Konferenca e Përgjithshme
Të Çmojmë Jetën
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


14:10

Të Çmojmë Jetën

Jeta është një pjesë tejet e vyer në planin e përsosur të Atit tonë dhe, sipas urdhërimit të Tij, ne e çmojmë dhe e ruajmë jetën.

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na mësoi: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”.

Një peshkop në Jutë kohët e fundit më foli për dashurinë e treguar me shumicë në lagjen e tij kundrejt një të reje dhe familjes së saj. Nëpërmjet një sërë ndodhish të bukura, prindërit vendosën të riktheheshin te Shpëtimtari dhe Kisha e Tij. Gjatë kohës që qëndronin larg nga Kisha, bija e tyre adoleshente u përfshi në një raport me një të ri. Kur u kthyen në [Kishë], kjo bijë e çmuar ndjeu dashuri të pamasë nga Ati i saj Qiellor gjatë një mbledhjeje dëshmish të Të Rejave. Ajo vendosi t’i jetonte më plotësisht urdhërimet. Ajo shkroi: “E nisa procesin tim të pendimit me peshkopin tim”.

Fill pas këtij takimi, ajo nuk u ndje mirë me shëndet. Me fjalët e saj: “[Një] test tregoi … se isha shtatzënë. Fillova të qaja. … Im atë më mbështolli në krahët e tij dhe më siguroi se gjithçka do të [shkonte] mirë. … I dashuri im … më kërkoi që ta hiqja fëmijën. … Por unë refuzova.”

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Ajo vijoi: “Kam marrë shumë dashuri dhe përkrahje nga lagjja ime që e kam si familje. Ka qenë barrë e rëndë. Peshkopi [im] dhe presidentja [ime] e Të Rejave kanë bërë çmos për të më treguar dashurinë dhe përkrahjen e tyre. … E kam parë dorën e Zotit … të më udhërrëfejë mua dhe familjen time. … Një lagje si ajo e imja është familja që i nevojitet çdokujt, sidomos një të reje në situatën time.”

Ajo dhe familja e saj, bashkë me lagjen që e ka si familje, e mirëpritën përzemërsisht të voglin e saj shkurtin e kaluar.

Zoti Jezu Krisht.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar … për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë … [duke i dhënë shërbesë me dashamirësi] individit, pikërisht siç bëri Ai”.

Zgjedhje të Drejta që Ndihmojnë

Kur një grua beqare zbulon se po pret një fëmijë të paplanifikuar, shqetësimet shëndetësore, trazirat shpirtërore, turpi, shqetësimet financiare, mëdyshjet mbi arsimimin, pasiguritë martesore dhe trishtimi nga ëndrrat e shkatërruara munden, në një çast dhembjeje dhe pështjellimi, ta shtyjnë një grua, [zakonisht] të matur, që të ndërmarrë hapa që do t’i sjellin dhembje dhe keqardhje të thellë.

Për çdokënd që po dëgjon, që e ka përjetuar dhembjen dhe keqardhjen e thellë nga kryerja e një aborti ose pjesëmarrja në një abort, ju lutem të mbani mend: “Ndonëse nuk mund ta ndryshojmë dot të shkuarën, Perëndia mundet ta shërojë të shkuarën”. Falja mund të vijë nëpërmjet mrekullisë së hirit të Tij shlyes, teksa i drejtoheni Atij me një zemër të përulur dhe të penduar.

Dy fjalë shpesh janë të lidhura me shenjtërinë e lindjes në vdekshmëri: jeta dhe zgjedhja. Jeta është një pjesë tejet e vyer në planin e përsosur të Atit tonë dhe, sipas urdhërimit të Tij, ne e çmojmë dhe e ruajmë jetën, si dhe zgjedhim vijimësinë e jetës kur ajo ngjizet. Ne gjithashtu e ruajmë si thesar dhuratën e zgjedhjes, të lirisë morale të zgjedhjes, që ndihmon të forcohen zgjedhjet e drejta të miratuara nga Perëndia që sjellin lumturi të përjetshme.

