Konferenca e Përgjithshme
Dashuria Ime për Shpëtimtarin Është Arsyeja Ime Pse
konferenca e përgjithshme e prillit 2025


10:30

Dashuria Ime për Shpëtimtarin Është Arsyeja Ime Pse

E dua Shpëtimtarin tonë. Kjo është arsyeja e vërtetë dhe më e fuqishme pse e bëj atë që bëj.

A e keni vënë re ndonjëherë se profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, na bën vazhdimisht ftesa? Jo pa qëllim, ai na ka ftuar t’i studiojmë dhe t’i përsiatim mesazhet që na u dhanë në dy konferencat e fundit. Në prill 2024, ai tha: “Shpresoj se ju do t’i studioni në mënyrë të përsëritur mesazhet e kësaj konference gjatë gjithë muajve të ardhshëm”. Më pas në tetor 2024, ai tha: “Ju nxit t’i studioni mesazhet e [folësve]. Përdorini ato si një provë me lakmus për atë që është dhe nuk është e vërtetë, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.”

Këto ftesa mund t’u shtohen ftesave profetike që kemi marrë gjatë gjithë jetës, duke përfshirë dhe veçanërisht ato që kemi marrë vitet e fundit. Ne mund të ndiejmë ose mendojmë se këto ftesa janë një gjë tjetër që duhet të shtojmë në listat e gjërave që kemi për të bërë, thjesht sepse na u bë ftesë ose na u kërkua ta bëjmë. Mirëpo, a mund të ketë diçka më shumë pas kësaj?

Duke përsiatur për këtë dhe për të gjitha ftesat që kishim marrë, më erdhi ndër mend diçka që e mësova dhe e vendosa shumë kohë më parë. Po përpiqem t’i bëj këto gjëra, të cilat janë thelbësore për mua, sepse e dua Atë; e dua Shpëtimtarin tonë. Kjo është arsyeja e vërtetë dhe më e fuqishme pse e bëj atë që bëj, dhe më pas, e lidhur me këtë, është dashuria ime për ju, bashkëvëllezërit dhe motrat e mia.

Si vëllai juaj, shpresoj që t’i konsideroni fjalët e mia si një ftesë e sinqertë me synimin që të kuptoni mundësinë për të bërë lidhjen e gjithçkaje që bëjmë, me dashurinë tonë për Shpëtimtarin.

Bërja e kësaj na ndihmon të kuptojmë arsyen e vërtetë pse për gjithçka që bëjmë si dishepuj të Shpëtimtarit. Kjo do të na ndihmojë ta forcojmë lidhjen tonë besëlidhëse me Perëndinë, duke kuptuar të vërtetat e Tij hyjnore dhe të përjetshme – të vërtetat e Tij të përjetshme dhe absolute që nuk do të ndryshojnë kurrë. Të vërteta të përjetshme si: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”.

Është interesante që ndonjëherë, për shkak se i kemi bërë vazhdimisht gjërat deri në atë pikë sa ato janë kthyer në tradita, ne lejojmë që këto tradita ose veprimtari të na diktojnë përpjekjet për të ndërtuar besimin te Jezu Krishti. Duket sikur i bëjmë këto gjëra sepse i kemi bërë prej shumë vitesh, pa marrë parasysh ndikimin e tyre në lidhjen tonë besëlidhëse me Shpëtimtarin.

Në botën tonë, ne zakonisht përqendrohemi në atë që bëjmë dhe në përmbushjen e vazhdueshme të detyrave dhe synimeve. Në një sferë shpirtërore, ne kemi mundësinë të shkojmë përtej thjesht bërjes së gjërave ose arritjes së synimeve, duke kuptuar pse po i bëjmë ato. Nëse mundemi ta kuptojmë dhe të bëjmë lidhjen se arsyeja prapa veprimeve tona lidhet me dashurinë tonë për Shpëtimtarin dhe Atin tonë Qiellor, duke përfituar nga këto mundësi, do të kuptojmë se megjithëse bërja e gjërave të drejta, të tilla si bërja e veprimtarive apo pasja e traditave në Kishë dhe bërja e tyre siç duhet, është diçka e mirë, kur i lidhim ato me arsyen pse, ne do të bekohemi duke e kuptuar arsyen. Ajo nuk do të jetë që të bëjmë thjesht gjëra të mira apo t’i bëjmë siç duhet; do t’i bëjmë për arsyen e duhur.

