“Mrekullia në Pragun e Derës”, Miku, janar 2026, f. 18–19.
Mrekullia në Pragun e Derës
A do të ishte mirë nëna e Grejsit?
Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja.
Grejsi mbaroi kafshatën e fundit të petullave, i futi enët në lavaman dhe mori çantën e shpinës.
“Koha për lutje familjare”, – tha babi.
Të gjithë u gjunjëzuan në dhomën e ndenjjes. Vëllai binjak i Grejsit, Xhorxhi, tha lutjen. “Të lutemi na ndihmo të kemi një ditë të mbarë në shkollë”, – tha ai. “Dhe të lutem bekoje mamin që ajo të jetë mirë. Të lutem bekoji mjekët që të dinë si ta ndihmojnë.”
Mamaja e Grejsit kishte një tumor në tru. Ajo do të duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët shpresonin se gjithçka do të shkonte mirë, por nuk mund ta dinin me siguri.
Pas lutjes, mami i përqafoi të gjithë. “Do të shkoj përsëri te mjeku sot. Shpresojmë të marrim më shumë përgjigje.”
“Po sikur mami të vdesë dhe unë të mos flas dot më me të?” – pyeste veten Grejsi. Ishte tepër e frikësuar. Nuk mund ta përfytyronte dot të mos e përqafonte mamin ose ta shihte pas shkolle.
Atë ditë, Grejsi shkoi në mësim, bëri pushimin dhe hëngri drekë njësoj si zakonisht. Por vazhdonte të mendonte për mamin. Kur ndihej e frikësuar, mendonte për këngën e saj të parapëlqyer të Fillores. Familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë nëpërmjet planit të Atit Qiellor, këndonte ajo në mendjen e saj.
Kur u kthyen në shtëpi nga shkolla, Grejsi dhe Xhorxhi hynë me vrap në shtëpi dhe i dhanë mamit një përqafim të madh. “Si shkoi takimi?” – pyeti Grejsi.
“Shkoi mirë”, – tha mami. “Ende nuk dimë shumë. Kam disa takime të tjera javën tjetër para operacionit.”
Grejsi u gëzua që pa mamin e vet. Por ajo ishte ende e shqetësuar.
Disa ditë më vonë, ra zilja e derës. Kur mami hapi derën, Grejsi dëgjoi këngë.
Ajo qëndroi me mamin në prag të derës dhe pa jashtë një turmë miqsh të familjes nga kisha dhe shkolla. Ata po këndonin këngë të Fillores. “Kemi menduar për ty dhe donim të të sillnim pak ngushëllim”, – tha njëri prej tyre. Pastaj filluan të këndonin sërish.
Erdhi edhe Xhorxhi te dera. Ai u kthye nga Grejsi. “Le të këndojmë me ta!”
Grejsi dhe Xhorxhi rrëmbyen palltot e tyre dhe vrapuan jashtë për t’u bashkuar me të tjerët. Ata kënduan me aq zë sa kishin:
Grejsi e pa mamin duke fshirë lotët. Motra e saj e vogël, Rozi, u kap pas këmbëve të mamit dhe dëgjoi po ashtu.
Grejsin e pushtoi një ndjenjë paqeje. Ajo ishte ende e shqetësuar për mamin, por e dinte se Jezu Krishti i donte ata. Ai ishte Perëndia i mrekullive. Dhe disi, Grejsi e dinte se gjërat do të shkonin mirë.
Ilustrimet nga Bethany Stancliffe