Kur një grua dhe një burrë janë në një periudhë kaq delikate, duke u përballur me një zgjedhje kaq kritike, fjalët tona, duart tona, zemrat tona – shpirtërisht, emocionalisht dhe financiarisht – mund t’i bekojnë ata ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit dhe, sikurse ka thënë Presidenti Henri B. Ajring, të sjellin një qartësim të pamjes për sytë e tyre shpirtërorë, nga ajo që “mendojnë se e shohin” tek ajo “që ende nuk mund ta shohin”.

Doktrina e Jetës në Vdekshmëri

Presidenti Dallin H. Ouks tha: “Qëndrimi ynë ndaj abortit nuk bazohet te njohuria e zbuluar se kur nis jeta në vdekshmëri. … Ai ngulitet te njohuria jonë se … të gjithë fëmijët shpirtërorë të Perëndisë duhet të vijnë në këtë tokë për një qëllim të lavdishëm dhe se identiteti individual filloi kohë përpara ngjizjes dhe do të vazhdojë për të gjitha përjetësitë që do të vijnë.”

Fjala e Zotit në lidhje me fëmijët ende në barkun e nënës, së cilës i është dhënë zë nëpërmjet Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetëve Apostujve, nuk ka ndryshuar kurrë dhe jehon fjalët e profetëve ndër epoka, duke dhënë qartësim hyjnor për atë që ka kërkuar Zoti prej nesh.

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme beson në shenjtërinë e jetës njerëzore. Prandaj, Kisha është kundër abortit me dëshirë, për voli vetjake ose shoqërore dhe i këshillon anëtarët e saj që të mos i nënshtrohen, kryejnë, nxitin, paguajnë apo organizojnë kryerjen e aborteve të tilla.

[Zoti] i lejon përjashtimet e mundshme … kur:

  • Shtatzënia ndodh si pasojë e përdhunimit apo incestit, ose

  • një mjek kompetent përcakton që jeta ose shëndeti i nënës është në rrezik të rëndë, ose

  • një mjek kompetent përcakton se fetusi ka defekte të rënda që nuk do ta lejojnë foshnjën të jetojë pas lindjes.”

Presidenca e Parë vijon: “Aborti është një çështje jashtëzakonisht serioze. [Edhe në këto situata të rralla] ai duhet të merret në konsideratë vetëm pasi personat përgjegjës të kenë marrë konfirmim nëpërmjet lutjes” dhe të jenë këshilluar me të tjerët.

Tridhjetë vjet më parë, profetët e Zotit nxorën një proklamatë drejtuar botës. Në të përfshihen këto fjalë:

“Ne … deklarojmë se Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte.

Ne deklarojmë se mënyra me anë të së cilës krijohet jeta e vdekshme, është caktuar në mënyrë hyjnore. Ne pohojmë shenjtërinë e jetës dhe rëndësinë e saj në planin e përjetshëm të Perëndisë.”

Inkurajimi dhe mbrojtja e jetës që është ende në barkun e nënës, nuk është një qëndrim politik. Ai është një ligj moral i pohuar nga Zoti nëpërmjet profetëve të Tij.

Të Flasim më Haptas

Një thënie nga Presidenti J. Ruben Klark i Riu, i cili shërbeu në Presidencën e Parë, e përshkruan bukur rininë tonë sot: “Rinia e Kishës është e uritur për gjërat e Shpirtit; ata janë të etur për të mësuar ungjillin dhe e duan të qartë, të papërzier. Ata duan të dinë mbi … besimet tona; ata duan të fitojnë dëshmi për të vërtetën. Ata janë … shqyrtues, kërkues të së vërtetës.” Le t’u flasim më shpesh me besim dhe dhembshuri të rinjve tanë në shtëpitë tona, dhe me njëra-tjetrën në mbledhjet tona të Shoqatës së Ndihmës dhe me njëri-tjetrin në mbledhjet e kuorumit të pleqve, rreth ligjit të Zotit mbi ligjin e dëlirësisë, shenjtërinë e jetës dhe kujdesin ndaj fëmijëve ende në barkun e nënës si dhe ndaj nënave të tyre.

