Konferenca e Përgjithshme
Gëzim Nëpërmjet Dishepullimit në Besëlidhje
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


10:58

Gëzim Nëpërmjet Dishepullimit në Besëlidhje

Teksa zotohemi që të veprojmë si dishepuj në besëlidhje, marrëdhënia jonë me Atin dhe Birin përmirësohet, gëzimi ynë rritet dhe këndvështrimi ynë i përjetshëm zgjerohet.

Një ditë në vitin 2023, Ujanga Altansuku ndodhej në punë në qytetin verior Darkhan të Mongolisë, kur presidenti i misionit të Mongolisë hyri në vendin ku ajo punonte. Me fjalët e saj:

“E vështrova dhe mendova se pamja e tij ishte plot dritë. Ishte shumë i sjellshëm dhe gazmor me njerëzit që kishte përreth, dhe ndjeva ngrohtësi përbrenda. Para se të largohej, i bëra disa pyetje. Disa ditë më vonë, ai erdhi përsëri te puna ime dhe më pyeti nëse mund të vija në kishën e tij. E mendova si diçka që mund të ishte dobiprurëse. Isha e shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të mi, pasi shoqëria dukej që ishte plot me stres dhe zymti. Doja që fëmijët e mi të ishin si ky burrë, me dritë në pamjen e tyre, duke përçuar gëzim tek të tjerët rreth tyre.

Një ditë, misionarët na mësuan për ligjin e së dhjetës. Fëmijët thanë gjithë emocion: ‘Duhet ta paguajmë të dhjetën mami’. Munda të shihja besimin e fëmijëve të mi në atë çast. Para se të bashkohesha me Kishën, pashë konferencën e përgjithshme dhe dëgjova Presidentin Rasëll M. Nelson të fliste. Ai njoftoi për tempuj të rinj në mbarë botën dhe tha se një tempull i ri do të ndërtohej në Ulan‑Bator, Mongoli. U gëzova dhe derdha lot, ndonëse nuk e kuptoja arsyen. Me këtë gëzim, mund ta dalloja që besimi dhe dëshmia ime po rriteshin.”

Ujanga, si miliona të tjerë, është pjesë e mbledhjes së madhe të Izraelit në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ajo e ka nisur rrugëtimin e saj përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe është bërë një dishepulle e Krishtit. Çfarë do të thotë të jesh një dishepull i Krishtit? E vlerësoj fjalën dishepull në japonisht, deshide që do të thotë vëlla më i vogël dhe shi që do të thotë fëmijë.

Jezu Krishti shpalli: “Unë isha në fillim me Atin dhe jam i Parëlinduri”. Për shkak të faktit se cili është Ai dhe se çfarë ka bërë Ai, ne e adhurojmë Atë, e nderojmë Atë, i japim lavdi Atij dhe e ndjekim Atë. Krishti na ka shëlbuar dhe i jemi përherë mirënjohës për flijimin e Tij të pafundmë dhe shlyes.

Ne kemi një Atë Qiellor që na do si fëmijët e Tij. Dashuria e Tij për ne është e përsosur. Jezu Krishti dhe misioni i Tij demonstrojnë dashurinë e Perëndisë për ne. Sikurse shkroi Gjoni: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”.

Në synimin tonë për të kuptuar atë që nuk e dimë, ne nganjëherë mund të mbështetemi te përvojat tona të njohura në vdekshmëri, ose te gjëra që vërtet i dimë. Për shembull, ne mund të mësojmë paksa për Perëndinë, Atin, nëpërmjet prindërimit tonë dhe marrëdhënieve familjare në vdekshmëri. Sidoqoftë, duhet të jemi të kujdesshëm në zbatimin e këtyre krahasimeve me tepri gjatë përpjekjes për ta kuptuar Atin tonë Qiellor. Cilësitë e Perëndisë, Atit, i kapërcejnë çfarëdo cilësish aq më pak ato të papërsosura të një njeriu të rënë. Perëndia, Ati, është Ati i përsosur. Ai është përsosurisht i dashur, dashamirës, i duruar, mirëkuptues dhe përsosurisht i lavdishëm. Mund t’i mirëbesojmë plotësisht Atij. Dashuria e Krishtit pasqyron dashurinë e Perëndisë, Atit, dhe është një përfaqësim i asaj dashurie.