Për shembull, kur vendosni një synim për të lexuar shkrimet e shenjta, për të bërë lutje të sinqerta ose për të përgatitur një aktivitet për familjen apo lagjen tuaj, a është synimi i vërtetë thjesht përmbushja e këtyre detyrave? Apo këto veprime janë mjetet, instrumentet që keni në dorë për të arritur synimin e vërtetë? A është qëllimi thjesht të zhvillojmë një aktivitet ngaqë e kemi bërë prej shumë vitesh dhe më pas të shenjojmë kutizën që e kemi kryer atë? Ose, sërish, a janë këto mjetet që përdorim për të mësuar, ndier dhe për t’u lidhur me Shpëtimtarin?

Ju lutem, mos ma keqkuptoni idenë rreth bërjes së aktiviteteve ose pasjes së traditave apo rreth vendosjes së synimeve dhe të punuarit fort për t’i arritur ato; nuk ka asgjë të gabuar këtu. Megjithatë, ju ftoj të hapni zemrën dhe mendjen ndaj mundësisë dhe bekimit të të kuptuarit pse i bëjmë këto gjëra dhe si e praktikojmë ne fenë tonë.

Një shembull kryesor i traditave të përqendruara te Krishti, është sfida që Presidenti Dallin H. Ouks na drejtoi të gjithëve në emër të Presidencës së Parë. Presidenti Ouks tha: “Teksa hyjmë në këtë vit të ri, le të përgatitemi për kremtimin e Pashkës për hir të flijimit shlyes të Jezu Krishtit. … Pavarësisht nga ajo që besojnë apo bëjnë të tjerët, ne duhet ta kremtojmë Ringjalljen e Shpëtimtarit tonë të gjallë duke i studiuar mësimet e Tij dhe duke ndihmuar në themelimin e traditave të Pashkës në shoqërinë tonë si një e tërë, sidomos brenda familjeve tona.” Siç mund ta shihni, kjo nuk është thjesht një ftesë për të pasur tradita. Përkundrazi, ne i përdorim këto tradita si mjete për të mësuar më shumë rreth Shpëtimtarit dhe për të kujtuar Ringjalljen e Tij.

Sa më shumë të mund ta bëjmë lidhjen ndërmjet arsyes me dashurinë tonë për Shpëtimtarin, aq më shumë do të jemi në gjendje të marrim atë që na nevojitet ose që po kërkojmë. Presidenti Nelson tha: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit”. Më pas, ai bëri këtë ftesë: “Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!”

Përsiateni këtë në zemrën dhe mendjen tuaj: A besoni se ftesa e Presidentit Nelson kishte për qëllim të na ndihmonte të përgatitnim një listë ku do të grumbullonim më shumë njohuri dhe do të plotësonim detyrat në mënyrë që të mund ta shenjojmë si të kryer ftesën e tij nga lista jonë e detyrave? Ose, a po na fton ai që t’i konsiderojmë aspektet e këtyre të vërtetave dhe parimeve të përjetshme si një mundësi për të kuptuar arsyen pse dhe për të bërë lidhjen e dashurisë besëlidhëse të Shpëtimtarit ndaj nesh me rrugëtimin tonë të dishepullimit gjatë gjithë jetës?

Lejomëni ta ilustroj parimin që po përpiqem të përçoj. Një variant, që ndoshta është ekstrem, mund të jetë që t’i lexoj menjëherë të gjitha mesazhet nga konferenca e përgjithshme; pastaj, kur të kem mbaruar, ta shenjoj si të kryer këtë ftesë nga lista ime e detyrave pa bërë asgjë tjetër prej atyre që lexova. E kuptoj që ky është një rast ekstrem, por nuk është i pavërtetë. Ndofta, shumë njerëz janë diku në një pikë midis kësaj dhe ideales.