Një motër e dashur më shkroi për një përvojë që pati dekada më parë: “Kur isha 17 vjeçe … , zbulova se kisha mbetur shtatzënë dhe isha thuajse pa kurrfarë ndihme nga i dashuri im. Ndihesha në turp dhe e vetmuar, [por] nuk e çova kurrë nëpër mend [abortin]. … [Pata] familjen time të dashur dhe peshkopin tim, me të cilin takohesha shpesh për udhërrëfim. … Iu drejtova Perëndisë. Studiova shkrimet e shenjta … u luta [dhe] gjeta forcë nëpërmjet Shpëtimtarit tim dhe procesit të pendimit. … Mora një përgjigje [për lutjet e mia] që nuk mund ta mohoja. … Qe një situatë që ta thyente zemrën, mirëpo e dija se do ta çoja vajzën time për birësim. … U luta për guxim [dhe] e ndjeva dashurinë e Shpëtimtarit shumë qartë nëpërmjet pendimit. E di se Perëndia … u përgjigjet lutjeve dhe na forcon.”

Një çift zemërmirë e birësoi vogëlushen e çmuar dhe i mësoi asaj ungjillin. Tani ajo është e martuar, me një familje të bukur të sajën.

Hera‑herës, mbrojtja e jetës mund të shoqërohet nga një pasiguri thellësisht e vështirë dhe torturuese.

Kohët e fundit, një çift i ri që Kethi dhe unë e duam shumë, më shkroi rreth vogëlushes së çmuar që po prisnin të lindte.

I ati shkroi: “[Kur bashkëshortja ime ishte] 10-javëshe shtatzënë ne zbuluam se foshnja jonë e ardhur mrekullisht, ka çrregullimin gjenetik të 21 kromozomeve, i njohur gjerësisht si sindroma Daun. E ndiem trysninë … nga fusha e mjekësisë që t’i jepnim fund shtatzënisë. Disa javë më pas zbuluam se … fëmijës që prisnim, … do t’i duheshin ndërhyrje kirurgjikale të shumta në zemër gjatë vitit të parë të jetës. Gjatë gjithë këtij procesi, teksa u lutëm me zjarr për ndihmë hyjnore, … e ndiem Shpirtin të na jepte ngushëllim. Ne morëm zbulesë dhe kuptueshmëri që vajza jonë është një fëmijë i zgjedhur i Atit Qiellor dhe ka një dëshirë të pamasë për të qenë pjesë e familjes sonë dhe për të ardhur në tokë.”

Nëna e vogëlushes shkroi: “Mbetëm krejtësisht të tronditur, të pështjelluar dhe vërtet të shkatërruar nga lajmi. … Kur isha 14-javëshe shtatzënë, zbuluam se vogëlushja jonë kishte defekte të shumta të zemrës që në bark, diçka që mund të ishte edhe fatale. Takuam mjekë dhe specialistë të shumtë gjatë periudhës 10–18 javore të shtatzënisë. … Në secilin prej takimeve, na pyetën nëse dëshironim ta vazhdonim apo t’i jepnim fund shtatzënisë. … Shpëtimtari ma shëroi zemrën dhe më dha një ndjesi paqeje dhe lumturie për vogëlushen tonë. … [Ati Qiellor] më ka treguar herë pas here se Ai ka një plan të përkryer për mua [dhe] unë i mirëbesoj Atij.”

Ata e mirëpritën me entuziazëm të madh vogëlushen e tyre, pikërisht si sot para një jave. Ajo është e tyrja dhe ata janë të sajët përgjithmonë.

