Konferenca e Përgjithshme
Bekimet Kompensuese
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


11:19

Bekimet Kompensuese

Ndërsa shumë rrethana në jetë mund të jenë përtej kontrollit tonë, asnjëri prej nesh nuk është përtej shtrirjes së bekimeve të pafundme të Zotit.

Prej shërbimit në Peshkopatën Kryesuese, kam pasur privilegjin të takoj shenjtorë të ditëve të mëvonshme në mbarë botën nga vende dhe kultura të larmishme. Jam frymëzuar vazhdimisht nga besimi dhe përkushtimi juaj i qëndrueshëm te Zoti Jezu Krisht. Megjithatë, jam prekur edhe nga rrethanat e ndryshme dhe shpesh të vështira me të cilat përballen shumë prej jush – sfida të tilla si sëmundje, paaftësi, burime të kufizuara, mundësi më të pakta për martesë ose arsimim, keqtrajtim nga të tjerët dhe pengesa apo kufizime të tjera. Ndonjëherë, këto sprova mund të duken se e pengojnë përparimin tuaj dhe i sfidojnë përpjekjet tuaja të çiltra për ta jetuar ungjillin plotësisht, duke jua bërë më të vështirë shërbimin, adhurimin dhe përmbushjen e detyrave të shenjta.

Miqtë e mi të dashur, nëse ndonjëherë ndiheni të kufizuar ose pafavorizuar nga rrethanat e jetës, dua që të dini këtë: Zoti ju do personalisht. Ai i di rrethanat tuaja dhe dera për te bekimet e Tij mbetet tërësisht e hapur për ju pavarësisht nga sfidat me të cilat përballeni.

E kam mësuar këtë të vërtetë nëpërmjet një përvoje vetjake që, ndonëse në dukje e parëndësishme, më la një mbresë afatgjatë. Në moshën 22‑vjeçare, ndërsa shërbeja në Forcat Ajrore Franceze në Paris, u emocionova kur mora vesh se Plaku Nil A. Maksuell, një Apostull i Zotit, do të fliste në një konferencë në Shons‑Elizé. Megjithatë, pak para ngjarjes, mora urdhër për të çuar në aeroport me makinë një oficer të lartë pikërisht në orën kur ishte caktuar të zhvillohej konferenca.

Isha i zhgënjyer. Por, i vendosur për të marrë pjesë, e lashë oficerin në aeroport dhe nxitova për në konferencë. Pasi gjeta një vend parkimi, vrapova teposhtë Shons‑Elizésë për në vendin e mbledhjes dhe mbërrita duke m’u mbajtur fryma vetëm pesë minuta para se mbledhja të përfundonte. Sapo hyra, dëgjova Plakun Maksuell të thoshte: “Tani do t’ju jap një bekim apostolik”. Në atë çast, pata një përvojë shpirtërore të bukur e të paharrueshme. U pushtova nga Shpirti dhe fjalët e bekimit dukej se përshkuan çdo qelizë të qenies sime, sikur të ishin menduar vetëm për mua.

Ajo që përjetova atë ditë ishte një shfaqje e vogël por e fuqishme e një aspekti ngushëllues të planit të Perëndisë për fëmijët e Tij: Kur rrethanat përtej kontrollit tonë na pengojnë që t’i përmbushim dëshirat e drejta të zemrës, Zoti do të na kompensojë në mënyra që na lejojnë t’i marrim bekimet e Tij të premtuara.

Kjo e vërtetë siguruese e ka bazën tek tri parime kyç që gjenden tek ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit:

  1. Perëndia e do secilin prej nesh përsosurisht. “Ai [na] fton të gjithë[ve] të vij[m]ë tek ai dhe të marri[m] pjesë në mirësinë e tij.” Plani i Tij i shëlbimit siguron që të gjithëve, pa përjashtim, t’u jepet një mundësi e paanshme për të marrë një ditë bekimet e shpëtimit dhe ekzaltimit.

  2. Për shkak se Perëndia është i drejtë edhe i mëshirshëm dhe plani i Tij është i përsosur, Ai nuk do të na quajë përgjegjës për gjëra përtej kontrollit tonë. Plaku Nil A. Maksuell shpjegoi se “Perëndia … merr parasysh plot mëshirë jo vetëm dëshirat tona dhe arritjet tona, por edhe shkallët e vështirësisë që na imponojnë rrethanat tona të ndryshme”.

  3. Nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, ne mund të gjejmë forcën për t’i duruar dhe përfundimisht kapërcyer të gjitha sfidat e jetës. Siç dha mësim Alma, Shpëtimtari mori mbi Vete jo vetëm mëkatet e të penduarve, por edhe “dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij” dhe “dobësitë e tyre”. Si rrjedhim, përtej shëlbimit nga gabimet tona, mëshira dhe hiri i Zotit na mbështetin përgjatë padrejtësive, mangësive dhe kufizimeve të imponuara nga përvoja jonë në vdekshmëri.

Marrja e këtyre bekimeve kompensuese vjen me kushte të caktuara. Zoti na kërkon të bëjmë “gjithçka që ne mund[emi]” dhe të “dhuro[jmë] tërë shpirtrat [tanë] si një dhuratë ndaj tij”. Kjo kërkon një dëshirë të thellë, një zemër të sinqertë e besnike dhe zellin tonë maksimal për zbatimin e urdhërimeve të Tij dhe përputhjen e vullnetit tonë me të Tijin.

Kur përpjekjet tona më ngulmuese nuk i përmbushin aspiratat tona për shkak të rrethanave përtej kontrollit tonë, Zoti prapëseprapë mund t’i pranojë dëshirat e zemrës sonë si një ofertë e denjë. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Ne do të bekohemi për dëshirat e drejta të zemrës sonë edhe pse disa rrethana të jashtme e kanë bërë të pamundur që t’i vëmë në veprim ato dëshira”.

