Kurset për Ungjillin
Mësimi 7: Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar


Mësimi 7

Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar

Predikoni Ungjillin Tim, Kapitulli 3

pagëzimi

Shpëtimtari i ka urdhëruar të gjithë njerëzit e përgjegjshëm që të pendohen, të pagëzohen dhe të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë. “Mbajtja e besëlidhjes së pagëzimit është hapi i parë drejt lidhjes së vetes sonë me Perëndinë në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund ta pastrojë, forcojë dhe ndryshojë natyrën tonë për më mirë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 28). Bërja e ftesave për t’u pagëzuar dhe konfirmuar është një mënyrë e rëndësishme se si misionarët e përmbushin qëllimin e tyre për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Jezu Krishti.

Rishiko dhe Ndiq Ecurinë

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth përpjekjeve të tyre të kohëve të fundit për t’i zbatuar ato që po mësojnë në këtë klasë. Mund t’i ftoni t’ia tregojnë disa nga përpjekjet e tyre një partneri ose së bashku klasës.

Mundësitë për Veprimtaritë e të Mësuarit

Udhëheqësi i diskutimeve: Përzgjidhni me lutje mundësinë/të e të mësuarit që do të ishte/in më dobiprurëse për klasën tuaj. Sigurohuni që të lini mjaft kohë për praktikën dhe zbatimin.

Mundësia A: Përse është i rëndësishëm pagëzimi dhe konfirmimi?

Studio

Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh të paraqitni një figurë të dikujt që po pagëzohet. Ftojini nxënësit t’i diskutojnë pyetjet vijuese me një partner:

Pagëzimi 2
  • Çfarë mban mend rreth pagëzimit dhe konfirmimit tënd?

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si Zoti të ka bekuar për shkak të vendimit tënd për t’u pagëzuar dhe konfirmuar?

Udhëheqësi i diskutimeve: Kujtojuni nxënësve që ftesa ndaj të tjerëve që të vijnë te Krishti nëpërmjet ordinancave të pagëzimit dhe konfirmimit, është një mënyrë e rëndësishme se si misionarët e përmbushin qëllimin e tyre. Merreni parasysh ta përsëritni qëllimin e misionarëve duke e thënë atë përmendsh së bashku si klasë (shihni te “Përmbusheni Qëllimin Tuaj si Misionar”, Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 1).

Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë nxënësit që ta kuptojnë më mirë mënyrën se si Shpëtimtari mund t’i bekojë ata që zgjedhin të pagëzohen dhe konfirmohen. Ndihmojini anëtarët e klasës të gjejnë pjesën “Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar” te kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 28–29). Më pas, jepni këto udhëzime:

Studioji paragrafët nën titullin “Themeli Doktrinor” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 28) së bashku me të paktën dy prej shkrimeve të shenjta që jepen si referencë. Merre parasysh të kërkosh dhe shenjosh mësime që ta thellojnë kuptueshmërinë për rëndësinë e pagëzimit dhe konfirmimit.

Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi nxënësit të kenë mbaruar studimin, merreni parasysh të diskutoni për pyetjet vijuese:

  • Çfarë gjete që mund ta ndihmojë dikë të ndiejë dëshirën për t’u pagëzuar dhe konfirmuar?

  • Çfarë mësove rreth mënyrës se si Perëndia i bekon ata që zgjedhin të pagëzohen dhe konfirmohen?

Udhëheqësi i diskutimeve: Teksa diskutoni për pyetjen e mëparshme, merreni parasysh të tregoni thënien në vijim nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Ftojini anëtarët e klasës të japin ide të tjera që marrin prej mësimeve të Presidentit Nelson.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Kur ju dhe unë kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të bëhet shumë më e ngushtë sesa përpara besëlidhjes sonë. Tani ne jemi të lidhur së bashku. Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne. Secili prej nesh ka një vend të veçantë në zemrën e Perëndisë. Ai ka shpresa të mëdha për ne.” (“Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 28; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f. 2)

Udhëheqësi i diskutimeve: Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin një shembull të bekimeve nga pagëzimi dhe konfirmimi, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “How Sarah Found Happiness” [“Si e Gjeti Sara Lumturinë”] (3:42; ChurchofJesusChrist.org). Pas materialit filmik, mund të diskutoni se si u bekua jeta e Sarës nga vendimi i saj për t’u pagëzuar dhe konfirmuar.

