Kurset për Ungjillin
Mësimi 1: Ne i Ftojmë të Tjerët të Vijnë te Krishti


Mësimi 1

Ne i Ftojmë të Tjerët të Vijnë te Krishti

Shpëtimtari duke buzëqeshur

E gjithë puna misionare përqendrohet te Jezu Krishti. Me të vërtetë, qëllimi thelbësor i një misionari është që t’i “ftoj[ë] të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ta pranojnë ungjillin e rivendosur” (Predikoni Ungjillin Tim [2023], f. 1). Jezu Krishti i fton ndjekësit e Tij ta shpërndajnë mesazhin e ungjillit te kushdo. “Ndërkohë që rriten të kuptuarit dhe dëshmia j[onë] për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij, do të shtohet dëshira j[onë] për ta shpërndarë ungjillin” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 2).

Mirë se Vini!

Udhëheqësi i diskutimeve: Disa anëtarë të klasës mund të ndihen të pasigurt rreth fillimit të një lënde të re dhe rreth takimit me njerëz të rinj. Mund të lexoni së bashku te Gjoni 13:34–35 dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të japin shembuj se si Shpëtimtari i deshi të tjerët. Merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese:

  • Si mund ta zbatojë klasa jonë shembullin e dashurisë së Shpëtimtarit për të tjerët?

  • Si mendon se do të donte Shpëtimtari që t’i trajtoje njerëzit që nuk i njeh ose që të duken ndryshe nga ti?

Udhëheqësi i diskutimeve: Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të njihen me njëri‑tjetrin dhe të krijojnë një ndjesi përkatësie. Paraqitni udhëzimet dhe jepuni anëtarëve të klasës kohë që të bisedojnë me njëri‑tjetrin. Mund ta përdorni këtë mundësi që të shpjegoni se takimi me njerëzit dhe trajtimi i tyre në një mënyrë “të ngrohtë, të vërtetë dhe miqësorë” është një pjesë e rëndësishme e shpërndarjes së ungjillit (Predikoni Ungjillin Tim, f. 163).

Shfrytëzojini minutat e ardhshme për të takuar tre deri në katër njerëz të rinj në klasën tonë. Ja disa këshilla për të nisur bashkëbisedimet tuaja:

  • Mësojuani emrat njëri‑tjetrit.

  • Pyesni rreth interesave, talenteve, shkollës, punës ose veprimtarive të kohës së lirë.

  • Pyesni rreth pushimeve, një aventure ose sfide të kohëve të fundit apo diçkaje që po e presin me padurim.

Veprimtaria e Sugjeruar e të Mësuarit

Përse është e rëndësishme t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë te Jezu Krishti?

Studio

Udhëheqësi i diskutimeve: Paraqitni figurën vijuese dhe ftojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që dinë rreth rrëfimit të paraqitur. Më pas, jepni udhëzimet vijuese:

Studio te Mateu 28:18–20 duke kërkuar ato që Shpëtimtari u mësoi Apostujve të Tij në këtë rast.

  • Si mendon, përse Shpëtimtari i fton ndjekësit e Tij ta shpërndajnë ungjillin tek të tjerët?

Jezusi duke u dhënë mësim Dymbëdhjetë Apostujve

Udhëheqësi i diskutimeve: Shpjegoni se udhëzimi i Jezu Krishtit për Apostujt e Tij që ta shpërndajnë ungjillin, gjen zbatim edhe për ndjekësit e Tij në kohën tonë.

Paraqitini udhëzimet vijuese dhe jepuni anëtarëve të klasës kohë që t’i studiojnë disa prej vargjeve më vete. Përveç kësaj, mund të studioni së bashku mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Predikimi i Ungjillit të Paqes” (Liahona, maj 2022, f. 6–7) ose të shihni materialin filmik “A Prophetic Call: Experience the Joy of Missionary Service” [“Një Thirrje Profetike: Përjetoni Gëzimin e Shërbimit Misionar”] (2:12; Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

Studioji disa nga shkrimet e shenjta në vijim, duke kërkuar të vërtetat rreth Jezu Krishtit që mund t’i ndihmojnë të tjerët të vijnë tek Ai. Mund të përdorësh edhe mjetet për studim te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] që të gjesh shkrime të tjera të shenjta ose thënie të tjera nga udhëheqës të Kishës.

Udhëheqësi i diskutimeve: Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe ftojeni secilin anëtar të grupit të japë përgjigjet e veta për pyetjet vijuese:

  • Çfarë të vërtetash mësove rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij?

  • Si kanë ndikuar këto të vërteta tek ti?

  • Si të ndihmojnë këto të vërteta që t’u mësosh të tjerëve rreth Jezu Krishtit?