Ndërsa Profeti Jozef Smith shqetësohej për vëllanë e tij, Alvinin, i cili kishte vdekur pa marrë ordinancat thelbësore të ungjillit, ai mori këtë zbulesë ngushëlluese: “Ata që do të vdesin që tani e tutje pa dituri për [ungjillin], të cilët do ta kishin pranuar atë me gjithë zemër, do të jenë trashëgimtarë të [mbretërisë çelestiale të Perëndisë”]. Më pas Zoti shtoi: “Sepse unë, Zoti, do t’i gjykoj të gjithë njerëzit sipas punëve të tyre, sipas dëshirës së zemrave të tyre”.

Ajo që ka rëndësi për Zotin nuk është thjesht a jemi të aftë, por a jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndjekur Atë si Shpëtimtarin tonë.

Një herë një mik ngushëlloi një misionar të ri në moshë që u pikëllua për lirimin e parakohshëm nga thirrja për arsye shëndetësore, pavarësisht nga lutjet e tij të çiltra dhe dëshira e sinqertë për të shërbyer. Ky mik tregoi një shkrim të shenjtë ku Zoti shpalli se kur fëmijët e Tij “punojnë me gjithë fuqinë e tyre” dhe “nuk e pushojnë zellin e tyre” për të përmbushur urdhërimet e Tij, “dhe armiqtë e tyre [që mund të përfshijnë rrethanat e pafavorshme në jetën tonë] … i pengojnë nga kryerja e asaj pune, vini re, mua nuk më duhet më ta kërkoj atë punë nga duart e atyre [njerëzve], por t’i pranoj ofertat e tyre.

Miku im i dëshmoi të riut se Perëndia e dinte se ai kishte dhënë më të mirën e vet për t’iu përgjigjur thirrjes për të shërbyer. Ai e siguroi atë se Zoti e kishte pranuar ofertën e tij dhe se bekimet e premtuara për të gjithë misionarët besnikë nuk do të mbaheshin.

Bekimet kompensuese të Zotit shpesh vijnë nëpërmjet dashamirësisë dhe shërbimit të të tjerëve që na ndihmojnë të arrijmë atë që nuk mund ta bëjmë vetë. Më kujtohet një rast kur, ngaqë jetonim larg njërës prej vajzave tona në Francë, u ndiem të pafuqishëm për ta ndihmuar atë pas një lindjeje të vështirë. Po atë javë, lagjja jonë në Jutë kërkoi ndihmë për një nënë që sapo kishte sjellë në jetë binjakë. Bashkëshortja ime, Valeria, doli vullnetare për t’i çuar asaj një vakt ushqimi, me një lutje në zemër për këtë nënë të re dhe vajzën tonë në nevojë. Pak kohë pas kësaj, morëm vesh se motrat në lagjen e vajzës sonë në Francë ishin organizuar për të siguruar vakte ushqimi për familjen e saj. Sipas nesh, Perëndia u ishte përgjigjur lutjeve tona, duke dërguar engjëjt e Tij për të çuar ngushëllim atëherë kur ne nuk mundeshim.

Kur përballemi me kufizime dhe sfida, i dallofshim vetë bekimet tona, dhuratat, burimet dhe kohën tonë dhe i përdorshim ato për t’u shërbyer njerëzve në nevojë! Duke e bërë këtë, ne jo vetëm që do t’i bekojmë të tjerët, por do të ftojmë shërim dhe kompensim në vetë jetën tonë.

Një nga mënyrat më të fuqishme se si mund të kontribuojmë në bekimet kompensuese të Perëndisë, është përmes punës si mëkëmbës që bëjmë për paraardhësit tanë në shtëpinë e Zotit. Ndërsa kryejmë ordinancat në emër të tyre, marrim pjesë në mënyrë aktive në veprën e madhërishme të Zotit për shpëtimin, duke i përdorur dhuratat dhe aftësitë tona për t’u ofruar bekime atyre që nuk patën mundësinë t’i merrnin ato gjatë jetës së tyre në vdekshmëri.

Shërbimi i përzemërt që ofrojmë në tempujt e shenjtë na kujton se hiri i Shpëtimtarit shtrihet përtej kësaj jete. Në jetën që do të vijë, mund të na jepen mundësi të reja për të arritur atë që nuk mund ta bënim në këtë jetë në vdekshmëri. Duke u folur motrave që nuk kishin gjetur ende një shok të përjetshëm, Presidenti Lorenco Snou tha me dashuri: “Asnjë shenjtor i ditëve të mëvonshme që vdes pasi ka jetuar një jetë besnike, nuk do të humbasë asgjë ngaqë nuk mundi të bëjë disa gjëra ndërkohë që atij apo asaj nuk iu dhanë mundësitë. … Ai apo ajo do të ketë të gjitha bekimet, ekzaltimin dhe lavdinë që mund të ketë një burrë apo grua që e pati këtë mundësi.”

Ky mesazh shprese dhe ngushëllimi është për të gjithë ne, fëmijët e Perëndisë. Asnjëri nga ne nuk mund t’u shpëtojë sfidave dhe kufizimeve të vdekshmërisë. Në fund të fundit, të gjithë vijmë në jetë me një paaftësi të lindur për të shpëtuar veten. Megjithatë, kemi një Shpëtimtar të dashur, dhe “ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit [të Tij], pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”.

Unë dëshmoj se ndërsa shumë rrethana në jetë mund të jenë përtej kontrollit tonë, asnjëri prej nesh nuk është përtej shtrirjes së bekimeve të pafundme të Zotit. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari do të na kompensojë për çdo paaftësi dhe padrejtësi nëse i dhurojmë Atij tërë shpirtrat tanë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.