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës një mundësi të bëjnë praktikë duke shpjeguar ato që kanë mësuar rreth pagëzimit dhe konfirmimit. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë, është duke i ftuar të përgjigjen për skenarin vijues. Ata mund ta mbajnë fillimisht shënim përgjigjen e tyre, përpara se t’ia tregojnë një partneri apo grupi të vogël.

Përfytyro sikur po flet me një shok që nuk ka njohuri për ordinancat e pagëzimit dhe konfirmimit. Shoku të pyet: “Përse një person ka nevojë të pagëzohet dhe konfirmohet?” Çfarë do t’i thoshe?

Vendos një synim

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:

Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për ide të tuat.

  • Shkruaj se si je bekuar ngaqë je pagëzuar dhe konfirmuar anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Tregoja atë që shkrove një njeriu të dashur ose tregoje në një mbledhje agjërimi dhe dëshmish apo në mediat shoqërore.

  • Reflekto mbi besëlidhjen që bëre kur u pagëzove. Përcakto se si mund ta mbash në mënyrë më të plotë besëlidhjen tënde të pagëzimit.

Synimi im
  • Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).

  • Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.

Mundësia B: Si mund t’i ftoj të tjerët që të pagëzohen dhe konfirmohen?

Studio

Udhëheqësi i diskutimeve: Merreni parasysh ta filloni këtë veprimtari të të mësuarit duke treguar skenarin vijues:

Përfytyro sikur je një misionar/e i/e sapothirrur. Bashkë me shokun ose shoqen e misionit po planifikoni programin tuaj për ditën e ardhshme. Shoku ose shoqja të shpjegon se ai apo ajo ka ndier nxitje që të ftojë një nga njerëzit të cilëve po u jepni mësimet, që të pagëzohet dhe konfirmohet. Shoku ose shoqja të pyet a do ta bësh ti ftesën gjatë takimit tuaj të mësimdhënies këtë pasdite. Kjo do të jetë hera e parë për ty që e fton dikë të pagëzohet dhe konfirmohet.

  • Sa i/e sigurt te vetja do të ndiheshe për ta bërë këtë ftesë?

  • Çfarë pyetjesh mund të kesh?

Udhëheqësi i diskutimeve: Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për të bërë ftesën për t’u pagëzuar dhe konfirmuar. Ndihmojini të gjejnë pjesën “Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar” te kapitulli 3 i manualit Predikoni Ungjillin Tim (faqet 28–29). Më pas, jepni këto udhëzime:

Studioji pjesët “Bërja e Ftesës” dhe “Ide për Ftesën për t’u Pagëzuar” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 28–29). Kërko orientime që mund të të ndihmojnë për ta ftuar dikë që të pagëzohet dhe konfirmohet. Merre parasysh t’i shenjosh ato që të bëjnë përshtypje.

Udhëheqësi i diskutimeve: Ftojini anëtarët e klasës të diskutojnë për ato që mësuan, duke bërë pyetje si vijueset:

  • Cilat orientime ose sugjerime t’u dukën më të dobishme? Përse?

  • Përse mendon se do të ishte e dobishme që të përqendroheshim te shembulli i Shpëtimtarit kur i ftojmë të tjerët të pagëzohen?

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni nxënësve një mundësi për të bërë praktikë duke e ftuar dikë që të pagëzohet dhe konfirmohet. Për t’i ndihmuar ata që të shikojnë shembuj të mënyrave se si ta bëjnë këtë, ju mund:

  • Të përdorni një material filmik, të tillë si “Invitation to Be Baptized: German” [“Ftesa për t’u Pagëzuar: Xhërmëni”] (2:42) ose “Invitation to Be Baptized: Jynx” [“Ftesa për t’u Pagëzuar: Xhinksi”] (2:34). Të dyja materialet filmike janë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

  • T’i ftoni anëtarët e klasës ta interpretojnë me role ftesën ndaj dikujt që të pagëzohet dhe konfirmohet. Ata mund të përdorin tekstin me shkronja të pjerrëta në pjesën “Bërja e Ftesës” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 29) ose njërin prej interpretimeve me role në fund të këtij mësimi.