Udhëheqësi i diskutimeve: Pasi grupet ta përfundojnë diskutimin e tyre, ftojini nxënësit t’ia tregojnë pjesës tjetër të klasës një të vërtetë që zbuluan. Duke përdorur vetë fjalët e tyre, nxënësit mund të përcaktojnë të vërteta si këto:

  • Kur vijmë te Krishti, Ai mund t’i bëjë barrët tona të lehta (shihni te Mateu 11:28–30).

  • Jezu Krishti është udha jonë e kthimit për tek Ati Qiellor (shihni te Gjoni 14:6).

  • Ne shpëtohemi nëpërmjet meritave, mëshirës dhe hirit të Jezu Krishtit (shihni te 2 Nefi 2:6–8).

  • Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe durojmë deri në fund, do të marrim jetën e përjetshme me Atin tonë Qiellor (shihni te 2 Nefi 31:17–21).

  • Nëse pendohemi dhe vijmë te Jezu Krishti e pagëzohemi, atëherë ne mund të shenjtërohemi nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe të qëndrojmë të panjollë përpara Krishtit në ditën e fundit (shihni tek 3 Nefi 27:20–22).

  • Ngaqë vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë, Ai ndien gëzim kur ne pendohemi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 18:10–16).

Ushtrohu

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni nxënësve një mundësi që ta ushtrojnë mësimdhënien mbi rëndësinë e Jezu Krishtit. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë, është duke paraqitur skenarin dhe udhëzimet vijuese. Jepuni anëtarëve të klasës kohë të mjaftueshme që të krijojnë një përgjigje. Nëse kanë nevojë për më tepër ndihmë, drejtojini te pikat nën kreun e titulluar “Shlyerja e Jezu Krishtit” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 47).

Përfytyro sikur ke një shok apo shoqe që nuk është anëtar/e i/e Kishës dhe ka kureshtje për bindjet e tua. Gjatë një bashkëbisedimi, shoku apo shoqja të thotë: “Kam vënë re se Jezusi është i rëndësishëm për ty. Përse kështu?”

Përgatit një përgjigje për shokun apo shoqen që përfshin sa vijon:

  1. Një shpjegim të shkurtër rreth nevojës sonë për Jezu Krishtin

  2. Një shkrim të shenjtë që lidhet me këtë

  3. Dëshminë tënde

Udhëheqësi i diskutimeve: Ndajeni klasën në dyshe dhe ftojeni çdo person t’ia tregojë përgjigjen e vet partnerit. Pasi të mbarojnë, mund t’i ftoni nxënësit që përgjigjen e vet ta vlerësojnë veçan dhe të përcaktojnë se çfarë përshtatjesh dëshirojnë të bëjnë. Më pas, caktojuni nxënësve një partner tjetër dhe ftojini ta japin përsëri përgjigjen e tyre, duke përfshirë ndonjë përshtatje.

Vendos një synim

Udhëheqësi i diskutimeve: Jepuni anëtarëve të klasës kohë të reflektojnë mbi ato që kanë mësuar, dhe të vendosin synime. Mund të paraqitni sa vijon për t’i ndihmuar:

Vendos një synim që lidhet me ato që ke studiuar sot. Përdor disa prej ideve vijuese ose mendo për një ide tënden.

  • Gjatë studimit tënd vetjak të shkrimeve të shenjta, shenjoji ose theksoji me ngjyrë fragmentet që të ndihmojnë ta kuptosh më mirë Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

  • Jepi dikujt dëshmi për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij – ballë për ballë, nëpërmjet mesazhit në celular ose përmes internetit.

  • Fto një shok apo shoqe që nuk është këtu sot, që të fillojë ta frekuentojë këtë klasë me ty.

Synimi im

  • Unë do të … (veprimi që do të ndërmarrësh).

  • Unë do ta arrij synimin tim duke … (një plan i thjeshtë).

Udhëheqësi i diskutimeve: Merrni parasysh t’u jepni nxënësve kohë që të zgjedhin një shok apo shoqe klase ose një grup bashkëmoshatarësh të cilëve mund t’u tregojnë synimet e tyre gjatë gjithë kursit. Mund t’i udhëzoni grupet të mendojnë rreth një mënyre se si t’ia kujtojnë njëri‑tjetrit synimet e tyre përpara orës mësimore të radhës. Ju, gjithashtu, mund t’u dërgoni nxënësve një mesazh kujtues përpara orës mësimore të radhës.

Herës Tjetër

Udhëheqësi i diskutimeve: Nëse jeni gati që ta jepni herës tjetër mësimin 2, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të shfrytëzojnë ca kohë për t’u familjarizuar me manualin Predikoni Ungjillin Tim si parapërgatitje për orën mësimore. Nëse dëshironi, mund edhe t’u dërgoni atyre një kujtues.