“Një Fillim i Ri”, Miku, janar 2026, f. 38–39.
Një Fillim i Ri
“Si mund të qëndroj i pastër pasi të pagëzohem?”
Një ngjarje e vërtetë nga Franca.
Aleksandri do të mbushte tetë vjeç vetëm pas pak ditësh! Ai ishte shumë i emocionuar sepse ai dhe babai po planifikonin një ushqim të veçantë, të lehtë për ditëlindje që ai ta hante pas shkollës. Ndërsa misionarët mbërritën për darkë, Aleksandri u tregoi atyre gjithçka rreth ëmbëlsirave të shijshme me çokollatë që kishte zgjedhur.
“Do të kemi tetë si këto me nga një qiri secili, në vend të një torte me tetë qirinj!”
Plaku [Eldër] Launeri qeshi. “Kjo duket fantastike. Ruaj pak për mua!”
Pas darkës, misionarët dhanë një mësim mbi pagëzimin. Plaku [Eldër] Dojoni u kthye nga Aleksandri. “Kur pagëzohesh, ti premton të ndjekësh Jezu Krishtin.” Ai i tregoi Aleksandrit për pagëzimin e tij dhe ndau dëshminë e tij. “Fryma e Shenjtë më ndihmoi të ndihesha kaq i lumtur sepse atë ditë zgjodha të ndiqja Jezu Krishtin.”
Aleksandri mezi e priste ditën e pagëzimit të tij!
Por kur shkoi në shtrat atë natë, e pati të vështirë të flinte. Atij i pëlqente ideja e të qenit i pastër dhe i ri. Por si do të qëndronte i pastër pas pagëzimit?
Të nesërmen në mëngjes, Aleksandri shkoi në shkollë me babin. “Ke qenë shumë i heshtur këtë mëngjes”, – tha babi. “Çfarë ke?”
Aleksandri psherëtiu. “Do të doja të pagëzohesha më shumë se një herë.”
“Pse?” – pyeti babi.
“Si tjetër mund të qëndroj i pastër pasi të pagëzohem?” – pyeti Aleksandri. “Harroj gjëra gjatë gjithë kohës, për shembull si përshëndetjet dhe falënderimet ndaj të rriturve, si dhe durimi me vëllanë tim të vogël. E di që do të bëj gabime. Ti bën vetëm një pagëzim, kështu që unë nuk do të jem më kurrë kaq i pastër.”
Babi u ndal dhe e pa Aleksandrin në sy. “Ua! Kjo ndoshta të paska munduar ca. A të kujtohet kur folëm për bërjen e premtimeve në pagëzim?”
Aleksandri pohoi me kokë. “Mendoj se po.”
Kur pagëzohesh, bën një besëlidhje me Atin Qiellor. Premton të zbatosh urdhërimet e Tij dhe të ndjekësh Jezu Krishtin. Pas kësaj, sa herë që merr sakramentin, mund të kujtosh Jezusin dhe se si Ai mund të të ndihmojë të pendohesh.”
Aleksandri i hapi sytë fort. “Që të ndihem po aq i pastër sa kur pagëzohem?”
“Saktë”, – tha babi. “Ati Qiellor e di që nuk je i përsosur dhe ndonjëherë do të bësh zgjedhje të gabuara. Por kur mëkaton, mund të pendohesh dhe të vazhdosh të përpiqesh të ndjekësh Jezusin. A të duket kjo si diçka që mund ta bësh?”
Aleksandri buzëqeshi. “Po! Mendoj se mund ta bëj këtë.”
Kur erdhi ditëlindja e Aleksandrit, e gjithë familja hëngri pas shkollës ëmbëlsirat e përgatitura për ditëlindjen e tij. Ishin të shijshme! Dhe në pagëzimin e tij, Aleksandri u ndje shumë mirë nga brenda kur doli nga uji. Ai kishte premtuar të ndiqte Jezu Krishtin dhe kjo e bëri të ndihej mrekullueshëm!
Atë javë, Aleksandri u përpoq me gjithë mundin e tij të mbante besëlidhjet e tij të reja dhe të ishte i sjellshëm me vëllanë e tij të vogël. Por kur erdhi e diela tjetër, ai u zhgënjye pak. Ai ndjeu sikur mund kishte bërë disa zgjedhje më të mira atë javë.
Ndërsa po shpërndahej sakramenti, Aleksandri kryqëzoi krahët dhe uli kokën. Ai i kërkoi në heshtje Atit Qiellor ta ndihmonte të bënte më mirë javën tjetër. Ai mendoi se sa shumë e donte Jezusi dhe sa shumë donte të ishte më shumë si Ai.
Ndërsa mori një copë bukë nga tabakaja e sakramentit, Aleksandri ndjeu ngrohtësi dhe qetësi brenda vetes. Ai u ndje njësoj si në ditën e pagëzimit të tij! Babi i hodhi krahun Aleksandrit dhe i buzëqeshi.
Sot ishte fillimi i një jave të re dhe Aleksandri do të bënte më të mirën e tij, me ndihmën e Atit Qiellor.
Ilustrimet nga Toby Newsome