Besimi i patundur dhe guximi i jashtëzakonshëm janë tipare dalluese të dishepujve të Jezu Krishtit.

Një Shembull Mbresëlënës Besimi

Ndër vite, kam pasur privilegjin të takohem me burra dhe gra që kanë kërkuar gjithë përulësi të kthehen në shtegun e besëlidhjeve dhe te bekimet e tyre të priftërisë dhe të tempullit shumë vjet pas humbjes së anëtarësisë së tyre.

Në një rast, duhej të intervistoja një burrë, në emër të Presidencës së Parë, për rivendosjen e bekimeve të tij të priftërisë dhe të tempullit.

Pas martesës në tempullin e shenjtë dhe pasi kishin lindur tre fëmijë të mrekullueshëm, burri e shkeli besnikërinë ndaj bashkëshortes dhe besëlidhjeve të tij të shenjta. Një grua e pamartuar mbeti shtatzënë dhe dëshironte të kryente një abort.

Gruaja e bashkëshortit me një shpirt prej shenjtoreje, iu lut gruas që ta mbante foshnjën dhe i premtoi se do ta rriste fëmijën pasi të lindte, bashkë me fëmijët e saj.

Gruaja beqare, pasi u mendua, pranoi të mos i jepte fund shtatzënisë.

Tashmë janë bërë 10 vjet. Motra e përulur që qe ulur përpara meje, e deshi djalin si të vetin dhe më tregoi për përpjekjet e bashkëshortit të saj për t’i ndrequr gjërat dhe për ta dashur e për t’u kujdesur për të dhe familjen. Babai i djalit qante ndërsa ajo fliste.

E si mundi kjo grua fisnike e Perëndisë që ta pranonte një fëmijë si të vetin, i cili do të ishte një kujtues i përditshëm i pabesisë së bashkëshortit të saj? Si vallë? Sepse ajo gjeti forcë nëpërmjet Jezu Krishtit dhe ajo besonte në shenjtërinë e jetës dhe natyrën hyjnore të jetës. Ajo e dinte se fëmija që pritej të lindte, ishte fëmijë i Perëndisë, i pafajshëm dhe i dëlirë.

Kolazh me fotografi foshnjash.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, dashuria e zbehur për fëmijët që janë ende në barkun e nënës është një shqetësim i madh në mbarë botën. Perëndia e çmon jetën. Është vepra dhe lavdia e Tij që të sjellë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme për fëmijët e Tij. Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne e çmojmë jetën. “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.” Ua tregofshim dashurinë tonë edhe shumë më tepër atyre që kanë nevojë kaq skajshëm për ne! Ju shpreh juve dashurinë time dhe dashurinë e Atit Qiellor për fëmijët e Tij që po vijnë në tokë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 13:35; shihni edhe te Mateu 22:36–40.

  2. Letërkëmbim vetjak, 6 shkurt 2025; përdorur me leje.

  3. Letërkëmbim vetjak, 6 shkurt 2025; përdorur me leje.

  4. Rasëll M. Nelson, “Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 69.

  5. Një shembull i një gruaje të drejtë në Francë; shihni te Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness (2019), f. 154–156.

  6. Shihni te Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness, f. 219; shihni edhe te Neil L. Andersen, Jesus Is the Christ (2023), f. 5.

  7. Shihni deklaratën zyrtare mbi abortin: “Abortion” [“Aborti”], newsroom.ChurchofJesusChrist.org. Te Manuali i Përgjithshëm thuhet: “Një njeri mund të pendohet dhe të marrë falje për mëkatin e abortit” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Trishtimi sipas Perëndisë është dhuratë e Shpirtit. Ai është një vetëdije e thellë se veprimet tona e kanë fyer Atin tonë dhe Perëndinë tonë. Është dijenia e mprehtë dhe therëse se sjellja jonë e bëri Shpëtimtarin, Atë që nuk njohu mëkat, madje më të madhin e të gjithëve, të duronte agoni dhe vuajtje. Mëkatet tona e bënë Atë t’i derdhej gjak nga çdo por. Pikërisht ky ankth i vërtetë mendor e shpirtëror është ajo që shkrimet e shenjta i thonë të kesh ‘një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar’ [shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:37]. Një shpirt i tillë është parakushti absolut për pendim të vërtetë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 89; shihni edhe te 2 Korintasve 7:10; 3 Nefi 9:20; 18:32).

