Konferenca e Përgjithshme
Merrni Pjesë për t’u Përgatitur për Kthimin e Krishtit
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


11:24

Merrni Pjesë për t’u Përgatitur për Kthimin e Krishtit

Thirrjet dhe mënyrat e tjera me të cilat hyjmë në veprën e Perëndisë, na përgatitin në mënyrë të pashoqe për të takuar Shpëtimtarin.

Disa muaj më parë, isha duke qëndruar në një korridor, kur më kaloi pranë Plaku Nil L. Andersen. Sapo isha thirrur si Autoritet i ri i Përgjithshëm. Me sa duket, duke ndier ndjenjat e mia të papërshtatshmërisë, ai buzëqeshi dhe tha: “Epo, dukesh si një njeri që nuk e ka idenë se çfarë po bën”.

Mendova: “Ka një profet dhe shikues të vërtetë”.

Plaku Andersen më pas pëshpëriti: “Mos u shqetëso, Plaku Shamuei. Do të bëhet më mirë, pas pesë ose gjashtë vjetësh.”

A e keni pyetur ndonjëherë veten pse na kërkohet të bëjmë gjëra në mbretërinë e Perëndisë që duken përtej aftësisë sonë për t’i arritur? Me kërkesat e shumta të jetës, a e keni bërë pyetjen pse vallë kemi nevojë për thirrje në Kishë? Unë për vete, po.

Mora një përgjigje në konferencën e përgjithshme kur Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Tani është koha që ju dhe unë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezusit, Krishtit”. Kur Presidenti Nelson e tha këtë, Shpirti më mësoi se, ndërsa marrim pjesë në veprën e Perëndisë, ne e përgatitim veten dhe të tjerët për kthimin e Krishtit. Premtimi i Zotit është bindës se thirrjet, dhënia e shërbesës, adhurimi në tempull, ndjekja e nxitjeve dhe mënyra të tjera se si hyjmë në veprën e Perëndisë na përgatitin në mënyrë të pashoqe për të takuar Shpëtimtarin.

Perëndia Kënaqet Kur Përfshihemi në Veprën e Tij

Në “madhështinë e këtij çasti”, ndërsa mbretëria e Perëndisë zgjerohet dhe tempujt mbulojnë tokën, ka një nevojë në rritje që shpirtra të gatshëm të përfshihen në veprën e Perëndisë. Shërbimi me vetëmohim është vetë thelbi i dishepullimit si Krishti. Por shërbimi rrallëherë është i volitshëm. Ju pse ju admiroj ju, dishepuj që i mbani besëlidhjet, përfshirë këtu misionarët tanë të shtrenjtë, që i lini mënjanë dëshirat dhe sfidat tuaja për t’i shërbyer Perëndisë duke u shërbyer fëmijëve të Tij. Perëndia “gëzohe[t] t’i nderoj[ë] ata që [i] shërbejnë [Atij] në drejtësi”. Ai premton: “I madh do të jetë shpërblimi [juaj] dhe e përjetshme do të jetë lavdia [juaj]”. Kur i themi “po” shërbimit, ne po i themi “po” Jezu Krishtit. Kur i themi “po” Krishtit, ne po i themi “po” jetës më të begatë të mundshme.

Këtë mësim e mora ndërkohë që punoja dhe studioja për inxhinieri kimike në universitet. Më kërkuan të isha planifikues aktivitetesh për një lagje beqarësh. Kjo thirrje për mua ishte makth. Prapëseprapë, e pranova, dhe fillimisht ishte angari. Por në një aktivitet, një vajzë e bukur u magjeps nga mënyra se si e shërbeja akulloren. Ajo u kthye tri herë me shpresën se do të më tërhiqte vëmendjen. Ramë në dashuri dhe ajo më propozoi vetëm pas dy javësh. Epo, ndoshta nuk ishte aq shpejt, dhe isha unë ai që i propozova, por e vërteta është se, më tmerron ideja se mund të mos e kisha takuar Heidin po të mos e kisha pranuar atë thirrje.