Jezu Krishti është edhe shembulli edhe mjeti. Krisht, ne mund t’i kuptojmë më mirë cilësitë e përsosura të Atit dhe planin e Tij. Nëpërmjet Krishtit, na është dhënë fuqia aftësuese për të mposhtur prirjet e burrave dhe grave të natyrshme, që të mund të bëhemi më shumë si Ati.

Ashtu si Ati ynë Qiellor, Jezu Krishti është përsosurisht i mëshirshëm dhe i drejtë. Këto cilësi hyjnore të drejtësisë dhe mëshirës nuk janë kontradiktore. Ato janë plotësuese. Si drejtësia edhe mëshira demonstrojnë dashurinë e përsosur të Perëndisë për fëmijët e Tij. Ne mund t’i mirëbesojmë Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit sepse Ata janë të drejtë e të paanshëm ndaj të gjithëve ne.

Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, përputhen përsosurisht në qëllim dhe dashuri. Ngaqë Perëndia dhe Jezu Krishti na duan, neve na jepet mundësia dhe privilegji si dishepuj të vërtetë që të bëjmë besëlidhje me Ta. Duke e bërë këtë, marrëdhënia jonë me Krishtin zgjerohet: “Dhe tani, për shkak të besëlidhjes që keni bërë, ju do të quheni fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij; pasi vini re, në këtë ditë ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij; prandaj, ju keni lindur prej tij dhe jeni bërë bijtë e tij dhe bijat e tij”.

Si dishepuj, kur ne bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet e shenjta, bekohemi me fuqi shpirtërore. Ne lidhemi me Krishtin dhe Perëndinë, Atin, në një marrëdhënie të veçantë dhe mund ta përjetojmë dashurinë dhe gëzimin e Tyre në një masë të ruajtur për ata që i kanë bërë dhe i kanë mbajtur besëlidhjet. Aftësia jonë për të ndier një masë të plotë të dashurisë së Perëndisë, ose për të qëndruar në dashurinë e Tij, varet nga dëshirat dhe veprimet tona të drejta.

Te Gjoni, kapitulli 15, vargu 9 lexojmë: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve”. Më pas na bëhet një ftesë: “Qëndroni në dashurinë time”.

vargun vijues, na është treguar mënyra për të vazhduar në dashurinë e Tij: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij”.

Më pas shohim qëllimin e zbatimit të urdhërimeve te vargu 11: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë”.

Nëpërmjet dishepullimit të vërtetë në besëlidhje, ne mund të fillojmë ta kuptojmë më mirë natyrën e Perëndisë dhe gëzimin që Ai dëshiron që të përjetojnë të gjithë fëmijët e Tij. Ne mund të fillojmë edhe të kuptojmë disa parime që në fillim mund të duken pështjelluese. Për shembull, si mund të ketë Perëndia një plotësi të gëzimit kur disa nga fëmijët e Tij po vuajnë aq shumë? Përgjigjja gjendet te këndvështrimi i përsosur i Perëndisë dhe te plani i Tij i përsosur. Ai na sheh që nga fillimi e deri tek e ardhmja jonë e mundshme e lavdishme. Ai ka siguruar një mënyrë, nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit, që të gjithë ne, fëmijët e Tij, t’i mposhtim dhembjet, vuajtjet, mëkatet, fajet dhe vetminë e jetës sonë në vdekshmëri. Perëndia na ka siguruar udhën dhe zgjedhjen.

Shembujt e atyre që kanë përjetuar gëzim nëpërmjet dishepullimit, mund të na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë këtë koncept. Ndoshta e keni dëgjuar frazën që ne jemi të lumtur vetëm deri në atë masë sa ç’është fëmija ynë që është më pak i lumturi. Kam parë se nuk ka pse të jetë ky rasti. Nëna ime 94‑vjeçare ka mbi 200 pasardhës të gjallë. Në një moment të caktuar, të paktën njëri nga ata të 200‑të do të jetë i palumtur. Po të ishte e vërtetë kjo thënie, nëna ime do të ishte në një gjendje palumturie të përhershme, por nuk është. Ata që e njohin atë, e dinë se sa gëzim ka ajo.

