“Një Bashkëbisedim me Emilinë rreth Pagëzimit”, Miku, janar 2026, f. 34–35.
Një Bashkëbisedim me Emilinë rreth Pagëzimit
Emilia është një vajzë 9 vjeçe nga Sinaloa në Meksikë. Ne i bëmë disa pyetje në lidhje me pagëzimin e saj.
Na trego rreth vetes.
Më pëlqen të pikturoj, të vizatoj, të gatuaj ëmbëlsira, të bëj punime artistike, të kërcej e të këndoj me vëllezërit e motrat e mia. Gjithashtu më pëlqen të shkoj në fermën e gjyshit tim për të kalëruar.
Si u përgatite për t’u pagëzuar?
Gjatë mbrëmjes së shtëpisë, prindërit e mi më mësuan rreth besimit, pendimit, pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë. Gjithashtu u përgatita duke lexuar shkrimet e shenjta, duke u lutur dhe duke parë materiale filmike rreth Jezu Krishtit. Më pëlqen veçanërisht materiali filmik rreth pagëzimit të Shpëtimtarit në lumin Jordan. Më pëlqen shumë pjesa kur shfaqet pëllumbi i bardhë, i cili përfaqëson Frymën e Shenjtë.
Unë dhe babi u ushtruam edhe për mënyrën se si do të qëndronim në vaskën me ujë. Kisha frikë të zhytesha nën ujë, por babi më mësoi si të përkulja gjunjët, të mbyllja hundën, të mbyllja sytë dhe të bija butësisht pas në krahët e tij. Bëmë shumë praktikë për këtë gjë dhe ditën e pagëzimit tim, arrita ta bëja me shumë lehtësi.
Çfarë kishte të veçantë pagëzimi yt?
Ishte një ditë e paharrueshme për mua. Disa nga pjesëtarët e familjes sime dhanë biseda, thanë lutjet dhe qëndruan si dëshmitarë. Unë gjithashtu këndova këngën “Kur të Pagëzohem” me ndihmën e pianistes sonë të Fillores. Pasi u pagëzova, e ndjeva Atin tim Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, kaq pranë meje. Derdha lot gëzimi.
Ishte gjithashtu e veçantë sepse pata një ide të ftoja disa nga miqtë dhe pjesëtarët e familjes sime që nuk janë anëtarë të Kishës, të vinin në pagëzimin tim dhe ata pranuan të vinin. Një nga miqtë e mi që mori pjesë, ende vjen në veprimtaritë e kishës me prindërit e tij.
Si i kujton besëlidhjet e tua të pagëzimit?
Përpiqem t’i kujtoj besëlidhjet e mia duke shkuar në kishë, duke marrë sakramentin dhe duke e kujtuar Shpëtimtarin. Njohuria se Ai dha jetën e Tij për mua më bën të ndihem mirënjohëse. Gjithashtu lutem çdo ditë, lexoj shkrimet e shenjta, u shërbej të tjerëve dhe përpiqem të jem një njeri i mirë.
Për ju miq që jeni gati të pagëzoheni, shpresoj se mund t’i afroheni më shumë Atit Qiellor dhe të ndieni dashurinë e Tij të përsosur!