Pjesëmarrja Jonë Është Përgatitja për Kthimin e Krishtit

Ne përfshihemi në veprën e Perëndisë jo ngaqë Perëndia ka nevojë për ne, por sepse ne kemi nevojë për Perëndinë dhe bekimet e Tij të fuqishme. Ai premton: “Pasi, vini re, unë do t’i bekoj të gjithë ata që punojnë në vreshtin tim, me një bekim të fuqishëm”. Më lejoni të tregoj tre parime që na mësojnë se si pjesëmarrja jonë në veprën e Perëndisë na bekon dhe na ndihmon të përgatitemi për të takuar Shpëtimtarin.

Së pari, ndërsa marrim pjesë, ne përparojmë drejt “qëllimi[t të] krijimit t[onë]”.

Ne e mësojmë këtë model në rrëfimin e Krijimit. Pas çdo dite pune, Perëndia e pranoi përparimin e bërë duke thënë: “Kjo ishte mirë”. Ai nuk tha se puna kishte përfunduar dhe as që ishte e përsosur. Por ajo që Ai tha ishte se kishte përparim, dhe në sytë e Perëndisë, kjo është gjë e mirë!

Thirrjet nuk e përcaktojnë ose vërtetojnë vlerën apo denjësinë e një personi. Përkundrazi, ndërsa punojmë me Perëndinë në çfarëdo mënyre që Ai kërkon, ne rritemi në qëllimin e krijimit tonë.

Perëndia gëzohet për përparimin tonë dhe po kështu duhet të bëjmë edhe ne, edhe kur kemi ende punë për të bërë. Me raste, mund të na mungojë forca ose mjetet për të shërbyer në një thirrje. Prapëseprapë, ne mund të përfshihemi në vepër dhe t’i mbrojmë dëshmitë tona nëpërmjet mënyrave kuptimplota, të tilla si, lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta. Ati ynë i dashur Qiellor nuk na dënon kur jemi të gatshëm, por nuk kemi mundësi për të shërbyer.

Së dyti, shërbimi i lartëson shtëpitë dhe kishat tona deri në atë pikë, saqë bëhen vende të shenjta ku mund të ushtrojmë të jetuarit në besëlidhje.

Për shembull, besëlidhja jonë për të kujtuar gjithmonë Krishtin bëhet individualisht, por kjo besëlidhje jetohet ndërsa u shërbejmë të tjerëve. Thirrjet na rrethojnë me mundësi për të “mbajtur barrët e njëri‑tjetrit, dhe kështu do të përmbush[im] ligjin e Krishtit”. Kur shërbejmë ngaqë e duam Perëndinë dhe duam t’i jetojmë besëlidhjet tona, shërbimi që dikur ishte detyrues dhe shterues, tani bëhet i gëzueshëm dhe shndërrues.

Ordinancat nuk na shpëtojnë ngaqë plotësojnë një listë synimesh qiellore. Përkundrazi, kur i jetojmë besëlidhjet që lidhen me këto ordinanca, ne bëhemi ai lloj njeriu që dëshirojmë të jemi në praninë e Perëndisë. Kjo kuptueshmëri e mposht ngurrimin për të shërbyer ose parapëlqimin për të mos shërbyer. Përgatitja jonë për të takuar Jezu Krishtin përshpejtohet kur ndalojmë së pyeturi se çfarë do të lejojë Perëndia dhe fillojmë të pyesim se çfarë do të parapëlqente Perëndia.

Së treti, pjesëmarrja në veprën e Perëndisë na ndihmon të marrim prej Perëndisë dhuratën e hirit dhe të ndiejmë dashurinë e Tij më të madhe.

Ne nuk marrim shpërblim financiar për shërbimin. Përkundrazi, në shkrimet e shenjta na mësohet se për “punën [tonë ne] m[arrim] hirin e Perëndisë, për t’u forcuar në Shpirt, [për të] pasur njohurinë e Perëndisë [dhe] … [për] të [dhënë] mës[im] me fuqi dhe autoritet nga Perëndia”. Kjo është një marrëveshje shumë e mirë!

