“Pra, Ti u Pagëzove. Po Tani?” Miku, janar 2026, f. 36–37.
Pra, Ti u Pagëzove. Po Tani?
A je pagëzuar tashmë? Kjo është e mahnitshme! Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë shumë të lumtur që bëre atë zgjedhje për t’i ndjekur Ata.
Pagëzimi është vetëm një nga hapat e parë në rrugëtimin tënd drejt një marrëdhënieje të mrekullueshme besëlidhjeje me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin tënd. Ja disa gjëra që mund të vazhdosh të bësh ose të fillosh t’i bësh tani që je pagëzuar.
Vërja Veshin Frymës së Shenjtë
A e mban mend kur more dhuratën e Frymës së Shenjtë pas pagëzimit tënd? Tani Ai mund të jetë gjithmonë me ty ndërsa zgjedh të drejtën. Fryma e Shenjtë shpesh komunikon me ne përmes mendimeve dhe ndjenjave. Vënia e veshit ndaj Frymës së Shenjtë do të të ndihmojë të bësh zgjedhje të mira dhe të gjesh gëzim të vërtetë.
Mendo për Këtë: Kur ishte një rast që e ndjeve Frymën e Shenjtë? Mund të jetë një përvojë e madhe ose e vogël!
Pendohu
Kur Jezu Krishti shleu për mëkatet tona, Ai bëri të mundur që të gjithë ne të pendohemi. Pendim do të thotë të largohemi nga zgjedhjet e gabuara dhe të kthehemi drejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ata janë shumë të lumtur kur zgjedhim të pendohemi sepse na ndihmon të afrohemi më shumë me Ta.
Mendo për Këtë: Cila është një gjë që mund të bësh, e cila do të të ndihmojë të kthehesh drejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Merr Sakramentin
Pas pagëzimit tënd, sakramenti është edhe më i veçantë. Tani, kur merr sakramentin, ti po përtërin besëlidhjen që bëre në pagëzim për të zbatuar urdhërimet dhe për të ndjekur Jezu Krishtin. Kur nuk i mban këto premtime në mënyrë të përsosur, sakramenti është një kujtesë javore se për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të pendohemi dhe të falemi.
Mendo për Këtë: Cila është një mënyrë se si mund ta bësh sakramentin të veçantë këtë javë?
Përgatitu për Tempullin
Tempulli është shtëpia e shenjtë e Perëndisë. Vitin që mbush 12 vjeç/e, mund të shkosh në tempull dhe t’i ndihmosh të tjerët duke kryer pagëzime për të vdekurit. Më vonë, mund të bësh më shumë nga besëlidhjet e tua me Atin Qiellor. Ajo që mëson në tempull, do të të ndihmojë të bëhesh më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti!
Mendo për Këtë: Cila është një gjë që mund të bësh tani për t’u përgatitur që të shkosh në tempull?
Ilustrimet nga Alyssa Petersen