Diskutoni me anëtarët e klasës se çfarë mësuan nga materialet filmike ose interpretimet me role, duke përfshirë atë që u pëlqeu dhe atë që mund ta kishin bërë ndryshe. Më pas, jepni udhëzimet vijuese:

Praktikoje përgatitjen dhe bërjen e një ftese për t’u pagëzuar e konfirmuar, duke bërë sa vijon:

  1. Shkruaj një plan të thjeshtë për mënyrën se si do ta ftoje dikë që të pagëzohej dhe konfirmohej. Përpiqu t’i zbatosh këto orientime në planin tënd: 1) ji specifik dhe i drejtpërdrejtë, 2) premto bekime dhe 3) jep dëshminë tënde.

  2. Me një partner, bëjini ftesat që përgatitët, me radhë.

  3. Pasi të ushtrohesh me partnerin, përcakto se si mund ta rregullosh ftesën tënde.

  4. Ushtrohu përsëri me një partner tjetër.

Vendos një synim

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:

Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar. Përdor ide si ato në vijim ose mendo për ide të tuat.

  • Studio fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta rreth pagëzimit dhe konfirmimit. Më pas, tregoja ato që mësove, një pjesëtari të familjes ose shoku.

  • Mendo për dikë që dëshiron ta ndihmosh të afrohet më shumë me Jezu Krishtin. Përcakto një ftesë që mund t’i bësh.

Synimi im
  • Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).

  • Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse nxënësit kanë një grup bashkëmoshatarësh me të cilin të flasin për synimet e tyre gjatë gjithë kursit, jepuni kohë të tregojnë se si do ta përkrahin ose do ta kujtojnë njëri‑tjetrin përpara orës mësimore të radhës.

Herës Tjetër

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse jeni gati që ta jepni herës tjetër mësimin 8, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të studiojnë kapitullin 4 të manualit Predikoni Ungjillin Tim si parapërgatitje. Nëse dëshironi, mund t’u dërgoni atyre një kujtues.

Bërja e Ftesës për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar

Interpretimi me Role Nr. 1: Të Përdorurit e Shembullit të Jezu Krishtit

Tregimtari: Sara ka ndier dëshirën për të krijuar një marrëdhënie me Perëndinë qëkurse filloi kolegjin para dy muajsh. Kohët e fundit, ajo u takua me misionaret. Në vizitën e tyre të parë, Motra Hernandez dhe Motra Uilliams i dhanë mësim Sarës për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit dhe e ftuan që të lexonte Librin e Mormonit dhe të lutej për të. Tani, misionaret do takohen përsëri me Sarën. Ato ndihen të udhërrëfyera ta ftojnë Sarën që të pagëzohet.

Motra Hernandez: Sara, na ke thënë se dëshiron të ndjekësh Perëndinë dhe ta thellosh marrëdhënien tënde me Të. Le të lexojmë nga Bibla së bashku se si Jezu Krishti na tregoi udhën për ta ndjekur Perëndinë.

Motra Uilliams: Në kapitullin 3 te Mateu, lexojmë rreth Jezusit që erdhi te Gjon Pagëzori. Sara, a do të lexosh te Mateu 3:13–17?

Sara: [Lexon me zë të lartë te Mateu 3:13–17.]

Motra Hernandez: Sara, Jezusi u pagëzua që të përmbushte çdo drejtësi. Kjo do të thotë se Ai iu bind urdhërimit për t’u pagëzuar. Çfarë di ti rreth pagëzimit?

Sara: E di që është diçka që njerëzit e bëjnë shpesh. Në kishën ku u rrita, më kujtohet që kam parë disa njerëz ta bënin. Në familjen time, askush nuk u pagëzua. Përpos kësaj, nuk di më shumë për të.

Motra Hernandez: Faleminderit që na e tregove këtë, Sara. Na lër të të shpjegojmë më shumë se çfarë është pagëzimi. Perëndia dëshiron që të kthehemi të jetojmë me Të. Ne e fillojmë shtegun e kthimit për te Perëndia duke ushtruar besim te Jezu Krishti. Besimi te Jezu Krishti na bën që ta ndryshojmë jetën dhe të pendohemi për mëkatet tona. Pagëzimi është besëlidhja e parë që bëjmë gjatë këtij shtegu. Ai na sjell më pranë Shpëtimtarit dhe ne ndiejmë gëzim, falje dhe shpresë. Pagëzimi është gjithashtu një ordinancë. Kjo do të thotë se është një ceremoni që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë.

Motra Uilliams: Kur pagëzohemi, ne po bëjmë një besëlidhje apo premtim me Perëndinë. Ne premtojmë se do t’i shërbejmë Atij dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Si pjesë e kësaj besëlidhjeje, Perëndia premton se do të na i falë mëkatet dhe do të na bekojë me Shpirtin e Tij në mënyrë që të mund të pastrohemi, udhërrëfehemi e ngushëllohemi.