Për shkak të hirit të Perëndisë, aftësitë ose paaftësitë tona nuk janë baza kryesore për dhënien ose pranimin e një thirrjeje. Perëndia nuk pret rezultate të përsosura ose talent të jashtëzakonshëm për të marrë pjesë në veprën e Tij. Po të ishte kështu, mbretëresha Ester nuk do ta kishte shpëtuar kombin e saj, Pjetri nuk do ta kishte udhëhequr Kishën e hershme dhe Jozef Smithi nuk do të ishte Profeti i Rivendosjes.

Ndërsa veprojmë me besim për të bërë diçka përtej aftësive tona, dobësia jonë del në pah. Kjo nuk është asnjëherë e rehatshme, por është e nevojshme për të “di[tur] se nëpërmjet hirit të [Perëndisë] … ne kemi fuqi t’i bëjmë këto gjëra”.

Ne do të rrëzohemi shumë herë ndërsa përfshihemi në veprën e Perëndisë. Por në përpjekjen tonë, Jezu Krishti na kap. Ai na ngre lart gradualisht që të përjetojmë shpëtim nga dështimet e frika jonë dhe nga ndjenja se nuk do të jemi kurrë në nivelin e duhur. Kur e përkushtojmë përpjekjen tonë të pakët, por më të mirë, Perëndia e lartëson atë. Kur ne sakrifikojmë për Jezu Krishtin, Ai na shenjtëron. Kjo është fuqia shndërruese e hirit të Perëndisë. Ndërsa shërbejmë, ne rritemi në hir derisa të jemi të përgatitur për “t’[u] ngri[tur] nga Ati, që të qëndroj[m]ë para [Jezu Krishtit]” .

Ndihmojini të Tjerët të Marrin dhe të Gëzohen në Dhuratën e Thirrjeve

Nuk di gjithçka që do të më pyesë Shpëtimtari kur të qëndroj përpara Tij, por ndoshta një pyetje do të jetë: “Kë solle me vete?” Thirrjet janë dhurata të shenjta nga një Atë i dashur Qiellor për të ndihmuar që t’i sjellim të tjerët me vete te Jezu Krishti. Ndaj, i ftoj udhëheqësit dhe secilin prej nesh që t’i kërkojë në mënyrë më të qëllimshme njerëzit pa thirrje. Inkurajojini dhe ndihmojini ata që të përfshihen në veprën e Perëndisë për t’i ndihmuar që të përgatiten për kthimin e Krishtit.

Xhoni nuk ishte aktiv në Kishë kur peshkopi i tij e vizitoi dhe i tha se Zoti kishte një punë për të për ta bërë. Ai e ftoi Xhonin ta linte duhanin. Megjithëse Xhoni ishte përpjekur shumë herë të ndalonte, këtë herë ai ndjeu një fuqi të padukshme që po e ndihmonte.

Vetëm tri javë më vonë, presidenti i kunjit u takua me Xhonin. Ai e thirri për të shërbyer në peshkopatë. Xhoni u shtang. Ai i tha presidentit të kunjit se sapo e kishte lënë duhanin. Nëse kjo do të thoshte se ai do të duhej të braktiste traditën e tij për të ndjekur lojërat e futbollit profesionist të dielën, po i kërkohej shumë. Përgjigjja e frymëzuar e presidentit të kunjit ishte e thjeshtë: “Xhoni, nuk po ta kërkoj unë; po ta kërkon Zoti”.

Së cilës Xhoni iu përgjigj: “Po mirë, nëse është kështu, unë do të shërbej”.

Xhoni më tha se këto sakrifica për të shërbyer ishin pika kthese shpirtërore për të dhe familjen e tij.

