Konferenca e Përgjithshme
Shlyerja e Jezu Krishtit Siguron Shpëtimin Përfundimtar
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


14:16

Shlyerja e Jezu Krishtit Siguron Shpëtimin Përfundimtar

Ndërsa drejtohemi te Jezu Krishti, Shpëtimtari i botës, Ai na shpëton nga stuhitë e jetës nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Shlyerja e Jezu Krishtit siguron shpëtimin përfundimtar nga sprovat me të cilat përballemi në këtë jetë. Presidenti Rasëll M. Nelson më caktoi që, nga fundi i vitit të kaluar, të përkushtoja Tempullin e Kasperit në Uajoming. Ishte një përvojë e thellë, emocionale dhe shpirtërore. Më solli qartë në qendër të vëmendjes rolin që luajnë tempujt në shpëtimin e fëmijëve të Perëndisë nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Kunjet në Distriktin e Tempullit të Kasperit në Uajoming përfshijnë një pjesë të shtegut tokësor që u përdor nga pionierët shenjtorë të ditëve të mëvonshme nga viti 1847 deri në vitin 1868. Gjatë përgatitjes për përkushtimin e tempullit, rilexova një pjesë nga historia e shtegut përgjatë lumit Pllat pranë Kasperit dhe që vazhdon deri në Solt‑Lejk‑Siti. Shtegu kishte qenë një rrugëkalim për qindra mijëra emigrantë perëndimorë. Vëmendja ime kryesore ishte te më shumë se 60 000 pionierët shenjtorë të ditëve të mëvonshme që e përshkuan shtegun.

Shumica e pionierëve tanë erdhën me qerre, por rreth 3000 veta e kaluan shtegun në 10 kompani karrocash dore. Tetë prej këtyre kompanive të karrocave të dorës e bënë udhëtimin kolosal me sukses të jashtëzakonshëm dhe me pak vdekje. Përjashtimi ishin Kompanitë e karrocave të dorës Uilli dhe Martin të vitit 1856.

I shqyrtova rrëfimet e kompanive të karrocave të dorës Uilli dhe Martin që nga koha kur filluan kushtet e tmerrshme të motit. U bëra thellësisht i vetëdijshëm për sfidat me të cilat u përballën kur kaluan lumin Suituotër, Limanin e Martinit, Kreshtën Shkëmbore dhe Lugun e Përroit Shkëmbor.

Pionierët e karrocave të dorës në dëborë.

Between Storms [Mes Stuhive], nga Albin Veselka

Nuk kisha qenë brenda Tempullit të Kasperit përpara përkushtimit. Kur u futa në korridor, ma tërhoqi sakaq vëmendjen një pikturë origjinale e karrocave të dorës e titulluar Between Storms [Mes Stuhive]. Është e qartë se piktura nuk kishte për qëllim të portretizonte tragjeditë që kishin ndodhur. Teksa e vështroja ngultas, mendova: “Kjo pikturë është e saktë; pjesa dërrmuese e pionierëve të karrocave të dorës nuk përjetuan tragjedi”. Nuk mund të bëja gjë tjetër veçse të mendoja se kjo është jeta në përgjithësi. Nganjëherë jemi mes stuhive dhe nganjëherë jemi mes reve dhe rrezeve të diellit.

Lumi Suituotër.

Heaven’s Portal [Hyrja e Qiellit], nga Jim Wilcox

Kur u drejtova te piktura origjinale në murin tjetër, e titulluar Heaven’s Portal [Hyrja e Qiellit] I kuptova se kjo pikturë e bukur verore e asaj që quhej “Porta e Djallit”, me lumin e qetë dhe të pastër Suituotër që rridhte nëpër të, paraqiste bukurinë e krijimit të Zotit, jo vetëm sfidat me të cilat u përballën pionierët në atë periudhë të tmerrshme dimri.

Pastaj hodha sytë përtej, prapa tryezës së rekomandimit dhe pashë një pikturë të bukur të Shpëtimtarit. Kjo nxiti menjëherë ndjenja të fuqishme mirënjohjeje. Në një botë me bukuri të jashtëzakonshme, ka edhe sfida tepër të mëdha. Ndërsa drejtohemi te Jezu Krishti, Shpëtimtari i botës, Ai na shpëton nga stuhitë e jetës nëpërmjet Shlyerjes së Tij në përputhje me planin e Atit.

