Kurset për Ungjillin
Praktika e Zotësisë 10: Zhvilloni Modele të Shëndetshme të të Menduarit


Praktika e Zotësisë 10

Zhvilloni Modele të Shëndetshme të të Menduarit

vajzë duke buzëqeshur

Mendimet tona mund të kenë një ndikim të fuqishëm te ne, qoftë për mirë, qoftë për keq. Zhvillimi i modeleve të shëndetshme të të menduarit mund të na e përmirësojë këndvështrimin mbi jetën dhe aftësinë për të bërë punën e Zotit.

Udhëheqësi i diskutimeve: Përpiquni fort t’i bëni shkurt pjesët “Përcakto” dhe “Trego në Praktikë” që nxënësit të kenë mjaft kohë për praktikën.

Përcakto

Udhëheqësi i diskutimeve: Paraqiteni temën për këtë praktikë të zotësisë duke treguar sa vijon. Mund të merrni parasysh edhe të studioni së bashku vargun te Doktrina e Besëlidhje 6:36. Ftojini nxënësit të tregojnë se si mund të ndikojë në jetën e tyre zbatimi i këshillës së Zotit në këtë varg.

Mendimet tona ndikojnë te mënyra se si ndihemi dhe veprojmë (shih te Fjalët e Urta 23:7). Mendimet negative mund të çojnë në shkurajim, dyshim te vetja, frikë, zemërim dhe ndjenja të humbjes së shpresës. Mendimet pozitive mund të çojnë në optimizëm, siguri te vetja dhe shpresë.

Një mënyrë se si mund të zhvillojmë modele të shëndetshme të të menduarit, është t’i mbajmë shënim mendimet tona negative dhe t’i rishkruajmë ato në mënyrë që:

  • Të jenë më shpresëdhënëse.

  • Të jenë më të vërteta.

  • Të tregojnë besim te Jezu Krishti në praktikë.

Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë këto tri orientime.

Trego në Praktikë

Udhëheqësi i diskutimeve: Tregojeni në praktikë këtë zotësi duke paraqitur dhe diskutuar disa nga shembujt vijues që janë përshtatur nga pjesa “Talking Back to Negative Thinking” [“Ndërprerja e të Menduarit Negativ”] te broshura Adjusting to Missionary Life [Përshtatja me Jetën si Misionar] ([2013], f. 21). Mund të ftoni anëtarë të ndryshëm të klasës t’ia lexojnë me zë të lartë klasës secilin shembull.

Mendimet e mia negative

Varianti im i rishkruar që të ndërtoj mënyrë të shëndetshme të të menduarit

E kam zët faktin që duhet të zgjohem kaq herët.

Nuk ka pse të më pëlqejë. Unë mendoj se mund ta bëj këtë. Kur të ngrihem e të filloj të lëviz, mbase do të ndihem më mirë. Mund t’i lutem Perëndisë për ndihmë.

Nuk kam për t’ia dalë kurrsesi sot.

Deri tani ia kam dalë çdo ditë dhe do t’ia dal edhe sot. Në këtë çast, gjithçka që duhet të bëj, është ajo që kam përballë, has pas hapi. Teksa shoh te Shpëtimtari, Ai do të më ndihmojë t’ia dal sot.

Ky mësim qe kot fare.

Disa mësime shkojnë më mirë se të tjerat. Është gjë e mirë që dua të përmirësohem. E di se Perëndia do t’i pranojë përpjekjet e mia më të mira. Mbase shoku/shoqja im/e mund të më ndihmojë të përmirësohem.

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të tregojnë se si i panë tri orientimet të tregoheshin në praktikë te këta shembuj. Ju mund të diskutoni edhe pyetje si vijueset:

  • Çfarë të bëri përshtypje nga këta shembuj?

  • Si mund të ndikojë në jetën tënde të menduarit në këtë mënyrë?

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni nxënësve mundësi për ta ushtruar këtë zotësi me një partner. Merrni parasysh t’i paraqitni udhëzimet vijuese:

Rishkruaji mendimet vijuese negative në pohime që janë më shpresëdhënëse e më të vërteta dhe që tregojnë besim te Jezu Krishti:

  • “Të gjithë janë më të zotë se unë për këtë. Thjesht nuk e kam vendin këtu.”

  • “Nuk mund t’i flas një të panjohuri. Është tepër e frikshme!”

  • “Gjithmonë jam tepër i/e çrregullt.”

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini disa anëtarë të gatshëm të klasës të tregojnë se si e rishkruan njërin prej mendimeve negative. Për më shumë praktikë, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të hedhin në letër disa mendime negative që kanë pasur më parë. Jepuni kohë të ushtrohen duke i rishkruar këto mendime që të jenë më shpresëdhënëse, më të vërteta dhe më besimplota.

Zbato

Udhëheqësi i diskutimeve: Tregoni sa vijon për t’i ndihmuar nxënësit ta vënë në zbatim këtë zotësi:

Gjatë shtatë ditëve të ardhshme, gjej kohë për t’i shkruar disa nga mendimet negative që ke. Më pas, rishkruaji që të jenë më shpresëdhënëse e më të vërteta dhe të tregojnë besimin tënd te Jezu Krishti. Kushtoji vëmendje mënyrës si ndikon tek ti kjo praktikë.