Pyes veten nëse ndonjëherë kemi një fushëpamje të bllokuar, duke mos arritur që t’u japim thirrje individëve që, nga pikëpamja jonë e vdekshme, nuk kanë gjasa të shërbejnë apo duken të padenjë. Ose ne mund të shqetësohemi më shumë nga mendësia se sa rezultat do të japë, sesa për doktrinën e përparimit, duke lënë pa parë mënyrën se si e rrit Shpëtimtari aftësinë te njerëzit që nuk kanë gjasa të shërbejnë dhe janë të paprovuar duke u dhënë atyre mundësi për të shërbyer.

Plaku Dejvid A. Bednar jep mësim mbi rëndësinë e mandatit të shkrimeve të shenjta që “çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë”. A e bëjmë ne këtë? Kur udhëheqësit dhe prindërit i lënë të tjerët të mësojnë dhe të veprojnë për veten e tyre, ata zhvillohen dhe lulëzojnë. Ndërsa shtegu më i lehtë mund të jetë që t’u jepet anëtarëve besnikë një thirrje e dytë, mënyra më e shkëlqyer është të ftoni ata që nuk kanë gjasa të shërbejnë, dhe t’i lini të mësojnë e të rriten.

Nëse Krishti do të ishte fizikisht këtu, Ai do të vizitonte të sëmurët, do të jepte mësim në klasën e Shkollës të së Dielës, do të ulej me të renë zemërthyer dhe do të bekonte fëmijët. Ai mund ta bëjë vetë punën e Tij. Por Ai e jeton këtë parim që na lejon të veprojmë e mësojmë, në mënyrë që të mund të na dërgojë në vend të Tij.

Me pjesëmarrjen në veprën e Perëndisë vjen “e drejta, privilegji dhe përgjegjësia për të përfaqësuar Zotin [Jezu Krisht].” Kur shërbejmë për të lartësuar Krishtin dhe jo veten tonë, shërbimi ynë bëhet i gëzueshëm. Kur të tjerët largohen nga klasa, mbledhja, vizita për dhënien e shërbesës apo aktiviteti ynë duke e kujtuar Krishtin më shumë sesa na kujtojnë ne, vepra përcjell energji.

Duke kërkuar me zell për ta përfaqësuar Shpëtimtarin, ne bëhemi më shumë si Ai. Kjo është përgatitja më e mirë për çastin e shenjtë kur secili prej nesh do të gjunjëzohet dhe do të rrëfejë se Jezusi është Krishti, për të cilin dëshmoj se Ai është dhe se Presidenti Rasëll M. Nelson është “zëri i [Tij] … [deri] te fundet e dheut” për të na ndihmuar që të “përgatit[emi] … për atë që do të vijë”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 121.

  2. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 4:2–4.

  3. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, f. 121.

  4. Doktrina e Besëlidhje 76:5–6.

  5. Shihni te Gjoni 10:10.

  6. Doktrina e Besëlidhje 21:9.

  7. Doktrina e Besëlidhje 88:19.

  8. Shihni te Zanafilla 1.

  9. Në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit për talentat, Mësuesi i jep përgjegjësi çdo shërbëtori për “gjëra të vogla”. Mësuesi ishte më i përqendruar në përparimin e secilit shërbëtor për t’u bërë zotërues “mbi shumë gjëra” dhe më pak i shqetësuar për kthimin e të mirave materiale të Tij. Shërbëtori që pati frikë dhe nuk dëshironte të punonte, mbeti i dënuar dhe pa përparim. (Shihni te Mateu 25:14–28.)

  10. Shihni te Lluka 21:19. Plaku Dejvid A. Bednar jep mësim se “puna e drejtë është një domosdoshmëri për përparimin shpirtëror” (“Gjërat Ashtu siç Janë në të Vërtetë, Varianti 2.0” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 3 nëntor 2024], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  11. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 10:4.

