vegim Perëndinë, Atin tonë, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Profeti Jozef pa se si ishte qielli. Në qiell, Ati Qiellor, përmes Jezu Krishtit, i “shpëton gjithë veprat e duarve të tij” në një mbretëri lavdie. Përjashtimet e vetme janë ata që me dashje “e mohojnë Birin pasi Ati ta ketë zbuluar atë”.

Kur filloi shërbesa e Tij në vdekshmëri, Jezusi shpalli misionin e Tij për ta bekuar secilin prej nesh me gjithçka që jemi të gatshëm të marrim, në çdo kohë, në çdo vend, në çdo rrethanë. Pasi agjëroi për 40 ditë, Jezusi hyri në sinagogë dhe lexoi: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit”.

Të varfër, zemërthyer, në robëri, të verbër, të shtypur, kështu jemi të gjithë.

Libri i Isaias e vazhdon premtimin mesianik të shpresës, çlirimit dhe sigurisë: “[Jepu] gëzim atyre që pikëllohen në Sion, … [jepu] atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar”.

Kështu, ne thërrasim: “Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë”.

Çdo periudhë Pashke ne kremtojmë, si një tërësi simbolike, dhuratat e mëdha të përjetësisë nëpërmjet Jezu Krishtit: Shlyerjen e Tij, Ringjalljen e Tij të mirëfilltë (dhe premtimin për vetë ringjalljen tonë), Rivendosjen e Kishës së Tij të ditëve të mëvonshme me çelësat dhe autoritetin e priftërisë për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Perëndisë. Ne gëzohemi në veshjet e shpëtimit dhe në rrobën e drejtësisë. Ne brohorasim: “Hosana Perëndisë dhe Qengjit!”

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”

Secili prej nesh gjettë te Shlyerja e Jezu Krishtit, ringjallja dhe te rivendosja, paqen, bërjen si Ai dhe përkatësinë, atë që është pafundësisht e vërtetë dhe e gëzueshme, lumturuese dhe e përhershme, lutem unë në emrin e Tij të shenjtë, Jezu Krishtit, amen!

Shënime

  1. Shihni tek Alma 7:11–12. Vini re edhe premtimin e besëlidhjes në ordinancën e sakramentit: Ne marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë atë e të zbatoj[m]ë urdhërimet [e Tij] …, që të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]” (Doktrina e Besëlidhje 20:77).

  2. Shihni te Gjoni 11:33–35, 39–44.

  3. Shihni te Lluka 19:41–44; shihni edhe te Mateu 23:37; Lluka 13:34.

  4. Jakobi [LiM] 5:41.

  5. Gjoni 20:15.

  6. Psalmeve 30:5.

  7. 3 Nefi 17:21–22.

  8. Shihni te Psalmeve 107:9; Jeremia 33:3.

  9. Shihni tek Isaia 25:8.

  10. Shihni tek Alma 26:12.

  11. Shihni te Boyd K. Packer, “The Saints Securely Dwell”, Ensign, janar 1973, f. 89–90.

  12. “Ai Ësht’ Ngritur!”, Himne, nr. 118, jehon lajmin e gëzuar te 2 Nefi 9:10: Jezu Krishti “përgatit një udhë për udhëdaljen tonë nga kapja e këtij përbindëshi të tmerrshëm; po, ai përbindësh, vdekja dhe ferri, … vdekja e trupit dhe gjithashtu vdekja e shpirtit”.

  13. Shihni te Zanafilla 37–47. Sjellja e babait të Jozefit, Jakobit, dhe familjes së tij në Egjipt simbolizon ribashkimin e dashur të një djali dhe babai të ndarë prej kohësh. Ai gjithashtu bëhet mjeti me anë të të cilit ruhen familja e Jakobit dhe pasardhësit e besëlidhjes, që do të përfshijnë Lehin dhe familjen e tij. (Shihni te 1 Nefi 5:14–15; 6:2.)

  14. Shihni te Zanafilla 45:1–8.

  15. Shihni te Romakëve 8:28; Doktrina e Besëlidhje 90:24; 98:3.

  16. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11; shihni edhe te Marku 9:2–10; Lluka 9:28–36.

  17. Shihni te Mateu 2:13–15.

  18. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:6; 122:8.

  19. Shihni te Moisiu 7:28.

  20. Ne flasim për periudhën e Pashkës në pranverë, duke e ditur se Pashka mund të jetë në mars ose prill dhe se pranvera në hemisferën veriore në përgjithësi vjen në mars ose prill. Pavarësisht nga data specifike e Pashkës, periudha e Pashkës na kujton dhuratat e mëdha të përjetësisë nëpërmjet Jezu Krishtit.

  21. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:3; 115:4.

  22. Përvjetorët e shenjtë që ndodhin çdo periudhë Pashke ndonjëherë përkojnë saktësisht. Për shembull, Pashka dhe konferenca e përgjithshme bien të njëjtën të diel në vitin 2026 dhe 2029. E Diela e Palmave dhe konferenca e përgjithshme bien të njëjtën të diel në vitin 2031 dhe 2034. Pashka judease bie afër Pashkës dhe gjatë konferencës së përgjithshme në vitin 2026 dhe 2029. Pavarësisht nëse këta përvjetorë përkojnë saktësisht apo jo, ne e kuptojmë se afërsia e tyre përputhëse nuk ndodh pa dashje ose rastësisht, ajo është e shenjtë dhe simbolike.

  23. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 110.

  24. Doktrina e Besëlidhje 76:43; shihni edhe vargun 42.

  25. President Dallin H. Ouks jep mësim: “Qëllimi i kësaj Kishe të rivendosur është që t’i përgatitë fëmijët e Perëndisë për shpëtimin në lavdinë çelestiale dhe, më veçanërisht, për ekzaltimin në shkallën e saj më të lartë” (“Mbretëritë e Lavdisë”, Liahona, nëntor 2023, f. 27).

  26. Doktrina e Besëlidhje 76:43.

  27. Lluka 4:18; shihni edhe tek Isaia 61:1.

  28. Isaia 61:3.

  29. Isaia 61:10.

  30. Doktrina e Besëlidhje 109:79.

  31. Gjoni 3:16.