Ftesa është që t’i studiojmë dhe t’i përsiatim mesazhet nga konferenca e përgjithshme dhe t’i përdorim për të përcaktuar dhe kuptuar atë që mund të bëjë secili prej nesh për t’u përmirësuar.

Kur e pranojmë ftesën, duke kuptuar arsyen që fshihet pas saj, do të kemi më shumë mundësi për t’u bërë më të afërt me Shpëtimtarin. Ne do të fillojmë të kuptojmë se ngaqë e dua Shpëtimtarin, dua të mësoj më shumë rreth Tij duke i studiuar fjalët e profetëve të gjallë. Dhe ngaqë i dua bashkëqeniet e mia, do të flas për mësimet e profetëve, shikuesve dhe zbuluesve me të tjerët, duke filluar me njerëzit e mi të dashur.

Në të dy shembujt, ju po bëni një gjë të drejtë. Te njëri prej tyre, synimi duket se është të përdorim mjetet që na kanë dhënë Ati Qiellor dhe Shpëtimtari, që janë mesazhet e dhëna gjatë konferencës së përgjithshme. Varianti i dytë e përqafon bekimin e rëndësishëm të marrjes së ideve që na çojnë drejt arsyeve prapa kësaj, duke ofruar një shteg për të kuptuar të vërtetat e përjetshme dhe bekimet e premtuara ndaj të gjithë atyre që i bëjnë këto mësime dhe jetën e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, pikën ku përqendrohet jeta e tyre.

Të dashur vëllezër e motra, shpresoj që të mund ta ndieni dhe ta kuptoni rëndësinë që ka lidhja e veprimeve tona me dashurinë tonë për Shpëtimtarin. Në një botë të globalizuar, shumë zëra do të përpiqen të ndikojnë tek ju dhe, po të jetë mundësia, do t’ju shtyjnë të besoni se disa të vërteta themelore të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit janë të panevojshme. Këto zëra fillojnë me të vërtetën thelbësore të nevojës për një rivendosje në këto ditë të fundit, përfshirë domosdoshmërinë e pasjes së mbretërisë së Perëndisë në tokë, të përfaqësuar nga Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Ju mund t’i dëgjoni zërat që ngulmojnë se mjafton vetëm një marrëdhënie vetjake me Shpëtimtarin ose një kuptueshmëri për Të dhe se feja apo Kisha e rivendosur është e panevojshme apo jothelbësore. Ju ftoj që të jeni të ngadalshëm në marrjen parasysh të këtyre ideve devijuese apo qoftë edhe të fitoni imunitet nga ndikimi i tyre, dhe të jeni më të shpejtë për të kujtuar atë që na ka thënë dhe mësuar Shpëtimtari qysh në kohët e lashta – duke filluar nga dashuria e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ne dhe nga bërja e lidhjes së dashurisë sonë për Ta si arsyeja pse duhet t’i ndjekim Ata.

Perëndia Ati dhe Biri i Tij erdhën dhe i folën Jozef Smithit për të rivendosur Kishën e Jezu Krishtit dhe për të nisur periudhën e plotësisë së kohëve, mbretërinë e Tij në tokë. Si rrjedhim, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është mjeti i themeluar nga Ati Qiellor për të pasur të drejtën për besëlidhje që na mundëson të kthehemi në shtëpi. Prandaj, na nevojitet më shumë se një marrëdhënie vetjake me Atin Qiellor dhe Birin e Tij; na duhen ordinanca thelbësore priftërie nëpërmjet të cilave bëjmë besëlidhje me Ta. Kjo siguron një lidhje besëlidhëse me Ta dhe na jep qasje te dashuria e Tyre besëlidhëse, duke bërë të mundur marrjen e mbretërisë më të lartë të lavdisë të përgatitur për ata që janë të vërtetë dhe besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

Me gjithë fuqinë e shpirtit tim, ju jap dëshmi për realitetin dhe hyjninë e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ai ju do. Ai e di se çfarë po ndodh në jetën tuaj. Krahët e Tij janë të hapur gjatë e gjerë, duke na bërë ftesën: “Ejani tek unë, … dhe unë do t’ju jap çlodhje”.

E dua Shpëtimtarin dhe dashuria ime për Të është arsyeja ime pse. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.