Për mua, korridori ishte një përgatitje e përsosur për dhomat e ordinancave të tempullit që na lejojnë të marrim ordinancat e ekzaltimit, të bëjmë besëlidhje të shenjta dhe të pranojmë e përjetojmë plotësisht bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Plani i Atit për lumturinë bazohet në shpëtimin shlyes të Shpëtimtarit.

Përvoja e pionierëve u siguron shenjtorëve të ditëve të mëvonshme një traditë historike unike dhe një trashëgimi të fuqishme kolektive shpirtërore. Për disa njerëz, shpërngulja kishte vite që po ndodhte pasi u dëbuan me forcë nga Misuri dhe Navuja. Për të tjerë, filloi pasi Presidenti Brigam Jang njoftoi planin e karrocave të dorës, i cili synonte ta bënte emigracionin më të përballueshëm. Karrocat e dorës kushtonin shumë më pak se qerret dhe qetë.

Një misionar në Angli, Millen Etudi, tha se me t’u njoftuar plani i karrocave të dorës, “ai u përhap si zjarri në kashtë të thatë dhe zemrat e shenjtorëve të varfër morën hov nga gëzimi e lumturia”. Shumë njerëz ishin “lutur dhe kishin agjëruar për ditë e net me radhë, që të mund të kishin privilegjin të bashkoheshin me vëllezërit dhe motrat e tyre në male”.

Shumica e shenjtorëve me karroca dore, përjetuan vështirësi, por shmangën ngjarje madhore fatkeqe. Por dy kompani të karrocave të dorës, kompania Uilli dhe kompania Martin, përjetuan uri të skajshme, ekspozim ndaj motit të acartë dhe shumë vdekje.

Shumica e këtyre udhëtarëve lundruan nga Liverpuli i Anglisë, në maj të vitit 1856, me dy anije. Ata mbërritën në vendin e organizimit dhe bërjes së karrocave të dorës në Ajoua‑Siti në qershor dhe korrik. Pavarësisht nga paralajmërimet, të dyja kompanitë u nisën për Luginën e Solt‑Lejkut tepër vonë.

Presidenti Brigam Jang fillimisht u vu në dijeni për situatën e rrezikshme të këtyre kompanive më 4 tetor 1856. Të nesërmen, ai qëndroi përpara shenjtorëve në Solt‑Lejk‑Siti dhe tha: “Shumë nga vëllezërit dhe motrat tona janë në rrafshnalta me karroca dore … dhe ata duhet të sillen këtu; ne duhet t’u dërgojmë atyre ndihmë … përpara se të fillojë dimri”.

Ai u kërkoi peshkopëve të siguronin 60 grupe mushkash, 12 ose më shumë qerre dhe 12 ton (10 886 kg) miell dhe shpalli: “Shkoni dhe sillini ata njerëz që tani janë në rrafshnalta”.

Numri i pionierëve në të dyja kompanitë e karrocave të dorës Uilli dhe Martin ishte afërsisht 1100 veta. Rreth 200 nga këta shenjtorë të çmuar vdiqën përgjatë shtegut. Pa shpëtimin që ndodhi në kohë, do të kishin vdekur shumë më tepër prej tyre.

Stuhitë e dimrit filluan gati dy javë pasi grupi i parë i shpëtimit u nis nga Solt‑Lejk‑Siti. Rrëfimet e anëtarëve të kompanive Uilli dhe Martin përshkruajnë sfida shkatërruese pasi filluan stuhitë. Këto rrëfime përshkruajnë gjithashtu gëzimin e madh kur mbërritën shpëtuesit.

Duke përshkruar skenën e mbërritjes, Meri Hërreni tha: “Në faqet e burrave rrodhën lot dhe fëmijët kërcyen nga gëzimi. Sapo njerëzit e mblodhën veten, të gjithë u gjunjëzuan në dëborë dhe i dhanë falënderime Perëndisë.”

Dy ditë më vonë, kompanisë Uilli iu desh të përshkonte pjesën më të vështirë të shtegut, duke kaluar mbi Kreshtën Shkëmbore, në një stuhi acari. Karroca e fundit e kompanisë mbërriti në kamp vetëm në orën 5:00 të mëngjesit të nesërmen. Trembëdhjetë njerëz vdiqën dhe u varrosën në një varr të përbashkët.