Tani do të doja t’ju tregoja një tjetër përvojë. Në janar të vitit 2019, mua dhe bashkëshorten time, Debin, na ftuan në zyrën e Presidentit Nelson. Ai kishte vendosur një karrige afër nesh dhe u ulëm thuajse ngjitur fare. Pasi na ofroi thirrjen e tanishme, Presidenti Nelson u kthye nga Debi dhe u përqendrua tek ajo. Ai ishte dashamirës, i dashur, zemërbutë dhe plot gëzim, si babai apo gjyshi i përsosur. Ia kapi Debit dorën me përkëdheli, duke e siguruar se gjërat do të shkonin mirë dhe se familja jonë do të bekohej. Në atë çast, na u duk sikur ishim njerëzit më të rëndësishëm për të dhe se ai për ne kishte gjithë kohën e botës. U larguam nga zyra e tij atë të premte pasdite, duke ndier siguri, dashuri dhe gëzim.

Të hënën pamë lajmet. Gjatë po asaj dite që Presidenti Nelson kishte kaluar me ne, njëra nga bijat e tij ishte ndarë nga jeta prej kancerit. Mbetëm të shtangur. Shumë të mallëngjyer vajtuam për të dhe familjen e tij. E kishim zemrën plot mirënjohje gjithashtu për vëmendjen e tij si të Krishtit ndaj nesh ndërsa vajtonte për bijën e tij që po lëngonte.

Teksa e përsiatëm këtë përvojë, pyetëm veten: “E si mund të ishte aq dashamirës, i dashur, madje dhe i gëzuar në një kohë aq të vështirë?” Përgjigjja ishte sepse ai e di. Ai e di se Krishti doli ngadhënjimtar. Ai e di se do të jetë përsëri me të bijën dhe do të kalojë përjetësinë me të. Gëzimi dhe këndvështrimi i përjetshëm vijnë nëpërmjet të qenit i lidhur me Shpëtimtarin duke i bërë dhe duke i mbajtur besëlidhjet, si dhe nëpërmjet dishepullimit si të Krishtit.

Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Ashtu siç ofron paqe që ‘ia tejkalon çdo zgjuarsie’ [Filipianëve 4:7], Shpëtimtari ofron edhe një forcë, thellësi dhe sasi gëzimi që shpërfill logjikën njerëzore apo të kuptuarit e vdekshëm. Për shembull, nuk duket e mundshme të ndieni gëzim kur fëmija juaj vuan nga një sëmundje e pashërueshme ose kur humbisni punën tuaj apo kur bashkëshorti/ja ju tradhton. Sidoqoftë, ai është pikërisht gëzimi që ofron Shpëtimtari.”

Ndërsa i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet, ne do ta kthejmë natyrshëm vëmendjen tek të tjerët dhe do të kemi një dëshirë për t’i ndihmuar ata që të ndiejnë masën e gëzimit dhe dashurisë që ndiejmë ne në marrëdhëniet tona besëlidhëse. Ne mund të jemi pjesë e kauzës më të madhe në tokë sot – mbledhjes së Izraelit. Ne mund të ndihmojmë që t’i sjellim fëmijët e Perëndisë te Krishti. Siç dha mësim profeti Jakob: “Dhe të bekuar jeni ju; pasi, sepse keni qenë të zellshëm në të punuarin me mua në vreshtin tim dhe keni zbatuar urdhërimet e mia dhe më keni sjellë mua përsëri frutin natyral, … ju do të keni gëzim me mua për shkak të frutit të vreshtit tim”.

Teksa zotohemi që të veprojmë si dishepuj në besëlidhje, në çfarëdolloj niveli të kapacitetit tonë, marrëdhënia jonë me Atin dhe Birin përmirësohet, gëzimi ynë rritet dhe këndvështrimi ynë i përjetshëm zgjerohet. Më pas, neve na dhurohet fuqi dhe mund të ndiejmë gëzim në një masë të ruajtur për dishepujt e vërtetë të Perëndisë në besëlidhje. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 93:21.

  2. Shihni te Mateu 1:21; 2 Nefi 2:6.

  3. Gjoni 3:16.

  4. Mosia 5:7.

  5. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Mesazhi i Përmuajshëm për revistën Liahona, tetor 2022; Liahona, tetor 2022, f. 4–11.

  6. Shihni te Dale G. Renlund, “Experience God’s Love” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 3 dhjetor 2019), speeches.byu.edu.

  7. Gjoni 15:9–11.

  8. Shihni tek Alma 7:11–13.

  9. Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82.

  10. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  11. Jakobi [LiM] 5:75.

  12. Shihni te “Hesed, God’s Covenant Love, Is the Reason We Build Temples and Perform Ordinances: Instruction from President Russell M. Nelson”, mbledhja e udhëheqjes në konferencën e përgjithshme, tetor 2024, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].