Konferenca e Përgjithshme
Autoritet Hyjnor, Të Rinj të Madhërishëm
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


11:44

Autoritet Hyjnor, Të Rinj të Madhërishëm

Jam përgjithmonë mirënjohës që mbajtësit e Priftërisë Aarone, me fuqitë, ordinancat dhe detyrat e saj, vërtet na bekojnë ne të gjithëve.

Faleminderit, Plaku Andersen për atë shprehje mbresëlënëse të fuqisë së priftërisë dhe të fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Një mëngjes të diele këtë janar, ndërsa u ula në mbledhjen e sakramentit, mbi dymbëdhjetë të rinj u mbështetën për të përparuar në Priftërinë Aarone. Ndjeva se bota ndryshoi fizikisht nën këmbët tona.

Më preku thellë që, anembanë botës, nga një zonë kohore në tjetrën, në mbledhjet e sakramentit pikërisht si ajo, dhjetëra mijëra dhjakë, mësues dhe priftërinj, si miku i Presidentit Holland këtë mëngjes, Istoni, po mbështeteshin për t’u shuguruar në dhënien e shërbesës së priftërisë për të gjithë jetën, gjë që do të përfshinte gjatë e gjerë mbledhjen e Izraelit.

Çdo janar, duart vendosen mbi kokat e rreth 100 000 të rinjve, duke i lidhur ata nëpërmjet ordinancës me një linjë të ndritur autoriteti që shtrihet pas, përmes epokës së Rivendosjes, deri te Jozefi dhe Oliveri, te Gjon Pagëzori dhe te Jezu Krishti.

Tani, Kisha jonë nuk është gjithmonë një Kishë që dëfton shumë. Pra, ne nuk bëjmë bujë.

Por prapëseprapë, duke parë këtë gjëmim buçitës të mbajtësve të priftërisë të saposhuguruar të përhapej nëpër tokë, pyeta veten – në një “kishë gëzimi”, në njëfarë mënyre – a mos duhet vallë të bërtasim nga maja e çatisë. “Sot”, – mendova, – “duhet të ketë bori, cimbale që përplasen dhe qirinj romakë që flakërojnë. Duhet të ketë parada!”

Duke e ditur fuqinë e Perëndisë për atë që është në të vërtetë, ne ishim dëshmitarë të prishjes së vetë modeleve të kësaj bote nga autoriteti i perëndishëm që përhapet në tokë.

Këto shugurime u japin një shtysë këtyre të rinjve drejt një shërbimi gjatë gjithë jetës, teksa ata do të gjenden në situata të rëndësishme dhe vende ku prania dhe lutjet e tyre dhe fuqitë e priftërisë së Perëndisë që ata mbajnë, do të kenë rëndësi të madhe.

Ky reaksion zinxhir i kontrolluar filloi me një engjëll shërbestar të dërguar nga Perëndia. Gjon Pagëzori i ringjallur i kohëve të lashta, iu shfaq Jozefit dhe Oliverit, vendosi duart mbi kokat e tyre dhe tha: “Mbi ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve” (Doktrina e Besëlidhje 13:1).

Gjoni e quajti këtë autoritet “Priftëri[a] e Aaronit”, sipas vëllait të Moisiut që ishte dhe shoqërues në priftëri. Në lashtësi, mbajtësit e kësaj priftërie të Aaronit duhej të jepnin mësim dhe të ndihmonin për ordinancat – ordinanca që e përqendronin dishepullimin te Mesia i ardhshëm, Zoti Jezu Krisht (shihni te Ligji i Përtërirë 33:10).

Libri i Numrave u cakton në mënyrë të qartë mbajtësve të priftërisë së Aaronit detyrat e trajtimit të orendive të ordinancave. “Ti do të vendosësh Aaronin dhe bijtë e tij … [dhe] detyrat e tyre [do të jenë] … tryez[a], … dhe … orenditë e shenjtërores me të cilat ata krye[jnë] shërbimin” (Numrat 3:10, 31).

Ordinanca e Dhiatës së Vjetër e sakrifikimit të kafshëve u përmbush dhe u zëvendësua me jetën dhe Shlyerjen e Shpëtimtarit. Ajo ordinancë e lashtë u zëvendësua me ordinancën që tani ne e quajmë sakramenti i Darkës së Zotit.

Zoti u mirëbeson mbajtësve të sotëm të priftërisë së Aaronit që të bëjnë po të njëjtat gjëra që bënin në lashtësi: të japin mësim dhe të administrojnë ordinancat, të gjitha këto për të na kujtuar Shlyerjen e Tij.