Më 7 nëntor, kompania Uilli po i afrohej Luginës së Solt‑Lejkut, por atë mëngjes, ndodhën prapë tri vdekje. Dy ditë më vonë, kompania Uilli më në fund mbërriti në Solt‑Lejk, ku pati një pritje të mrekullueshme për ta dhe ata u mirëpritën në shtëpitë e shenjtorëve.

Po atë ditë, kompania Martin kishte edhe 523 kilometra për të bërë në shteg, duke vazhduar të vuante nga i ftohti dhe ushqimi i pamjaftueshëm. Disa ditë më parë, ata kishin kaluar lumin Suituotër për të arritur në atë që tani quhet Limani i Martinit, ku shpresonin të gjenin mbrojtje nga elementet e natyrës. Njëri nga pionierët tha: “Ishte kalimi më i keq i një lumi gjatë gjithë ekspeditës”. Disa nga shpëtuesit, si stërgjyshi im, Dejvid Paten Kimballi, i cili ishte vetëm 17 vjeç, së bashku me miqtë e tij të rinj në moshë, “Xhorxh W. Grantin, Allen Hantingtonin, Stivën Tejlorin dhe Ajra Nebekerin, kaluan orë të tëra në ujin tepër të ftohtë”, duke e ndihmuar heroikisht kompaninë që të kalonte lumin Suituotër.

Ndërkohë që kjo ngjarje ka marrë shumë vëmendje, teksa mësova më shumë për shpëtuesit, kuptova se të gjithë ata po ndiqnin profetin dhe luajtën role kritike në shpëtimin e shenjtorëve të bllokuar. Të gjithë shpëtuesit ishin heroikë, ashtu si edhe emigrantët.

Gjatë studimit të historisë së tyre, vlerësova marrëdhëniet e çmuara dhe largpamësinë afatgjatë, të përjetshme mes emigrantëve. Xhon dhe Maria Linfordi dhe tre djemtë e tyre ishin pjesëtarë të kompanisë Uilli. Xhoni vdiq disa orë para se të mbërrinin shpëtuesit e parë. Ai i kishte thënë Maries se ishte i lumtur që e kishin bërë udhëtimin. “Unë nuk do të mbërrij i gjallë në Solt‑Lejk”, – tha ai, – “por ti dhe djemtë po, dhe nuk ndiej keqardhje për gjithçka kemi kaluar nëse djemtë tanë mund të rriten e të krijojnë familjet e tyre në Sion.”

Presidenti Xhejms E. Faust dha këtë përmbledhje të mrekullueshme: “Në përpjekjen heroike të pionierëve të karrocave të dorës, mësojmë një të vërtetë të madhe. Të gjithë njerëzit duhet të kalojnë përmes zjarrit të rafinuesit dhe gjërat pa peshë e të parëndësishme në jetën tonë mund të shkrihen tej si zgjyra dhe ta bëjnë besimin tonë të ndritshëm, të paprekur e të fortë. Duket sikur ka një masë të madhe ankthi, pikëllimi dhe shpesh zemërthyerjeje për çdokënd, përfshirë dhe ata që kërkojnë plot zell të bëjnë atë që është e drejtë dhe të jenë besnikë. Megjithatë, kjo është pjesë e pastrimit për t’u njohur me Perëndinë.”

Në Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij që përcaktoi natyrën e përjetësisë, Shpëtimtari këputi “lidhjet e vdekjes, duke korrur fitore mbi vdekjen” për këdo. Për ata që janë penduar për mëkatet, Ai ka “marrë përsipër paudhësinë e tyre dhe shkeljet e tyre, duke i shëlbuar ata dhe duke plotësuar kërkesat e drejtësisë”.

Pa Shlyerjen, ne nuk mund ta shpëtojmë veten nga mëkati dhe vdekja. Ndërsa mëkati mund të luajë një rol domethënës në sprovat tona, fatkeqësitë e jetës shoqërohen nga gabime, vendime të këqija, veprime të liga të të tjerëve dhe shumë gjëra që janë jashtë kontrollit tonë.

Udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim na mëson: “Ndërsa mbështetemi te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, Ai mund të na ndihmojë t’i durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”

Gjatë kësaj periudhe Pashke, përqendrimi ynë është te Shpëtimtari dhe flijimi i Tij shlyes. Shlyerja siguron shpresë dhe dritë në një kohë që shumë njerëzve u duket e errët dhe e zymtë. Presidenti Gordon B. Hinkli deklaroi: “Kur e gjithë historia të shqyrtohet, … asgjë nuk [do të jetë] kaq e mrekullueshme, kaq madhështore, kaq e jashtëzakonshme sa ky veprim [plot] hir”.

Unë jap tri rekomandime, të cilat mendoj se janë veçanërisht me vend për kohën tonë.

Së pari, mos e nënvlerësoni rëndësinë e bërjes së asaj që mund të bëjmë, për të shpëtuar të tjerët nga sfidat fizike dhe veçanërisht ato shpirtërore.

Së dyti, pranojeni me mirënjohje Shlyerjen e Shpëtimtarit. Të gjithë ne duhet të përpiqemi fort që të shfaqim gëzim e lumturi edhe kur përballemi me sfidat e jetës. Qëllimi ynë duhet të jetë të jetojmë me optimizëm [duke u anuar] nga ana me diell e rrugës. E kam vëzhguar shoqen time të çmuar, Merin, tek e ka bërë këtë gjatë gjithë jetës së saj. E kam vlerësuar qasjen e saj të shkëlqyeshme, moralisht lartësuese edhe kur jemi përballur me probleme gjatë viteve.

Këshilla ime e tretë është të caktojmë një kohë në mënyrë të vazhdueshme për të përsiatur me besnikëri për Shlyerjen e Shpëtimtarit. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë në ushtrimin e fesë nga ana jonë. Megjithatë, frekuentimi i mbledhjes së sakramentit dhe marrja e sakramentit janë veçanërisht domethënëse.

Po aq i rëndësishëm është frekuentimi i rregullt në një tempull, aty ku është e mundur. Tempulli siguron një kujtues të vazhdueshëm të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe të asaj që ajo mposht. Dhe, akoma dhe më e rëndësishme, frekuentimi i tempullit na lejon t’u sigurojmë një shpëtim shpirtëror njerëzve tanë të dashur që kanë vdekur, dhe paraardhësve tanë më të largët.

Presidenti Rasëll M. Nelson, në konferencën tonë të fundit, e theksoi këtë parim dhe shtoi: “Bekime[t e tempullit] ndihmojnë edhe për të përgatitur një popull i cili do të ndihmojë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit!”

Nuk duhet t’i harrojmë kurrë sakrificat dhe shembujt e brezave të mëparshëm, por adhurimi, vlerësimi dhe admirimi ynë duhet të përqendrohen te Shpëtimtari i botës dhe flijimi i Tij shlyes. Dëshmoj se çelësi i planit të Atit për lumturinë është Shlyerja e kryer nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ai jeton dhe e udhërrëfen Kishën e Tij. Shlyerja e Jezu Krishtit siguron shpëtimin përfundimtar nga sprovat me të cilat përballemi në këtë jetë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Tempulli i Kasperit në Uajoming u përkushtua më 24 nëntor 2024.

  2. U vura dijeni për kompanitë Uilli dhe Martin dhe tragjeditë me të cilat u përballën, kur isha shumë i ri në moshë. Stërgjyshi im, Dejvid Paten Kimballi, ishte pjesë e grupit nga Lugina e Solt-Lejkut që Presidenti Brigam Jang e dërgoi për t’i shpëtuar këta shenjtorë. (Shihni te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 2, No Unhallowed Hand, 1846–1893 [2020], f. 237.)

  3. Albin Veselka, Between Storms [Mes Stuhive], piktura origjinale në Tempullin e Kasperit në Uajoming (shihni te “Casper Wyoming Temple Open House Commences”, Newsroom, 26 gusht 2024, newsroom.ChurchofJesusChrist.org).

  4. “N’qoft’ shi a diell, Zot, me mua rri!” (“Me Mua Rri!”, Himne, nr. 94.)