  12. Shihni te Mosia 4:24.

  13. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Gjërat që po Mësojmë dhe që Kurrë Nuk do t’i Harrojmë”, Liahona, maj 2021, f. 79: “Perëndia dëshiron që ne të punojmë së bashku dhe ta ndihmojmë njëri‑tjetrin. Kjo është arsyeja pse Ai na dërgon në tokë në familje dhe na organizon në lagje dhe kunje. Kjo është arsyeja pse Ai na kërkon t’i shërbejmë dhe japim shërbesë njëri‑tjetrit. … Ne mund të arrijmë shumë më tepër së bashku sesa mundemi të vetëm. Plani i Perëndisë për lumturinë do të ishte i dështuar, në qoftë se fëmijët e Tij do të qëndronin të izoluar njëri nga tjetri.”

  14. Galatasve 6:2; shihni edhe te Mosia 18:8–9.

  15. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Të thirresh për të shërbyer është një thirrje për ta dashur Mësuesin të cilit i shërbejmë. Është një thirrje për të ndryshuar natyrën tonë” (“As a Child”, Liahona, maj 2006, f. 17).

  16. Shihni te Henry B. Eyring, “Should a Latter-day Saint Sell a Product When Its Use Violates the Word of Wisdom?”, Ensign, prill 1977, f. 30.

  17. Mosia 18:26; shihni edhe te Mosia 27:5.

  18. Shihni te 2 Nefi 3:13, 24.

  19. Jakobi [LiM] 4:7.

  20. Shihni tek Isaia 40:29–31; 2 Korintasve 12:9.

  21. Shihni te Mateu 14:15–21. Ndonëse u ofrua një sasi e vogël prej pesë bukësh dhe dy peshqish për të ushqyer turmën masive të njerëzve, Shpëtimtari e mori me mirënjohje atë ofertë dhe e lartësoi edhe më shumë se ç’nevojitej. Një nga mësimet e mëdha të kësaj mrekullie, është se ajo që na ofron Shpëtimtari, është gjithmonë më se e mjaftueshme!

  22. Rrënja në latinisht e fjalës sakrificë është sacer që do të thotë e shenjtë ose e shenjtëruar dhe facere që do të thotë të bësh. Kur sakrifikojmë për Perëndinë, Ai na bën të shenjtë (shihni te Helamani 3:35; Doktrina e Besëlidhje 132:50).

  23. 3 Nefi 27:14.

  24. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 15:6; 16:6; 88:10–16.

  25. Shihni te Moroni 7:2; Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 4.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  26. Shihni te “Punës Le t’i Vihemi”, Himne, nr. 154.

  27. Përvojë dhe letërkëmbim vetjak, 4 janar 2025; emri është ndryshuar.

  28. Shihni te Mateu 10:5–8; Lluka 10:1–9; Manuali i Përgjithshëm, 4.2.6.

  29. Doktrina e Besëlidhje 107:99; theksimi i shtuar; nga një bashkëbisedim me Plakun Dejvid A. Bednar, dhjetor 2024.

  30. Shihni te Joseph Smith – Historia 1:20. Të rinjtë dhe të rejat tona nuk janë thjesht udhëheqësit e ardhshëm në Kishë. Ata mund të udhëheqin në mënyra thelbësore tani. E pashë këtë të vërtetë duke shërbyer me 744 nga dishepujt më të shquar të Jezu Krishtit në Misionin e Ilinoisit, Çikago, në vitet 2019–2022. Gjatë COVID‑it, këta dishepuj të rinj, por të fuqishëm të Krishtit, e çuan përpara veprën e Perëndisë drejt lartësive të padukshme në mënyra të jashtëzakonshme dhe me risi.

  31. Shihni te 2 Nefi 27:20–21.

  32. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023), f. 3.

  33. Te Jakobi [LiM] 1:17, 19, detyra e Jakobit ishte detyra e Zotit. Ai nuk e lartësoi detyrën e tij për veten e tij, por për Zotin, që të mund të jepte mësim fjalën e Perëndisë dhe kështu të gjendej “i pa njollë në ditën e fundit”.

  34. Shihni tek 3 Nefi 27:27.

  35. Doktrina e Besëlidhje 1:11–12.