  8. “Zoti i tha Enokut: Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia dhe unë ua dhashë atyre diturinë e tyre, në ditën që i krijova ata; dhe në Kopshtin e Edenit, i dhashë njeriut lirinë e tij për të zgjedhur;

    Dhe vëllezërve të tu u kam thënë dhe gjithashtu u kam dhënë urdhërim që ata duhet ta duan njëri-tjetrin dhe se duhet të më zgjedhin mua, Atin e tyre” (Moisiu 7:32–33).

  9. Henry B. Eyring, To Draw Closer to God (1997), f. 143.

  10. Dallin H. Oaks, “The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 74. Presidenti Nelson ka thënë: “Nuk është një çështje se kur fillon ‘jeta kuptimplotë’ ose se kur shpirti ‘i jep jetë’ trupit. Në shkencat biologjike, dihet se jeta fillon kur dy qeliza germinale bashkohen për t’u bërë një qelizë e vetme, duke përbashkuar njëzet e tre kromozome si nga babai ashtu edhe nga nëna. … Fillimi i jetës nuk është një çështje e diskutueshme, por një fakt i shkencës” (“Reverence for Life”, Ensign, maj 1985, f. 13).

  11. Presidenti Xhon Tejlor në vitin 1879 tha: “Ne duhet ta [kundërshtojmë] vrasjen e fetusit, vrasjen e foshnjës dhe praktikave të tjera të neveritshme … qoftë në formën e një dekreti legjislativ, vendimi gjyqësor apo ndonjë amendamenti tjetër në emër të qytetarisë” (“Discourse”, Deseret News, 31 dhjetor 1879, f. 755; germëzimi i modernizuar).

  12. Deklarata zyrtare mbi abortin: “Abortion” [“Aborti”], newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  13. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  14. J. Reuben Clark Jr., The Charted Course of the Church in Education, bot. i rish. (1994; fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 8 gusht 1938), f. 3, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  15. Shihni tek Tema dhe Pyetje, “Abortion” [“Aborti”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  16. Letërkëmbim vetjak, 13 shkurt 2025; përdorur me leje.

  17. Një shembull tjetër i bekimit prej birësimit është historia e Sherilin Stinsonit dhe bijës së saj, Alisonit, bashkë me nënën e saj biologjike, Xhill Morgensenin (shihni te Mary Richards, “Navigating the Journey of Adoption Reunification”, Church News, 18 nëntor 2024, thechurchnews.com).

  18. Me ndihmën e Zotit dhe krahët tanë të hapur, shumë vetë bekohen për të gjetur udhën e tyre. Shihni tek Amanda Becker, “Finding Hope as a Single Expectant Mother”, Liahona, korrik 2022 (vetëm në format digjital); “The Adoption Decision”, New Era, mars 2006, f. 28–33.

  19. Letërkëmbim vetjak, 17 shkurt 2025; përdorur me leje.

  20. Përvojë vetjake; shihni te Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness, f. 246–247.

  21. Shihni te Moisiu 1:39.

  22. Gjoni 13:35; shihni edhe te Mateu 22:36–40.

  23. Burime të tjera që mund të jenë të dobishme: Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Unwed Pregnancy” [“Shtatëzania Jashtë Martese”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Prindërit e Pamartuar që Presin Fëmijë”, Manuali i Përgjithshëm, 38.6.19, Burimet për Këshillim, “Prindërit e Pamartuar që Presin Fëmijë”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].