Sesioni i Paradites të së Shtunës
“M’u Afroni Pranë”
Pjesë të shkëputura
Ka raste kur ndihemi pranë Shpëtimtarit, Jezu Krishtit. E megjithatë, ndonjëherë gjatë sprovave tona në vdekshmëri, ndiejmë njëfarë distancimi prej Tij dhe dëshirojmë sigurinë se Ai e di çfarë kemi në zemër dhe se na do si individë. …
Jezu Krishti e do secilin prej nesh. Ai na e ofron atë mundësi për t’u afruar më pranë Tij. Ashtu si me një mik të dashur, ju do të vepronit pothuajse në të njëjtën mënyrë, duke komunikuar nëpërmjet lutjes drejtuar Atit Qiellor në emrin e Jezu Krishtit, duke mbajtur vesh për udhërrëfim të dashur nga Fryma e Shenjtë dhe më pas duke u shërbyer të tjerëve për Shpëtimtarin me gëzim. …
Ashtu si dishepujt e Tij të dashur, çdo fëmijë i Atit Qiellor që ka zgjedhur të hyjë nëpërmjet portës së pagëzimit, është nën besëlidhjen për të qenë një dëshmitar i Shpëtimtarit dhe për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë gjatë gjithë jetës sonë në vdekshmëri. …
Ndërsa jeni besnikë ndaj këtyre premtimeve, do të zbuloni se Zoti e mban premtimin e Tij për të qenë një me ju gjatë shërbimit tuaj, duke jua bërë barrët të lehta. Ju do të arrini ta njihni Shpëtimtarin dhe me kalimin e kohës do të arrini të jeni si Ai dhe të “përsos[e]ni në të”. Duke u ardhur në ndihmë të tjerëve për hir të Shpëtimtarit, do të zbuloni se po afroheni më pranë Tij. …
Ndërsa ua lidhni plagët njerëzve nevojtarë, fuqia e Zotit do t’ju mbështetë. Krahët e Tij do të shtrihen bashkë me tuajat për t’i ndihmuar dhe për t’i bekuar fëmijët e Atit tonë Qiellor.
Çdo shërbëtor në besëlidhje me Jezu Krishtin do të marrë drejtimin e Tij nga Shpirti ndërsa i bekon të tjerët dhe u shërben atyre për hir të Tij. Atëherë ata do ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit dhe do të gjejnë gëzim tek afrohen më pranë Tij.