Kur dhjakët, mësuesit dhe priftërinjtë ndihmojnë për sakramentin, ata i marrin bekimet e tij njësoj si gjithë të tjerët: duke e mbajtur besëlidhjen që bëjnë ndërsa marrin individualisht bukën dhe ujin. Por gjatë kryerjes së këtyre detyrave të shenjta, ata gjithashtu mësojnë më shumë rreth roleve dhe përgjegjësive të tyre të priftërisë.

Priftëria Aarone quhet priftëria përgatitore pjesërisht sepse ordinancat e saj u lejojnë atyre të përjetojnë peshën dhe gëzimin e të qenit në punën e Zotit, duke i përgatitur për shërbimin e ardhshëm në priftëri, kur mund të thirren për të dhënë shërbesë në mënyra të paparashikueshme, përfshirë shqiptimin e bekimeve të frymëzuara në kohët kur shpresat dhe ëndrrat, madje edhe jeta e vdekja, gjenden në një ekuilibër të pasigurt.

Pritshmëri të tilla serioze kërkojnë përgatitje serioze.

Doktrina e Besëlidhje shpjegon se dhjakët dhe mësuesit gjithashtu duhet “të paralajmërojnë, të sqarojnë, të këshillojnë e të japin mësim dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti” (Doktrina e Besëlidhje 20:59). Përveç këtyre mundësive, priftërinjtë duhet “të predikoj[n]ë … dhe të pagëzoj[n]ë” (Doktrina e Besëlidhje 20:50).

Epo, e gjithë kjo tingëllon si përgjegjësi e madhe, por në botën reale, këto gjëra ndodhin natyrshëm dhe ndodhin në të gjithë botën.

Një peshkop ua mësoi këto detyra presidencës së re të kuorumit të dhjakëve të tij. Kështu që presidenca e re filloi të diskutonte se si mund të shfaqej kjo në kuorumin e tyre dhe lagjen e tyre. Ata vendosën se duhet të fillonin të vizitonin anëtarët e moshuar të lagjes për të mësuar mbi nevojat e tyre dhe më pas t’i plotësonin ato.

Një prej njerëzve të cilëve u shërbenin ishte Alani, një fqinj i ashpër, shpesh me gjuhë përdhosëse dhe ndonjëherë armiqësor. Bashkëshortja e Alanit, Uanda, u bë anëtare e Kishës, por Alani ishte, siç themi ne, disi i vështirë.

Gjithsesi, dhjakët iu futën punës, duke i shpërfillur me humor fyerjet e tij, ndërkohë që ata hiqnin me lopatë borën dhe hidhnin mbeturinat. Është e vështirë t’i urresh dhjakët dhe Alani përfundimisht filloi t’i donte ata. Në njëfarë pike, ata e ftuan në kishë.

“Nuk më pëlqen kisha”, – u përgjigj ai.

“Epo, ty të pëlqejmë ne”, – thanë ata. “Pra, ejani me ne! Mund të vini vetëm në mbledhjen tonë të kuorumit nëse doni.”

Dhe me miratimin e peshkopit, ai erdhi dhe vazhdoi të vinte.

Dhjakët u bënë mësues dhe ndërsa vazhduan t’i shërbenin atij, ai u mësoi se si të punonin me makinat dhe të ndërtonin gjëra. Në kohën kur këta dhjakë të kthyer në mësues u bënë priftërinj, Alani po i quante ata “djemtë e mi”.

Ata po përgatiteshin me zell për misione dhe e pyetën a mund t’i ushtronin mësimet misionare me të. Ai u betua se kurrë nuk do t’i dëgjonte apo besonte ato, por po, ata mund të ushtroheshin në shtëpinë e tij.

Pastaj Alani u sëmur. Zemra e tij u zbut.

Dhe një ditë, në mbledhjen e kuorumit, ai me butësi u kërkoi atyre të luteshin që ai ta linte duhanin dhe ata kështu bënë. Por më pas ata e ndoqën deri në shtëpi dhe ia konfiskuan të gjithë rezervën e duhanit.

Ndërsa shëndeti i lig po e çonte Alanin në spitale dhe qendra rehabilitimi, “djemtë e tij” i shërbenin, duke treguar pa zhurmë fuqitë e priftërisë dhe të dashurisë të pashtirur (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:41).

Mrekullia vazhdoi kur Alani kërkoi të pagëzohej, por më pas ndërroi jetë përpara se kjo të ndodhte. Me kërkesën e tij, dhjakët që ishin bërë tashmë priftërinj, ishin mbajtësit e arkivolit dhe folësit në ceremoninë e tij mortore, ku ata, në mënyrë të përshtatshme, paralajmëruan, sqaruan, këshilluan, dhanë mësim dhe i ftuan të gjithë te Krishti.