  5. Jim Wilcox, Heaven’s Portal [Hyrja e Qiellit], piktura origjinale në Tempullin e Kasperit në Uajoming (shihni te “Casper Wyoming Temple Open House Commences”, newsroom.ChurchofJesusChrist.org).

  6. Joseph Brickey, Risen Hope [Shpresa e Ringjallur], riprodhim i shtypur me cilësi të lartë i pikturës origjinale (shihni te “Casper Wyoming Temple Open House Commences”, newsroom.ChurchofJesusChrist.org).

  7. Shihni te William G. Hartley, “The Place of Mormon Handcart Companies in America’s Westward Migration Story”, The Annals of Iowa, vëll. 65, nr. 2, 3 (pranverë/verë 2006), f. 107–109.

  8. Millen Atwood, “Account of His Mission”, Deseret News, 26 nëntor 1856, f. 300; cituar tek Andrew D. Olsen dhe Jolene S. Allphin, Follow Me to Zion: Stories from the Willie Handcart Pioneers (2013), f. xi.

  9. Kompanitë e qerreve Hoxhets dhe Hant udhëtuan pranë kompanisë së karrocave të dorës Martin dhe duhej gjithashtu të shpëtoheshin.

  10. Shumica e njerëzve në kompaninë Uilli u nisën nga Liverpuli i Anglisë me anijen Thornton më 4 maj 1856. Shumica e njerëzve në kompaninë Martin u nisën nga Liverpuli i Anglisë me anijen Horizon më 25 maj 1856.

  11. Shihni te “Handcart Camp Dedicated in Iowa as Historic Site”, Church News, 9 gusht 1980, f. 3, 5.

  12. Brigham Young, “Remarks”, Deseret News, 15 tetor 1856, f. 252; pikësimi i modernizuar.

  13. Brigham Young, “Remarks”, f. 252.

  14. Shihni tek Olsen dhe Allphin, Follow Me to Zion, f. 217.

  15. Mary Hurren, tek Olsen dhe Allphin, Follow Me to Zion, f. 131.

  16. Më 23 korrik 1994, Presidenti Gordon B. Hinkli përkushtoi Monumentin e Lugut të Përroit Shkëmbor [Rock Creek Hollow Monument] dhe bëri homazhe për shenjtorët besnikë që vdiqën nga udhëtimi në Kreshtën Shkëmbore (shihni te Julie Dockstader Heaps, “Trail of Handcart Pioneers Sanctified by Sacrifice”, Church News, 30 korrik 1994, f. 8–9, 11). Presidenti Robert Skot Lorimer e shoqëroi Presidentin Hinkli në përkushtim. Si president kunji i Kunjit Riverton në Uajoming, ai luajti një rol qendror në përcaktimin dhe mbikëqyrjen e veprimeve historike dhe shpirtërore për ata që e përjetuan tragjedinë.

  17. Shihni te ditari i emigrimit të kompanisë së James G. Willie, 7 nëntor 1856, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti.

  18. John Jaques, “Some Reminiscences”, Salt Lake Daily Herald, 15 dhjetor 1878, f. 1.

  19. Saints, 2:237. Gjyshi im, Krozieri, djali i Dejvid Patenit, më dha mësime të rëndësishme. Ai theksoi se Dejvidi po ndiqte profetin, dhe ne duhet të ndjekim këshillën e profetit në kohën tonë.

  20. John Linford, te Golden C. Linford, Linford Family Heritage (1995), f. 214; shihni edhe te Val Parrish, “President’s Message”, Pioneer, vëll. 71, nr. 3 (vjeshtë 2024), f. 1.

  21. James E. Faust, në “Faith in Every Footstep: The Epic Pioneer Journey” (paraqitje me material filmik në konferencën e përgjithshme, 6 prill 1997), Ensign, maj 1997, f. 63.

  22. Mosia 15:8.

  23. Mosia 15:9; shihni edhe tek Alma 34:16.

  24. Shihni tek Alma 22:12–15.

  25. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023), f. 55.

  26. Gordon B. Hinckley, “The Wondrous and True Story of Christmas”, Liahona, dhjetor 2000, f. 4.

  27. Presidenti Tomas S. Monson e dha mësim si dhe e jetoi parimin e shpëtimit (shihni te Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson [2020], f. 67–76).

  28. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 121.