Motra Hernandez: Sara, a do ta ndjekësh shembullin e Jezu Krishtit duke u pagëzuar nga dikush që është shuguruar për ta kryer këtë ordinancë? Ne do të të ndihmojmë që të përgatitesh për pagëzimin. Ne besojmë se mund të jesh gati më 29 korrik. A do të përgatitesh që të pagëzohesh në atë datë?

Sara: Po. Kam ndjesinë se kjo është ajo që po kërkoja.

Motra Uilliams: Sara, jemi të emocionuara për bekimet që do të të vijnë ndërsa e bën këtë zgjedhje. Pagëzimi do të sjellë paqe dhe fuqi të madhe në jetën tënde. Kemi shumë për të të mësuar që do të të ndihmojnë të përgatitesh.

Bërja e Ftesës për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar

Interpretimi me Role Nr. 2: Jepeni Mësim Doktrinën e Krishtit

Tregimtari: Isaku po takohet për herë të parë me misionarët. Ai ka shumë pyetje rreth qëllimit të jetës dhe mënyrës si mund të gjejë më shumë lumturi. Misionarët i dhanë mësim Isakut për planin e Atit Qiellor për shpëtimin. Gjatë mësimit, Plaku Brauning dhe Plaku Sing ndiejnë nxitjen që ta ftojnë Isakun të pagëzohet.

Plaku Brauning: Isak, duam të flasim për shtegun e kthimit për tek Ati ynë Qiellor. Ai dëshiron që ne të kthehemi për të jetuar me Të dhe Jezu Krishti e ka bërë të mundur këtë.

Plaku Sing: Ne e nisim shtegun e kthimit për te Perëndia duke besuar te Jezu Krishti. Kur kemi besim te Jezu Krishti, në mënyrë të natyrshme duam ta ndryshojmë jetën dhe t’i ngjajmë më shumë Atij. Ne u bindemi mësimeve të Tij dhe pendohemi kur mëkatojmë. Besimi dhe pendimi na çojnë te pagëzimi dhe konfirmimi. A mund të na thuash se çfarë di rreth pagëzimit?

Isaku: Kam parë një ose dy pagëzime në kisha të ndryshme, por, përpos asaj, nuk di shumë për atë. Mendoj se ka të bëjë me mëkatet.

Plaku Brauning: Ke të drejtë. Pagëzimi është hapi i parë drejt lidhjes së vetes sonë me Perëndinë në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund ta pastrojë, forcojë dhe ndryshojë natyrën tonë për më mirë. Ai është edhe mënyra se si e shprehim zotimin tonë ndaj Perëndisë. Kur pagëzohemi, ne po bëjmë një besëlidhje apo marrëveshje me Të, që do t’i shërbejmë Atij dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Kur e bëjmë këtë, Perëndia besëlidh se Ai do të derdhë Shpirtin e Tij mbi ne dhe do të na i falë mëkatet.

Plaku Sing: Kur pagëzohemi, ne gjithashtu premtojmë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, t’i shërbejmë Perëndisë dhe të tjerëve dhe të durojmë deri në fund. Kjo do të thotë se pagëzimi është një fillim i ri për jetën tonë. Sigurisht që ende do të kemi sfida dhe do të bëjmë gabime. Mirëpo kurrë nuk do ndalojmë së përpjekuri për ta mbajtur premtimin tonë dhe së mbështeturi te Jezu Krishti gjatë gjithë jetës sonë.

Plaku Brauning: Isak, a do ta ndjekësh shembullin e Jezu Krishtit duke u pagëzuar nga dikush që është shuguruar për ta kryer këtë ordinancë? Ne do të të ndihmojmë që të përgatitesh për pagëzimin. Ne besojmë se mund të jesh gati më 29 korrik. A do të përgatitesh që të pagëzohesh në atë datë?

Isaku: Po. Kam përshtypjen dhe ndjesinë se kjo është ajo që po kërkoja.

Plaku Sing: Isak, jemi të emocionuar për bekimet që do të të vijnë ndërsa e bën këtë zgjedhje. Pagëzimi do të sjellë paqe dhe fuqi të madhe në jetën tënde. Kemi shumë gjëra për të të mësuar që do të të ndihmojnë të përgatitesh për pagëzimin.