Më vonë, në tempull, ishte njëri nga “djemtë e Alanit” që e pagëzoi atë, një ish‑president i kuorumit të dhjakëve, i cili shërbeu si mëkëmbës për Alanin.

Gjithçka që Gjon Pagëzori tha të bëhej, ata e bënë. Ata bënë atë që bëjnë dhjakët, mësuesit dhe priftërinjtë në të gjithë këtë Kishë dhe në gjithë këtë botë.

Një nga gjërat që mbajtësit e priftërisë së Aaronit janë të ngarkuar të bëjnë, përfshin ordinancën e sakramentit.

Vitin e kaluar, takova një peshkop të frymëzuar dhe bashkëshorten e tij të mrekullueshme. Një mëngjes të shtune kohët e fundit, ata po shkonin me makinë në pagëzimin e djalit të tyre dhe pësuan humbjen tragjike dhe të papritur të vajzës së tyre të dashur dyvjeçare, Tesës.

Të nesërmen në mëngjes, anëtarët e lagjes së tyre u mblodhën për mbledhjen e sakramentit të mbushur me dhembshuri, duke vuajtur dhe vetë për humbjen e kësaj vogëlusheje të përsosur. Askush nuk priste që familja e peshkopit të vinte në kishë atë mëngjes, por disa minuta para se të fillonte mbledhja, ata hynë në heshtje dhe zunë vend.

Peshkopi shkoi te foltorja, e kaloi karrigen e tij të zakonshme që gjendej midis këshilltarëve të tij dhe në vend të kësaj u ul midis priftërinjve të tij në tryezën e sakramentit.

Gjatë asaj nate të ankthshme dhe pa gjumë duke kërkuar kuptim dhe paqe, ai kishte marrë një mbresë të fortë për atë që kishte më shumë nevojë familja e tij dhe atë për të cilën kishte më shumë nevojë lagjja e tij. Ajo ishte të dëgjonin zërin e peshkopit të tyre, presidentit të Priftërisë Aarone në lagjen e tyre dhe babait të pikëlluar, të shpallte premtimet e besëlidhjes së sakramentit.

Ndaj, në kohën e duhur, ai u gjunjëzua me ata priftërinj dhe foli me Atin e Tij. Me patosin që mbarte ai çast, ai shqiptoi disa nga fjalët më të fuqishme që dikujt i lejohet të thotë me zë të lartë në këtë jetë.

Fjalë me pasoja të përjetshme.

Fjalë ordinance.

Fjalë besëlidhjeje.

Udhëzim që na lidh me vetë qëllimet e kësaj jete dhe me rezultatet më madhështore të planit të Atit Qiellor për ne.

A mund ta përfytyroni atë që dëgjoi bashkësia në atë godinë kishtare atë ditë, atë që ndien ata nga fjalët që i dëgjojmë çdo të diel në godinat tona kishtare?

“O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë bukë shpirtrave të të gjithë atyre që marrin prej saj, që ata të mund të hanë në kujtim të trupit të Birit tënd dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta. Amen” (Doktrina e Besëlidhje 20:77).

Dhe më pas: “O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë [ujë] shpirtrave të të gjithë atyre që pinë prej [tij], që ata të mund ta bëjnë atë në kujtim të gjakut të Birit tënd, i cili u derdh për ta; që ata të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se gjithmonë e kujtojnë atë, që të mund të kenë Shpirtin e tij me ta. Amen” (Doktrina e Besëlidhje 20:79).

Ky baba dhe kjo nënë e mirë dëshmojnë se ai premtim është përmbushur. Ata, në fakt, për ngushëllimin e tyre të përjetshëm, vërtet e “k[a]në Shpirtin e tij me ta”.

Jam përgjithmonë mirënjohës që mbajtësit e Priftërisë Aarone, me fuqitë, ordinancat dhe detyrat e saj, vërtet na bekojnë ne të gjithëve nëpërmjet çelësave të vetë “shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve” (Doktrina e Besëlidhje 13:1). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Patrik Kirën, “Mirë se Vini në Kishën e Gëzimit”, Liahona, nëntor 2024, f. 36–38.

  2. Në fjalimin e tij thelbësor në konferencën e përgjithshme “Mirë se Vini në Kishën e Gëzimit”, Plaku Kirën na drejtoi te poshtëshënimi 10 i mësimit të Presidentit Gordon B. Hinkli: “Kur ti, si prift, gjunjëzohesh në tryezën e sakramentit dhe bën lutjen, e cila erdhi me anë të zbulesës, ti e vendos gjithë bashkësinë nën besëlidhje me Zotin. A është kjo diçka e vogël? Është gjëja më e rëndësishme dhe më mbresëlënëse” (“The Aaronic Priesthood – a Gift from God”, Ensign, maj 1988, f. 46).